Poezi

0
1922
Poezi

( Disa nga poezitë e mia… )

[ PoetryEN ] [ Lirika danezeAL ]

Dashuri e një femre

Ata ishin mbledhur bashkë
Do shkonin diku lart
Atje ku të tjerët nuk munden…

Në kujtesën gjysmë-përgjumur të natës
rikthehet këndshëm dashuri e një femre
një imazh i saj i nëpërhumbur
dhe tekat e saj lozonjare…

Ishte e çiltër, oh kohë e bukur!
e qetë, spontane, e dëshirueshme
një fjalë e imja fytyrën i kish skuqur
dhe ece-jaket e saj ekliptike…

Ishte herë e parë dukej, por s’më besohej
një vajzë moderne, inteligjente
se pse kish ndrojë, kjo nuk kuptohej
pasiguri e ndjenjës së fortë…

Dhe ne të dy u takuam papritur
mes njerëzve në një sallë të mbushur
një shkëndijë ndjenje fytyrën i kish ndritur
kështu e plogësht u preh tek unë…

Çudi, si para një skene mitike
ajo fytyrën e drejtoi nga unë
përkulem pak në ato momente kritike
dhe pjalmin e puthjes lamë në buzë…

31 gusht 2002

Dedikim

– E kujt tjetër veç ‘Albit’

Këmbëkryq mbi tavolinën e punës,
Nota trishtimi në faqen e kohës,
Heshtin të zhurmshmit larg paqes së brishtë,
Silueta moskokëçarëse në trokitjen e portës.
Vështrimin e hedh andej ku zë i humbur
Dëgjohet,
Ruaj heshtjen e amullt pakuptim,
Me grusht dua të godas çmendurinë,
Njerëzit s’kanë turp.
Nota trishtimi bien në faqen e kohës,
Petale fisnike ndrisin sytë e zinj,
Unë me shpirtin e grisur prehje nuk gjej,
Prehja, vdekje është.
Do largohem diku larg, diku do zhdukem,
Atje ku fytyrën të mos m’a njohin…
Në çantën e kujtesës do mbart kujtimet deri në vdekje,
Brejtjen e ndërgjegjes do e qëroj,
Si qepë në lakuriqësinë e saj.
Nota trishtimi mbesin në faqen e kohës,
Ti hesht, se flet gjykim i çmendur
S’do mund t’ia harroj mirësinë kësaj bote,
Të keqen e injoroj,
Në fundin e qefinit të vet…

Verë 1993 – para se të largohesha nga vendi im.

Jeta

Një kalë i harbuar dhe i pashtruar
Vështrim drite i hedhur nga jashtë
Përkohësisht. Aksidentalisht.
Shansi i borës së shpellave, kur rrezja e diellit
Bie rrallë,
Pavetëdije, nënvetëdije, vetëdije
Sjellje kaotike qëniesh që thirren
Njerëz!
Rregullsi përbindëshe dhe spontanitet
I dendur,
Marrëzi, çmenduri, mençuri
E pashembullt
Të shkrira në skulpturën amalgamë
Mendime, synime
Të lodhura
E të rilindura
Në natën e hënët
Buzëqeshje dhe qeshje
Qarje dhe sharje
Ndarje…
Perde e rënë.

Shtator(24) 1992


Regjizorët

Në kapërcyell të ndërrimit të viteve
Trishtimi buzëqeshjen përçudnonte
Njerëzit vazhdonin imitimin grotesk
Të veseve pa zakon të zakonshme.
Fluturonin pa shkak të nemitura dallëndyshet
Belbëzonin pa kuptim suflerët e largët
Fjalët rëndonin barkun e boshtë
Mungesë e ushqimit, trurin e mpinte vagullt.
Duartrokitjet anemike përgjonin me të drejtë
Fjalorin e skenartë të regjizorëve të varfër
Fytyrat që në ajër pamjet ndryshonin
Mendjekthjelltët s’do mund ti fytyronin.
Ti ëngjëll në tokë kaq keq kishe rënë
Mëkatet tokës do i merrje pa shpëtim
S’do mund të qeshje me dëlirësi
Se në qiell vendin e kishe ti.
Skenari famëkeq vazhdonte përjetimin
Pafajësia s’u hyn në punë të pafajshmve
Mjerisht njerëzit s’e dinë kuptimin
E ironisë së fatit që regjia shfaqte
Enigmës shpesh i jepte rrëfimin
Kalvari i mendimeve të heshtjes
Përsëritej tmerrshëm gjithnjë gjykimi
Të dish, do të thotë të vdesësh.

Janar(11) 1993

Rini e bordurave

Kënaqësia u përçudnua pllakave
Shpresat e humbën njeriun
Dhe puna s’punon më
S’po na tërheq as bari i gjelbërt
As lulet s’po dinë të çelin
Pranverës
Nga të ftohtit
Kanë filluar të pushojnë cicërimat
Shtegtarët s’kanë energji të fluturojnë
Fluturojnë ëndrrat e perëndimit
Lumturinë e bëjnë të gënjeshtrit
Shitjet pa parim
Të rinjtë ruajnë buzëqeshjen
Në moskuptim
Bordurat e lodhura shfletojnë
Librat e harruara
Grisin faqet si fletët e shpirtit
Në bordura flenë iluzionet e mëdha
Gëzojnë premtimet patetike
Në bordura thinj flokët e saj
Rinia.

Shkurt(22) 1993

Heshtje e përvuajtur

Asnjë fjalë
Heshtje
Një klithmë frike
Brejtje.
Jo! jo!
Diçka më shumë,
Heshtje…
Ej njerëz!
Madhështia nuk flet
Të tjerët flasin për të.
Në sytë e saj
Pazakonshëm ndrit
Dielli
S’e honeps
Ngërdheshjen
Hënën në pasqyrimin e
Ujërave të turbullta
Një copëz të artë e do
Për vete
Për të tjerët
Të bukurën që vuan
Të përvuajturën
Heshtje
Drithërimë e lehtë kristali
Shkëlqim diamantesh.

Korrik(11) 1994


Shkatërrim i një pasurie

Një pasuri, një mendje
Një trup si të tjerët
Një zemër
Një ndjenjë e çiltër
Një karakter të fortë
Një gjoks të bërë
Një kokë.
Tek shoh trupin tënd të zhveshur
Me linja të këndshme muskujsh
Bukurinë e fytyrës
Ëmbëlsinë e buzëve
Afshin e ngrohtë dashuror
Dehjen e lakmueshme
Misteri i imagjinatës më jep të drejtë
Të mendoj të pamendueshmen
Shkatërrimin
Fundin e jetës
Skeletin
Pas shumë vjetësh.

1992

Parafjalë

Nën diellin e nxehtë, lakuriq shtrihen pemët
kurrizdala
Toka avullon ujin e fundit të vesës së mëngjesit
Duket sikur qan gjethja se afrohet vjeshta
E shirave të këndshëm me rrëmbim…
Dhe frutave të ëmbël

Gusht 1992

Surfing

Valët e detit lëkundin varkën e velët
Rrugën drejtojnë ato të shpejta
Për akrobatin mbi ujë
Surfing – valët e dredhëta
Nga poshtë-lart e çojnë apo anasjelltas
Për ta hedhur dikur… në fund.
Valët e jetës të lëkundin krah njerëzve
Një tjetër
Një tjetër
Pa mbarim
Ngrohtësinë s’mund t’ua marrësh të tjerëve
Se frikesh për të dhënë ngrohtësi.
Valët e jetës s’e ruajnë radhën si ato të detit
Pa kuptuar mbivendosen
E unë jomirësjellës gjithmonë u kujtoj njerëzve
Rrugën të mos e humbin.

Gusht(26) 1992

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu