Politikanët tanë diletantë

0
1196
Politikanët shqiptarë

— nga Arben ÇOKAJ

Politika si profesion, të detyron të merresh me njerëz të ndryshëm, që operojnë edhe nën ndikimin e agjenturave të ndryshme, aq më tepër në ish-vendet e lindjes, ku rendi dhe rregulli janë më të brishtë. Agjentë provokatorë, nganjëherë të dyfishtë ose disafishtë, përdoren për t’iu afruar politikanëve, ku qëllimi dhe qëndrimi i tyre nuk është i qartë asnjëherë. Mund të hiqen si miq dhe dalin armiq. Mund të hiqen sikur duan të të ndihmojnë, por dalin se duan të të rrënojnë. Mund të ndihmojnë një herë, por ndryshojnë mendim dhe herën tjetër të lënë në baltë, e kështu me radhë. Meqë është e vështirë të identifikohet qëllimi apo qëndrimi i tyre, nëse nuk mund të shmangësh prezencën e tyre, ajo që është mënyra më e mirë e anashkalimit, është shfaqja hapur e mendimeve, qëndrimi prej politikani të pakorruptuar, si dhe ruajtja e parimeve dhe konsekuencës politike që përfaqëson.

Politikanët tanë, dhe jo vetëm pushtetarët, kanë një sërë defektesh, që vijnë më së shumti nga padija. I shumëpërfoluri Damir Fazlliç nuk është rastësi. Ai ka gjasa të jetë një “agjent nën flamur”. Gazeta daneze “Politiken”, pati botuar një shkrim para disa vitesh, që bënte fjalë për agjentë të këtij lloji, që përdoreshin gjithandej në Evropë nga MI6 angleze, nën flamurin e një shteti tjetër. Në artikull shprehej çudia, se si ka mundësi, që vende aleate përdorin akoma agjentë kundërzbulimi, kundër njëri-tjetrit, me qëllime të caktuara, shpeshherë rrënuese. Kjo çudi duhet të jetë diçka në natyrën njerëzore.

Me një baba boshnjak e një nënë serbe, kushërirë e dytë e ish-shefit të shërbimit të Millosheviçit, me lidhje të çuditshme politike e njohje personale me kriminelë lufte, nuk ka dyshim që Damir Fazlliç është një person i dyshimtë dhe i rrezikshëm, i rekrutuar ndoshta edhe nga shërbime perëndimore për qëllime të caktuara. Dikush e ka sponsorizuar atë, që të ketë aktivitetet të një niveli të lartë, ku luhen shuma të mëdha parash. Ai njihej nga krerët politikë të Serbisë, Bosnjes, etj. Ka patur lidhje me vrasësit e Xhinxhiç dhe klanin e Zemunit. Fatkeqësisht, siç shprehet, ai ka mik personal edhe Kryeministrin Berisha. E si mund të lidhen këto, të gjitha bashkë? A mos kemi këtu një synim fillestar për të kompromentuar Berishën, duke infiltruar për tek kolltuku i tij, përmes vajzës së tij e ndonjë politikani riosh, papërvojë, që kujton se politika fillon e mbaron tek marrja e një shume Eurosh nëndorë, për të futur dikë në punë?!

Kush e bën Damir Fazlliçin të ketë akses kaq të madh në politikën ballkanike? Përveç zotësisë së tij personale për të komunikuar me njerëz, që sot drejtojnë vende të ndryshme të Ballkanit, mund të hamendësohet se ai është një kartë, që përdoret nga shërbimet perëndimore, me para e kredibilitet, për të penetruar “miqësisht” tek krerët fluturakë të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Nën shoqërinë e politikanëve të lartë perëndimorë, Fazlliç ka penetruar mjaft besueshëm tek ne, duke shfrytëzuar mentalitetin shqiptar të ‘servilit kundrejt eprorit’, në mënyrë që të fitonte besimin e njerëzve të Berishës dhe të vetë atij, për ta shitur më pas këtë besim, sa i biri të ëmën.

Politikanët tanë blihen lirë. Ata janë naivë e diletantë, inferiorë kundrejt të huajve. Në apatinë e tyre gjenetike, shtetarët tanë nuk kanë as edhe ndjenjën minimale kombëtare, për të bërë diçka të mirë për vendin e vet, pasi mendjen ua merr arroganca e shefit dhe fitimi i parasë së majme, në mënyrën më të pandershme të mundur. Dhe këta mjeranë, kur përballen me politikanë të huaj, shfaqin të njëjtën mënyrë sjelljeje, servile dhe nënshtrimi, pasi kujtojnë se kështu u hynë në qejf atyre, perëndimorëve.

I ndjeri Dr. Ferid Hoti, ish-deputet i Shkodrës, mik i Berishës që në shkollë të lartë dhe në fund këshilltar i tij për çështjet sociale, më pati thënë një herë gjatë bisedave me të: “Ne kemi vetëm 8 klasë shkollë në politikë…” Këtu i përfshinte të gjithë, edhe Berishën. Ndërsa për vajzën e Filipit, ai thoshte me sarkazëm se: “ajo ka vetëm 50 fjalë në fjalorin e saj politik, të cilat i ka mësuar përmendësh…” Dhe vajza e Filipit, për analogji me Aleksandrin e Madh, drejton sot me ‘dorë të hekurt’, duke u munduar të eliminojë çdo kundërshtar apo konkurrent politik në Shkodër, që supozohet se mund ta hijezojë ‘lartmadhërinë’ e saj.

Cila është arsyeja që këta Profesorë e Doktorë shkencash në politikën shqiptare, tregohen kaq të paditur në tregun politik ndërkombëtar, sa bëjnë biznes armësh me një çunak amerikan, si Deviroli, apo një Damir Fazlliç i blen dhe i shet? Është pikërisht injoranca e tyre, që vjen nga sistemi korruptiv i mendimit dhe konkurrencës në Shqipëri, ku njerëzit e aftë luftohen si barbarë e si mall i huaj. Pra, kemi të bëjmë me një sistem politik dhe ekonomik, që vazhdon të ketë mendësi komuniste, që shoqërohet me eliminimin barbar të konkurrentëve, pavarësisht humbjes që shkaktohet. Dëgjon rëndom tek thuhet: “ata nuk duan, se dinë…” Jo, është pikërisht mosdija, injoranca që sot na drejton.

Si tufë derdimenësh, politikanët tanë stisin konflikte infantile, zgërdhihen me fatet e njerëzve dhe në fund, na e shesin by… kaq lirë. Pse? A nuk mund të vinte Berisha në pushtet ndryshe, siç premtoi? Po, nëse kishte ditur e dashur. Politikanët tanë, a nuk mund t’i bëjnë paratë ndryshe, siç i bëjnë shumica e politikanëve në perëndim? Po, natyrisht, por këta tanët nuk dinë ndryshe. Politikanët tanë marrin më shpejt tiparet arrogante të sheikëve arabë, apo veset diktatoriale të Putinit, sesa tipare modeste perëndimore.

Gjatë zgjedhjeve të 2005-s flitej për një marrëveshje të Berishës me forcat perëndimore, që e ndihmuan atë të vijë në pushtet, që ai pas dy vjetësh qeverisje, të largohej nga drejtimi dhe t’ia linte vendin dikujt tjetër brenda PD-së, në postin e Kryeministrit. Berisha nuk e mbajti fjalën dhe duket se është i predispozuar më shumë t’ia lërë pushtetin opozitës, se kujdo trjetër brenda PD-së. Palët e interesuara, dhe aleatët perëndimorë të Shqipërisë, të cilët synojnë ta largojnë këtë vend nga hegjemonia e një individi, si ves regresiv i kohës së komunizmit, që rëndon akoma mbi Shqipëri, duket se kanë filluar restriksionet, për atë që ka sy t’i shikojë.

Gjithçka ndodh si një rastësi, por mund të mos jetë e tillë. “Ka më tepër mes tokës e qiellit” – thotë një fjalë e urtë daneze. Papritur ndodhi Gërdeci. Berisha shprehet se nuk di gjë për ekzistencën e tij. Papritur del se është i implikuar vetë ministri i mbrojtjes, që fryn në atë kohë një llogari milionëshe dollarësh në Qipro. Papritur del se baxhanaku i Kryeministrit punonte në Gërdec. Çudi! Dëgjojmë se përflitet edhe djali i kryeministrit. Papritur, dëshmitari kryesor i Gërdecit aksidentohet vetvetiu për vdekje. Të gjitha këto çudira dhe të papritura në llogari të Kryeministrit… Tani arrestohet papritur në Bosnje edhe një mik i Berishës dhe dyshimet veçse shtohen.

Shërbimet e huaja, sidomos ato aleate (dhe jo vetëm ato), kanë eklipsuar Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhe nuk është e vështirë. Vrimat në sigurinë tonë kombëtare fillojnë nga kompanitë e pasigurta celulare. Berisha mban me vete një celular. Askush nuk mund ta thotë me siguri, se ai nuk përgjohet… Për më tepër, me anë të infiltrimit të agjentëve të dyshimtë, si Damir Fazlliç, ata kanë arritur të komprometojnë familjen kryeministrore dhe njerëz afër Kryeministrit. Edhe ’97-ta ndodhi pikërisht se Berisha nuk donte t’u bindej këshillave aleate, për t’u larguar përmes zgjedhjeve të lira. Tani aleatët po japin shenja, ose po i interpretojnë ato, përmes shërbimeve të tyre. Varet se si e sa kuptohen ato.

Publikuar në: Gazeta “TemA“, Tiranë – 8 tetor 2008

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu