Shkruan: Arben Çokaj
Dorëzohet më në fund flamurtari i kuq dhe më i fuqishëm i Evropës, kancelari gjerman Gerhard Shrëder. Një shpresë e re rilind për demokracitë e reja në Evropë, që të majtët të largohen nga pushteti aty ku janë, në mënyrë që ta freskojnë ajrin e ndotur politik evropian.
Idhulli i të majtëve evropianë (jo nga teoritë e zgjuara por nga pushteti ekonomik, që i krijoi qënia e tij në krye të shtetit më të fuqishëm ekonomik në Evropë), u tërhoq sot nga posti i tij, duke i kërkuar presidentit gjerman që të nënshkruajë zgjedhje të parakohëshme në vjeshtë, sa më shpejt që të jetë e mundur sipas kushtetutës. Kjo tërheqje e befasishme vjen pas një humbjeje të thellë, që koalicioni qeverisës kuqo-gjelbër pësoi në zgjedhjet presidenciale, në Nordrhein Westfalen – njëri nga landet më të populluara në Gjermani, i cili mbahej edhe si bastion i socialdemokratëve të Shrëderit.
Që pas zgjedhjeve të përgjithëshme të shtatorit 2002, ku publiku u njoh me borxhin e madh prej 36 miliardë eurosh, që kabineti Shrëder e kishte futur buxhetin e shtetit gjerman për 4 vjet qeverisje, populli gjerman u ndesh me një sërë reformash shtrënguese, që vetë Shrëder do i quante ato në fillim si “metoda inteligjente kursimi”. Pakënaqësia e popullit gjerman sa vinte e rritej me rritjen e papunësisë dhe rënien e ekonomisë gjermane. Shrëder dhe kabineti i tij filluan të pësojnë disfatë pas disfate si në planin politik kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Të majtët humbën të gjitha zgjedhjet për president në republikat (landet) e Gjermanisë, dhe për ketë arsye, koalicioni i djathtë siguron tashmë një shumicë absolute në senatin gjerman (Bundesrat), pasi anëtarët e tij vijnë direkt si përfaqësues të republikave, ku shumica është e djathtë.
Nga ana tjetër, në planin ndërkombëtar, Shrëder u radhit me interesat e boshtit franko-rus, me shpresë se do të dobësonte politikën dominante të SHBA-ve. Këtë ëndërr të keqe megalomane, Shrëder filloi ta shihte që nga koha e fushatës zgjedhore për kancelar, ku për të humbur vëmendjen e publikut nga përkeqësimi ekonomik, borxhi i madh dhe probleme të tjera, ai iu kundërvu planit amerikan për ndërhyrje ushtarake në Irak. Shrëder u bë kështu kundërshtari më i pafre i luftës së Irakut, dhe për këtë arsye edhe marrëdhëniet e Gjermanisë me SHBA-të erdhën gjithnjë e duke u bërë më të pamundura.
Shefja e atëhershme e sigurisë së Departamentit Amerikan, Kondoleza Rais (Condoleezza Rice), do e përcaktonte këtë relacion kështu: “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë helmuar”. Ditët e fundit, diplomatja e lartë amerikane, tashmë ministre e jashtme e SHBA-ve, gjeti rastin të shprehej kundër pranimit të Gjermanisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo ishte një goditje e fortë kundër Gjermanisë në planin ndërkombëtar, dhe sidomos kundër kabinetit Shrëder, i cili e ka lodhur tej mase publikun gjerman me gafat e tij politike dhe me keq-menaxhimin e buxhetit të shtetit dhe parave të tatimpaguesve gjermanë.
Një erë e re po fryn në Evropë, era e së djathtës evropiane, era e politikës liberale dhe e amerikanizmit. Shqipëria është në prag të zgjedhjeve të përgjithëshme dhe nuk ka si të mos ndikohet edhe nga një veprim i tillë i kancelarit gjerman Shrëder, i cili në fund të fundit e tregoi se i ka mbetur një pikë morali, për të mos shkatërruar edhe më ekonominë e vendit të tij, dhe sidomos krahun socialdemokrat gjerman.
Socialdemokratet gjermanë tremben, se shija e keqe që ka lënë Shrëder tek populli i tij, pas atij bumi ekonomik që provoi t’i sillte këtij vendi kancelari Helmut Kohl, do e ndjekë nga pas kujtesën popullore, për t’i lënë në opozitë të majtët gjermanë për rreth 20 vjet të tjera. Ka kohë që gjermanët e quanin demokracinë socialdemokrate të Shrëderit si special-demokraci. Kjo erdhi nga forma e drejtimit të pushtetit nga ekipi i Shrëderit, nga abuzimi pa fre që ai bëri me buxhetin e shtetit dhe me të drejtat civile në këtë vend, nga korrupsioni i administratës dhe sidomos shitja e vizave nga ambasadat gjermane, etj. Shrëder u mundua të injoronte popullin e tij me metoda të mërzitshme, si pagesën e 10 eurove për çdo vizitë tek mjeku, megjithëse je i siguruar; pagesën e rrugëve nga kamionët, ndonëse paguhet në fillim të çdo viti një taksë rruge, etj.
Në planin kombëtar, ikja e Shrëderit do sjellë një freski në politikën gjermane, ku Angela Merkel, shefja e CDU-së (kristian-demokratët, partia më e fuqishme opozitare) premton se do kemi në të ardhmen më pak “drejtësi sociale” dhe më shumë liri. Koncepti i shtetit social, është propozuar si ide në fillim nga socialdemokratet gjermanë dhe është bërë një teori dominante në të gjitha shtetet e Evropës, ku sot po vërehen më shumë se kurrë defektet e këtij sistemi amfioks, ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit, por me tendencë shtrëngimi nga ky i fundit. Shrëder donte të bënte reforma, më nga e majta, pasi e shihte se sistemi i propozuar dikur prej socialdemokrateve dështoi nga formula e gabuar e Marksit, ashtu siç kishin dështuar edhe regjimet e vendeve të lindjes.
Shrëder u përpoq të reformonte mbrapsht një sistem konglomerat, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, dhe duket se dështoi. Dështimi i tij është një fitore e madhe për demokracinë liberale në përgjithësi.
Shqipëria dhe populli shqiptar duhet të përfitojë nga kjo ngjarje jo e zakontë, dhe t’i ulë në stolin rezervë edhe kandidatet e ngjyrës rozë në zgjedhjet e ardhshme, nëse duam si shqiptarë të ruajmë pak respekt për vetveten. Rotacioni politik në Shqipëri është i domosdoshëm. Koha ka ardhur për një frymë liberale në të gjithë demokracitë e botës, për respektin e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe ne si shqiptarë duhet të përfitojmë prej lëvizjeve politike të kohës.
Analistë politikë diskutuan kohëve të fundit edhe për rrezikun që mund t’i vinte Kosovës nga rreshtimi që shteti gjerman bëri në boshtin franko-rus. Kryeministri i Kosovës Kosumi do të vijë për një vizitë Berlin, dhe ai duhet ta ruajë respektin që shqiptarët kanë për popullin gjerman, por duhet gjithashtu të ketë parasysh se, administrata e ardhshme gjermane nuk do të rreshtohet në boshtin franko-rus, për hatër të Shrëderit, i cili është në ikje e sipër.
22.05.2005
Dërguar për:
Illyria, QIK, Bota Sot, Koha Jonë, RD, TemA, Shekulli