Mediat shqiptare dhe hiperbolizimi i problemeve

0
880
Fatos Lubonja

– Lidhur me shkrimin “Drama e medias shqiptare” të Fatos Lubonjës.

Nuk mund të them se shkrimi i Lubonjës për mediat shqiptare nuk ka një trajtim informativ, dhe nuk paraqet gjendjen reale të mediave në Shqipëri. Duke qenë se ndodhem jashtë Shqipërisë për afro 10 vjet, unë nuk kam patur mundësi që t’i ndjek nga afër zhvillimet e brendshme në Shqipëri, dhe prandaj nuk mund të komentoj një shkrim, duke u nisur nga vërtetësia e tij. Por duhet pohuar që në fillim se e vërteta, si çdo gjë tjetër, është relative.

Përveçse leximit me interes të shkrimit të Lubonjës për dramën e medias shqiptare, ku paraqitet një mozaik dhe ndërthurje interesash mediale në Shqipëri, duhet theksuar se, subjekti i shkrimit në fjalë paraqiste të vërtetën e Lubonjës për mediat shqiptare, pra këndvështrimin e autorit për problemin që shtron.

Nga pikëpamja konceptuale, mund të thuhet hapur se mediat në Shqipëri, janë më të lira dhe demokratike se në pjesën tjetër të Evropës perëndimore, dhe nëse Shqipëria synon Evropën si para dymbëdhjetë vjetëve, atëherë aq më keq për Lubonjën dhe kulturën mediatike të parë me syrin e tij. Është mjaft pozitiv fakti që mediat në Shqipëri janë të lira, pasi është pikërisht liria e shtypit ajo, që mat lirinë e individit në një vend. Është pozitive gjithashtu edhe përpjekja e gazetarëve të ndryshëm, përfshi këtu edhe Lubonjën, që mediat të jenë të lira.

Mediat në Evropë luajnë politikën e tyre, e cila nuk mund të kalojë cakun e lejuar nga “sistemi” politik, që kanë këto vende. Nga ana tjetër, stili investigativ i gazetarëve në Evropën perëndimore, me përjashtim të disa rasteve në Itali, Angli etj., dhe aty ku ka interes shteti, është pothuajse i vdekur. Gazetat i marrin lajmet zakonisht direkt nga policia, për incidente që ndodhin, dhe shumë zor se thonë më tepër se aq, nga frika se mos dënohen.

Gazetarët dhe botuesit në shumë vende të Evropës perëndimore, zhvendosen në të njëjtin plan me politikanët, të cilët bëjnë një lojë “krahësh” në informim të publikut, duke ruajtur kështu “aleancën e të përkundërtave”. Jo gjithçka ka të drejtë të thuhet publikisht, dhe është interesante për mua të shoh se gazeta “Shekulli” ka edhe një drejtor etike, i cili duket se i sheh shkrimet analitike edhe nga kjo pikëpamje, që është padyshim e domosdoshme.

Duke qenë se një gazetar i televizionit shqiptar, në kohën kur PD ishte në pushtet, nuk e dinte se në ç’mënyrë punojnë mediat në Danimarkë, ai filloi të ankohet para disa përfaqësuesve të medias daneze, se në TVSH ka censurë nga “lart”. Pra, shteti imponohet për politikën e TVSH-së, që është televizion shtetëror. Po çfarë politike duhet të luajë një televizion shtetëror, përveçse asaj të shtetit që e financon?

Në këtë plan, duhet thënë se, në botën shqiptare, e cila përpiqet të dalë nga gjendja e vështirë e post-komunizmit, jo gjithmonë gjërat shihen realisht dhe në atë pikëpamje, që shihen në perëndim. Tendenca e dëshiruar shqiptare drejt modernes, dhe ideja që shumë shqiptarë kanë në kokë për demokracinë Evropiane, ka sjellë edhe në Shqipëri një lloj mosnjohjeje të realitetit. Nuk ka dyshim, që kjo gjendje do ndryshojë me kohën, kur gjërat të shihen dhe kuptohen më mirë. Ballafaqimi real me fqinjët tanë evropiano-perëndimorë do na ndihmojë edhe ne si popull, të pozicionohemi më mirë në vendin që kemi.

Ndërkohë që në shumë vende të Evropës, të krahasueshëm me Shqipërinë për nga madhësia, gazetat e mëdha nuk janë të një personi, por mbahen ekonomikisht nga shoqëri aksionare, dhe stafi i gazetës është thuajse i ndarë nga buxheti i saj. Për më tepër që gazetarët nuk ndjekin traditën konservatore të një politikani, i cili mbetet në “krahun” e vet politik, por shumë prej tyre kalojnë nga njëri krah në tjetrin, sipas interesit, pa shkaktuar këtu ndonjë problem ideor.

Sa i përket censurës për të cilën flet Lubonja, i cili sidoqoftë ka arritur një status, që shkrimet të mos i preken, ajo ndodh edhe në Evropë, në atë mënyrë siç e shtron ai. Aq më tepër në Danimarkë, ku edhe kam patur rastin ta shoh më nga afër. Një gazetë, e pavarur ose jo, ka politikën e saj, dhe askush nuk mund të ndërhyjë, apo fyhet, në rast se ajo nuk boton një shkrim të caktuar. Është e drejta e gazetës, të botojë ose jo një shkrim, sipas interesit që ka, dhe kjo nuk përbën censurë.

Ideja e censurës ushtrohet vetëm nga organet e një shteti. Pra, të jemi të qartë, vetëm nëse organet shtetërore ndërhyjnë që të bllokojnë publikimin e një shkrimi apo të një vepre, atëherë mund të flitet për censurë. Nëse një gazetë private, e pavarur, si “Shekulli”, etj. nuk publikon një shkrim, kjo nuk mund të përfshihet në censurë, pasi autori ka mundësi ta botojë shkrimin e tij diku tjetër, siç bëri edhe Lubonja me shkrimin e vet për Irakun.

Nëse botimi ose jo i një shkrimi nuk përbën censurë, në rastin kur mediat janë të lira dhe nuk janë pronë e shtetit; prekja, ndryshimi, apo riformulimi i një shkrimi që botohet nga një gazetë, cënon të drejtat e autorit, nëse kjo gjë bëhet pa dijeninë e tij. E drejta mbi shkrimin është e autorit, dhe organi i shtypit nuk ka të drejtë ta cënojë. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë përsëri nuk kemi të bëjmë me censurë, por me cënim të të drejtave të autorit.

Duket se Lubonja është irrituar, dhe i ndikuar nga tradita e keqe e censurës në Shqipëri, ka reaguar me shkrimin e tij “Drama e medias shqiptare”, duke vënë në pozitë të vështirë gjithë stafin e gazetës “Shekulli”, i cili për hir të publikut, u detyrua të japë sqarim publik.

Shumica e lexuesve shqiptarë nuk mund të jenë konceptualisht më të civilizuar se ata gazetarë, të cilët u hapin horizontin atyre me shkrimet e përditshme. Pavarësisht zhvillimit të Shqipërisë në këto vitet e fundit, përsëri duket qartë se gjendja ekonomike e sociale në vend, kushtëzon edhe shtrirjen e njohjes së tyre konceptuale.

Janë të panumërta rastet kur shqiptarët ankohen për vendin e tyre, duke hiperbolizuar e tragjedizuar rrethanat, në të cilat ndodhen, në vend që të punojnë me dinamizëm për ndryshimin e situatës. Është për të ardhur keq, kur sheh edhe njerëz të kulturës dhe elitës shqiptare, që bien pre e një mentaliteti dominant, dhe nuk mundohen të largohen konceptualisht nga veset e një kohe që tashmë ka kaluar, dhe duhet lënë pas.

Arben Çokaj, 28 shkurt 2003
Dërguar përShekulli

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu