Çmimet në treg dhe FMN

0
1165

Nga Arben Çokaj, 15 shkurt 2008

Shqipëria ka kohë që ndeshet me një rritje të sforcuar çmimesh në tregun e brendshëm, sikur rrogat në këtë vend t’i kalonin ato të vendeve të zhvilluara evropiane. Por fuqia blerëse e konsumatorëve shqiptarë nuk është e lartë. Ndoshta kjo nuk është elementi kryesor për përcaktimin e masës së çmimit të një malli të caktuar dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë kush e përcakton çmimin e një malli në një ekonomi tregu që vetë-rregullohet? Sasia e mallit, prodhimi vendas, apo cilësia e tij? A ka shteti shqiptar në të vërtetë mundësi dhe mekanizma, që të ndikojnë në zbutjen e spekulimeve me çmimet? Pasi çmimet nuk janë të realta dhe nuk i përshtaten logjikës së ekonomisë së tregut, të një ekonomie të hapur dhe me konkurrencë të lirë. Ose tregtarët shqiptarë rrezikojnë t’u mbetet malli brenda, duke mbajtur me kokëfortësi çmimet lart, dhe duke injoruar logjikën e një tregu të hapur!…

Si fillim po jap disa shembuj të thjeshtë për ta ilustruar këtë logjikë. Ujin “Glina” që paketohet në Shqipëri, e blen më lirë në Prishtinë (shumë më lirë), se sa në çdo shitore tjetër këtu në Shqipëri, pa përmendur kryeqytetin, ku çmimet janë më të larta. Naftës i ka hipur çmimi në bursën ndërkombëtare, dhe si rezultat në Shqipëri e blejmë me një çmim më të lartë se në Mal të Zi e Slloveni, të krahasuar me Kroacinë e Austrinë dhe paksa më të ulët se në Itali e Gjermani. Nëse një shishe vaji ushqimor në Gjermani e blen me 90 Euro cent, këtu në Shqipëri, vaji bën rreth 3 herë më shtrenjtë. Shishen e vajit “Olim” e blen me rreth 260 lekë. E sa produkte të tjera mund të krahasojmë kështu?!

A munden tregtarët shqiptarë, ta blejnë vajin në Gjermani, në tregun e shumicës, pa paguar 19% të TVSH-së gjermane dhe të vijnë në Shqipëri e ta shesin atë me një çmim të krahasuar me çmimin e shitjes në Gjermani? Ose në një vend tjetër, ku mund të blihet më lirë? Nëse po, pse kjo nuk bëhet? Dhe nëse jo, kush e ka fajin? A nuk e merr “Olim” lëndën e parë në Ukrainë apo kudoqoftë jashtë Shqipërisë? E konsiderojmë si prodhim vendi, por sa leverdi kemi të prodhojmë në këto kushte? Dhe në fund, a kemi në Shqipëri një treg të hapur të konkurrencës së lirë, që ekuilibron çmimet me sasinë e mallit në treg dhe me fuqinë blerëse të konsumatorëve, përderisa Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia kanë çmime më të lira në shumicën e produkteve?

FMN përmes shefes së saj në Shqipëri, Ann Margaret Westin, këmbëngul në mos ndërhyrjen e shtetit si rregullator për të zbutur çmimet në Shqipëri, dhe sugjeron kompensim me para në dorë të të varfërve, atyre që nuk kanë mundësi ta përballojnë jetën me këto çmime. Në fakt, ndonëse ky sugjerim mund të konsiderohet se ka një kuptim ekonomik, për kushtet e Shqipërisë, krahasuar kjo psh. me Suedinë, që referon shefja e FMN-së, ngjan si diçka utopike, e parealizueshme. A mos ndoshta, znj. Westin po përpiqet të mbrojë një disertacion teorik, duke propozuar zgjidhje të paaplikueshme edhe për vende, që realisht janë më të zhvilluara se ne? Pse i dëgjojmë këto lloj këshillash ne, në kohën kur nuk kemi një shoqëri të regjistruar, kur nuk kemi adresa të sakta dhe kur dihet që paratë, të cilat jepen për kompensimin e të varfërve përfundojnë në xhepat e ndonjë kryetari barkiç bashkie a komune?!

FMN propozon gjithashtu një rritje të çmimit të energjisë elektrike me 20% deri në mars 2008. A ka mundësi konsumatori shqiptar që të blejë energji elektrike nga një kompani tjetër, që shet më lirë, veç KESH-it? Jo! E pra, a nuk kemi të bëjmë me monopol. KESH-i rrit çmimet për arsye se nuk është në gjendje të shesë më lirë, pasi nuk është në gjendje të mbledhë paratë për energjinë që shpërdorohet? Dhe energjinë e shpërdoruar nga puna jo efektive e KESH-it, duhet ta paguajnë konsumatorët e rregullt shqiptarë, përmes rritjes së çmimit të energjisë… Kjo është logjika ekonomike e FMN-së në Shqipëri – një logjikë jo fort efektive.

Kryeministri Berisha, që e mori pushtetin në korrik 2005, duke shfrytëzuar edhe konceptin e “kafshatës”, ndodhet tani mes një presioni mjaft të pakëndshëm të rritjes së çmimeve nga njëra anë, që janë të papërballueshme për konsumatorin shqiptar, dhe presionit të FMN-së apo sugjerimeve të ministrit të financave Bode, për të mos ndërhyrë në treg, nga ana tjetër. Duhet thënë se pavarësisht logjikës ekonomike, që çalon në këtë mes, pasi del hapur në përkrahje të monopoleve, spekulantëve të çmimeve dhe mungesës së logjikës krahasimore ekonomike me shtete të tjera përreth nesh, rritja e pandalshme e çmimeve deri në 100% të tyre, do të ketë padyshim një ndikim politik negativ për pushtetarët e sotëm.

PD duhet të jetë e përgatitur për humbjen e elektoratit, nëse qeveria nuk merr masa graduale për të zbutur varfërinë në këtë vend. Nga një fitore e pushtetit në 2005-n me konceptin e “kafshatës”, vijmë tani në vitin 2008, në shekullin e 21-të, kur qytetarët shqiptarë në një masë të madhe diskutojnë për çmimin e bukës dhe të mallrave ushqimorë në treg. Diskutojnë pra për kafshatën. Dhe të mos luajmë rolin e teoricentëve ekonomikë, që injorojnë blerësit e lodhur shqiptarë, pasi Shqipëria, një shtet me rreth 3 milionë banorë, nuk ka asnjë arsye të ketë çmime më të larta të produkteve, në krahasim me Malin e Zi që ka 700 mijë banorë, apo Kosovën me rreth 2 milionë banorë.

Mendoj se çdo shtet ndërhyn për rregullimin e çmimeve në treg dhe në mbrojtje të konsumatorëve votues, qoftë në Mal të Zi, Slloveni apo Gjermani. Përderisa disa shtete demokratike e gjejnë mënyrën për të ndërhyrë në tregun e brendshëm, pa shkelur rregullat dhe logjikën e ekonomisë së tregut dhe të konkurrencës së lirë, atëherë edhe shteti shqiptar duhet ta gjejë mënyrën dhe mekanizmat, që të ndërhyjë për uljen e çmimeve të mallrave të shportës, të mallrave të konsumit të përditshëm.

Botuar në: TemA, 16.02.2008, etj.

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu