E DREJTA PËR TË VRARË

0
1062
Right to kill

EDITORIAL

“Weekendavisen”, 9-15 shkurt 2001

Krahu i majtë danez në vitet 70-të dhe 80-të, nuk ishte i përcaktuar vetëm të pranonte përzgjedhjen e diktaturave të ndryshme, që ndodheshin në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Shqipëri apo Kubë. Por aktivisht u mbështet gjithashtu edhe terrorizmi, si psh. në Lindjen e Mesme. Me mbledhje parash, me deklarata mbështetëse, me inkurajime të llojit politik e ideologjik – dhe në raste të veçanta, duke bërë sikur, apo duke punuar për të ngritur një betejë të armatosur në Danimarkë, dhe duke “mbledhur” për këtë arsye, mjete monetare nëpërmjet vjedhjeve.

KONSIDERATA MORALE të këtij tipi ishin shumë të zgjeruara në klimën politike të krahut të majtë, dhe përbuzja e tyre njerëzore kapërcehet vetëm nga përbuzja e tyre politike; nëse nuk mund të arrihej vullneti i tyre me mjete legale e politike, atëherë gëzohej e drejta e përdorimit të mjeteve ilegale. Pikëpamja është mjaft e vjetër; kjo është diskutuar në mendimin politik evropian, që nga mesjeta e vonët, e drejta eventuale kryengritëse e popullit; holandezi Grotius, i cili shkroi në vitet 1600, është më i njohuri në mendimtarët e hershëm të kësaj tradite. Preludi i revolucionit francez ishte i influencuar nga një tip i tillë diskutimesh teorike, dhe pikëqëndrimi i përgjithshëm i kësaj kohe, që në rrethana veçanërisht të sforcuara – uzurpimi, faktikisht tiranie – popujt të kishin të drejtë të bënin kryengritje kundër sovranëve të tyre.

Në të vërtetë nuk ka asnjë mendimtar, jashtë traditës komuniste apo naziste, që ka gjetur argumentë për vrasjen e civilëve të pafajshëm, për arsye të arritjes së një qëllimi politik.

Për krahun e majtë evropian, popujt e botës së tretë nuk ishin vetëm racioni i tyre i mirë në vrasjen e kujtdo, për arsye se ata vetë e kishin të vështirë për të arritur këtë me mjete të njohura; por u përdor edhe një teori e cila supozonte se revolucioni botëror duhej të vinte pikërisht nga të shtypurit e botës së tretë. Mondizmi i Tierit, quhet kjo teori, e cila ndërtohet themeltësisht mbi njohjen e faktit se, klasa punëtore e përllogaritur në votimet demokratike, pronare e makinave dhe shtëpive private, vështirë se pritet të tregojë vullnet, për të shpalosur egërsinë e nevojshme, që duhet ta sjellë njeriun në “parajsën e komunizmit” – dhe për më tepër, në njohjen e faktit se, “parajsat komuniste” të vendosura deri më tash, ndoshta nuk mund të bënin apelin e parezistueshëm për cilin do qoftë, përfshirë këtu edhe qytetarët e tyre.

KATASTROFA, siç dihet pasoi katastrofën, pavarësisht se ku ishte bërë përpjekje për të përdorur një vizion të tillë, për të cilën krahu i majtë punonte me kaq zell. Por kjo nuk i pengonte aq shumë grupet e ndryshme ta konsideronin komunizmin në princip, si një ide të fantastike; ishin vetëm ndërthurjet e pafat të kushteve të këqija dhe inkompetencës të liderëve komunistë, që e kishin shfytyruar një projekt të tillë. Diktatura e proletariatit ishte dhe u bë një vision shoqëror i mrekullueshëm dhe në këtë mënyrë, një konkluzion i pashmangshëm i historisë së botës sipas Marksit. U fillua kështu pra, vetë ndihma ndaj logjikës historike.

Shoqëria borgjeze, që nënkupton demokracinë, e cila u vu në zbatim me shpalljen e pavarësisë amerikane me 1776 dhe revolucioni francez më 1780, ishte vetëm një “etapë” në historinë evolucionare të botës, të cilën Marksi dhe Engelsi në mes të viteve 1800, e analizuan për të ardhmen e përgjithëshme.

Shoqëria borgjeze ishte po ajo shoqëri, e cila qëndronte për të drejtat njerëzore – ato, që sot i quajmë të drejtat e njeriut – dhe prej këtu, dilte logjika se, këto të drejta do kishin për rrjedhojë kufizueshmëri në kohë. Kur shoqëria të zhvillohej më tej, të drejtat e njeriut do zhdukeshin bashkë me atë shoqëri, e cila i kishte vendosur ato. Krahu i majtë revolucionar, mori siç mund të konsiderohrt, një mbidozë të këtij gëzimi të së ardhmes, duke i parë si gjë të madhe të drejtat e njeriut.

SHOQËRIA dhe zhvillimi i saj i pritur, ishte pra objekti kryesor i mendimit politik të krahut të majtë. Jo njerëzit. Njerëzit u konsideruan në këtë lloj mendimi, si lënda e parë në këtë shoqëri. Dhe nëse “logjika” e supozuar e shoqërisë kërkonte që të eksekutoheshin njerëz, atëherë s’kishe se çfarë të bëje.

Nëse ishe veçanërisht i ndjeshëm, mund të provoje të kufizoje vrasjet ose së paku të distancoheshe prej tyre. Por nuk gjendej asnjë objeksion parimor kundër kësaj. Dhe nuk ekziston akoma edhe sot një objeksion i tillë.

PA një koncept për individin dhe të drejtat e tij, mund të mendohen krejt lirshëm mënyra të ndryshme të organizimit të botës. Mund të lëvizësh dikë këtu, vrasësh dikë tjetër atje, dirigjosh dikë lart e dikë tjetër poshtë. Mund të krijohet kështu një rregull krejt imagjinar, dhe nëse do kishte njerëz të veçantë – individë – që nuk gjenin arsye në faktin se, shoqëria domosdoshmërisht kërkon lënien mënjanë të vullnetit personal të çdo lloj forme – po, atëherë ata janë të këqinj dhe duhet të ekzekutohen, ose kanë humbur rrugën dhe duhet të trajtohen psiqikisht.

Pikërisht për këtë, katastrofat e Bashkimit Sovjetik dhe Kinës nuk janë aspak rezultate të rastësishme të një ndërthurjeje të pafat të rrethanave, por të vetëndërtuara në bazën e vetë vizionit komunist. Nëse fillohet të konsiderohet individi njeri, si lënda e parë e një sistemi shoqëror, atëherë herët ose vonë, vjen koha e vrasjeve dhe shtypjes së egër.

S’ka asnjë premisë ndërtimi të një sistemi njerëzor mbi këtë bazë! E atëherë, pse duhet të ndërtohet një shoqëri, nëse ajo s’ndërtohet për njerëz? Kush duhet të kënaqet, nëse njerëzit vetë nuk kënaqen? Ç’farë përfitimi mund të dalë nga kjo? Kënaqësia e rregullit? Kjo kënaqësi është zakonisht jetëshkurtër, pasi vetëm kur thyen të drejtat njerëzore dhe dërgohen kamionët çdo mëngjes për të marrë kundërshtarët për ekzekutim, fillojnë të dalin gjithnjë e më tepër kundërshtarë.

Gëzimi i revolucionarëve është jetëshkurtër; kurrë nuk ecën siç pritet të ecë.

Të vjen me të vërtetë çudi, si mund të durohet akoma mbyllja e syve për këtë gjë? Kur do të vijnë ata njerëz të aftë të krahut të majtë në mendimin se, Marksi thjeshtë i kishte bërë llogaritë gabim, në sipërmarrjen e tij të parashikimit të fatit të njeriut? Kur do të vijë ai mendim se, Marksi ka patur një difekt të madh në ndërtimin e filozofisë së tij?

A.K.
______________________
Përktheu: Arben Çokaj, Kopenhagë.

Publikuar:
Në gazetën daneze “Weekendavisen” (Gazeta e fundjavës), më 9-15 shkurt 2001.
Përkthimi në shqip u botua në gazetën TemA, Tiranë dhe Trepca.net

Shqip | Dansk | Deutsch | English

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu