Intervistë e personalizuar me ish-aktivistin e PD-së dhe ish zv. kryetarin e Unionit Studentor, Arben Çokaj
Bisedoi Redan Bushati*), mars-prill 2013
Jozefina bën si të dojë me Shkodrën dhe shkodranët
“Në Shkodër duhet të jesh me klanin ‘Topalli’, që të mund të jetosh normalisht”, shprehet Arben Çokaj, studenti i dhjetorit ‘90-të, tashmë i dëmtuar nga një aksident automobilistik, që i ka ndodhur në Danimarkë më 8 mars 1999. I diplomuar për fizikë e informatikë dhe me pasaportë daneze, që prej vitit 2001, ai është larguar nga Shqipëria në 1993-n dhe ka punuar disa vjet si mësues informatike në Kopenhagë.
Në 2005-n, kur u rikthye në Shqipëri, u vu në ndihmë të deputetit Ramiz Çobaj, duke qenë zëdhënës i fushatës së tij. Pas dy-tre vitesh fillon e distancohet nga PD-ja, duke u bërë një zë kritik dhe i ashpër ndaj saj. Tani merret me veprimtari shoqërore, politike dhe gazetari. Në këtë intervistë me Redan Bushatin, ish-aktivisti i PD-së, Arben Çokaj, tregon konfliktin e tij me kryeparlamentaren Topalli, si dhe problemet e tjera të mprehta, që e kanë kapluar pushtetin e sotëm dhe Partinë Demokratike.
Keni qenë i përfshirë në strukturat e PD-së dhe e keni mbështetur këtë parti. Cilat ishin arsyet e largimit tuaj?
Me PD-në, si mbështetës i saj, jam përfshirë që në vitin ’90-të, pasi isha me grupin e studentëve, që organizuan lëvizjen e Dhjetorit ’90-të. Në zgjedhjet e marsit 1992 u takova rastësisht me Eduard Selamin tek Pallati i Kongreseve, ku e kishte selinë KQZ-ja dhe ai më pyeti, nëse e kisha ndërmend të kandidoja për deputet. Përgjigjja ime ishte “jo”, pasi nuk e konsideroja veten të përgatitur mjaftueshëm politikisht.
Pasi u shpall pluralizmi në Shqipëri, ne studentët u ndjemë shumë shpejt të braktisur dhe të harruar nga PD-ja, të cilës i dhamë jetë. Me përjashtim të Azem Hajdarit, Arben Likës, etj., që ishin futur në strukturat e PD-së, ne të tjerët mbetëm disi në hije dhe menjëherë në shtator-tetor 1991 krijuam Unionin Studentor, një organizatë studentore në mbrojtje të interesave të studentëve, ku unë isha nënkryetar.
Ndonëse organizatë jo-politike, Unioni ishte në krah të PD-së. Një ndër themeluesit e Unionit ishte edhe Vangjel Tavo, nga minoriteti grek, deri para pak ditësh ministër shëndetësie. Më pas, pasi ne kryem shkollën, Unioni u pasua nga të tjerë, ndër ta edhe Flamur Noka, sot ministër i Brendshëm. Lidhjet e mia me PD-në ishin më shumë në Tiranë, për aq kohë sa isha student, pastaj kur u ktheva në 2005-n, kam ardhur direkt nga Frankfurti për të ndihmuar në fushatë kandidatin për deputet Ramiz Çobaj.
Në artikullin tuaj “Shkëlqimi dhe rënia e çiftit Berisha-Topalli”, mes tjerash ju shkruani se “Berisha e ka ngordhur PD-në politikisht, ajo merr frymë vetëm prej frymës së tij”. Cila është gjendja e sotme e kësaj partie dhe si i shikoni zgjedhjet e 23 qershorit?
Berisha në krye të PD-së drejton me dorë të fortë. PD-ja nuk ka frymë demokratike si parti dhe nuk bazohet mbi parime demokratike, mbi mendimet e lira e të hapura të anëtarëve të saj, apo mbi diskutime e propozime nga baza e partisë. Gjithçka varet dhe vjen nga lart, ndërsa të tjerët dëgjojnë me hir ose me pahir. Kjo nuk është politikë demokratike, por bolshevike. Para pak kohësh dëgjuam një lajm, ku dhëndri i një anëtari të PD-së anëtarësohet në PS. Mu për këtë arsye e pushojnë nga puna vjehrrin, që ishte anëtar i PD-së. Nuk është kjo një formë persekutimi bolshevik?!
Në demokraci politika duhet të burojë nga baza dhe në këtë rast anëtarët e një partie nuk janë ushtarë të kryetarit Sali, por pjesëmarrës aktivë dhe me vullnet të lirë në një organizatë politike. Prandaj mendoj se Berisha e ka ngordhur PD-në, në kuptimin se ai i mban të gjitha të drejtat për vete. Sapo të bjerë Berisha, mungesa e tij do ta rrënojë partinë, pasi strukturat e saj janë të lidhura nga koka deri në bazë në mënyrë jodemokratike dhe sapo koka të bjerë, trupi bie vetë. Berisha nuk e ka të lehtë ta lëshojë kolltukun e tij, aq më tepër kur asnjë diktator në botë nuk ikën me votë të lirë. Por demokracia është e bazuar mbi rotacionin politik dhe vendi ka nevojë për zgjedhje të lira.
Nëse mungon arsyeja dhe Berisha e PD-ja vijojnë të vjedhin e të blejnë votën, atëherë diçka e keqe, e ngjashme me ’97-n, mund të ndodhë. Shqipëria nuk është një vend i fortë dhe i pavarur ekonomikisht, që të mos pyesë për ndikimin apo asistencën ndërkombëtare. Vendi ynë i ngjan një varke të vogël në oqean, që tronditet nga një puhizë e lehtë. Ekziston një frymë e aleatëve tanë, ShBA dhe BE, që të imponojë zgjedhje të lira, pra rotacion pushteti me votë. Po ashtu, situata ekonomike e politike është e mbingopur me dokrrat e Berishës, si Nënshkodra me ujë. Shqiptarët presin rotacion dhe çlirim të energjive të reja nga zgjedhjet e 23 qershorit. Mjaft më me Berishën!
Ju keni një histori personale përplasjeje me kryeparlamentaren Topalli. Si ka nisur kjo përplasje dhe deri në ç’pikë ka mbërritur?
Kryeparlamentarja Topalli përplaset me këdo, se aq mend ka, ashtu e ka tipin dhe përqasjen në politikë. Sipas Preç Zogaj, i cili i referohej filozofit Karl Poper, përmbajtja shkon paralel me dijen. Topallit i mungon dija, që të mund të përmbahet.
Personalisht, nuk jam takuar asnjëherë me Topallin. Vetëm një herë kërkova ta takoj, pasi ajo kishte futur Elis dhe Sajdi Gurin, që të na sulmonin fizikisht mua dhe vëllain tim, teksa po dilnim një mbrëmje nga kafene “Chicago”, në piacën e Shkodrës. Një këshilltar i saj më tha se ajo nuk më priste, madje kishte anuluar të gjitha takimet e asaj dite. Kaq në hall e shihte veten ajo zonjë nga shkrimet e mia, sa të shkonte deri te ndërhyrjet brutale në jetën tonë private përmes organeve të sigurisë dhe të na sulmonte edhe fizikisht?!
Hillary Clinton në librin e saj “Historia e jetës sime” tregon rastin kur ajo takoi të venë e presidentit Kenedi. Jackie Kenedi i kishte thënë asaj se kur hyn në politikë duhet të përgatitesh, ta kesh fytyrën si shollë këpuce për të duruar. Këtë këshillë siç duket nuk e kishte mësuar Jozefina. Po ku kishte për ta mësuar Jozefina këtë?! Ajo reagonte agresivisht ndaj çdo shkrimi në gazetë apo përfolje të emrit të saj, telefononte gazetën dhe ishte e papërmbajtur, e për rrjedhojë e paditur. Bënte gjëra të dënueshme. Ajo ka marrë përsipër një post të lartë publik, paguhet me taksat e këtij populli, vjedh dhe abuzon me milionat tona, përdor organet e sigurisë në mënyrë të paligjshme për të përgjuar e përndjekur kundërshtarët, kritikët dhe konkurrentët, por nuk mjaftohet vetëm me kaq, ajo kërkon edhe të na mbyllë gojën. Më thoni ju, a është normale kjo në një vend demokratik?
Ngaqë nuk e kam njohur personalisht Topallin, por vetëm në distancë, ka ndodhur në një moment, që e kam mbështetur dhe e kam lavdëruar. Por gjatë qeverisjes, ku znj. Topalli ishte një figurë kryesore dhe e spikatur në drejtim, dolën në pah edhe të metat e saj. Për hir të së vërtetës duhet pohuar se unë nuk jam marrë shumë me anën personale të saj, nuk i kam përfolur nderin apo familjen në media, që të kem konflikt personal me të. Asaj i duket vetja e fortë, nuk pranon as këshilla e kritika, prandaj edhe nuk pyet, por të hyn në çështjet private, të cënon aq sa nuk durohet.
Përplasja e heshtur me Topallin ka filluar pas një shkrimi në gazetat “Albania” dhe “Koha Jonë” në tetor 2006: Taksa “Loli” – “Jam krahu i Jozit”. Ajo si duket më futi gradualisht në listën e të padëshiruarve në Shkodër, në listën e atyre që konsiderohen si anti-shtet nga pushteti, që me urdhrin e saj përgjohen sistematikisht 24 orë në ditë, përndiqen e dëmtohen nga organet e sigurisë në Shkodër dhe kjo situatë vazhdon në mënyrë të heshtur, derisa ajo të ketë pushtet.
Në 2006-n ju e cilësoni znj. Topalli, si serioze, me karakter, shumë të edukuar dhe zonja e hekurt e politikës shqiptare. Ç’ishte ky ndryshim kaq i hatashëm, teksa sot ju e akuzoni atë për kriminele dhe të lidhur me krimin?
Po është e vërtetë që Jozefina Topalli – një zonjë e hekurt në politikën shqiptare, në shkurt 2006, ka qenë një ndër shkrimet e mia më të dobëta, gati si me porosi, dhe është shkruar me qëllim politik, për ta mbrojtur znj. Topalli nga sulmi i socialistëve në kuvend. Pavarësisht cilësisë së shkrimit, ai pati efektin e vet, i dha zonjës në fjalë termin “zonja e hekurt”, një krahasim ky me Margaret Theçer, ish-kryeministren e Anglisë.
Asgjë nuk ndodh rastësisht në politikë, apo në marrëdhëniet e drejtimit të shtetit. Dikush urdhëron gjithmonë, pasi nuk përdoren paratë e energjitë pa diktuar dikush. Me kalimin e kohës vija re se punët e mia, qoftë ato private, qoftë përpjekja ime për të marrë diku një post publik, bllokoheshin. Kur fillova ta kuptoj këtë, skuadra e përgjuesve dhe e atyre që na ndiqnin mua dhe vëllanë tim, që dukej qartë se ishin organet e sigurisë në Shkodër, filluan edhe ta demonstronin perversitetin e tyre. Pra, ata ndërhynin në punët e mia, në kundërshtim me ligjin e pa asnjë arsye ligjore, e për më tepër ata donin të tregonin se janë duke ta bërë këtë punë. Kësaj i thonë “Po deshe plas ti, se nuk ke çfarë të na bësh!”
E zëmë se kisha për të kryer një punë, ata ndërhynin dhe më pengonin. Përveç kësaj, për ta vënë në dukje se ishin pikërisht ata që po më pengonin, fusnin njerëz të afërt që të më telefononin, ose bënin një a disa telefonata anonime me nënkuptimin “merre vesh vetë!”. Pra, më telefononin për problemin ose jo, që të më kujtojnin se atë punë, që të ka premtuar dikush, nuk do e marrësh. Me këtë mënyrë kaq bajate, ata duan të tregojnë supremacinë e tyre. Me fjalë të tjera, ata duan të të thonë “ne jemi këtu dhe ti nuk mund të bësh asgjë pa ne!”. Shkurt, punë e fëlliqur fuksash, që i bëjnë qejfin vetes.
P.sh. ndodhi në atë kohë, që djali i dajës të më telefononte disa herë, kur unë shkoja në Tiranë për t’u interesuar për ndonjë punë, që mund ta bëja në kushtet e mia. E pyeta në telefon djalin e dajës, në një nga këto momente, “po çfarë i ke këto telefonata, kush të thotë të më telefonosh?” Ai nuk më tregoi drejtpërdrejt, por më tha se “Shyqyri Bajraktari (zv.prefekti i Koplikut, në atë kohë i mbështetur edhe nga Ramiz Çobaj) i kishte premtuar atij se do i jepte një kredi prej 30 milionë lekësh nga një bankë…”
Pra, në këtë mënyrë i mashtrojnë njerëzit, i mbajnë të lidhur e me shpresa të rreme, pastaj i fusin në lojë, u kërkojnë ndere të tipit “Thirre në telefon Arbenin”. Kështu unë e lidha ngjarjen. Kur Ramizi deshi të propozonte Shyqyri Bajraktarin për kryetar bashkie në Koplik, unë nuk isha dakord, thashë më mirë është ky biznesmeni Ramadan Likaj. U nisa më shumë nga fakti se firma e vëllezërve të Shyqyri Bajraktarit kishte shtruar disa rrugë në Koplik, që ishin tepër skandaloze dhe jashtë çdo standardi.
Por Shyqyriu nuk i përgjon telefonat, apo jo? Del pra, që organet e sigurisë, të lidhura direkt me pushtetin e PD-së, përgjojnë dhe pastaj organizojnë lojën si me Lul Mazrrekun e Kadaresë. Dikush të thërret në telefon, dikush tjetër ndërhyn për të prishur punë dhe kështu kupton se rrjeti mafioz i PD-së në Shkodër e më gjerë kryesohet nga Jozefina. Pra, Jozefina ka ndryshuar, ajo ka kryer veprime mafioze e kriminale shumë më të rënda se prishja e fejesës së vëllait tim dhe për këtë arsye ka ndryshuar perceptimi im dhe i të tjerëve për të. Po të mos isha ndeshur me ngacmimet e tyre banale e perverse nuk kisha për t’i kuptuar kurrë.
Pse mendoni se Topalli duhej t’iu luftonte ju, pra mbështetësit e Ramiz Çobajt, dhe vetë këtë të fundit?
Nëse merresh me politikë në Shqipëri vëren se mundësitë nuk janë të pafundme, pra, janë të kufizuara. Nga ana tjetër, mentaliteti nuk është vetëm komunist. Ka plasur edhe një hajni e hapur dhe e rafinuar e parave publike, tenderave etj., që nuk ka krahasim. Konkurrenca brenda llojit është një nga instrumentet, që ushtrohet më së shumti për të pasivizuar ose për të nxjerrë jashtë loje një konkurrent tjetër.
Fushata e Ramiz Çobajt në 2005-n kundrejt kandidatit socialist Lekë Çukaj ishte e një niveli të lartë, në krahasim edhe me fushatën që është mësuar të bëjë vetë Jozefina. Ajo nuk ishte në gjendje të dilte përballë Lekës në këtë rast dhe e lejoi Ramizin të dilte kundër tij, me qëllim që Ramizi të digjej. Kurse Berisha mendonte se Ramizi do të fitonte, kishte pra më shumë besim tek ai dhe e kandidoi në zonën e Rrethinave të Shkodrës, ku edhe fitoi. Jozefina ndihet keq kur dikush jashtë “rrethit” të saj merr nam të mirë.
Instinkti prej femre të paditur u tremb nga dalja në dritë e grupit të Ramizit. Duke parë aftësitë e cunguara dhe elokuencën e Ramizit në fushatë dhe më pas, ata filluan të besonin se stafi i tij e bëri fushatën ashtu siç duhej dhe për këtë Jozefina filloi të na sulmojë ne, përmes organeve të sigurisë, për të mos na lënë të kapim terren politik dhe për t’ia prerë krahët mbështetës Ramizit. Kur ta linte Ramizin si dordolec pa mbështetje, do e hidhte mjaft lehtë edhe atë. Ramizi si duket nuk i kuptonte intrigat e saj, paçka se unë e informova Ramizin për çfarë po ndodhte, se po kryheshin edhe krime kundër nesh, kurse ai në vend që të më ndihmonte mua, u bë me ta.
Njerëzit e thjeshtë pandehin se “ku pyet Jozefina për ju, apo për dikë tjetër!”, pasi e shohin Jozefinën atje lart tek “shkëlqen”. E vërteta është që Jozefina pyet shumë dhe i trembet qoftë edhe një vote të vetme, pasi janë ato vota që ia kanë dhënë asaj pushtetin. Jozefina ka kopjuar Berishën dhe ka maninë e diktatorit femër, që të kontrollojë gjithçka. Veprimet e Jozefinës tregojnë se ajo dyshon mbi aftësitë e saj, ndaj edhe trembet nga secili që e konkurron.
Duket e pakuptimtë, ju mbështesni në zgjedhje z. Çobaj, por më vonë, pas triumfit, ai ju anashkalon, apo më të saktë ju pengon në karrierën tuaj. Çfarë ka ndodhur mes jush dhe cilat janë pengesat më të mëdha, që ju ka shkaktuar deputeti në fjalë?
Ramizin e kisha shok dhe ishte vëllai i një prej shokëve të mi të ngushtë. Para se të dilte deputet, Ramizi më mori në telefon dhe më pyeti “A ke ndërmend të kandidosh ti?”. Unë i tashë “Jo, nuk mendoj të kandidoj tani”. Më pas u bëra pjesë e stafit të tij, ku merresha me platformën elektorale të tij, fjalimet, takimet në media etj. Pasi u bë deputet, Ramizi hoqi menjëherë nga puna një kushëririn tim, që ishte komandant policie në doganën e Hanit të Hotit. Mua më gënjeu sikur atë e kishte hequr ministri i brendshëm i atëhershëm, Sokol Olldashi. Ky ishte fillimi i goditjes ndaj meje, se si duket bashkëfshatarët e tij e ngacmonin, i thoshin, siç i thoshte vëllai i tij i madh “Të nxorri deputet, kush të nxorri”. Pra, Ramizi krijoi komplekse, ndonëse unë nuk mendoja se kisha bërë ndonjë gjë të madhe për të, se e kisha ndihmuar. Ndoshta ai mund t’ia kishte dalë edhe pa ndihmën time, e kjo me siguri do të kishte qenë më mirë për të dy.
Në një përpjekjen time për t’u takuar me Besnik Mustafaj, ministër i jashtëm në atë kohë, Ramizi pa e përmbajtur veten tregoi mungesën e vullnetit të tij për të më ndihmuar. Po rrinim në klubin e ministrisë së brendshme me atë dhe të vëllain e tij të madh, Hamdiun. I thashë Ramizit, meqë ishte deputet, të shkonim e të rrinim me Besnik Mustafaj, sa t’i tregonte atij se unë e kisha ndihmuar në fushatë dhe pastaj do të bisedoja vetë me Besnikun. Shefi i kabinetit të Ministrisë së Jashtme në atë kohë, Llesh Kola, më thoshte se duhej t’u thoshte Berisha atyre, që të më propozonin mua për ambasador, nga kuotat politike. Unë i thoja Lleshit “po nëse thotë Berisha, a je në gjendje ti ta kundërshtosh se? Më propozoni ju mua, pastaj Berisha firmos, kaq!”
Ngaqë Lleshi nuk pranoi, mendova të takoj ministrin. Sapo i thashë Ramizit për këtë, ai brofi në këmbë dhe i tha të vëllait: “Çohu Hamdi, të ecim!” Pra, nuk pranonte as të shkonim bashkë deri te ministri Mustafaj. Pastaj unë u mundova ta anashkaloj Ramizin për këto çështjet e gjetjes së ndonjë pune. Po ku të lë Ramizi se?! Po e ilustroj këtë me një shembull. Kishte kohë që njihesha me Lulzim Bashën. Në një moment, kur ai ishte ministër i Transporteve, i nisa një sms dhe i thashë ndër tjera se “sot është koha e mushkut dhe jo e trurit”. Ai e kishte zakon dhe i lexonte mesazhet në mbrëmje dhe pasi kishte lexuar mesazhin tim më kishte telefonuar dy herë. Unë e mbaj celularin mbyllur mbrëmjeve dhe në mëngjes shoh ndër të tjera edhe dy thirrje të humbura nga z. Basha.
Rashë në kontakt me të dhe lashë një takim. Gjatë takimit, Basha më tha se mund të më punësonte në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Rrugore. Tekstualisht, Basha më tha “Si këshilltar i jashtëm i imi rroga është 1/3 e këshilltarit normal. Më mirë po të çoj si zëdhënës tek Drejtoria e Shërbimeve Rrugore, pasi kanë rrogat më të larta atje, se janë me vetëfinancim. Ti mund të shikosh nga aty Drejtorinë e Rrugëve dhe shpenzon pak kohë edhe në ministri”. Ashtu e lamë, pasi të kthehesha nga Gjermania, se do të ikja për nja 2 javë atje. Rrugës duke u kthyer nga Tirana, bie zilja e celularit. Ramizi në telefon. “Më mori në telefon Lul Basha, – më tha, – dhe më pyeti për ty…”.
Ramizi bëri në këtë rast punën e fuksit. Zëvendësoi djalin e dajës tim, i cili nuk më telefononte më, sa herë shkoja në Tiranë për punë. Tani i mbeti Ramizit kjo punë – profesioni i vjetër i tij. Vëllai im më tha në atë moment “harroje edhe këtë punë!” Tani, a kishte mundësi Ramizi të ndikonte te Lul Basha për mua? S’besoj. Ndoshta përgjohej zyra e Lulit ose celularët tanë? Ku e morën vesh ata? Pasi u ktheva nga Gjermania, Luli nuk e mbajti fjalën se ashtu e kishte zakon, apo ndërhyri dikush? Nuk e di. Unë nuk isha për bukë goje. Mendoja të jepja kontributin tim, pasi nuk po kërkoja një punë për të jetuar dhe kështu nuk këmbëngula.
Më pas, më kërkon një këshilltar i Berishës për teknologjinë e Informacionit, një mik i imi i vjetër, që t’i bëja një faqe PD-së në internet. Partia më e madhe në Shqipëri, që kishte ardhur në pushtet, bëri faqen e parë të saj në internet prej meje, me porosi dhe konsulencë të Sekretarit të saj të Jashtëm, Gent Strazimirit dhe Sekretarit Organizativ, Flamur Nokës. Këtu nuk mund të ndërhynte Ramizi, se nuk kishte këllqe. Vetë Gerti Bogdani, që e dinte miqësinë time me Bashën, nuk u ndje mirë kur më pa tek punoja me Genti Strazimirin.
Luli po ta dinte, më kishte thënë vetë për faqen, pa patur nevojë ta merrte dikush tjetër kreditin për këtë. Edhe pronarët e serverit në Amerikë, ku unë kam të depozituar faqen www.shkoder.net, u habitën, se si PD-ja në pushtet, po kërkonte vend për webfaqen në serverin e tyre. I telefonuan Gentit dhe ky ua sqaroi. Pasi publikuam faqen e PD-së në internet, Genti u bë zv.ministër i Brendshëm, tani deputet i PD-së.
Keni dijeni konkretisht se si funksionojnë strukturat e PD-së në Shkodër?
Realisht me PD-në në Shkodër nuk jam marrë edhe aq. Jam banor i Tiranës dhe votoj atje, ndonëse banoj në komunën Gruemirë. Kemi investuar privatisht me vëllain tim mjek këtu dhe ndihemi rehat, por mund të kthehemi në Frankfurt përsëri, nëse Berisha i vjedh apo i blen votat më 23 qershor, duke bërë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve.
Nëse zgjedhjet nuk pranohen nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar, shteti shqiptar do të humbasë kuptimin demokratik. Duke patur lidhje direkte me krerë të PD-së në Tiranë, nuk e kam parë të nevojshme të afrohem edhe aq me krerët e PD-së në Shkodër. Aq më tepër që prej kohësh jam distancuar nga PD-ja, duke kritikuar ashpër çiftin çmendurak Berisha-Topalli. Ajo që shohim ne të gjithë në PD-në në qendër reflekton edhe në punën apo formën e organizimit, që kanë strukturat e PD-së në Shkodër, apo në Malësi të Madhe. Është për të ardhur keq!
Ekziston në të vërtetë taksa “Loli”, siç jeni shprehur më herët, dhe ç’është kjo taksë?
Tek shkrimi im Taksa “Loli” – Jam krahu i Jozit” ka një pasaktësi konceptuale aty, që duhet korrigjuar. Unë kujtoja se Jozefina nuk dinte gjë për maskarallëqet e Lorenc Lukës në Shkodër, kur e pata shkruar shkrimin në tetor 2006. Më pas e kuptova se Jozefina jo vetëm që e dinte, por kryesonte rrjetin e hajnave të PD-së në Shkodër, ndaj edhe ka mbledhur gjithë ato pasuri për vete, ka investuar dhe ka ndërmend që të ndërtojë edhe një pallat në qendër të Shkodrës. Mos dini gjë, a ka ndonjë ndërmarrje apo fabrikë Jozefina? Nga i vijnë paratë asaj, që do të ngrejë pallat?
Ndërsa në lidhje me Lorenc Lukën, mund të them se jam takuar vetëm tre herë me të, në kohën kur ai ishte kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër. Arsyeja nuk ishte politike, por thjesht personale. Kisha ndërmend të ndërtoja një ndërtesë pranë rrugësh nacionale Shkodër-Hani i Hotit, aty ku kam shtëpinë. Më kishin dhënë lejen e sheshit të ndërtimit, si dhe studimin e planit urbanistik, por nuk po më jepnin lejen e ndërtimit, ndonëse kishte kaluar afati i kërkuar ligjor prej 45 ditësh. Unë doja të ndërtoja dhe nuk po më linin, pikërisht se donin pará. Kryetari i Komunës Gruemirë, Asim Burgaj, më tha “2 milionë, jo për vete, por për ata”. Dhe ndonëse u detyrova të bie dakord me të, se “kështu bëjnë të gjithë këtej”, ata prapë nuk ma dhanë lejen e ndërtimit. Gjyqin e shkallës së parë e fitova dhe më pas nuk munda dot të fitoja më, pasi hyri në lojë “teta Jozefinë”.
Në Gjykatën e Lartë më thanë gojarisht, se po të më jepnin të drejtë mua (se ligjërisht kisha të drejtë, pasi kërkohej vetëm lëshimi i Aktit Administrativ), atëherë mijëra raste në Shqipëri, të ngjashme me rastin tim, do të fitonin të drejtën e tyre. Kjo çështje ka përfunduar në Strasburg. Me këtë rast konkret, pashë se taksa “Loli” funksionon për çdo ndërtim dhe investim, që bëhet në Shkodër dhe kjo taksë nuk është 2 milionë, përderisa unë nuk e mora lejen e ndërtimit. Taksa “Loli” është e panjohur në vlerë, është një përqindje e lartë e ndërtimeve dhe investimeve në Shkodër, ndaj edhe investitorët e huaj ngurrojnë të afrohen.
Kur mua si mbështetës i PD-së dhe shqiptar me kapital të huaj më ndodhin gjithë këto prapësira, kush ka nge të vijë e të thartojë trutë me këto hajvanë shqiptarë?! Sakaq, Jozefina e Loli nuk e mendonin se shkrimet e mia lexohen edhe nga ambasadat e huaja në Shqipëri (e pashë në ambasadën daneze, teksa i përmenda një shkrim timin konsullit danez, “E kam lexuar”, më tha) dhe kështu frenojnë edhe biznesin e huaj për t’u afruar tek ne. A thua i vret ndërgjegjja, për këtë që po i bëjnë vendit?
Më kujtohet një moment, kur takova Lorenc Lukën dhe i thashë “Pse po më detyron të të sulmoj? PD-ja ka thënë kështu e ashtu…”, duke i përmendur premtimet e PD-së në fushatën e vitit 2005. “Kush është PD-ja?!” ma ktheu ai, ndërsa më vonë e kuptova se ai realisht kishte të drejtë. Kush është PD-ja në fakt? Duhet të kesh ndërgjegje, pa të vrasë ajo!
Shenasi Rama do e quante PD-në “Trusti i gështenjave të papjekura të Tropojës, … mbi të cilën ka tapi Sali Lusha…”. Nuk vonoi shumë dhe e kuptova se kush është në të vërtetë PD-ja. Kishin marrë pushtetin për ta bërë Shqipërinë, apo për të mbushur xhepat e tyre? Ky popull ka parë me miliona raste, se ata e kanë marrë pushtetin vetëm për të mbushur xhepat e tyre dhe lufta brenda llojit është si çdo fenomen tjetër këtu tek ne, që këta pushtetarë të pamoralshëm, e përdorin për të mbajtur këtë popull nën sundim e të nënshtruar me gënjeshtra, mashtrime dhe për mosbindje edhe me terror. Paratë e shqiptarëve bëhen rrush e kumbulla dhe këta bëjnë sikur dinë të bëjnë politikë.
Ndiheni i rrezikuar, tashmë që akuzat tuaja sa vijnë e shtohen ndaj znj. Topalli kryesisht, por edhe strukturave të PD-së në Shkodër?
Që nga koha që PD-ja erdhi në pushtet, unë jam i rrezikur nga ky pushtet i njëanshëm dhe i paekuilibruar. Kam nënshtetësi daneze dhe znj. Topalli e di shumë mirë se po të më dëmtojë mua publikisht me anë të organeve të sigurisë, humbet më shumë se sa fiton. Prandaj, ata janë kufizuar në kryerjen e punëve të pista në heshtje ndaj meje, pa dalë në dritë.
A do të ishte më mirë për të gjithë, që Jozefina të mos i hynte fare këtyre llogarive me përgjime e persekutime? Çfarë ka fituar ajo ta zëmë, nëse ka dorë në ekzekutimin e Aleks Kekës, kreut demokristian të Malësisë së Madhe, më 18 qershor 2009, disa javë pasi ajo urdhëroi Agron Gurin, shef i policisë rrugore në atë kohë, të merrte makinën time në parkim? Çfarë fitoi Jozefina, se i prishi fejesën vëllait tim, veçse i dëmtoi të ardhmen dhe i hapi fjalë një vajze të pambrojtur në Shkodër? Çfarë fitoi Jozefina, duke gjymtuar kryetarin e komunës Rrethina, Kleves Muja?
Këto pyetje dhe trajtesa që unë bëj, ndonëse të rënda, se ashtu është realiteti, i japin Jozefinës, votuesve e mbështetësve të saj, kuptueshmërinë psikologjike për kotësinë e sipërmarrjeve të tilla kriminale, ku vetë Jozefina nuk fiton, por humbet, duke u marrë me krime të tilla, që e kanë burimin te frika e brendshme e saj, për të humbur pushtetin. Të vjen keq që Shkodrën, këtë vend me një popull të guximshëm e antikomunist, e ka kapur peng një grua e ligë si Jozefina me mafien e saj dhe tallet çdo ditë e më tepër me të.
“Drejtuesit e Universitetit të Shkodrës kanë diploma shterpë”, thoni ju para disa vitesh. Si ju duket tanimë situata në këtë universitet?
Drejtuesit e PD-së së Shkodrës i zgjedh Jozefina në pozicione publike me kujdes të veçantë. Ngaqë ajo vetë i ka diplomat e saj me shkollë plepash – 6 mujore, si matematikën, ashtu edhe juridikun, ajo e ka kompleks të madh diplomën, shkollimin. Këtë të metë të saj e kishte vënë re me kohë kur ishte në PD edhe politologia Mirela Bogdani. Po të përmenden vetëm disa nga drejtuesit e PD-së në Shkodër e Malësi të Madhe do të shohim se si Jozefina, ashtu edhe Astrit Bushati, Lorenc Luka apo Ramadan Likaj në Koplik, Fredi Sterkaj apo Asim Burgaj e shumë të tjerë, kanë shkollim të dyshimtë ose të cunguar. Pra, përveç kartonit, diploma e tyre nuk ka shumë vlerë. Por janë specialistë në hajni, servilizëm e nënshtrim para shefes së tyre gjysmake.
Në Universitetin e Shkodrës vazhdojnë pak a shumë metodat e mësimdhënies si në kohën e komunizmit, me ndryshimin se një pjesë e mirë e pedagogëve marrin edhe para nën dorë për provimet, dhe punësimi i tyre në universitet bëhet në kushte korrupsioni. Universiteti i Shkodrës duhet të krijojë mundësinë për t’u marrë me punë e zhvillime shkencore, me qëllime fitimprurëse për universitetin dhe për njerëzit që merren me atë punë. Pra, të vihet më afër kushteve të ekonomisë së tregut.
Kur aplikova që të hyj pedagog i jashtëm për informatikë, sugjerova se aplikoj me qëllim për ta bërë Universitetin e Shkodrës një qendër testi të ECDL-së (Dëshmia Evropiane e Aftësisë në Kompjuter ose “patenta e kompjuterit”), e para në Shqipëri në atë kohë. Premtova se do të krijoj lidhje me dy universitete të avancuara në teknologjinë e informacionit, Universitetin Teknik të Darmstadtit në Gjermani, ku shefe katedre është prof. dr. Mira Mezini me origjinë shqiptare, e cila fitoi edhe çmimin ERC me vlerë 2.3 milionë euro, të dhënë nga Këshilli i Evropës për Studime Shkencore, si dhe me shkollën e lartë daneze për Biznes, ku kanë të avancuar degën e Informatikës.
Gjithashtu propozova edhe mundësinë për të krijuar një ekip studentësh e pedagogësh prej rreth 30 vetësh, të avancuar në informatikë dhe të atashur në universitet, që të punonim në bashkëpunim me firmën e njohur gjermane të software-ve (programeve) SAP dhe të bënim programe kompjuteri në shqip, qoftë duke përkthyer programe të gatshme standarde, si paketën Microsoft, Windows etj., ose duke bërë programe të reja në gjuhën shqipe, me interes tregun vendës. Propozime këto disi të avancuara për mënyrën e ngurtë se si punon Universiteti i Shkodrës në kohën e tanishme dhe kuptohet, ngaqë nuk pagova të hyj si pedagog, morën dikë tjetër.
Edhe pse ndofta e pahijshme, qoftë për etikën gazetareske, por edhe moralin njerëzor, po ju përmend këtu një përshkrim që i bëni gjendjes suaj përballë kryekuvendares Topalli: “…merrem edhe me një hale si Jozefina, e cila e ka mbështjellur veten me letër karamele ‘Zana’, për t’u dukur e ëmbël”. Pyetja ime është: si ka mundësi që një person i tillë është kaq popullor në kryeqendrën e Veriut dhe për më tepër ka një mbështetje absolute?
Ajo ka dy fytyra të paraqitjes, atë të brendshmen, të ligë, agresive dhe të ulët dhe paraqitjen e jashtme si një grua e bukur, me nur, diplomate dhe me vlera kombëtare = letër karameleje. Nuk është e vështirë ta mbash të nënshtruar një popull të sapodalë nga një diktaturë, kur përdor të njëjtat organe të frikshme dhe të njëjtat metoda presioni, ndoshta edhe më keq se në diktaturë. Jozefina është pjesë e atyre strukturave politike, që nuk janë çliruar akoma nga konceptet diktatoriale, që përdorin dhunë, presion e terror mbi popullsinë e votuesit e tyre.
Njerëzit e ndodhur në një shtet të korruptuar, ku sistemi i drejtësisë është kampion i korrupsionit, nuk janë në gjendje të ngrenë krye, edhe kur u përmbyten shtëpitë për të 6-n herë në dy vjet, pasi e dinë se do ta pësojnë më keq akoma. Nga ana tjetër, me sistemin mafioz të vjedhjes së votës, Jozefina u tregon banorëve të nëpërkëmbur, votuesve të saj, pra, se nuk po e çan kush kokën për ta, se votat i marrin se i marrin. Eja e thuaju gjermanëve apo danezëve kështu!
Dhe shiko në fund, a e merr qoftë edhe një votë të vetme. Ky është ndryshimi. Gjen lesh e bën përshesh. Partitë atje nuk punësojnë njerëz si këtu tek ne, nuk e mbushin spitalin apo vende të tjera me militantë. Nuk ke asnjë shans ta bësh këtë. Veç posteve politike, punësimi bëhet me konkurs, ose kur ka vende të lira pune, kush të jetë i aftë për atë pozicion. Jo, kështu si te ne nuk sheh askund.
Jozefina në këtë mënyrë u ka bukën në dorë njerëzve në Shkodër dhe ajo i lejon vetes t’u ndërhyjë edhe në familje atyre, të tallet me vajzat e tyre etj. Kjo ndodh vetëm se prindërit janë të punësuar në shtet. Është kthyer në normalitet një gjendje e tillë mjerane, por diku tjetër shoqëria do të reagonte ashpër, duke kërcyer përpjetë nga padrejtësitë, pikërisht ashtu siç kam bërë e vijoj të bëj unë.
Jozefina është mafioze. Ajo vret e gjymton njerëz me urdhërin e saj dhe kjo bëhet edhe për të trembur njerëzit e tjerë, të gjallët, ruajuni ju se ja si ua punoj dhe nuk keni shans të gjeni as vrasësin. Atëherë njerëzit e dobët nënshtrohen, trimat shpallen të marrë, kush mundet gjen rrugën e ikjes. Ky është popullariteti i kësaj zonje në Shkodër dhe arsyeja pse.
Jozefina është një grua e lirshme, pa nivel, agresive, që i ka hyrë vetja në qejf, dhe njëkohësisht e rrezikshme, si çdo grua që ka të zhvilluar më shumë ambicien sesa zgjuarsinë. Ajo është servile e tejskajshme e Berishës dhe e magjepsur me format e tij, rezultative çuditërisht, të ushtrimit të pushtetit. Jozefina pushtetin e saj e ka përdorur dhe e përdor për të bërë keq dhe për të zhvatur më shumë, se sa për të bërë diçka të mirë.
*) Intervista është dhënë me qëllim publikimin e saj në portalin onlne nationalalbania.al, të drejtuar nga Besnik Rama, i cili në fund nuk pranoi publikimin e saj. Ndonëse banon në Mynih, ai është i përfshirë edhe në strukturat e PD-së. Problemet që ngrihen në këtë intervistë dhe trajtesat disi ndryshe, guximshëm dhe hapur, bënë që kjo intervistë të mos gjente publikimin e pritur, ndërsa gazeta e përditshme shqiptarja.com, e botoi atë pjesërisht. Këtu publikohet intervista e plotë.