MAFIA E KUQE

0
1364

Rusët po vijnë. Mafia ruse operon në një trekëndësh të pathyeshëm, në mes Izraelit, SHBA-ve dhe Rusisë. Ajo thuajse po merr në dorë kriminalitetin e organizuar të botës, nga trafiku i armëve dhe i drogës, deri tek prostitucioni dhe pastrimi parave. Një libër i ri “Mafia e kuqe” nga Robert I. Friedman, përshkruan historinë e mafies së re ruse.— nga Martin Krasnik

Agron Evsei - doni i parë i Mafias

NË shtatorin e vitit të kaluar, policia kolumbiane bastisi një shtëpi, në një fshat malor afër Bogotës. Policia doli përballë një situate të papritur. Në këtë vend, disa mijëra metra mbi nivelin e detit, ata gjetën një nëndetëse 30 m të gjatë, të projektuar posaçërisht për të trafikuar kokainë për në SHBA. Policia gjeti edhe manuale ruse për të montuar nëndetësen dhe plane për ta çuar atë në Karaibe. Asnjë gazetë nuk e ndjeku çështjen dhe nuk u bë asnjë arrestim, megjithëse nuk ishte hera e parë: Para pak vitesh, një nga bosët e mafies ruse, Ludwig Fainberg me pseudonimin “Tarzani”, provoi pikërisht të përdorte një nëndetëse ruse për të trafikuar kokain në SHBA – dhe bleu gjashtë helikopterë lufte rusë për një aleancë narkoje kolumbiane.

Ivankov - vrasësi i famshëm

Për ekspertët e interesuar në “Mafien e kuqe”, nëndetësja e gjetur në në malet afër Bogotës, konsiderohet si një nga provat e mëdha të bashkëpunimit të gangsterëve rusë me aleancat e narkos kolumbiane. Rusët kryesojnë pjesën më të madhe ë tregut të drogës në Evropë dhe po depërtojnë më shumë në SHBA. Mafia ruse është bërë armiku numër një i FBI-së. Vetëm në pak vite, rusët ia kanë dalë të formojnë një organizatë të përbërë prej më së paku 250 grupesh, të cilët i kanë kapërcyer në fitim aleancat e drogës kolumbiane, yakuzat japoneze, triadat kineze dhe mafien italiane, si në rrjetin global ashtu edhe në dhunën e ushtruar. Aktiviteti ekziston që nga Malajzia deri në Britaninë e Madhe, dhe mafia ruse vepron kështu në rreth 50 vende. Ajo bën trafikun e heroinës nga Azia e jug-lindjes, të armëve në të gjithë globin, është specializuar në vrasjet me pagesë, ka infiltruar në sistemet ndërkombëtare të financave, ka blerë banka në Hungari, Izrael e Kaliforni për pastrimin e parave, dhe tani është në rrugë e sipër drejt Afrikës e Australisë. Mafia ruse ka grabitur minierat e diamanteve në Sierra Leone, ka ndërtuar kazino të stërmëdha në Costa Rica (Kosta Rika), dhe me një kontroll pothuajse të plotë të bankave ruse, ajo ka thithur miliardat e ndihmës të perëndimit për Rusinë. Vetëm në SHBA operojnë rreth 30 organizata ruse, në 17 qytete, sidomos në New York (Nju Jork), San Francisko, Los Angeles dhe Denver.

Semion Mogilevitj - kumbari më i madh

Ka patur një përshkrim të kursyeshëm për mënyrën se si mafia ruse është shpërndarë në pjesën më të madhe të botës. Shkrimtari dhe gazetari amerikan Michael Handelman shkroi më 1995, Comrade Criminal: Russia’s New Mafia (Shokë kriminelë: Mafia e re e Rusisë). Handelman ishte i pari, që nëpërmjet intervistave të shumta me gangsterë rusë, përshkroi rrjetin rus, por konkluzioni i tij ishte se “më e keqja ka përfunduar”, sepse autoritetet perëndimore, po ua mbyllnin me sukses atyre pastrimin e parave. Por konkluzioni ishte arrogant, gjë që tregohet tani nga gazetari amerikan Robert I. Friedman, i cili në librin e tij Red Mafia (Mafia e kuqe), nuk ka përshkruar vetëm historinë e mafies ruse, por edhe se si rusët i mbajnë dhe i zgjerojnë aktivitetet e tyre.

NDRYSHIMI i parë themelor ndërmjet grupeve të mafies ruse dhe të tjerëve në SHBA, është fakti se ruset kanë diçka që italianët mund të ëndërrojnë ta kenë: Dy vende të “sigurta” prapa tyre. I pari është natyrisht Rusia. Njëlloj si mbreti i gangsterëve Majer Lendski (Meyer Landsky), i cili drejtoi Kubën për pak kohë, para se Kastro të merrte pushtetin më 1959, mafia ruse e kontrollon thuajse plotësisht Rusinë. Boris Jelcini nuk hiperbolizonte fare, kur e thërriste Rusinë “superfuqia e kriminalitetit”. Vendi tjetër është Izraeli. Sipas Friedmanit dhe burimeve të tij të panumërta, nuk mund të gjendet as edhe një gangster rus, i cili operon internacionalisht, pa patur një shtetësi izraelite.

Trekëndëshi Rusi-Izrael-SHBA, shtrihet gjatë 30-vjetëve të fundit. Trajtimi i një radhe minoritetesh nga regjimi komunist rus, duke përfshirë këtu edhe çifutët, kërkonte ose asimilimin total të tyre (pavarësisht se regjimi vetë nuk i harronte origjinat etnike të popujve) ose thjeshtë e qartë, aktivitetin e tyre kriminal. Mbi këtë bazë ndodhi që, vala e parë e kriminelëve arriti në SHBA në fillim të viteve 70-të – nën të ashtuquajturën politikë e afërsisë të regjimit të Leonid Brezhnjevit. Në mesin e një numri senatorësh amerikanë, kishte interes për të hequr nga BRSS-ja të gjithë disidentët, dhe më 1972 e 1973, u larguan rreth 66 000 çifutë nga Bashkimi Sovjetik. Por marrëveshja për emigrimin e një numri të kufizuar çifutësh, mund të ketë ngjallur një lloj zbavitjeje në Kremlin, pasi eksodi i këtyre përmasave nuk përbëhej vetëm me intelektualë të pafajshëm. KGB-ja e shfrytëzoi rastin për të zbrazur burgjet nga kriminelë të regjur mirë dhe në këtë mënyrë, u krijoi SHBA-ve dhe Izraelit një potencial kriminelësh të rrezikshëm rusë.

Njëri prej tyre ishte Monya Elson, i cili ishte tipik për grupin e gangsterëve çifutë. Ai vinte nga një qytet i vogël, ku disrespekti për autoritetet, jo vetëm që i bëri qytetarët të pranonin kriminalitetin, por edhe të bashkëpunonin aktivisht me kriminelët. Qyteti ishte i kontrolluar përgjithësisht nga Vor v zakonye (Ligji i hajdutëve), një rrjet kriminelësh, që vinte që nga koha e regjimit të Piterit të Madh, nga fundi i viteve 1600. Rrjeti kishte këshillin e vet (skhodka) dhe rregulla të forta, ku ligji bazë ishte premtimi për të bashkëpunuar për “begatinë e kriminelëve” (voroskoe blago) dhe kurrë me autoritetet e shtetit, në qoftë se kjo s’ishte për t’i mashtruar ata. Prandaj u bashkëpunua me Leninin, derisa komunistët morën pushtetin, dhe pastaj vor-ët u hodhën në luftë edhe kundër tyre. Në vitet 40-të dhe 50-të, u ngrit nga ‘vëllazërimi’ një kontroll i plotë mbi burgjet dhe gratë e importuara, narkotikën e pijet alkoolike, kishte një hierarki të rreptë, e cila hapej për anëtarë të rinj vetëm me ‘prova hyrëse’.

SHUMË prej tyre, që dolën në vitet 1970-të, ishin pra anëtarë të këtij rrjeti. Psh. Monya Elson, i cili mori vizë amerikane dhe depërtoi për në SHBA nëpërmjet organizatave humanitare, të cilat financonin udhëtimet dhe gjenin banesa. Vetëm në vitet 70-të, erdhën më shumë se 40 000 çifutë rusë në Brighton Beach në Bruklin (Brooklyn), që mori edhe emrin Little Odessa (Odesa e Vogël), ku grupe të pathyshme, të çliruara e me njerëz të mjaftueshëm, mes të cilëve edhe Monya Elson, filluan bashkëpunimin me mafien italiane. Rusët nuk sollën vetëm kontaktet e tyre ndërkombëtare, por edhe dyshimin e tyre tek autoritetet (“çfarë mund të bëjë FBI-ja, që Gulag-u dhe KGB-ja nuk mundën?”- shprehet njëri prej gangsterëve për Friedman-in.) Gjatë viteve 80-të, Brighton Beach dhe e ashtuquajtura Organizatsia ruse, u drejtuan nga dy udhëheqës, Agron Evsei dhe Boris Goldberg, që ishin në luftë kundër njëri-tjetrit, derisa Agroni u vra – në një stil të veçantë – në një lob hoteli në Bruklin. Por, ata të dy kishin qenë të organizuar me banda të pathyeshme, të cilat fitonin para direkt nga kriminaliteti.

Kjo u ndërrua nga Marat Balagula, i cili vuri bazat e një organizate të shtrirë në gjithë botën në vitet 90-të. Balagula kishte lindur në Orenburg më 1943. E ëma e tij iku nga Odesa kur gjermanët morën stepat ruse. I jati i tij Jakovi ishte toger në ushtrinë ruse, dhe pas vdekjes së Stalinit, Marati u bë fartsovchik, tregëtar me shumicë, duke e tërhequr bashkëpunimi edhe me popullin, edhe me aparatçikët e korruptuar. Më 1977, ai kërkoi të drejtën e udhëtimit jashtë shteti, duke përdorur si sqarim prejardhjen e tij çifute, dhe ai në këtë mënyrë erdhi direkt në Brighton Beach, ku edhe filloi një aktivitet mashtrues sistematik dhe e bëri mafien një biznes miliardash, të organizuar me rreptësi, sipas stilit italian.

Çelësi ishte benzina, ose më saktë mashtrimi me tatimin e benzinës, që çoi në mashtrimin më të madh të tatimit në historinë e SHBA-ve. Para 1982-shit kishte mijëra e mijëra tanke benzine në shtetin e New York-ut, të cilat ishin përgjegjëse për të mbledhur tatime për shtetin dhe federatën, dhe për t’i dërguar ato tek autoritetet. Por, për arsye të mashtrimit të gjërë, autoritetet ia vunë përgjegjësinë 400 distribuesve të benzinës. Balagula hapi një radhë firmash fallso, të cilat blinin e shitnin benzinë dhe vidhnin të gjitha paratë e tatimit nëpërmjet një rrjeti orgjie, ku autoritetet nuk mundën, dhe nuk bënë sa duhet për t’i zbuluar. Kështu Balagula u tregua i zgjuar sa ç’duhej, dhe ftoi familiet mafioze italiane të Nju Jorkut për të marrë pjesë.

Me Balagulën ndodhi që, në mesin e viteve 1980-të, të binte në erë të FBI-së, e cila u bë e qartë se nuk kishte të bënte vetëm me një grup gangsterësh kriminelë të vegjël, me preferenca për vrasje brutale. Por autoritetet nuk kishin ndërmend të harxhonin kohë me rusët: Pjesërisht pasi zbulime dhe arrestime në mafien italiane, ishin akoma çelësi i ngritjes në detyrë dhe pjesërisht pasi mafia ruse ishte kryesisht çifute dhe për këtë arsye, politikisht ishte një ‘patate e nxehtë’, veçanërisht në Nju Jork, ku çifutët ishin ngulur me ndihmën e organizatave lokale humanitare. Establishmenti çifut kishte frikë se, një fushatë kundër rusëve mund të krijonte anti-semitizëm dhe kundërshti për valet e reja të emigrimit nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin e fundit të luftës së ftohtë, mafia ruse ia doli të shpëtonte nga FBI-ja, sa herë që kjo e fundit binte në gjurmë të saj, duke ofruar zbulimin e agjentëve të KGB-së, që operonin në atë zonë.

Pasi kishte qenë në arrati për shumë vjet, autoritetet ia arritën të kapnin Balagulën më 1989. Tani ai vuan një dënim me burg deri në vitin 2003, dhe nuk pranon të thotë asgjë për lidhjet e tij: “Mafia ruse?”, i tha ai Friedman-it, i cili e vizitoi në qeli, “nuk ekziston ndonjë mafie ruse. Dy-tre miq, që rrinë bashkë… A mund të quhet kjo mafie?”

KUR ra muri i Berlinit, ekzistonte ndërkohë një rrjet në SHBA me lidhje veçanërisht për çifutët rusë në Izrael e Evropë. Kur ndodhi kolapsi i BRSS-së më 1991, një radhë e njerëzve të KGB-së, oficerë ushtarakë dhe zyrtarë, të cilët kishin bashkëpunim me organizatat kriminale, shkuan tek mafia për të marrë mallra ‘jorevolucionarë’ si kompjuterë, domate e prostituta, ku dhe u shfaq një bashkëpunim diabolik i gangsterëve dhe nomeklaturës. Më 1989 kishte rreth 9 000 banda kriminale në Rusi me rreth 35 000 anëtarë, dhe gjatë privatizimeve të mëdha të vlerave ruse në fillimin e viteve 90-të, zyrtarët, politikanët dhe mafia, nxorrën fitime të mëdha nga ky bashkëpunim: Mafia kishte nevojë për licensa eksporti, favore tatimi, hua pa renta, viza tregëtare dhe një polici pasive. Të gjitha këto u vunë në dispozicion nga burrokratë të korruptuar, të cilët si kushdo tjetër, kishin humbur të ardhurat e tyre bazë, si rezultat i inflacionit. Në mesin e viteve 90-të, nëntë organizata mafioze kontrollonin rreth 40% të të gjithë ekonomisë ruse. Ekspertë të tjerë supozojnë dyfishin.

Në vitet para shkatërrimit të komunizmit erdhën qindramijë çifutë rusë në Izrael dhe mijëra prej tyre u larguan për në SHBA, veçanërisht në Nju Jork, ku banonin ndërkohë rreth 300 000 rusë, dhe ku njerëz të tillë si Marat Balagula, kishin ndërtuar një rrjet të mirë ndërkombëtar. Autoritetet në SHBA, Evropë apo Izrael nuk ishin të gatshme për këtë gjë, prandaj kjo u shfrytëzua nga miti më i madh i gangsterëve të viteve 90-të, Vjaceslav (Vyacheslav) Ivankov, me nofkën Yaponchik (Japonezi i vogël). Ai shkoi në SHBA më 1992 dhe deri sa u arrestua më 1995, u mor me kalimin e grupit më të madh mafioz rus Solntsevskaya në SHBA. Por megjithëse Ivankovi konsiderohej si vor-i më me influencë dhe “babai i zhdukjes”, nuk mundi megjithatë ta arrinte gangsterin më të madh të mafies së kuqe as deri tek çizmet.

Është pikërisht Semion Mogileviç (Mogilevitj), i njohur gjithashtu si “gangsteri më i rrezikshëm rus”, udhëheqësi absolut i Mafies së kuqe (mafia ruse në vitet 90-të). Ai është një tip i ri doni, që as edhe familjet e mëdha italiane, s’kanë patur rastin të njohin shumë prej tyre. Ka krijuar, nëpërmjet telefonëve të sigurtë përmes satelitit dhe e-maile të kriptuara, një rrjet global të drejtuar nga një grup i ekspertëve personalë. Ka qenë i burgosur në BRSS në vitet 70-të, për spekulacion valute dhe që në atë kohë krijoi një shumë të majme, duke mashtruar çifutët që po iknin, duke iu ofruar atyre ndihmë në shitjen e pasurisë së tyre, kur ata kishin ikur, dhe kështu t’ua dërgonte paratë më pas, gjë që ai natyrisht s’e bëri asnjëherë.

Në fillim të viteve 90-të, Mogileviç u largua si shumë të tjerë nga Moska, në kohën kur sistemi ishte duke u thërrmuar. Ai u vendos në Izrael, ku mori nënshtetësinë, dhe filloi koordinimin e aktiviteteve të tij me mafien japoneze e italiane. U martua me një hungareze dhe u specializua në shitjen e armëve prej Budapestit, ku shumë shpejt mori nofkën “Beiruti mbi Danub”. Paratë e nxjerra nga trafiku, i pastroi ndërmjet tjerash në Bankën e Skocisë (The Bank of Scotland), ku pa i shkrepur syri, mori 50 milion dollarë për investime të tjera. Më vonë ai bëri një numër të famshëm mashtrimi me YBM Magnex, një firmë në Philadelphia, që merrej me magnetë industrialë. Ajo kishte anëtarë prominentë kryesie dhe mbikqyrej nga revizorë të mirënjohur, por në të vërtetë ishte një parket i fshehtë për pastrim parash.

Zbulimi i YBM Magnex, çoi në mbylljen e kufinjve për të nga shumë shtete, por Mogileviç banon sot në Moskën e hapur, nga ku ai udhëton në botë me pasaporta fallso ose fluturon në destinacionin Tel Aviv – Moskë me avionin e tij personal. Ashtu si edhe pjesa tjetër e mafies ruse, ai ka shfrytëzuar çdo vrimë: Kur hungarezët, me ndihmë të SHBA-ve dhe Izraelit, iu futën seriozisht zbulimit të kriminalitetit të organizuar, bosët e gangsterëve u shpërngulën për në Vienë, e cila shumë shpejt u bë një vrimë uji për kumbarët rusë. Pastaj erdhi Zvicrra, e cila sipas Friedman-it mban rreth 60 donë rusë dhe qëndron për pastrimin e rreth 60 miliard dollarëve.

Por nuk është vetëm një vrimë miu si Zvicrra, apo shtete të papjekura evropiane, të cilat kanë qenë vende loje të hapura për mafien. Kemi psh. rastin e shërbimit të fshehtë britanik, i cili pas publikimit të librit të Friedman-it, zbuloi se nga Banka e Nju Jorkut (The Bank of New York) kishin qenë transferuar në një periudhë pre 18 muajsh 4,2 miliard dollarë – me një transferim të herë pas hershëm, në intervale prej pesë minutash, 24 orë në ditë. Askush nuk e kishte konsideruar këtë gjë si të dyshimtë. Në SHBA konsiderohet pastrimi i parave i paligjshëm vetëm nëse paratë vijnë nga mashtrime bankare, narkotikë apo terrorizëm – por ligji nuk e përfshin prostitucionin, vrasjet me pagesë apo trafikun e armëve.

Vendi më i rënduar është padyshim Izraeli. Rreth 700 000 rusë kanë ardhur në Izrael që nga fundi i viteve 80-të, dhe autoritetet amerikane e izraelite vlerësojnë se, së paku 10 000 prej tyre i janë bashkangjitur një lloji apo tjetër forme kriminaliteti ndërkombëtar. Izraeli është pikë së pari tërheqës, pasi nëpërmjet ligjit izraelit The Law of Return (Ligji i kthimit) ka qenë e lehtë për çifutët të pajisen me një pasaportë perëndimore, të cilën mund ta përdornin në të gjithë botën. Nga ana tjetër, Izraeli është njëri prej atyre pak vendeve, që nuk i dorëzon shtetasit e vet. Dhe së fundi, Izraeli ka një sistem të hapur bankar, ku është mjaft e lehtë të hapësh një konto dhe të transferosh para në të, pa të pyetur askush për to. Nuk ekziston as edhe një ligj izraelit, që pengon pastrimin e parave.

Sipas Friedman-it dhe një gazetari tjetër amerikan, Rajmond Boner (Raymond Bonner), drejtuesit e mafies ruse kanë ‘blerë mbrojtjen’ nga zyrtarë të lartë izraelitë dhe politikanë drejtues, duke mbështetur me miliona fushatat e zgjedhjeve. Më interesanti në këtë rast është Benjamin Netanyahu, i cili mori gati 2 milionë dollarë në fushatën e tij më 1996. Për më tepër, Nathan Sharansky – disidenti i njohur që më parë, i cili erdhi në Izrael në vitet 80-të me një vëmendje të madhe, ka pranuar ndërkohë se ai ka marrë para nga Gregorij Loutsjanskij – i lindur në Lituani, i cili është i dyshuar për pastrim parash dhe trafik të komponentëve për armë bërthamore. Policia izraelite vlerëson se mafia e udhëhequr nga Loutsjanskij, Gregorij Lerner dhe Joseph Kobzon, kanë sjellur rreth 5 miliardë dollarë në ekonominë e vendit, kanë blerë shoqëri sigurimi dhe së paku një bankë.

Vetëm në 2-3 vitet e fundit, vende si SHBA-të, Izraeli e Hungaria, kanë bërë përpjekje sistematike për pastrimin e mafies ruse. Por ato luftojnë kundër globalizimit, që gjithmonë hap kufinj dhe sisteme ekonomike. Dhe kur organizatat ruse, që kanë akoma BRSS-në e kaluar si mbështetëse, me një korrupsion burrokratik dhe njerëz që janë të gatshëm për të vepruar me gjithçka, edhe me nëndetëse, duket se kjo detyrë është tepër e vështirë. Njëkohësisht, të gjithë ata gazetarë, që i janë futur punës për të kontrolluar në themel mafien ruse në SHBA, Rusi e Izrael, ose janë kërcënuar me jetën e tyre, ose janë sulmuar. Robert Friedman ruhet gjithnjë për arsye të kërcënimeve. Në rusi janë vrarë deri tani të paktën 13 gazetarë nga mafia e kuqe.

Përktheu: Arben Çokaj, Kopenhagë.

Publikuar:
Në gazetën daneze “Weekendavisen” (Gazeta e fundjavës), më 19 janar 2001.
Artikulli në shqip u botua në gazetën TemA, Tiranë

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu