Gjergj Kastrioti – SKËNDERBEU

0
1962

Ludvig Holberg (1684-1754)

Përshtati dhe përktheu në shqip,
nga një danishte e vjetër gotike Arben Çokaj.

Shqipja e Skënderbeut

[ Shkarko Historinë e Skënderbeut në PDF ]

Dikur, para pushtimit të Konstandinopolit dhe rënies së principatave lindore, qeveriste në Epir një prijës me emrin Gjon Kastrioti, i cili kishte katër djem, ku më i riu quhej Gjergj, heroi, jetën e të cilit do e përshkruaj. Për lindjen e tij thuhet të kenë ngjarë mjaft gjëra të çuditshme, nga ku mund të profetizohet emri i madh, që ai me arritjet e tij do i jepte vetes; thuhet gjithashtu se ai lindi me një shenjë në krah, që i ngjante shpatës. Kur Sulltan Murati turk pushtoi thuajse të gjitha vendet rreth Greqisë, iu desh edhe Gjon Kastriotit të nënshtrohej dhe të japë peng birin e tij Gjergjin, së bashku me vëllezërit e tij.

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - portret i kohës

Murati i bëri ata synet sipas mënyrës turke dhe Gjergjit i dha menjëherë një emër tjetër, pikërisht Skënderbeg, që do të thotë Aleksandri i madh, ku tre­gohet, se çfarë përshtypjeje kish­te krijuar ai për këtë epirot të ri, dhe ai nuk gaboi. Pasi Gjergji më­soi në fëmijërinë e tij me një shpe­jtësi të admirueshme shkenca dhe gjuhë të ndryshme, çuditë­risht turqisht, arabisht, greqisht, italisht dhe ilirisht; dhe kur erdhi pak më tepër në moshë, la të kuptojë se ai s’kishte dëshirë më pak, për të nxënë ush­trimet ushtarake, kështu që i dha Sulltanit sinjale të tilla dhe ai e bëri atë menjëherë Sanxhak, që ka vlerë thuajse të barabartë me një Pasha. Në moshën 19-vjeçare ai ndoqi luftën në Azi, dhe pas një kohe të shkurtër atij iu dha komanda e një ushtrie; nga ku ai provoi të tregonte një guxim e kurajo të tillë, saqë emri i tij u bë i njohur anë e mbanë.

Kur ai pas shumë fitoreve u kthye në Adria­nopol përsëri, ku ishte selia e Sulltanit turk, u bë një betejë krenarie nga një shqiptar, që për t’i lënë njerëzit të shihnin fuqinë dhe burrërinë e tij, sfidoi një nga njerëzit e Sulltanit në dyluftim. Por askush s’kishte dëshirë të kishte të bënte me këtë shqiptar të egër, përjashto Skënd­erbeun, i cili guxoi të shkonte, dhe me gëzim e mundi në këtë beteje të madhe. Pas një kohe të shkurtër ai ndërmori një fushatë të hapur kundër persianëve kokë-fortë dhe në prezencë të Sulltanit nënshtroi njëri pas tjetrit. Kjo formoi atë përshtypje te Sulltani, saqë ai i besoi atij drejtimin e luftës kundër kristianëve në Hungari dhe Greqi. Në këtë luftë Skënderbeu u soll në atë mënyrë, që t’i kursente aq shumë sa mundte kristianët, miku i të cilëve ishte me zemër, pothuajse shumicën me një përkujdesje të veçantë, sa turqit nuk mundën të dyshonin.

Në një kohë të tillë vdiq babai i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, kështu që Murati mori nën zotërim të gjithë vendin e tij, së bashku me kryeqytetin Krujën, të cilën e rrethoi me roje të përforcuara. Ai arriti në përfundimin se bijtë e të vdekurit nuk mund ta shihnin pa keqardhje ndarjen e tyre nga vendi i trashëguar, prandaj ai i vrau fshehurazi vëllezërit e Skënderbeut. Vetëm Skënderbeun, pa shërbimin e të cilit nuk mund të bënte, e qetësoi me fjalë të mira, i premtoi vende në Azi me më tepër rëndësi se Epiri, dhe Skëndërbeu u duk se u kënaq, për të mos e pësuar fatin e vëllezërve; por ai dyshim që i kish lindur një herë, nuk mund t’i shuhej Sulltanit përsëri, përkundrazi ai formohej nga dita në ditë, kështu që ai vendosi shkatërrimin e tij.

Ato shërbime të mëdha, që kishte bërë dhe ajo përshtypje që kishte krijuar tek luftëtarët, e penguan kurajën e tij, që të vinte dorë publikisht mbi të, prandaj ai u mundua në të gjitha mënyrat që ta përdorte atë në fushatat më të rrezikshme kundër kristianëve, me shpresë që së shpejti kuraja e tij s’do të guxonte të vazhdonte dhe ai do i përfundonte ditët e tij. Ai u sigurua që së pari të bënte luftë kundër Jorgo Hospadarit të Serbisë. Në mes të kësaj lufte vëzhgonte Skënderbeu për mundësinë që të lirohej, dhe të merrte përsëri pronat e trashëguara të tij, të cilën ai edhe e bëri në këtë mënyrë.

Mbreti hungarez Vladislausi u angazhua gjithashtu me çështjen e rëndë të Hospodarit dhe me heroin e guximshëm Huniadin arriti një fitore të përkryer kundër turqve. Thuhet se Skënderbeu kishte patur që para betejës një marrëveshje të fshehtë me Huniadin për këtë gjë. Disa nga ndjekësit e tij thonë se një arsye e tillë nuk ishte e bazuar. Por Skënderbeu, pas kësaj disfate dhe hutie, që u kishte sjellë turqve, ishte në gjendje të vazhdonte misionin e tij të fshehtë, e detyroi shkruesin e Pashait turk të hartojë në emër të Sulltanit një rekomandim për oficerët e lartë në Krujë, që ta linin qytetin e Krujës në dorë të tij, pra në duart e Skënderbeut, gjë që edhe ndodhi, kështu që Skënderbeu u bë me këtë marifet shef i njërit prej vendeve më të rëndësishme në Epir.

Sapo ai mori pushtetin atje, i masakroi të gjithë pushtuesit turq, dhe pastaj me një shpejtësi të madhe liroi qytetet tjera të Epirit, kështu që emri turk u shua në Epir. Skënderbeu duket se u tregua i shpejtë dhe vigjilent, dhe nuk fjeti asnjë natë më shumë se dy orë, ndërkohë që punonte për sjellë epirotët nën drejtimin e tij.

Kur Sulltani turk mori vesh për dështimin e ushtrisë së tij, dezertimin e Skënderbeut dhe humbjen e Epirit, vendosi menjëherë të hakmerrej dhe krijoi një ushtri të paparë nën drejtimin e Ali Pashës, për të dënuar të larguarit dhe detyruar vendin të bjerë nën sundimin e tij. Nga ana tjetër Skënderbeu nuk u tremb, por me një ushtri të pallo­garitshme epirotësh i doli përballë ushtrisë turke dhe me një zotësi të tillë, arriti një fitore të përkryer. 22 000 turq u vranë dhe 2000 u zunë robër. Epirotët nga ana e tyre humbën vetëm 120 vetë. Kjo humbje e tërboi Sulltanin edhe më shumë; por meqë ai s’mund të hakmerrej menjëherë, u mor me përgatitjet e mëdha luftarake, që u bënë kundër tij në Hungari dhe Poloni, kështu që për një kohë, u detyrua t’i lërë çështjet epirotë mënjanë, në mënyrë që të vepronte me të gjithë fuqinë e tij kundër këtyre armiqve më të mëdhenj.

Hungarezët dhe polakët iu drejtuan për ndihmë Skënder­beut, i cili nuk e refuzoi atë, në mënyrë që të qëndronin së bashku kundër një armiku të përbashkët, dërgoi rreth 1000 epirotë, dhe kështu edhe vetë u nis për rrugë për të ndihmuar fuqitë hungareze e polake. Por kur ai me trupat e tij u nis drejt Serbisë, Hospodar Georgiusi u mundua ta pengonte atë të kalonte përmes vendit të tij dhe e mbajti aq gjatë, saqë ai të mos arrinte në kohën e duhur dhe hungarezëve këtë herë  iu desh të luftonin vetëm. U mbajt beteja e madhe e njohur afër Varnës, rezultati i së cilës ishte i dhimbshëm për kristia­nët; pasi ushtritë hungareze dhe polake, pas një angazhimi të rëndë e të përgjakshëm, u dërrmuan dhe u shpërndanë, dhe mbreti i ri Vladislaus vetë u vra në betejë. Skënderbeu u bë me dije për këtë fatkeqësi, kur ai ishte ende në kufi me Serbinë, ku dhe u inatos aq shumë me Hospodarin, saqë shkatërroi e dogji çdo gjë rreth e rrotull në vendin e tij.

Megjithëse turqit kishin patur një fitore të madhe në Varna, ajo kishte qenë aq e përgjakshme, kështu që ata s’e panë veten në gjendje, që njëkohësisht të ndërmerrnin një tjetër. Murati e gjeti të arsyeshme të provonte me të mirë ta bindte Skënderbeun përsëri, dhe shumë shkurt pas Varnës i shkruajti një letër atij, ku ai numëronte të mirat që kishte bërë për të, e akuzonte për mungesë respekti dhe së fundi i dha atij premtime të mëdha, nëse ai do përulej përsëri.

Këtë letër e pasoi, jo gjë tjetër, por veç një përgjigje e pakëndshme; prej së cilës Sulltani vendosi të niste së pari një ushtri prej 9000 vetash kundër Epirit, fuqia e të cilit nuk ishte kaq e konsiderueshme; por përpjekjet e tij kishin qëllim ta befa­sonin Skënderbeun, në mënyrë që ai të kishte armiq rreth e rrotull, para se ti shkonte lajmi për mbërritjen e tyre. Por Skënderbeu, që gjithmonë rrinte i përgatitur, e sulmoi fuqinë turke papritur dhe arriti një fitore të përkryer. Menjëherë pas kësaj u krijua një ushtri tjetër, e cila s’kishte fat më të mirë, përkundrazi ajo u shkatërrua ndjeshëm, kështu që mundi të shpëtojë me arrati.

Ndër të arratisurit ishte edhe komandanti i saj, Mustafai, i cili i dha Sulltanit këshillën, se ishte më e mira, që për një kohë të përparonin me kujdes, dhe të mjaftoheshin me një fuqi modeste që do të pushtonte kufijtë, derisa të vinte rasti për të ndërmarrë diçka të rëndë­sishme, gjë që u pa e arsyeshme. Ndërkohë u krijua një mos­marrëveshje në mes Skënderbeut dhe Venedikut, gjë që shpërtheu me një luftë të hapur. Në këtë luftë, Skënderbeu pati të njëjtin fat; pasi ai shkatërroi një ushtri të paparë venecianësh. Por ai s’e përdori këtë fitore për ndonjë dobi, por bëri marrëveshje me republikën përsëri, që t’i përdornin forcat e tyre sa më mirë kundër turqve; dhe qeveria në Vene­dik ndjeu një dashuri kaq të madhe për sjelljen dhe marrë­dhëniet me të, saqë i bëri atij dhurata të mëdha, dhe e lejoi atë të shkruhej ndërmjet njerëzve fisnikë venedikas, gjë që mbahet për një provë të madhe nderi.

Nga e gjithë kjo mosmarrëveshje që ishte krijuar ndër­mjet të krishterëve, udhëheqësi turk Mustafai mendoi të kishte disa përfitime dhe prandaj kërkoi të drejtë nga Sull­tani për të drejtuar një luftë tjetër ndaj epirotëve. Kur ai mori leje, filloi të krijonte një ushtri të re; por as kësaj here ai nuk pati një fat më të mirë se më përpara; pasi 10 000 nga luftëtarët e tij ranë në fushë-betejë dhe ai së bashku me 12 drejtues të tjerë të ushtrisë, ranë në duar të Skënderbeut, kështu që Sulltanit iu desh ta lironte atë me para.

E gjithë bota po çuditej për fuqinë e Turqisë, që kaq shpesh e kishte tronditur Evropën dhe Azinë, të thyhej nga një provincë e vogël; një shembull i çuditshëm se si cilësitë dhe zotësitë e një njeriu, të një vendi të vetëm mund të bënin. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skën­derbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s’e kishte bërë më parë, dhe krijoi idenë se në personin e Skënderbeut ai kishte të bënte me të gjithë krishtërimin dhe njëkohësisht Persinë, në mënyrë që të mos ishte vetëm e nevojshme të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë.

Prandaj u bënë përga­titje të mëdha dhe bërthama e të gjithë luftëtarëve turq, që Evropa dhe Azia mund të sillnin, duhej të pajisej për të për­mbysur një provincë të vogël, që ai më përpara, me vetëm një lëvizje koke e kish mbajtur nën sundim. I gjithë kristianizmi u tremb nga lëvizjet që po bëheshin. Vetëm Skënderbeu, që rrinte ashtu i vetëm, nuk u tremb, por u bë gati si ai që përga­titet të fitojë, dhe bëri një rezistencë të ashpër.

Murati u përgatit që të pushtonte vendin e rëndësishëm Sfetigrad, por të sulmuarit u mbrojtën me një zotësi të pabesueshme, kësh­tu që rreth 1000 turq ranë viktimë, dhe ndërkohë që rrethimi vazhdonte, Skënderbeu i sulmoi turqit me një ushtri fluturu­ese në një mënyrë tjetër, dhe kur një drejtues turk, pikërisht Ferid Pasha, në një përplasje i kërkoi duel, Skënderbeu e rrëzoi atë me një goditje të vetme. Së fundi, kur Murati vërej­ti se ai me forcë nuk mund ta merrte qytetin, u mundua që me premtime të mëdha e dhurata të mund të kthente disa qytetarë të tij, që të tradhtonin; dhe përderisa gjinden gjith­monë njerëz të këqij, që sakrifikojnë nder dhe besnikëri për para, një nga ushtarët u shit dhe filloi t’i bënte të tjerët të rebeloheshin, dhe në këtë mënyrë pati sukses.

Ai e dinte se Dibranët e sipërm, prej të cilëve përbëhej pothuajse shumica e të qytetarëve kishin një besëtytni, që më parë vdisnin se bindeshin të pinin ujin, ku është hedhur diçka e papastër në të. Tani në qytet kishte vetëm një pus, që i furnizonte të gjithë me ujë. Gjatë natës ai hodhi një qen të ngordhur në të, të cilin e gjetën në mëngjes, u krijua një shqetësim ndërmjet ushtarëve, saqë u krijua ideja e rebelimit. Komandanti atje u frikësua shumë, i grumbulloi ata, u përpoq me një bisedë të bazuar t’i qetësonte, dhe më pas iu afrua pusit dhe në prezencën e tyre piu një kupë të tërë me ujë, gjë që u përcoll edhe nga oficerë dhe njerëz të tjerë. Por ushtarët nuk lëvizën, por thanë se më parë vdesin se sa pinë këtë ujë. Këtu s’kishte asnjë mënyrë tjetër për të shpëtuar veten dhe qytetarët vetë, se sa të bihej dakord me Sulltanin, gjë që edhe ndodhi, dhe qyteti u dorëzua.

Me dorëzimin e qytetit, i biri i Sulltanit, Mehmeti, e këshilloi të atin, që të mos e mbante fjalën dhe të hakmerrej ndaj banorëve, të cilët i kishin dhënë atij një humbje kaq të madhe. Por Sulltani i vjetër nuk donte ta dë­gjonte këshillën e tij, por e mbajti fjalën e dhënë. Në mes të atyre që mbeten ishte edhe tradhtari, i cili u shpërblye shu­më; por që u zhduk shumë shpejt më pas dhe s’u pa më, men­dohet se Murati vetë e eliminoi. Pas marrjes së Sfetigradit, Murati u kthye me të mbeturit në Adrianapol përsëri, pasi në këtë ekspeditë, ai kishte përdorur rreth 30 000 vetë.

Sa më parë që Murati, së bashku me ushtrinë e tij, u largua nga Epiri dhe vendi u qetësua përsëri, Skënderbeu vendosi, pasi s’mund ta pëlqente pushtimin turk në afërsi, ta merrte me forcë Sfetigradin. Qyteti u rrethua menjëherë dhe e gjithë mjeshtëria dhe zotësia që mund të merrej me mend u përdor për marrjen e tij; epirotët u turrën si furtunë, të drejtuar nga vetë Skënderbeu, i cili vrau shumë turq me dorën e vet. Por forcat e kalasë dhe vigjilenca e banorëve as­gjësuan gjithçka, kështu që pas një humbjeje të 500 burrave, u detyruan ta braktiste rrethimin përsëri.

Por ajo që e bëri Skënderbeun të hiqte dorë, ishte arsyeja e marrjes së lajmit për ardhjen e një ushtrie tjetër turke. Pra Murati, sapo mori vesh për rrethimin e Sfetigradit, vendosi menjëherë ta mbë­shtesë qytetin, dhe megjithëse e pa që rrethimi u braktis, ai vazhdoi më tej dhe me një ushtri më të madhe se më parë, u nis vetë drejt Epirit, që të sulmonte qytetin e rëndësishëm Krujën, gjë që ndodhi shumë shpejt. Kruja ishte e mbrojtur me një trupë të fortë nën drejtimin e pashoq të Vranakontit, i cili në këtë rrethim i dha vetes një emër të pavdekshëm.

Kjo ishte hera e dytë, që Murati me bërthamën e gjithë fuqisë së tij nisej kundër Skënderbeut, gjë që tregonte se me ç’sy e shihte ai këtë burrë. Të gjitha luftërat, që ai kishte bërë më parë kundër persianëve dhe vendeve kristiane, ishin drejtu­ar vetëm prej gjeneralëve të tij, por këtu, përkundër një dhi­mbjeje të parë, e quan të nevojshme ta ndiqte personalisht luftën nga afër, megjithëse ishte i vjetër në moshë, me rreth 80 vjet në kurriz. Kur të birit të tij Mehmetit, heroit kuptim-plotë në histori, emrit më sinjifikativ në emrat osmanë dhe shpresës së vetme iu desh të shkonte, u krijua përshtypja se ata donin të lanin hesapet me gjithë krishtrimin përnjëherë.

Kështu që qyteti i Krujës u rrethua dhe gjithçka që mund të mendohej u përdor për marrjen e tij. Tërbimin me të cilin vazhdoi rrethimi, e tregon fakti se në një rrebesh ranë 8000 turq. Skënderbeu ishte ndërkohë gjithmonë në lëvizje dhe i sulmonte turqit, tashmë në një vend tjetër; ai një herë ishte futur ndërmjet tyre në një mënyrë, që njerëzit e tij e mbanin atë fallso, kështu që nuk ishte pa çudi, dhe e thënë zotësi e zgjuarsi, që ai u shfaq përsëri, ku përveç Muratit ai i ngjante një kafshe të egër, së cilës mund t’i afroheshe dhe ta lije veten të konsumohesh nga egërsia e tij.

Por nuk ishte pa guxim për të dhe armiqtë e kristianizmit, që ai e zhvilloi këtë egërsi; pasi ai ishte i butë e zemërmirë dhe kishte të gjitha ato cilësi, që mund të këtë një shtetar, ndryshe nga i biri i vetë sulltanit, Mehmeti, i cili pas Skënderbeut ishte heroi më luftëtar në ato kohë, por edhe i përgjakshëm, si për njerëzit e tij ashtu edhe armiqtë e tij.

Pasi rrethimi kishte zgjatur një kohë të konsiderueshme, dhe kaq shumë gjak turk ishte derdhur, u krijua përshtypja se e gjithë ushtria turke do të shkatërrohej, Murati i vjetër nga dëshpërimi u dobësua shumë, nga e cila edhe vdiq dhe thuhet se, në çastin e fundit, ai iu hakërrye fatit, që e kishte lënë të jetonte kaq gjatë, për të parë të gjitha sukseset e tij të mëparshme të errësohen nga një popull i vogël dhe i vuajtur, që ai më parë e kishte përbuzur.

I biri i tij Mehmeti nuk e gjeti të këshi­llueshme ta vazhdonte rrethimin pas vdekjes së tij, prandaj u largua menjëherë dhe u kthye së bashku me të mbijetuarit për në Adrianopol përsëri, ku ai pa asnjë pengesë trashëgoi fronin e të atit dhe është ky Mehmet, ai që i dha fundin perandorisë së lindjes dhe e forcoi Konstandinapolin, ku sull­tanët turq që nga ajo kohë kanë patur rezidencën dhe kanë mbajtur tituj perandorësh. Ai ishte pa dyshim më luftëtari prej të gjithë sulltanëve dhe u ngjante, nëse nuk i kalonte të gjithë paraardhësit në tirani dhe mizori. Por të metat e tij ishin të kombinuara me shumë cilësi të mëdha; pasi ai ishte i shpejtë, punëtor, i përmbajtur dhe një mbajtës i zellshëm i të drejtës. Ai kishte njohuri të mëdha për historinë dhe fliste gjuhë të shumta, si greqisht, persisht dhe arabisht, ishte marrë me artin e yjeve dhe shkenca të tjera.

Gjëja e parë që bëri pasi hipi në krye të shtetit, i ofroi Skënderbeut paqe me kushtin, që ai të mbante tokat e tij dhe t’i  jepte atij një tatim vjetor, dhe pasi kjo ofertë u refuzua nga Skënderbeu, Mehmeti krijoi dy ushtri kundër Epirit. E para u drejtua nga Hamzai, e cila u thye menjëherë dhe drej­tuesi i saj vetë ra në duart e Skënderbeut. Ushtria e dytë, e cila u drejtua nga njëri me emrin Debrea nuk pati një fat më të mirë; pasi Skënderbeu e vrau drejtuesin e saj me dorë të vet në betejë dhe pastaj e shpërndau të gjithë ushtrinë. Në të gjitha luftimet ai kishte parandjenjën të ndiqte drejtuesin dhe e kishte zakon të thoshte se kur koka është prerë, pjesët e tjera bien vetë.

Një fat të tillë kishte Skënderbeu në fillim të qeverisjes së Mehmetit; ku përveç Sulltanit dukej se asgjë s’mund të bëhej kundër këtij njeriu të madh, shikimin e të cilit askush s’mund ta kundërshtonte, prandaj provoi ta pajiste veten me truke dhe dinakëri. Ndërmjet epirotëve ishte njëri me emrin Moisiu, i cili pas Skënderbeut ishte më luftëtari dhe njeriu më me përvojë në shkencën luftarake.

Të njëjtin provoi Sull­tani ta afronte krah tij, i premtoi atij zotërimin e Epirit, nëse ai ikte nga Skënderbeu. Nga ky premtim, ai u verbua dhe që nga ajo kohë ai filloi të punonte për rrëzimin e Skënderbeut. Heroi i Epirit kishte kohë që e kishte vendosur së bashku me të krishterë të tjerë, të rrethonte qytetin e rëndësishëm Beo­gradin (Beratin), dhe donte si zakonisht të kishte Moisiun me vete në këtë fushatë.

Por Moisiu, që preferonte t’i shër­bente vetes nga mungesa e tij, për të luajtur rolin e tij supe­rior, u justifikua për këtë udhëtim, dhe shpresoi se qëndrimi i tij ishte i nevojshëm, në rast, gjë që ishte e vërtetë, se Mehmeti do bënte një përpjekje të re, nga e cila Skënderbeu, që s’kishte asnjë dyshim për besnikërinë e tij, e lavdëroi pro­pozimin e tij dhe e la të rrinte. Pasi u bënë përgatitjet dhe një ushtri e paparë u ngrit në këmbë, Skënderbeu u nis drejt Beogradit. Qyteti u sulmua menjëherë e me një hov të madh, saqë të sulmuarit, që filluan të bisedonin për dorëzim, kër­kuan për një muaj armëpushim, pas së cilit, nëse asnjë për­forcim s’do të vinte, atëherë qyteti do të dorëzohej.

Skënder­beu nuk e pranoi këtë ofertë, por u bind nga oficerët e tjerë, që t’u jepte atyre një armëpushim prej 16 ditësh. Menjëherë u dërguan lajme të shpejta tek Sulltani për ta vënë në dijeni lidhur me armëpushimin. Mehmeti, që ndërkohë kishte një ushtri në këmbë, me të cilën ai preferonte të nënshtronte perandorinë trapezoidale, vuri një fushatë të tillë mënjanë dhe e dërgoi ushtrinë drejt Beogradit për përforcim, dhe kjo ndodhi me aq fshehtësi, saqë drejtuesi turk Sebalia u erdhi të krishterëve përballë, para se ata të kishin idenë më të vogël për këtë. Ndodhi një disfatë e vërtetë në atë pjesë të ushtrisë që drejtohej nga Muzaka dhe vetë burri i rreptë u vra me rreth 1000 kristianë, italianë të shumtit, që Alfonsi, mbreti napolitan kishte dërguar për të ndihmuar epirotët.

Skënderbeu me njerëzit e tij mbajti distancë në errësirë, pasi ai nga ana tjetër duhej edhe të tërhiqej; por turqit nënkuptu­an se nuk duhej të ndiqnin fitoren e tyre dhe t’i jepnin fund problemit me të, por u kënaqën me fitoren ndaj kristianëve dhe e çuan trofenë në qytet. Skënderbeu vrau në këtë betejë mes tjerash dy komandantë turq me nam, të cilët e sulmuan atë njëkohësisht; dhe ishte pra, një lloj parandjenje e çudit­shme, si ankthi që zgjerohej me furi. Kjo ishte hera e parë, që ky njeri duhej t’ua linte armiqve të tij fitoren; pasi të kri­shterët humbën në ketë betejë rreth 5000 vetë. Mehmeti e vlerësoi këtë, se megjithëse ushtria u shkatërrua, Skënder­beu fitoi përsëri.

Kur lajmi u shpërnda në Epir, i lartpërmenduri Moisi mendoi se ishte koha të fillonte tradhtinë, që ai kishte kohë që e priste; por pasi ai nuk mori ndonjë mbështetje të madhe në vend, u detyrua të arratisej, së bashku me pak njerëz, për në Konstandinopol, ku kërkoi një ushtri të kufizuar, dhe pre­mtoi se do të nënshtronte Epirin. Mehmeti, i cili e dinte se sa pak mund të shpresohej nga tradhtarët, nuk deshi në fillim të bindej; por kur e pa se Moisiu e kishte seriozisht, i besoi atij një ushtri prej 15 000 vetash, me të cilën ai u nis direkt drejt Epirit.

Skënderbeu nuk mundi në fillim ta kuptonte se si një njeri, me të cilin kishte qenë i lidhur në miqësi dhe me një besnikëri dhe zotësi, që deri më tash kishte treguar për atdheun e vet, shkoi pa ndonjë arsye dhe u bashkua me armiqtë e krishtërimit, dhe ai asnjëherë s’e pa me seriozitet, se Moisiu kishte diçka të keqe ndërmend, por kur ai së fundi e vërejti se ishte seriozisht, u nis kundër tij me armë në dorë dhe u mbajt një betejë e përgjakshme, ku Skënderbeu korri një fitore të përkryer. Moisiu para se të nisej i kishte prem­tuar Sulltanit se do e sfidonte Skënderbeun në dyluftim, dhe për më tej, në betejë ai e tërhoqi atë deri këtu; por kur Skën­derbeu i doli përballë, ai u tremb aq shumë nga vështrimi i tij, saqë nuk mundi t’i dalë përpara.

Një turk ishte në betejë aq kurajoz, saqë ai me gjithë shpejtësi e kurajo u ndesh për të me Skënderbeun, i cili ra prapa në shpinë të kalit. Por ai u ngrit përsëri para se tjetri të mund ndërmerrte diçka tjetër dhe menjëherë kjo u gërshetua me rënien e sulmuesit. Pjesa më e madhe e fuqisë turke u vra në këtë betejë, kështu që Moisiu me 4000 vetë, në një gjendje të tmerrshme, i mbushur me hidhërim e turp, u kthye në Konstandinapol përsëri, ku Mehmeti vendosi ta ekzekutonte menjëherë; por pasi ai nuk i kishte refuzuar në betejë të gjithë sfidat që kërkohen nga një drejtues me vlerë dhe ushtarët e mbetur dëshmuan për këtë, Sulltani ia kurseu jetën, por që në atëkohë, ai e la të përbuzur dhe të neveritur. Atëherë ky burrë zemërlartë filloi të qahej për gjendjen e tij dhe pasi ai me vështirësi kishte qëndruar në Konstandinopol, u arratis me fshehtësi prej an­dej dhe erdhi në Epir përsëri, ra para këmbëve të Skënder­beut, i cili jo vetëm e fali për fyerjen, por edhe e vuri përsëri në postin e tij.

Pak kohë pasi kjo ndodhi, u bë me dije për një dezertim tjetër, që e preku Skënderbeun edhe më shumë në zemër dhe që ngjalli çudi më të madhe për të gjithë; pikërisht nipi i tij Hamzai, të cilin ai gjithmonë e kishte dashur si birin e vet dhe e kishte bërë si pjesëtar të qeverisë së tij, u arratis papri­tur me gruan dhe fëmijët për në Konstandinopol. Ai mbajti një fjalim të mbushur me akuza kundër xhaxhait të tij dhe përfundimisht premtoi nënshtrimin e Epirit. Fuqia ushtara­ke, ku vetëm kalorësia përbënte 50 000 vetë, iu besua Isa Pashës dhe me një ushtri të tillë ekzistonte shpresa për për­fundimin e luftërave epirote. Skënderbeut, si zakonisht, nuk i mungonte asgjë që mund t’i shërbente si mbrojtje; pasi ai ngriti në këmbë një ushtri prej 11 000 vetash dhe u turr kundër armikut.

Kur ushtria turke iu afrua atij, ai u kthye prapa dhe priti diku larg në tokat e tij, jo nga frika, por për ta bëre armikun sa më të pasigurt, dhe kjo ndodhi me aq mjeshtëri, sa Hamzai vetë, që i njihte të gjitha trillet luftara­ke të xhaxhait të tij, nuk dyshoi për gjë tjetër, veçse e gjithë kjo u bë nga frika. Në këtë moment turqit u dehën nga sukse­si dhe Isa Pasha, me një solemnitet të madh, e shpalli Ham­zain mbret të Epirit. Por atëherë kur ata ishin më se të sigurtë, erdhi Skënderbeu papritur, dhe korri një fitore të përkryer. 30 000 turq u therën dhe të tjerët, së bashku me Isa Pashën ia mbathën. Bashkë me robërit e tjerë ishte edhe Hamzai, të cilin Skënderbeu vetë iu kishte rekomanduar nje­rëzve të tij të mos e vrisnin.

Kjo fitore ngjalli një gëzim të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin dhe u bë një hyrje triumfante në Krujë, ku u sollën edhe robërit. Ndërmjet robërve që u sollën me triumf, ishte edhe Hamzai, i cili me duar lidhur prapa me zinxhirë ecte përmes qytetit; një pamje e çuditshme për banorët, që pas Skënderbeut e kishin parë si burrin më të madh dhe më të ndershëm. Skënderbeu e la atë menjëherë të dërgohej tek miku i tij i besueshëm Alfonsi, mbret i Napolit, që të mund ta burgoste më me siguri në vendin e tij dhe ai u mbajt atje për aq kohë sa jetoi edhe mbreti. Pas vdekjes së Alfonsit, ai u soll në Epir përsëri, u fut në burg në Krujë.

Ai u mundua me letra të vazhdueshme të qetësonte inatin e xhaxhait të tij dhe i premtonte atij, se nëse fitonte lirinë përsëri, ai do i bënte Skënderbeut shërbime aq të mëdha, siç i kishte bërë para se t’i bënte keq. Duhej të veprohej në këtë mënyrë; ai të lejohej të arratisej nga burgu dhe të shkonte në Konstandino­pol, ku kishte të shoqen dhe fëmijët, që të kërkonte përsëri mbrojtjen e Sulltanit. Dhe kur ai përsëri të kishte marrë mëshirën e Sulltanit, do e informonte Skënderbeun lidhur me formën e perandorisë turke.  Skënderbeu u bind që ta lin­te Hamzain të shkonte dhe bëri sikur u frikësua shumë nga arratisja e tij. Hamzai erdhi për herë të dytë në Konstandino­pol, ku u prit mjaft mirë; por meqë vdiq shumë pak kohë më pas, thuhet se Sulltani e helmoi atë fshehtas dhe e la të vdiste.

Pasi turqit me kaq humbje kishin provuar forcën e Skënderbeut, provuan të kërkonin miqësinë e tij; Por ata nuk mundën të arrinin në një lidhje publike me të; vetëm kështu, që pasi ai donte të bënte një fushatë lufte me Italinë, ai u bind të bënte një marrëveshje për një vit armëpushim me Sulltanin. Pasi kjo marrëveshje u arrit, ai u nis me një forcë ushtarake për në Napol, për të mbështetur mbretin e ri Ferdinandin, djali biologjik i Alfonsit, i cili ishte rrëzuar nga duka i Anzhout, që kujtonte se kishte më shumë të drejtë për Napolin.

Ai pati fat aq të mirë, saqë shkatërroi tërësisht for­cat franceze dhe i solli menjëherë vendet napolitane nën zotërim të Ferdinandit dhe kjo ndodhi pikërisht se shumë rajone iu dhanë për arsye se kishin sigurinë e Skënderbeut, që mbreti nuk do të hakmerret kundër tyre; që të bën të kup­tosh se çfarë mendimesh të larta kishin njerëzit për ndersh­mërinë e këtij njeriu. Pasi ai kishte forcuar kurorën e Ferdi­nandit, u kthye prapa për në Epir.

Ndërkohë që ai ishte në Itali, Mehmeti u nis në një mësymje të re kundër Epirit, megjithëse gjendja e armëpu­shimit s’kishte mbaruar akoma. Për këtë përfundim, ai bëri përgatitje të mëdha, me shumë ushtri. Ushtria e parë, e për­bërë prej 20 000 vetash, u drejtua nga Sinan Pasha. Por para se sulmi të fillonte, Skënderbeu ishte kthyer. Ai kishte ngri­tur një ushtri prej 8000 burrash në këmbë dhe pa pritur, gjatë natës ai i sulmoi turqit në befasi dhe me aq shpejtësi, saqë ushtria e tyre në një kohë të shkurtër u ça dhe u shpër­nda totalisht, dhe kjo s’qe e vështirë, kur komandanti vetë, së bashku me disa të tjerë u vranë.

Pak kohë më pas, ai sulmoi një ushtri tjetër turke prej 30 000 vetash, që drejtohej nga Hasanbeu, e cila pati të njëjtin fat; pasi pjesa më e ma­dhe u vra ose ia mbathi dhe Hasanbeu u dorëzua me të tjerët me dëshirë ose pa dëshirë. Komandanti i tretë turk, Jonuz­beu, që nuk e la moralin të binte nga fatkeqësia e të tjerëve, u përpoq gjithashtu të provonte fatin me 18 000 vetë. Por as­kush s’mund t’i dilte përpara të tmerrshmit Skënderbe; kë­shtu që edhe kjo ushtri e tretë u pre dhe u shkatërrua.

Kjo nuk ngjalli asgjë tjetër veç frikë dhe çudi tek të gji­thë njerëzit, më tepër nga fakti se Skënderbeu kishte të bënte me një armik të tillë si Mehmeti, i cili kishte nënsh­truar perandorinë e dytë me shumë mbretëri dhe ishte njëri prej monarkëve dhe luftëtarëve më të mëdhenj në histori. Askush nuk guxonte më të dilte si prijës në luftërat epirote, pasi emri i Skënderbeut ishte bërë aq i fortë për gjithë mon­arkinë osmane. Përkundër kësaj, doli një luftëtar i vjetër me emrin Karaxhabegu, i cili si në kohën e Muratit, ashtu edhe të Mehmetit, kishte bërë një emër të mirë.

Atij iu besua një ushtri e paparë, me të cilën ai u nis drejt Epirit. Duket së çfarë emri kishte Karaxhabegu, saqë Skënderbeu thuhet të ketë thënë se kishte më frikë komandantin se të gjithë ushtrinë. Karaxhabegu dërgoi 4000 vetë pararojë si fillim, me idenë për të marrë luftëtarë të tjerë gjatë rrugës në Kier të Maqedonisë; por 4000 vetët u sulmuan dhe u shpërndanë me shpejtësi, gjë e cila e tmerroi Karaxhabegun dhe ai u kthye menjëherë për në Konstandinopol dhe Mehmeti nuk u tregua i pamëshirshëm, por e konsideroi si fat kthimin e tij, në krahasim me komandantët e tjerë.

Kështu Skënderbeu në një kohë të shkurtër shkatërroi katër ushtri turke të drejtuara nga katër komandantë të ndryshëm; dhe Mehmeti e gjeti të këshillueshme të mos e ngacmojë më aq shpesh një burrë, të cilin ai e gjeti të papër­kulshëm; por u mundua me letra ziliqare të fitonte miqësinë e tij, nga të cilat Skënderbeu e la vetën të bindej, kështu që u vu paqe në mes tyre. Me këtë paqe, vendet e tjera kristiane, veçanërisht Venediku, ishin të pakënaqura, ku republika përpiqej ta sillte atë në luftë përsëri dhe iu paraqitën atij me një delegacion, pasi të gjitha qeveritë kristiane ishin bash­kuar bashkë kundër turkut dhe nuk mundeshin ta shihnin atë vetëm si shpirtin e fuqisë kristiane, ata shpresonin gjith­ashtu se ai në betejat e ardhshme nuk do të rrinte duarkryq pa i ndihmuar.

Skënderbeu, i cili ishte i interesuar të vazh­donte paqen me Sulltanin, në mënyrë që të pasuronte bano­rët e vendit të tij, dhe të lulëzonte tregun dhe kursin e jetës në vend; kështu që vetëm pasi ai i pa fushatat e ardhshme si luftëra fetare, vendosi ta prishë marrëveshjen e paqes dhe menjëherë sulmoi vende të Sulltanit, ku një mënyrë e madhe préje u bë biznes; por, papa Pius II, në të njëjtën kohë, me vdekjen e tij, i kishte sjellë kristianët në grindje, erdhën si zakonisht mosmarrëveshjet ndërmjet tyre, kështu që secili u largua për në vendin e vet, duke e lënë Skënderbeun të vet­ëm. Tashmë Mehmeti u çlirua nga ajo frikë që të krishterët e bashkuar i kishin kallur, ai i vuri në punë të gjithë mëndi­met e tij në luftën epirote, kështu që Skënderbeu nuk u kthye me prénë e madhe, që kishte shpresuar, por gjeti një ushtri turke në vendin e vet; por e njëjta ushtri nuk ishte gjë tjetër vetëm një vezullimë, që u duk dhe u zhduk shumë shpejt, u vranë 10 000 njerëz dhe vetë komandanti u kap i gjallë.

Kjo disfatë e re, e bëri Mehmetin edhe më të tërbuar, kështu që ai menjëherë provoi të gjente një tjetër që do të drejtonte luftimet. Askush nuk ishte i gatshëm në atë kohë, vetëm njëri me emrin Ballaban Badera, një epirot me origji­në, i cili që fëmijë kishte qenë në shërbim të turqve dhe ishte i pari që u ngjit në murin e qytetit kur u pushtua Konstandi­nopoli. Përvoja e tij me çështjet luftarake si dhe me gjetjet e tij nuk ishte më e vogël se zotësia e tij, kështu që të gjithë mbanin shpresa se kishin gjetur atë njeri, që do t’i jepte fund dominimit të Skënderbeut.

Ballabani iu përgjigj në fillim disi këtyre mendimeve që ishin krijuar për të; pasi mjaft mirë në betejën e parë, që ai bëri me Skënderbeun, këtij të fundit iu desh të tërhiqej, kështu që kësaj here, me një qëndresë më të madhe se më përpara; ai mori në dorë fatin e 8 epirotëve të mëdhenj, ku secili ishte i aftë që të drejtonte një ushtri, por kur guxuan më shumë se të tjerët, ranë në duart e tij. Ndër­mjet këtyre të tetëve ishte edhe i mirënjohuri Moisi, pseu­donimi i Perlatit, që kishte treguar zotësi të madhe në rrethi­min e Sfetigradit. Ballabani i dërgoi ata në Konstandinopol dhe Mehmeti i rrjepi ata të gjallë, fatkeqësi kjo që e solli gjithë Epirin në pikëllim. Skënderbeu nuk e la moralin të binte nga kjo fatkeqësi, por i mbushur me dëshirën për hak­marrje e sulmoi Ballabanin përsëri, dhe ia shkatërroi ush­trinë e tij plotësisht, dhe ai vetëm së bashku me disa që mbi­jetuan u kthyen për në Konstandinopol.

Mehmeti në fillim u inatos shumë, por meqë ai nuk kishte njerëz më të aftë për të drejtuar luftën se i njëjti njeri, duket ngaqë ai e njihte vendin më mirë, krijoi një ushtri të re përsëri për të. U mbajt përsëri një betejë jo shumë larg nga Sfetigradi, ku për një kohë u zhvillua një betejë e ngjashme nga të dy krahët dhe Skënderbeu u tregua aq burrëror dhe i shpejtë, saqë kristia­nët, por edhe myslimanët e konsideronin atë si diçka, që ish­te më tepër se njeri. Epirotët, të cilët nga luftërat ideale dhe fitoret ishin të vështirë, qëndronin në fushë-betejë si luftëta­rë, kështu që asnjë fuqi s’mund t’i lëvizte ata nga vendi. Në mes të betejës, Skënderbeut iu kërkua duel nga një turk i madh me emrin Soliman; por ai u rrëzua për tokë menjëherë, dhe kjo solli frikë të madhe ndërmjet turqve, saqë atyre iu dha arratia, kështu që vetëm Ballabani me disa shpëtoi.

Kur u kthye në Konstandinopol, ai u mbrojt në mënyrë të tillë, saqë Sulltani u paqësua dhe vendosi ta përdorte atë përsëri në të njëjtën gjë. Mund të thuhet se ai kishte përmbu­shur detyrën e komandantit dhe në këtë rast, si edhe në dë­shtimet e tjera, nuk mund ta zhvlerësonte askush, as ushtri­në turke, që në raste të tjera e kishin mbajtur veten mirë dhe me zotësi; por askush në këto kohë s’mund t’i dilte përballë Skënderbeut, as venecianët dhe francezët nuk kishin patur një fat më të mirë me këtë hero të papërballueshëm.

Ballaba­ni u nis për një fushatë të re dhe tani kishte marrë liri prej Sulltanit, që ta drejtonte ushtrinë si të donte, ai zgjodhi një numër të madh prej trupave më të mirë dhe më të zgjedhur, të cilët i ndau me partnerin e vet Jakupin, kështu që provoi me të dy ushtritë ta sulmonte Skënderbeun një herësh. Dhe mund të thuhet se heroit të madh iu paraqit një rrezik serioz, të cilin ia kishte sjellë Ballabani. Ballabani arriti i pari me ushtrinë e tij, drejt së cilës Skënderbeu u afrua me një numër të vogël kalorësish, për të zbuluar gjendjen në kampin armik. Por ai u sulmua befasisht gjatë rrugës nga disa turq, që kish­in pritur për ta kapur, kështu që ai pas një rreziku të madh për jetën, ia doli të kthehet prapa vetëm me njërin prej sho­qëruesve të tij; të tjerët u vranë të gjithë.

Ai vuri re se i gjithë fati i tij varet, nëse ai mund t’i dilte përpara Ballabanit, para se të vinte ushtria tjetër. Ai u nis menjëherë drejt kundër­shtarit dhe e detyroi atë të ndeshej, përkundër vullnetit të tij. Ndeshja ishte e fortë dhe e përgjakshme dhe Ballabani u përgjigj me jo më pak zotësi se sa kujdes; por ushtria e tij përkundrazi u ça dhe ai me pak veta shpëtoi lëkurën me arratisje. Dhe, siç u bë me dije më pas, komandanti tjetër Jakupi, u turr direkt me ushtrinë e tij për në Epir, shkoi drejt në rreth dhe u ndesh me të, para se të kishte marrë lajmin për disfatën e Ballabanit. Në këtë betejë Skënderbeu kërkoi direkt komandantin dhe e vrau me dorën e vet, kështu që e gjithë ushtria u bë kaq pa kurajë dhe u arratis. Kështu u shkatërrua plotësisht një ushtri e dyfishtë dhe emri i Skën­derbeut dha material për biseda dhe shpresa në të gjitha vendet.

Kur kjo fatkeqësi i erdhi në vesh Mehmetit, ai filloi të frikësohet se reputacioni, që ai deri tani kishte patur, kishte qenë në bazë të sukseseve tjera, por do të donte nisur nga baza e kësaj fyerjeje të vazhdonte akoma në Epir, që të mos shndërrohet në përbuzje të njerëzve të tij; prandaj ai vendosi që personalisht të bënte një përpjekje të fundit. Ai u turr tashmë vetë me 200 000 trupa drejt Epirit dhe rrethoi përsëri qytetin e Krujës. Para se rrethimi të ndodhte, ai bëri edhe një përpjekje tjetër kundër Skënderbeut, duke blerë dy vetë, të cilëve u tha ose ta vrisnin ose ta mbytnin me helm; por këta të dy nuk u pajtuan me njëri-tjetrin dhe plani i tyre u zbulua dhe u varën të dy.

Pasi kjo përpjekje shkoi bosh, Meh­metit iu desh ta ushtronte forcën vetëm, dhe rrethimi i Kru­jës vazhdoi me vrull të madh; por të rrethuarit u mbrojtën me jo më pak qëndrueshmëri dhe çdo ditë bënë sulme të më­dha e të suksesshme. Skënderbeu, i cili drejtonte një ushtri fluturake, u ndesh tashmë me një krah tjetër të kampit turk dhe shkaktoi aq shumë dëmtime, saqë Mehmeti me një pjesë të ushtrisë së tij u nis për në Konstantinopol përsëri, duke e lënë Ballabanin të vazhdonte rrethimin. Ndërkohë Skënder­beu ndërmori një udhëtim për të marrë përforcime në vende të tjera. Ai erdhi edhe në Romë me të njëjtin qëllim, dhe in­fluencoi papën, që ta merrte çështjen e tij me zell. Pasi ai kishte bashkuar një numër të paanshëm trupash ndihme, u kthye për në Epir përsëri dhe u përcaktua që të sulmonte turqit përsëri; por rrethimi u hoq menjëherë dhe turqit u larguan përsëri nga qyteti dhe vendi, pasi komandant Balla­bani vdiq nga një furtunë. Një përfundim të tillë kishte edhe kjo fushatë, që ishte më e madhja e të gjithave.

Një numër i ndryshëm shkruesish janë marrë me atë udhëtim, që Skënderbeu, ndërkohë që Kruja ishte e rrethuar iku për në Itali, duke e konsideruar atë si princ të syrgjy­nosur, i cili e kishte humbur Krujën së bashku me qytetet e tjera. Por shkruesit më të besueshëm, si Barleti dhe Kalçon­dylasvidne, thonë se Mehmeti ishte po aq i dëshpëruar në këtë fushatë, sa edhe në të tjerat, pasi ai bëri edhe një përpje­kje kundër Krujës dhe Durrësit, por iu desh të kthehej përsë­ri pa ndrequr asgjë, kështu që fati dhe fitoret e Skënderbeut zgjatën deri sa ai vdiq, gjë që ndodhi në vitin 1466, në mo­shën 63 vjeçare, ku qeverisi për 24 vjet rresht. Vdekja e tij shkaktoi një mjerim dhe piskamë në të gjithë vendin, pasi dihej se nuk ishte forca e vendit, por koka e Skënderbeut, që kishte bërë, që Epiri të ruante lirinë kaq gjatë.

Kur ai ishte në skajin e vdekjes, shtrirë dhe me temperaturë të lartë, ngjau një sulm i ri turk, ai u hodh përpjetë nga krevati dhe deshi të armatosej përsëri sipas zakonit, por pafuqia nuk e la të bënte diçka të tillë, prandaj dhe u shtri në krevat dhe vdiq pak kohë më pas. Mund të thuhet për këtë burrë, se ai ishte heroi më i madh dhe askush, as në historinë e vjetër dhe as në atë të re nuk mund të krahasohet me të. Pasi asgjë nuk është më e çuditshme se sa të shohësh një princ të vogël me një grusht njerëzisht, të drejtojë luftën kundër dy monarkëve, nga të cilët Persia, Egjipti dhe e gjithë Evropa u dridhën dhe u tmerruan. Ai i shkatërroi plotësisht 20 ushtri të fuqishme, vetë shumicën e komandantëve dhe luftëtarëve, që e sfiduan atë, me dorën e vet.

Dhe shkruesit e kohës dëshmojnë, se në këto konflikte ai ka vrarë rreth 3000 vetë me shpatën e tij, gjë që është më shumë se ç’mund të thuhet për çdo njeri tjetër mbi tokë. Zotësia dhe burrëria e tij u shoqërua nga mëshira dhe butësia. Ai kishte një zell të veçantë për besimin kristian dhe kjo duket nga të gjithë letrat e tij, se ai i dha vetes titullin: Gjergj Kastrioti, Luftëtar i Krishtit. Historia e tij është përshkruar nga shumë, por e përkryer është historia e Marin Barletit, një epiroti, në 13 vëllime, të cilat unë i kam lexuar nga afër. I njëjti Barlet dëshmon se, qëkur turqit e pushtuan atë qytet, ku ai ishte i varrosur, nxorën eshtrat e tij nga varri dhe i ndanë copa-copa dhe i përdorën ato si relike të shenjta, duke i varur rreth qafës e duke kujtuar se fati dhe bekimi do i ndiqte më pas.

Për këtë burrë mund të thuhet:

Ai ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori.

Shënim: Të drejtat e kopjimit dhe publikimit të shkrimit historik “Skënderbeu”, në gjuhën shqipe, i rezervohen përkthyesit: Arben Çokaj

LINI NJË KOMENT

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu