€0,00

Nuk ka produkte në shportë.

€0,00

Nuk ka produkte në shportë.

T r e g i m e

( Disa nga tregimet e mia… )


Dikur kam shkruar tregime të ndryshme, mendja më shkon të shkruj përsëri herë pas here, ndërsa shkruaj shkrime të ndryshme në vazhdimësi, te Fjala e Lirë...

Këtu po publikoj disa tregime të shkurtra, sa për të krijuar një ide, pasi 35 tregime të miat, janë përfshirë në librin "Ofiçina dhe tregime të tjera", të cilin mund ta gjeni në librari,
ose ta porositni online.

[ Short Stories ] – EN [ POEZI ]

1. Mbingopje
2. Kur jeta thjeshtëzohet…
3. Regjisori
4. Kushoja
5. Adoptimi
6. Kidnapimi
7. Tërheqja pas emrit


M B I N G O P J E

Toka gjithkund ishte zhytur në ujë. Plisat e barit gjallonin si mbretëri shushunjash. Vije këmbën në to dhe fundoseshe si në një kënetë - llucë përpirëse. Çizmet, ngandonjëherë përdoreshin si varka të vogla shpëtimi. Por me to, asgjë nuk ishte e sigurtë. E njëjta gjë sikur të luftoje me një pistoletë ping-pongu kundër një morie topash.
Shushunjat të thithnin gjakun. Vetëm të mos u bije në sqep. Ato ishin më të shumtat, që e popullonin atë vend. Tek-tuk takoje ndonjë pemë të ujët e të vlagësht, që hidhte shtat ‘si shtogu në mut’, si i thonë. Edhe ajo fundosej me rrënjët e saj në atë batak sundues të paqëndrueshëm, që s’mund t’i zije besë. E çuditshme. S’ma kishte marrë mendja, se do vinte një kohë e tillë...
Mbingopje e ujët. Gjethet e barit kishin marrë nuanca të kafenjta në të zezë. Nuk mund të pinin më. As të hanin më tepër. Ndonëse fëmijët vazhdonin të dilnin të brishtë. Plisat e barit nuk kishin shërim. Ishte një sëmundje e përgjithshme. Toka ishte bërë vetëvrasëse.
Megjithatë, toka e mbytur vazhdonte të rezistonte…

1993


KU JETA THJESHTËZOHET NË ORGANET GJENITALE

Kanaçe teknologjike. Se si më erdhi në mendje kjo fjalë. Shoh buzë tek ngjiten me afsh. Përjetim grotesk bardhë e zi.
Kaloj në heshtje ballë sekuencave filmike jetuese. Askush s’e vë re ecjen time. Më gëzon fakti i kësaj moskujdesjeje. Në të vërtetë, pëlqej të jem moskujdesës.
Sekuencat filmike më lënë shije kërpudhash. Bëj sikur ha. Ndonëse ha shumë. Kaloj nëpër mendje atë që pashë në heshtje. Buzët që ngjiteshin. Afshin e lodhur grotesk. Përçudshëm ndërhynin ngjyrat bardhë e zi. Interferoheshin. Ngjethje mishi. Ndërthurje përziese.
Në këtë vend ka pak kohë që kam ardhur. Pak ditë për të parë atë që ndodh së tepërmi. Një biondinë me qenin e saj spërdridhet në stacion. Hedh sytë nga kalimtarët. Buzëqesh me gjithë shpirt, që i buron diku poshtë. Në një zonë lokalizohen mendtë. Dikush thotë: “Mendtë përqendrohen mes këmbëve!”.
Përfundim i studimit të fundit të institutit fiziologjik. Koncept modernist vlerësues. Ashtu si ajo biondja në stacion. Qeshte me të madhe, kur një zezak i tregonte me dorë organin gjenital. Ajo kënaqej dhe ai, zezaku, qeshte me zë baritoni. “Ha, ha… Ha, ha!” Me dorë vazhdonte të tregonte këmbën e tretë. Gjënë më të vlefshme të trupit të vet. Thonë se zezakët janë mjaft të shëndetshëm në këtë pikë. Ndaj dhe biondja qeshte. Ndaj dhe zezaku gugaste. Bënin seks e hanin çokollata.
Jeta kështu e ka. I duhen shijuar resurset natyrore. Pëlqenin reklamat. Muzikë, a-ha muzikë. ‘Heay metal’. Vdekje përgjëruese mbi gjunjët e saj. Pilulat kontraceptive, dorë me një. Simulantët…, para krevatit… Në sallën e madhe qenë vendosur raftet. Në një rresht si koka ushtarësh. Zërat e largët e të pakuptueshëm dëgjoheshin turbull. Një qarje fëmije dyngjyrësh, më brente shpirtin. Vijoja ecjen krah filmit jetues. Mollat po kalbeshin në degë.
Shërbenin si ushqim për zogjtë. Në natën pa hënë, vetëm dhëmbët i shndrisnin njeriut. Në ditën pa diell, biondina qeshte, në kënaqësinë e saj periodike. Qenie të konsumosura përtypëse. Robotikë të korrnizuar.
Dëshirat ngatërrohen me mungesën e kënaqjes. Kërkim shansesh të humbura. Dekadencë përbuzëse. Në stacionin e trenit, çifti b-z nuk e ndalonte qeshjen. Qeshte me shekullin e kaluar. Apo me çuditë e shekullit të ri. Fëmija që qante, më kujtonte sallatën e drekës. Ndaj dhe Sokrati e piu kupën e helmët… U mërzit nga kjo botë...
S’e di se pse më erdhi në mendje kjo fjalë, ‘kanaçe teknologjike’.

Tetor (11) 1993


R E G J I S O R I

“Ti nuk pi?” më pyeti një zë dhe një paketë cigaresh u drejtua për nga unë.
“Jo!” u përgjigja unë.
“As alkool?!” vazhdoi zëri pyetsor me atë anglishten e tij të ngadaltë.
“As alkool!” fola unë qetësisht. “Po ndonjë shoqe, a ke momentalisht?”
“Fatkeqësisht, jo,” ia ktheva unë, duke rrudhur supet e duke hapur paksa duart me habi. Ai qeshi me të madhe. Qeshja e tij elektrizoi edhe të tjerët, që po na dëgjonin dhe kështu u bë një qeshje korale, që më tepër i ngjante asaj gumëzhitjes së patave, kur u futet në mes ndonjë njeri.
“Atëherë, pse jetoni?!” buroi zëri kumbueshëm përmes dhëmbëve të ngjyrosur nga nikotina dhe që mbytej i valëzuar me atë të qeshurën e veçantë, në kënaqësinë e thënies së diçkaje mjaft të zgjuar.
“Po unë tani sa kam ardhur...” u mundova unë të justifikoj veten, por fjalët e mia disi të trishtuara nuk mundën ta frenonin qeshjen e atyre njerëzve, që në të rrallë, flisnin një anglishte të mangët.
Ishte një refren i dëgjuar. Fjalët e regjisorit iraken më kujtonin vitet e para studentore në Tiranë, për ‘tre cilësitë e studentit’, por nuk e di se pse në këtë rast, ato më lanë një shije jo fort të këndshme. Jetonim në një kamp të vogël në Søbæk, i cili kishte formëm e një drejtkëndëshi dhe ndërtesat e kësaj forme konsistonin në njëkatëshe, jo shumë simpatike, të ndërtuara si duket shpejt e shpejt, për strehimin e refugjatëve. Jeta dukej e vështirë në atë izolim të tërthortë dhe në atë pamundësi frymëmarrjeje. E megjithatë, në thellësinë e saj të vyshkur, mundoheshim të gjenim të bukurën, si ushqim të pazëvendësueshëm.

* * *

Ishte ditë e shtunë. Një diell i dobët rrezatonte pas reve, që herë pas here tregonin pamëshirën për ta mbuluar krejtësisht, duke bërë që era të na depërtonte disi më thellë me akullsinë e vet. Kisha dalë krejt rastësisht dhe bluza e hollë që mbështillej pas trupit, dukej se më ngrinte edhe më tepër. Hunda filloi të më rridhte me piklat e një lëngu të ftohtë dhe kështu më lindi nevoja të përdor shpeshherë shaminë, që kisha futur diku në xhepin e pasmë të pantallonave. I depërtova lehtë dorën në bel dhe i thashë:
“Eja t’i vidhemi këtij vendi të ekspozuar ndaj erës dhe shikimit të njerëzve.” Për çudi, si asnjëherë tjetër, në indiferencën e tyre, të gjithë ata që kalonin, po tregoheshin tepër të mirësjellshëm me ne, gjë për të cilën, pikërisht në ato momente nuk kishim nevojë.
Ajo provoi t’i shmangej dorës sime dhe papritur u ngatërrua në një manaferrë, e gati sa nuk i grisi streçet e saj të holla, nën të cilat prisnin me ankth dy këmbë të drejta e të bukura. (Kjo ishte arsyeja ndoshta, që kohëve të fundit, vajzat i kishin bërë të modës streçet.) “Mos provo të largohesh nga unë,” i thashë, “se ferrat të presin...”
Ajo qeshi. Qesha dhe unë. “Pse më shikon ashtu?” më pyeti ajo, pasi sytë tanë ishin harruar në një shikim të ndërsjellët.
“Sepse ti më shikon ashtu!” u përgjigjja unë me humor.
E ndieja se po bëja një krim. Krimin më të këndshëm dhe më të paevitueshëm në botë. Ajo iu bashkua trupit tim dhe të dy ngjitur, ecëm dhe u fshehëm diku pas një muri tek salla e lojërave të asaj qyteze të vogël, që ishte aty pranë. S’donim të na rrihte era, e për më tepër nuk donim të na vrisnin shikimet e njerëzve. Ndërkohë e preka lehtë në fytyrë, ashtu siç ishim afër e afër, pastaj e pyeta për flokët, që i kishte të dredhura në bishtaleca të hollë si afrikane, extention. Flokët e saj të gjatë e të derdhura, e pengonin natën kur flinte, me ato gërrecat e tyre. Lehtë e putha në faqe. Ishte një nga ato puthje, që të ndezë më shumë, se sa puthja e vrulltë dhe e afshët. Më pas guximi im u shtua dhe puthjet kaluan në sipërfaqen e lejueshme të fytyrës, mbi vetulla, qerpikë, hundë e për të përfunduar në buzët e saj të plota.
Gjithçka bëhej aq lehtë, saqë dukej sikur nuk donte ta prishte me papërmbajtjen e saj, atë bukuri të qetë e të pastër engjëllore. Por buzët e saj njomështake se si m’u dukën. Më dhanë një ndjesi të çuditshme e të këndshme, që përzihej me një joshje fluturake. U mbështet tek unë, ashtu e ngrohtë, e përshkruar nga një i kuq i flaktë, që e shtonte edhe më shumë ëmbëlsinë e frutave të sapo pjekura.
“Jam e rrezikshme,” foli disi pa zë.
“Pse, do më vrasësh?”
“Do të të vras në zemër!...”
vështroi ajo thellë në sytë e mi, disi e turbulluar.
“Pothuajse më ke vrarë,” buzëqesha unë. Një njeri kaloi aty pranë. Për fat të mirë, nuk na i hodhi sytë.
“Oh, zot!” thirri ajo kur ai iku.
“E njihni?” pyeta unë. “Është një shok i babait...” Megjithatë, ne nuk e prishëm mëkatin tonë. Mëkati s’ka se si të mëkatohet. Ajo kishte nevojë të harronte diçka, kishte nevojë të ngrohej në atë ngricë ere të ftohtë. U afrova përsëri me atë lehtësinë e një balerini me përvojë dhe e mora në krahë, ashtu të plogësht siç ishte. Me çelësin që kisha në xhep, hapa derën e palestrës, ku bënim ushtrime ‘bodybuilding’-u, u shtrimë në njërin nga dyshekët sportivë të atjeshëm dhe veprimet tona filluan të ngjalleshin, filluan të rrisnin frymëmarrjen...

* * *

Që nga ajo ditë, regjisori filloi të mos më fliste më si më parë, as të më përqeshte.

Mars (26) 1994

P o e z i

( Disa nga poezitë e mia… )

Dikur kam shkruar poezi,
Dhe jam krenar, që e kam bërë,
Se njerëzit janë të vdekshëm,
Vargjet, jo!
🙂

Por poezia është art, një formë sublime e të shprehurit!
Librin tim me poezi "Mrekulli n'katror", me hyrje e parathënie nga Gjekë Marinaj e Shefqet Dibrani, mund ta gjeni në librari, ose ta porositni online.

[ Poetry – EN ] [ Lirika daneze – AL ]

1. Dashuri femre
2. Dedikim
3. Jeta
4. Regjizorët
5. Rini e bordurave
6. Heshtje e përvuajtur
7. Shkatërrim i një pasurie
8. Parafjalë
9. Surfing


Dashuri e një femre

Ata ishin mbledhur bashkë
Do shkonin diku lart
Atje ku të tjerët nuk munden…

Në kujtesën gjysmë-përgjumur të natës
rikthehet këndshëm dashuri e një femre
një imazh i saj i nëpërhumbur
dhe tekat e saj lozonjare…

Ishte e çiltër, oh kohë e bukur!
e qetë, spontane, e dëshirueshme
një fjalë e imja fytyrën i kish skuqur
dhe ece-jaket e saj ekliptike…

Ishte herë e parë dukej, por s’më besohej
një vajzë moderne, inteligjente
se pse kish ndrojë, kjo nuk kuptohej
pasiguri e ndjenjës së fortë…

Dhe ne të dy u takuam papritur
mes njerëzve në një sallë të mbushur
një shkëndijë ndjenje fytyrën i kish ndritur
kështu e plogësht u preh tek unë…

Çudi, si para një skene mitike
ajo fytyrën e drejtoi nga unë
përkulem pak në ato momente kritike
dhe pjalmin e puthjes lamë në buzë…

31 gusht 2002

Dedikim

E kujt tjetër veç ‘Albit’ -

Këmbëkryq mbi tavolinën e punës,
Nota trishtimi në faqen e kohës,
Heshtin të zhurmshmit larg paqes së brishtë,
Silueta moskokëçarëse në trokitjen e portës.
Vështrimin e hedh andej ku zë i humbur
Dëgjohet,
Ruaj heshtjen e amullt pakuptim,
Me grusht dua të godas çmendurinë,
Njerëzit s’kanë turp.
Nota trishtimi bien në faqen e kohës,
Petale fisnike ndrisin sytë e zinj,
Unë me shpirtin e grisur prehje nuk gjej,
Prehja, vdekje është.
Do largohem diku larg, diku do zhdukem,
Atje ku fytyrën të mos m’a njohin…
Në çantën e kujtesës do mbart kujtimet deri në vdekje,
Brejtjen e ndërgjegjes do e qëroj,
Si qepë në lakuriqësinë e saj.
Nota trishtimi mbesin në faqen e kohës,
Ti hesht, se flet gjykim i çmendur
S’do mund t’ia harroj mirësinë kësaj bote,
Të keqen e injoroj,
Në fundin e qefinit të vet…

Verë 1993 – para se të largohesha nga vendi im.

J e t a


Një kalë i harbuar dhe i pashtruar
Vështrim drite i hedhur nga jashtë
Përkohësisht. Aksidentalisht.
Shansi i borës së shpellave, kur rrezja e diellit
Bie rrallë,
Pavetëdije, nënvetëdije, vetëdije
Sjellje kaotike qëniesh që thirren
Njerëz!
Rregullsi përbindëshe dhe spontanitet
I dendur,
Marrëzi, çmenduri, mençuri
E pashembullt
Të shkrira në skulpturën amalgamë
Mendime, synime
Të lodhura
E të rilindura
Në natën e hënët
Buzëqeshje dhe qeshje
Qarje dhe sharje
Ndarje…
Perde e rënë.

Shtator (24) 1992

Regjisorët


Në kapërcyell të ndërrimit të viteve
Trishtimi buzëqeshjen përçudnonte
Njerëzit vazhdonin imitimin grotesk
Të veseve pa zakon të zakonshme.
Fluturonin pa shkak të nemitura dallëndyshet
Belbëzonin pa kuptim suflerët e largët
Fjalët rëndonin barkun e boshtë
Mungesë e ushqimit, trurin e mpinte vagullt.
Duartrokitjet anemike përgjonin me të drejtë
Fjalorin e skenartë të regjisorëve të varfër
Fytyrat që në ajër pamjet ndryshonin
Mendjekthjelltët s’do mund ti fytyronin.
Ti ëngjëll në tokë kaq keq kishe rënë
Mëkatet tokës do i merrje pa shpëtim
S’do mund të qeshje me dëlirësi
Se në qiell vendin e kishe ti.
Skenari famëkeq vazhdonte përjetimin
Pafajësia s’u hyn në punë të pafajshmve
Mjerisht njerëzit s’e dinë kuptimin
E ironisë së fatit që regjia shfaqte
Enigmës shpesh i jepte rrëfimin
Kalvari i mendimeve të heshtjes
Përsëritej tmerrshëm gjithnjë gjykimi
Të dish, do të thotë të vdesësh.


Janar (11) 1993

Rini e bordurave


Kënaqësia u përçudnua pllakave
Shpresat e humbën njeriun
Dhe puna s’punon më
S’po na tërheq as bari i gjelbërt
As lulet s’po dinë të çelin
Pranverës
Nga të ftohtit
Kanë filluar të pushojnë cicërimat
Shtegtarët s’kanë energji të fluturojnë
Fluturojnë ëndrrat e perëndimit
Lumturinë e bëjnë të gënjeshtrit
Shitjet pa parim
Të rinjtë ruajnë buzëqeshjen
Në moskuptim
Bordurat e lodhura shfletojnë
Librat e harruara
Grisin faqet si fletët e shpirtit
Në bordura flenë iluzionet e mëdha
Gëzojnë premtimet patetike
Në bordura thinj flokët e saj
Rinia.

Shkurt (22) 1993

Heshtje e përvuajtur


Asnjë fjalë
Heshtje
Një klithmë frike
Brejtje.
Jo! jo!
Diçka më shumë,
Heshtje…
Ej njerëz!
Madhështia nuk flet
Të tjerët flasin për të.
Në sytë e saj
Pazakonshëm ndrit
Dielli
S’e honeps
Ngërdheshjen
Hënën në pasqyrimin e
Ujërave të turbullta
Një copëz të artë e do
Për vete
Për të tjerët
Të bukurën që vuan
Të përvuajturën
Heshtje
Drithërimë e lehtë kristali
Shkëlqim diamantesh.

Korrik (11) 1994

Shkatërrim i një pasurie


Një pasuri, një mendje
Një trup si të tjerët
Një zemër
Një ndjenjë e çiltër
Një karakter të fortë
Një gjoks të bërë
Një kokë.
Tek shoh trupin tënd të zhveshur
Me linja të këndshme muskujsh
Bukurinë e fytyrës
Ëmbëlsinë e buzëve
Afshin e ngrohtë dashuror
Dehjen e lakmueshme
Misteri i imagjinatës më jep të drejtë
Të mendoj të pamendueshmen
Shkatërrimin
Fundin e jetës
Skeletin
Pas shumë vjetësh.

1992

Parafjalë


Nën diellin e nxehtë, lakuriq shtrihen pemët
kurrizdala
Toka avullon ujin e fundit të vesës së mëngjesit
Duket sikur qan gjethja se afrohet vjeshta
E shirave të këndshëm me rrëmbim…
Dhe frutave të ëmbël

Gusht 1992

Surfing


Valët e detit lëkundin varkën e velët
Rrugën drejtojnë ato të shpejta
Për akrobatin mbi ujë
Surfing – valët e dredhëta
Nga poshtë-lart e çojnë apo anasjelltas
Për ta hedhur dikur… në fund.
Valët e jetës të lëkundin krah njerëzve
Një tjetër
Një tjetër
Pa mbarim
Ngrohtësinë s’mund t’ua marrësh të tjerëve
Se frikesh për të dhënë ngrohtësi.
Valët e jetës s’e ruajnë radhën si ato të detit
Pa kuptuar mbivendosen
E unë jomirësjellës gjithmonë u kujtoj njerëzve
Rrugën të mos e humbin.

Gusht (26) 1992