Dimensioni i lirisë dhe fenomeni Obama

0
985

Nga Arben Çokaj, 30 janar 2009

Ndërsa Obama konkurronte për President, spekulimet filluan të mbulonin mendjet e njerëzve në SHBA dhe jashtë saj. A mundet një afrikano-amerikan me ngjyrë, të marrë postin e Presidentit? A është Amerika e përgatitur për një President me ngjyrë? Heshtje! Konjukturat politike, kriza ekonomike që filloi të mbërthejë perëndimin, skandalet financiare të rastësishme, të shkaktuara nga inercia apo gjysmë të planifikuara, e ndihmuan Obamën të shfaqej si shpëtimtar. Amerika ndodhej në vështirësi, pas një lufte të gjatë në Irak dhe përpjekjeve e shpenzimeve të mëdha për të luftuar terrorizmin botëror.

Njerëzit në Amerikë shikuan tek Obama një misionar të ri, kësaj here në politikë. Gjë e rrallë, për të mos thënë fenomenale. Fakti që ai ishte me ngjyrë, afrikano-amerikan, dhe gjendja shpirtërore e ekonomike njerëzve në SHBA, bëri që ata të besonin më shumë tek ndryshimi që Obama mund të sillte. Oratoria e Obamës, fushata e tij për postin e presidentit, dhe kritikat për mungesën e përvojës apo kufizimet e tij, si tek çdo njeri, që merret në analizë të detajuar për të gëzuar postin e njeriut më të pushtetshëm të globit, u përmblodhën në një fushatë të shkëlqyer dhe plot besim për të sjellë në fund fitoren.

Obama vetë nuk dëshironte që njerëzit të kishin pritshmëri më të madhe se duhet, pasi kjo më pas sjell zhgënjimin. Ai filloi t’u thoshte njerëzve: “Ne nuk votuam ndryshimin, por mundësinë për të ndryshuar.” Në fakt, për të qenë realistë, në atë që shihet e mund të kuptohet, ndryshimi që pritet të ndodhë në SHBA, edhe nëse punohet me të gjitha energjitë, dhe në drejtimin e duhur, do të marrë një periudhë kohore më të gjatë se një mandat, apo dy mandate të Obamës. Rëndësi ka të punosh siç duhet.

E si mund të ndodhë, që në një vend kaq të madh dhe me mundësi të shumta, të kemi një president me ngjyrë, që vite apo dekada më parë mund ta shihnim vetëm në ndonjë film fantastiko – shkencor? Dihet, që mendimi i paraprin veprimeve. Sidomos në vende me demokraci të zhvilluar, ku dimensioni i lirisë ka bërë që njerëzit t’i respektojnë ndryshimet, diversitetin, të qenit ndryshe. Por, ndryshimet në vetvete nuk janë, ose nuk duhet të jenë të dëmshme për njëri-tjetrin, përkundrazi.

Ajo që politika e ngurtë shqiptare duhet të marrë mësim në këtë rast është pikërisht zbutja e normës së lartë të arrogancës, falsitetit, gënjeshtrave dhe hajnisë së shfrenuar, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, protagonizmit të tepruar individualist dhe injorimit të tjetrit, që e ka mbërthyer këtë vend kaq keq, si kancer, dhe nuk po e lë shoqërinë shqiptare të marrë frymë lirshëm, të zhvillohet apo të ecë në rrugën e nisur drejt rritjes së cilësisë së jetës, përmes reformave integruese në shoqëri më të avancuara.

Nëse Obama do të ishte në Evropë, nuk do t’i kishte ato mundësi që ia dhanë SHBA-të. Nëse Obama do të ishte shqiptar, do të emigronte diku, për të bërë punë të rëndomta, që të sigurojë të mirat materiale për vete dhe familjen e tij, ose do të detyrohej të merrej me korrupsion e gënjeshtra, që ta shpifin, për të mbijetuar në një ambientin frenetik, të çimentuar, të politikës shqiptare. Të ndalemi për një moment dhe të mendojmë, çfarë jemi duke bërë ne shqiptarët? Çfarë janë duke bërë politikanët tanë drejtues? A mos janë ata disi primitivë dhe jashtë kohës, në botëkuptimin e tyre? A drejtohet politika kështu? A mos duhet politikanët tanë të ndryshojnë diçka në sistemin e tyre të mendimit, në mënyrë që shoqëria dhe ekonomia jonë të jetë më konkurruese dhe më afër realitetit objektiv?

Për të sqaruar më mirë stanjacionin, që vjen në Shqipëri nga mentaliteti i vjetër, nga një politikë inkompatibël, që luhet në këto 18 vjet, mund të marrim shembullin e paraardhësve të Obamës në Kenia, të atyre që sot jetojnë në Kenia, dhe të vetë Obamës, se çfarë u bë ai, vetëm nga mundësia që jep njeriut një shoqëri e lirë. I njëjti njeri, me të njëjtin kapacitet, mund të jetë një pastrues pjatash në një restorant, një kryetar bashkie në Shkodër, apo një President në SHBA. Varet se ku ndodhesh.

Karen Blixen (Bliksen) (1885 – 1962), një baroneshë dhe shkrimtare daneze, e njohur me emrin e artit si Isak Dinesen, pati një famë jo të vogël në kohën e saj, në Danimarkë dhe jashtë saj. Ajo kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës në Afrikën e Veriut (tani Kenia), vendlindja e babait të Barak Obamës, ku u vendos dhe investoi në një plantacion kaféje.

Në veprën e saj “Jashtë Afrikës” (1937), që u kthye në një film të mrekullueshëm të Hollivudit (në rolet kryesore Meryl Streep dhe Robert Redford), ajo përshkruan përpjekjet për të shkolluar fëmijët afrikanë të komunitetit ku jetonte. Vendosi të hapte një shkollë dhe për këtë i duhej të pyeste autoritetin e vendit, që në atë kohë, në atë tribu afrikane, ishte kryetari i fisit. (I ngjashëm me kryetarin e sotëm të Bashkisë në Shkodër, me ndonjë deputet, me folësen e kuvendit apo me kryeministrin shqiptar).

Kryetari i fisit, që nuk dinte anglisht, (këta tanët e dinë ndonjë gjuhë të huaj) kap sëpatën, dhe godet me forcë një nga shtyllat, që mbante në këmbë ndërtesën e shkollës. Lartësia e goditjes ishte pak më shumë se një metër. “Deri këtu e ka limitin dija!” – thotë ai në gjuhën e tij afrikane. Përkthyesi sqaron baroneshën se, fëmijët duhet të shkojnë në shkollë derisa të arrijnë lartësinë e shenjës së bërë nga sëpata e kryetarit të fisit, jo më shumë! Problemi i vetëm ishte se mos fëmijët (qoftë larg) mund të bëheshin më të zgjuar se kryetari dhe kjo nuk lejohej. A nuk sillen një pjesë e mirë e politikanëve tanë kështu, që e kapin për fyti lirinë dhe demokracinë e vendit; e harxhojnë kohën me intriga e poshtërsi dhe zgërdhihen në injorancën e tyre, me plancin e fryrë mbi fatkeqësinë e këtij kombi?!

Karen Blixen tregon se në përpjekjen e saj për të sjellë dritën e dijes në këtë vend afrikan, asaj iu dogj edhe shtëpia dhe gjithë magazina e kafésë. Falimentoi dhe më pas u kthye në atdhe, në Danimarkë. Kenia vazhdon të jetë një vend i prapambetur, i ndarë në fise, pasi dituria, demokracia dhe dimensioni i lirisë në atë vend, e ka të vështirë të depërtojë në mendjet e varfëra të shoqërisë, të kapur peng prej pushtetarësh të paaftë dhe fanatikë në injorancën e tyre. Ndërsa vendi i saj Danimarka është i zhvilluar, dhe në SHBA, një njeri me ngjyrë, që trashëgon gjenin kenian, u bë President.

Ky është ndryshimi në konceptin apo dimensionin e lirisë dhe shoqëria shqiptare ka të mësojë shumë nga shembulli i Obamës, fenomeni i një njeriu me ngjyrë, i anatemuar tradicionalisht nga konfliktet racore , fetare dhe mentaliteti primitiv, i cili gjeti rrezen e shpresës në një vend të madh, e të mundësive të mëdha, për t’i treguar mbarë njerëzimit: “Po, ne mundemi!”

Po ne shqiptarët a mundemi ndryshe?! A mundemi ne ta shporrim agresivitetin dhe arrogancën, primitivizmin dhe pëllitjen, tensionin e brendshëm dhe frikën, që vjen në shoqërinë shqiptare nga drejtues të kapur nga e shkuara, si Berisha, Topalli etj., të cilët jetojnë ditët e tyre të fundit, të një kohe të perënduar? Apo mos jemi pajtuar me realitetin e plogësht, somnambul, që ata mbjellin, me format e tyre të përndjekjes dhe konkurrencës banale a ‘la komuniste, me mentalitetin orientalo-bizantin, dhe nuk dimë ndryshe?!

Duhet thënë PO, ne mundemi! Duhet ta bëjmë realitet, me përpjekje, mundësinë tonë. Në radhë të parë, duke ndryshuar veten, duke mos qenë shëmbëlltyrë e shëmtuar e cungimit të lirisë, që vjen prej drejtuesve të paaftë e të vjetruar! Duhet thënë PO ndryshimit, për të mirën tonë të përbashkët!

Publikuar në: TemA, 01.02.2009

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu