Pse Dr. Rugova nuk shkon në Shqipëri?

0
1323
Rugova - president

Presidenti Rugova - ilustrim për artikullin në Bota SotNjë shkrim i z. Godo mundohet të ngreje një pyetje: Pse z. Rugova nuk vjen në Shqipëri?

Nuk e di nëse z. Rugova do i pergjigjet z. Godo, i cili ka zgjedhur çuditërisht gazetën “Koha Jone” për të publikuar shqetësimin e tij, kur dihet roli i kësaj gazete në ngjarjet e 1997-s. Por këto ditë, pas një interviste në gazetën “Bota Sot”, Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ka sqaruar ndërmjet tjerash se, Kosova ka mundësi që të dalë me një flamur të saj, i cili do ketë edhe një himn tjetër, nga ai që ka flamuri i sotëm shqiptar.

Në pamje të parë, kjo gjë duket disi ekstreme, dhe nuk ka dyshim që do priten reagime të ndryshme në këtë drejtim, por nëse i shohim gjërat në një prizëm më të gjërë, atëherë e kuptojmë që, nëse Kosova do jetë shtet në vete, asaj i duhet të ketë shenja të veçanta dalluese, përfshirë këtu edhe flamurin dhe himnin kombëtar – ndonëse ne jemi në fakt i njëjti komb. Kosova përpiqet tashmë të krijojë një identitet të vetin, i cili duhet të jetë larg imazhit të keq, që Shqipëria ka dhënë në 50 vjetët e komunizmit dhe në këto vitet e fundit të tranzicionit demokratik, ku shteti shqiptar u thye në kurriz nga bandat politike greko-komuniste të armatosura më 1997.

Janë pikërisht këta terroristë politikë të reformuar (sa të jenë në pushtet, se kur janë në opozitë kthehen në antikushtetues), që sot vazhdojnë ta mbajnë peng Shqipërinë, nën një tutelë të kuqe, pa asnjë prespekivë të hapur e demokratike. Ndoshta kësaj ia ka frikën Presidenti Rugova, dhe nuk është për t’u çuditur, pse z. Rugova nuk shkon në Shqipëri.

Nga ana tjeter, të gjithë e morëm vesh se delegacioni nga Kosova, i kryesuar nga kryeministri Rexhepi dhe i ftuar nga shteti shqiptar për të festuar festën e Flamurit, u poshtërua paskajshmërisht, kur nuk u prit as në aeroportin e Rinasit nga administrata protokollare e Ministrisë sonë të Jashtme. Po të ishte edhe z. Rugova me këtë delegacion, atëherë do bëhet pyetja: A mos vallë presidenti Rugova ia ka për borxh këtë papërgjegjshmëri ekstreme shtetit të sotem shqiptar, për një fyerje kaq banale ndaj përfaqësuesve të Kosovës? Jo, Rugova nuk jua jep shancin ta fyeni zotërinj të ministrisë së jashtme shqiptare, se ai është paksa më largpamës se ju!

Ky rast pa precedent, në radhë të parë nuk është traditë shqiptare dhe nuk mund të justifikohet me pushimin e dy zyrtarëve nga puna, të cilët në fund të fundit marrin urdhëresë kur duhet të presin apo përcjellin zyrtarisht dikë. Por përsëri nuk duhet të çuditemi nga nomeklatura e kuqe e sotme në Shqipëri, që veç shqiptarë nuk dinë të jenë. Mos ndoshta fyerja e fundit ndaj delegacionit kosovar, fsheh ndonjë pabesi të radhës nga vizita e z. Meta në Beograd? Apo mos ndoshta qeveria serbe po mundohet të përdorë sot si kalë troje shtetin e pamoral të sotëm shqiptar, që të minojë rrugën e Kosovës drejt pavarësisë?… Dhe pasojat nga të përgjëruarit e sllavëve në Shqipëri tashmë dihen…

Dihet gjithashtu se është meritë e shqiptarëve të Kosovës, e përjekjeve dsa vjeçare të LDK-së dhe të lidërve të saj, e sidomos e z. Ibrahim Rugova, që Kosova mundi të çlirohej nga serbët me ndërhyrjen e NATO-s, dhe po ecën më e sigurtë se asnjëherë, drejt pavarësisë së saj. Sa punë bëhet realisht nga shteti i sotëm shqiptar, që këto aspirata për liri e pavarësi, të ushqyera ndër dekada nga popullsia shqiptare e Kosovës, të mbështeten diplomatikisht hapur e me guxim, për të drejtën e patjetërsueshme të popullit të Kosovës, që të jetojë i lirë? Pse duhet të bëhemi pre e mendimit për “Shqipëri të madhe” apo terma të tjerë dashakeqës, që janë pjellë e kuzhinës anti-shqiptare e shoviniste serbe e greke? Shqiptarët nuk kanë pse të tregojnë takt në mbrojtjen e të drejtave të veta fundamentale, pasi kjo e drejtë njihet ndërkombëtarisht. Dhe mbrojtja hapur e të drejtës së Kosovës për pavarësi nuk përbën aspak precedent për t’u kritikuar, përkundrazi, kjo është një shenjë e një civilizimi të lartë dhe e një respeki të merituar, që duhet të tregojmë për vetveten.

Kosova ka zgjedhur tashmë vetë rrugën e saj për një shtet të pavarur. Këtij obcioni duhet t’i përmbahet secili prej nesh që mendon demokratikisht, pasi kjo është zgjedhja e popullit të Kosovës në referendumin e tij për pavarësi. Janë liderët e sotëm të Kosovës, ata që përcaktojnë normat shoqërore, simbolet kombëtare dhe rrugën nëpër të cilën do kalojë pavarësia e Kosovës, e cila nuk duket se do jetë më tepër e gjatë. Kushtet janë pjekur tashmë, dhe Kosova ka dhënë prova të mjaftueshme se është e aftë të qëndrojë në këmbë si shtet i pavarur.

Presidenti Rugova e di fort mirë se ku i ka miqtë e tij, ai nuk ka ngurruar dhe nuk do ngurrojë asnjëherë t’i pyesë miqtë e tij e të Kosovës për ndihmë, nëse e sheh të arsyeshme. Ndoshta kështu ka bërë edhe para se të vendoste, që ta festonte ditën e flamurit në Prishtinë. Por z. Rugova nuk do prishet me popullin shqiptar të Shqipërisë, sepse ata sot vazhdojnë të jenë të uzurpuar që nga viti 1997 nga bandat anti-shtet. Socialistët shqiptarë, duhet në radhë të parë, të mësojnë të respektojnë normat demokratike të një shteti të lirë, dhe rotacionin demokratik në bazë të votave të lira të zgjedhësve, atëherë të kërkojnë që dikush tjetër t’i respektojë ata.

Nuk ka dyshim, që marëveshja e fundit pozitë-opozitë është një fillim i mirë për qetësimin e politikës shqiptare në përgjithësi, por nuk duhet harruar se kjo është vetëm fillimi. Duhet një punë e madhe që Shqipëria të ndërtojë vlera demokratike përkundër anti-vlerave të deritanishme. Dhe kjo mund të fillojë vetëm me zgjedhjet e ardhëshme, ku do mund të dëshmohet se votat e lira të zgjedhësve do respekohen, ashtu siç ka ndodhur edhe në Kosovë.

Kosova ka qenë e pushtuar nga serbët, dhe si e tillë trashëgon një prapambetje në drejtime të ndryshme të organizimit të një shteti. Por përsëri, Kosova ka treguar këto vite, se populli i saj e do lirinë, e do demokracinë dhe i respekton njerëzit që punojnë për të. Populli i Kosovës është një ndër popujt më optimistë të botës, dhe ky optimizëm nuk vjen vetvetiu, por vjen nga një besim i madh që ai popull ka për të ardhmen e vet, një besim tek liderët politikë të saj, që asnjëherë nuk e tradhëtuan besimin e këtij populli, një besim për ato liderë, që e kanë ideal të shenjtë shtetësinë e Kosovës e nuk e shohin karrierën politike të tyre si një mjet banal për mbushjen e xhepave me para. E këtu, roli i z. Rugova, si kreu më i rëndësishëm i shtetësisë kosovare ka qenë dhe është i pakontestueshëm e i pazëvendësueshëm.

Rugova me siguri do vijë në Shqipëri një ditë, kur miqtë e tij atje të jenë më të shumtë në numër se armiqtë, dhe kur shteti shqiptar të ketë provuar qartë se punon për kombin e vet, dhe për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.

Arben Çokaj, 03.12.2002

Publikuar: QIKopinione, Bota Sot – opinione, Trepça.netletra të hapura

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu