Nuk ka hall më të madh se të jesh zot shtëpie, dhe çelësat e shtëpisë t’i mbajë dikush tjetër. Këtë gjë ka filluar ta kuptopjë mjaft mirë kryeparlamentari i Kosovës, z. Nexhat Daci. Dhe nuk ka faj. Kosova e pasluftës, ka një sufiçit buxhetor prej rreth 100 milionë Eurosh në vit, ndërkohë që ish-pushtuesja e saj, Serbia, kredhet në mjerim mes bandave rivale kriminale. Kështu ndodh, kur mundohesh të hapësh varrin për të tjerë dhe bie vetë brenda…
Para pak ditësh, zv/kryeministri serb Çoviq, u shpreh se kishte të dhëna, se lobe shqiptarësh po përpiqen ta blejnë Kosovën për një shumë rreth 2-3 miliardë dollarësh. Sa e vërtetë është kjo, vetëm mund të hamendësohet. Por, një deklarim i tillë i z. Çoviq na bën të mendojmë për detyrimet e mëdha, që Serbia dhe populli serb ka në drejtim të ish-kolonisë së tyre, Kosovës.
Rreth 900 milionë Euro, u ka Serbia borxh vetëm pensionistëve kosovarë, pa përmendur këtu, dëmshpërblimin e madh, që Serbia dhe populli serb i ka borxh Kosovës dhe popullit shqiptar në Kosovë, për gjenocidin e përdorur atje për dekada me radhë.
Shpeshherë ndeshemi me një fenomen të tillë alibie. Edhe në këtë rast, përsëritet historia serbe: Krijimi i pretekstit sikur Kosova duhet të blihet… “Liria fitohet me gjak!” – është një thënie klasike-romantike. Zv/kryeministri serb Çoviq, kërkon të krijojë një alibi, që disa politikanë serbë të mbushin xhepat e tyre me paratë e shqiptarëve, për ta lënë Kosovën të lirë, nën idenë e shthurur se “Liria fitohet me para”… E gjitha kjo bëhet, që kosovarët të ulin pretendimet. Pra kosovarët, të cilët sot realisht janë shkëputur nga Serbia (por jo akoma juridikisht) të mos kërkojnë dëmshpërblimin e madh që Serbia u ka borxh; bile kosovarët, sipas logjikës Çoviq, duhet edhe të paguajnë akoma.
Por Kosova e fitoi lirinë në pikëpamjet klasike-romantike, dhe ka derdhur shumë gjak shqiptarësh të devotshëm për lirinë e saj. Kosova e lirë pret ditën kur pavarësia e saj të njihet ndërkombëtarisht. Ndoshta Kosova nuk duhet të rrijë e të presë… Kjo gjë nuk është dhe kaq e lehtë, por kurrë e pamundur. Në politikën kosovare po hyjnë dita-ditës ide të reja, dhe kjo si fillim është një tregues se politika kosovare merr frymë relativisht lirshëm.
Varësisht nga niveli kulturor e profesional, nga interesat e caktuara dhe bindjet politike, në Kosovë ravijëzohen ide nga më të ndryshmet, serioze dhe jo serioze. Krahu konservator i LDK-së ruan me fanatizëm seriozitetin politik në kërkesat e drejta për pavarësi, dhe nuk dëshiron të devijojë nga kjo devizë, qoftë edhe përkohësisht me idenë e moratoriumit të Thaçit.
Sepse LDK-ja e di mirë, që pas disa vjetësh, nëse pranohet një moratorium, do dalë një ide e re nga Thaçi, apo dikush tjetër afër tij, që përsëri do e largojë Kosovën nga ideja e pavarësisë. Madje mund të arrihet virtualisht deri atje, sa një ditë, mund të hidhet ideja edhe e një vëllazërimi me serbët, tani që lufta u krye, ashtu siç po bën Ali Ahmeti me kolegët e tij maqedonë, pas luftës, duke lënë mënjanë shumë nga kërkesat e shqiptarëve.
Pra gjaku i derdhur, bëhet kështu objekt shitjeje, nëse kjo gjë pranohet nga pjesa e shëndoshë e me moral, e politikanëve kosovarë. Por Kosova dhe pavarësia e saj nuk janë lojë fjalësh, apo “fjalë grash” si i thonë. Herë një opsion, e herë një tjetër. Edhe kur Kosovën e sundonte dhuna e terrori serb, LDK-ja dhe udhëheqësi i saj Dr. Rugova, nuk hoqën dorë nga pavarësia. Atëherë pse duhet të heqin dorë sot?…
“Sepse nuk kanë përse të flasin tjetër…” ironizon një kronist i Kohës Ditore tek Shekulli. Duket se liria e shprehjes dhe e shtypit në Kosovë nuk është kuptuar qartë. Janë disa tema tabu, që për hir të opinionit të gjërë publik, për hir të rëndësisë kombëtare që kanë, duhet të jenë tabu. Një temë e tillë është edhe pavarësia e Kosovës. Asnjë gazetar apo analist serioz shqiptar, nuk i lejon vetes të tallet me gjëra të shenjta. Dhe nëse ka gjë të shenjtë për shqiptarët sot, ajo është pra, Pavarësia e Kosovës.
Këtë gjë e ka kuptuar mirë z. Çoviq, i cili fillon banalizimet, duke vënë kaparin… Po kush po ia var torbën atij. Ajo që na intereson ne më shumë, është ajo që ka rëndësi për ne. Kështu mendohet në perëndim dhe ne duhet të fillojmë e ta bëjmë tonën, këtë metodë mendimi, që të ekzistojmë.
Kanë qenë të herë pas herëshme këto ditë kritikat e kryeparlamentarit kosovar, z. Daci, në drejtim të administratës së UNMIK-ut. Kryeparlamentari kosovar po merr një dimension tjetër në politikën kosovare, duke u bërë kështu shprehje e mendimit politik kosovar. Ndjeshmëria e tij politike, shqetësimi intelektual për qytetarët e vet, përgjegjshmëria shoqërore që ka, e kanë vënë z. Daci në krye të politikanëve pragmatistë kosovarë, duke u ballafaquar realisht me realitetin në Kosovë.
Shumë kosovarë që ndodhen në perëndim, kanë investuar para në Kosovë dhe vazhdojnë të ndihmojnë familjet e tyre. Pavarësisht diferencimit që ka filluar të krijohet në Kosovë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, detyra e qeverisë së Kosovës është që, familjet e dëmtuara nga lufta, pleqtë dhe të varfërit e tjerë, të ndihmohen që të mos vdesin për kafshatën e gojës. Jo të gjithë kanë dikë në perëndim, që mund t’i ndihmojë me para. Buxheti i Kosovës shënon një sufiçit prej 100 milionë Euro në vit, që nuk janë pak për një vend të vogël, por paratë e “tepërta” nuk kanë mundësi administrimi siç duhet. Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje t’i përdorë ato para për nevojat e qytetarëve të prekur, për arsye të UNMIK-ut, dhe kjo e shqetëson me të drejtë z. Daci.
Por nuk është vetëm kjo. Kosova nuk ka nevojë për carë të rinj, të cilët nën petkun e demokratit, shfaqin cilësitë e një burrokrati, apo mini-diktatori klasik. Administrata e UNMIK-ut në Kosovë sillet sikur të jetë e përjetshme. Por ajo duhet të kuptojë, se kosovarët nuk kanë nevojë për tutorë të rinj. Administrata e UNMIK-ut nuk duhet të lejojë që shoqëria kosovare të kalojë nga breshëri serb në shiun e tyre, pasi shoqëria kosovare ka nevojë për diell.
Kryeparlametari Daci ka reaguar me mjaft maturi, duke paraqitrur shqetësimin kosovar, i cili mund të bëhet problem shoqëror, që UNMIK-u nuk do mund ta kontrollojë më pas. Të rinjtë e Kosovës kanë nevojë për punë, kanë nevojë për perspektivë. Përdorimi i sufiçitit kosovar në një rrugë të drejtë, do krijonte mundësi të reja për shoqërinë kosovare, dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse i zoti i shtëpisë i ka çelësat në dorë dhe di se ku i pikon çatia.
Por shoqëria kosovare po ndeshet me burrokracinë ndërkombëtare, e cila sidoqoftë ka ardhur në Kosovë si mike dhe për të na ndihmuar. UNMIK-u duhet të ruhet që të mos abuzojë me shprehjen e miqësisë së shqiptarëve, pasi kosovarët durojnë shumë për hatër, por veprojnë me egërsi kur teprohet. UNMIK-u duhet të ketë kujdes, që të mos e çojë shoqërinë kosovare në kufinjtë e të patolerueshmes, se pastaj do jetë e vështirë të riparosh pasojat.
Sidoqoftë, politikanët kosovarë kanë filluar të paraqesin vizione më të qarta për atë që është dhe duhet të jetë Kosova. Politikanë e intelektualë të guximshëm si z. Daci ka mjaft në Kosovë. Ata i besojnë vetes, ata janë në gjendje ta mbajnë Kosovën në dorë. Nevojitet një bashkëpunim më i madh ndërmjet tyre, pa marrrë shumë parasysh ndasitë partiake, që Kosova të bëhet një shtet i lirë i bashkësisë së shteteve demokratike. Kosova na paraqitet sot më ndryshe, një vend në përpjekje për të konkurruar lirshëm me vendet e tjera, një shqiponjë e re, që po pret të fluturojë.
Arben Çokaj, 8 maj 2003.
Publikuar në: Gazeta “Illyria“, Nr. 1239, 09-12.05.2003 | QIK, opinione
Dërguar për: Gazeta “Shekulli“, 09.05.2003