Kosova ka nevojë të përkrahet e jo të mësohet z. Nano!

0
1192
Fatos Nano

Shkruan: Arben Çokaj

Ilustrim nga Bota Sot
Ilustrim nga Bota Sot

Është tepër domethënës fakti që Nano shfaq përsëri tendencat e tij të ideve pakontroll. Në një takim të “Klubit Politik Ballkanik” këto ditë në Athinë, ai shprehet se duhet të fillojë dialogu Prishtinë-Beograd. Si kryministër i Shqipërisë, atij i takon të shfaqë mendimet e tij për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi. Por ajo që të tërheq vëmendjen në këtë rast, është pikërisht kovergjenca e propozimit të zotit Nano me planin e nënkryeministrit serb Çoviq, të publikuar këto ditë në gazetën serbe “Politika”.

Shqiptarët e Kosovës, përmes lidërve politikë të zgjedhur me votën e lirë, kërkojnë zgjedhjen sa më parë të statusit final të Kosovës, e cila është pavarësia. Por kjo nuk duhet të ndodhë përmes një dialogu të drejtëpërdrejtë Prishtinë-Beograd, siç parashikon Çoviq në planin e tij për një Kosovë serbe, gjë që siç duket përkrahet momentalisht edhe nga Nano, por kundërshtohet hapur nga kryeministri i Kosovës, Rexhepi. Statusi final i Kosovës duhet të vendoset në Këshillin e sigurimit të OKB-së, e sidomos me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partneri më i besueshëm i shqiptarëve në përgjithësi, dhe i Kosovës në veçanti.

Shqiptarët dhe serbët nuk kanë çfarë të bisedojnë e të dialogojnë. Shqiptarët e Kosovës janë përcaktuar për pavarësi, dhe nuk gjen në Kosovë asnjë qytetar shqiptar, e jo më politikan, që të dalë kundër pavarësisë së Kosovës, si opsion i zgjidhjes përfundimtare të statusit të saj. Ndërsa serbët e kundërshtojnë këtë deri në nivele të larta të shtetit të tyre, pavarësisht se për shumicën e serbëve, Kosova është tashmë një çështje e humbur.

Por serbët, të cilët përkundër Nanos, e kuptojnë kozmopolitizmin politik, si ndjenjë egoiste për vetveten; të pajisur me një përvojë politike paksa më të madhe se Kryeministri i sotëm shqiptar, ata mundohen megjithatë të ndikojnë qendrat e vendosjes ndërkombëtare, duke shfrytëzuar edhe bindjet politike të majta sllave, për të minuar rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Në këtë mënyrë, serbët ia kanë arritur të bindin politikanë të majtë evropianë, punonjës të administratës së UNMIK-ut në Kosovë si Susan Manuael – ish-zëdhënësja e UNMIK-ut, etj. të cilët shkojnë aq larg, sa ta shohin të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, si ironike. Këta punonjës bukëshkalë të UNMIK-ut, marrin rroga të majme në Kosovë, pa tatim fare, që nuk mund t’i marrësh lehtë diku tjetër, dhe në fund të fundit largohen me bisht nën shalë, duke nxjerrë në pah ndjenjat e tyre mosmirënjohëse, që i trishtonin ata për aq kohë sa ishin në Kosovë. Imagjinoni sa të trishtuar do jenë serbët vetë, të cilët gjithë jetën e tyre vuajnë se si t’ia mohojnë Kosovës të drejtat e saj!…

Kohët e fundit Nano jo vetëm që shfaqet si Don Kishot futurist e diletant politik për çështjet kombëtare, me thëniet e tij të parakohëshme “integrim në vend të sovranitetit tradicional”, apo “multikulturalizëm në vend të romantizmit nacionalist”, që fshehin në të vërtetë qëllimin e tij meskin, në mbështetje të planeve serbe, për të penguar Kosovën në rrugën e saj të pavarësisë. Kush po e pyet sot Nanon për integrim ballkanik, dhe kush nga shtetet e Ballkanit po i merr në dorë deklaratat e tij delirante?

T’i referohemi vetëm Greqisë, ku integrimi ballkanik për të, është pikërisht heqja e identitetit të shqiptarëve, ndërrimi i emrave dhe besimit të tyre, dhe përdorimi i tyre si skllevër modernë, pa as të drejtat më elementare të garantuara nga karta evropiane e të drejtave të njeriut, e cila është pranuar edhe nga Greqia. Është pikërisht shteti grek – anëtar i vetëm i Bashkimit Evropian nga Ballkani, që duhet t’i paraprijë idesë së një integrimi ndërballkanik, duke filluar me respektimin e të drejtave të çamëve e të emigrantëve shqiptarë atje, e jo Kryeministri i sotëm shqiptar – kryeministër i një vendi me një ekonomi të dobët, që vuan nga idetë e tij servile, me shpresë se do kuptohet nga Evropa.

Ne që jetojmë në Evropë, dhe i njohim mjaft mirë huqet e politikës së shteteve nacionale evropiane, mund t’i kujtojmë Nanos, se rruga drejt Evropës nuk bëhet me servilizëm të tejskajshëm e nënshtrim, dhe duke shitur interesat nacionale e vitale të vendit e kombit tënd. Evropianët nuk të honepsin fare, kur dikush u lutet për ndihmë, ata respektojnë më tepër të fortin dhe atë që di t’i mbojë të drejtat e tij. Por duket se kryeministri i Shqipërisë, z. Nano, nuk i njeh si dhe sa duhet Evropianët, dhe kjo nuk është vetëm fatkeqësi e tij si kryeministër, por më tepër një fatkeqësi për popullin shqiptar, që nuk gjen rrugë për ta zëvendësuar atë.

Duke u nisur nga tradita politike Evropiane, e sidomos nga tradita politike në Ballkan, idetë e Nanos për një integrim ballkanik, në kurriz të popullit shqiptar, nuk paraqesin një prespektivë të qartë. Duhet në radhë të parë të krijohet substanca e organizuar shqiptare, para se ne të fillojmë integrimin. Pasi integrimi në vetvete, nuk është naiv e idealist në ajër, siç mundohet ta paraqesë Nano, por është në radhë të parë ballafaqim vlerash mbi baza konkurruese e dominuese. Në marrëdhënie me fqinjët, sot për sot, Shqipërisë dhe Kosovës i shkon më shumë për shtat termi “fqinjësi e mirë – kufinj të fortë” sesa “integrimi në vend të sovranitetit tradicional”. Prandaj Nano si kryeministër i Shqipërisë të punojë më shumë për zgjidhjen e problemeve të mëdha në shtetin e tij, e të mos hapet si vaji në lakra, duke u munduar të mësojë shqiptarët e Kosovës se çfarë duhet të bëjnë.

Kryeministri shqiptar Nano po jeton sot ekstazën e suksesit të tij, me një grua të re e të bukur, me një opozitë të heshtur (për hir të marrëveshjeve), i bindur më shumë se kurrë, se ai po shtron rrugën e Shqipërisë për në Evropë, pa shtruar as edhe rrugët e vendit të vet. Dhe jo vetëm kaq, por si mbështetës real i ideve të Demaçit për Ballkani e vëllazërim me serbët, ai po thekson gjithnjë e më tepër termat integrim ballkanik, multikulturalizëm, etj. Sikur nuk bëhet fjalë këtu për një gadishull si Ballkani, ku historitë e vjetra ngjallen papritmas, e bëhen më reale e kokëforta, se vetë idetë e pakontroll të Nanos.

Kosova ka ndërtuar tashmë strukturat e saj politike të drejtimit të një shteti, duke u mbështetur në votën e lirë të qytetarëve të saj. Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, është një politikan i afirmuar në arenën ndërkombëtare si personalitet evropian; një njeri i mençur e me kulturë të gjërë. Kosova është më afër se gjithmonë pavarësisë reale të saj dhe shtetit të ri në Ballkan. Pra Kosova e ka treguar veten, se i di mirë punët e veta. Por Kosovës i duhet përkrahje e madhe, në radhë të parë nga shteti shqiptar, i cili në vend të kësaj përkrahjeje të nevojshme, heq zyrën e Kosovës nga Tirana, dhe për hir të marrëdhënieve me Serbinë e fqinjë të tjerë jo-shqiptarë, mundohet të japë leksione që janë në koherencë me mendimin serb për një Kosovë serbe.

Thonë se hitoria përsëritet. A mos duhet të mendojmë ne shqiptarët, se interesat e popullit shqiptar të Kosovës po shiten përsëri nga shteti shqiptar, për hir të konjukturave banale e personale të krerëve politikë të Shqipërisë së sotme, siç bënë komunistët më 1944? Dihet se Partia Socialiste është pasardhëse e Partisë së Punës, pra e komunistëve shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se lideri socialist Nano (nëse nuk është i shitur) duhet të vazhdojë traditën e të veprojë si diktatori Hoxha. Duhet që pikërisht, pasardhësit e sotëm të komunistëve shqiptarë, të punojnë që të ndreqin një padrejtësi të madhe historike e kombëtare të popullit shqiptar, të krijuar pikërisht prej tyre, në mënyrë që ata të konsiderohen modernë e të reformuar, siç ka dëshirë ta quajë edhe z. Nano.

Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në një rrugë të drejtë, ashtu siç është shprehur populli i saj në referendumin popullor. Nëse kjo gjë nuk përkrahet nga shteti i sotëm shqiptar, atëherë z. Nano të mos shpresojë se ka për ta bërë gjumin e qetë, dhe ka shumë mundësi që atij do i duhet, që inteligjencës së tij të lindur, t’i heqë një paralele ndërmjet veprimeve të tij të sotme, dhe atyre të diktatorit Hoxha më 1944.

Në Kosovë ekziston i qartë mendimi unik për të ardhmen e Kosovës dhe statusin final të saj. Ndërsa në Shqipëri konsiderohet si demokratik e i arsyeshëm mendimi apatik e divergjent për fatet e kombit shqiptar, e sidomos statusin e ardhshëm të Kosovës. Kërkohet që edhe shteti shqiptar të dalë hapur dhe unik në qëndrimet politike të tij për çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke filluar që nga presidenti Moisiu, kryeministri Nano, ministri i jashtëm Meta, etj. Për çështje të përbashkëta kombëtare, mendimi i forcave politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duhet të jetë i përbashkët dhe pa ekuivoke.

06.12.2002

Publikuar: QIKopinione, Bota Sot – opinione, Trepça.netletra të hapura

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu