PD përballë Edi Ramës

0
802
PD - trapanim

Nga Arben Çokaj, 22 qershor 2008

Politikës së re që evokon Edi Rama si kryetar i PS-së, Partia Demokratike duhet t’i përgjigjet gjithashtu me një politikë të re. Jo për efekt copy & paste, por për arsye se në kohën kur Shqipëria po anëtarësohet në NATO, si parti në pushtet, PD-së i duhet të luajë një politikë më të qetë, më të arsyeshme dhe më afër qytetarëve. Politika e sherreve banale, të stisura sa për rrëmujë, sa për të impresionuar, krijuar emocion politik, apo që bëhen për të justifikuar paaftësinë politike, ka ardhur duke i lodhur tejmase zgjedhësit, të cilët janë bërë indiferentë dhe nuk i tërheq më asgjë, që të shkojnë drejt kutive të votimit.

Demonstrim i një politike potente

Mënyra se si Edi Rama po e paraqet politikën e tij, krijon besim tek zgjedhësit. Ai po ndjek kursin e një politike potente, të qetë dhe që nuk tremb. Madje po tërheq edhe aktivistë të qendrës dhe të djathtë, duke u bazuar në programe e projekte. Kudo që shkon në turin e tij, Edi Rama u thotë mbështetësve të vet, që ata duhet të paraqesin projekte, nëse duan të përfaqësojnë dikë, apo nëse duan të kërkojnë një punë në drejtim. Rama duket se po i mëson mbështetësit e tij se si të sillen e si të ruajnë qetësinë. Kjo lloj politike nuk duhet nënvleftësuar, sidomos tani kur kampi i djathtë ka filluar të tronditet nga korrupsioni i të vetëve dhe i aleatëve, nga paniku i humbjes së pushtetit dhe sidomos nga konfliktet e brendshme, që shkaktohen si një luftë gjelash prej mosrespektimit të të drejtave të tjetrit.

Nëse hapja e PD-së i dha asaj fitoren në zgjedhjet e fundit, kjo nuk është sot një prerogativë, që mund ta mbajë atë në pushtet, nëse PD nuk i vë fre tendencave centrifugale të shkapërderdhjes në vullnete individësh të pakontrolluar, që nuk kryejnë veprime në interes të partisë apo të vendit. Vihet re se individë të caktuar, deputetë apo njerëz të veshur me pushtet, që iu afruan PD-së në zgjedhjet e fundit, pa bërë fare jetë partiake, kanë filluar të abuzojnë me pushtetin e tyre individual, apo me paratë që kanë vjedhur prej tenderave, duke mbjellë terror e kërcënime, dhe duke cenuar demokracinë në vend, sidomos përmes veprimeve mafioze apo cenimit të lirive dhe të drejtave të individit.

Një parti e qendrës së djathtë, siç është PD, një parti në pushtet, ka nevojë të ridimensionohet dhe të rivlerësojë efektet pozitive dhe negative që e shoqërojnë qeverisjen, në mënyrë që negativja të mos ia kalojë pozitives. Vlerësimi duhet të jetë objektiv. Por duket se koha që duhet për t’u marrë me partinë, u mungon drejtuesve të PD-së. Dhe këtë mungesë po e ndjejnë më shumë aktivistët e PD-së, të cilët e shikojnë veten të braktisur. Nuk është normale që pa qenë anëtar i PD-së, një deputet egocentrik i saj të kapardiset me makina luksoze (ka ndryshuar 5-6 makina deri tani), ndërsa një aktivist besnik i PD-së për 18 vjet, vuan sot për bukën e gojës dhe nuk gjen as edhe një vend pune. Është e sigurtë, që në zgjedhjet e ardhshme, deputeti do të ruajë vazhdimësinë e kapardisjes, duke u munduar ta përdorë aktivistin e braktisur dhe të pangrënë. Por ka mundësi, që ky i fundit të mos i bindet më deputetit euforik.

Është më vështirë ta ruash, se ta fitosh

Thonë për paranë se është më e vështirë ta ruash se ta fitosh, por kjo duket se vlen edhe për pushtetin, që është më e vështirë ta mbash se marrësh. Duke qenë se dita ikën nga ngarkesa e punëve të zyrës, drejtuesve të PD-së nuk u del kohë, që të merren me vetveten. Dhe më i mbingarkuari është kryetari i PD-së, kryeministri i vendit, Sali Berisha. Berisha shquhet për orarin e tejzgjatur të punës dhe interesin që tregon për t’u marrë me të gjitha punët. Por kjo nuk mjafton. Në pikëpamjen e llogaritjes së kohës, kur kryen shumë punë në një kohë të shkurtër, i bie që koha e përdorur për të kryer një punë është më e vogël për punën e kryer, pra rritet shpejtësia e kryerjes së saj, derisa kjo shkon në mungesë të kohës për t’u marrë me një punë. Dhe kur bëhen shumë punë njëherësh, njeriu kalon në panik nga mungesa e kohës e për rrjedhojë puna nuk bëhet siç duhet, ose nuk bëhet fare. Flitet se shumë nga projektet, që Berisha i përuron para se ato të fillojnë, mbesin të papërfunduara. Sot jemi në kohën e informacionit, kryeministri ka nevojë të takojë njerëz, por punët e kryera mund t’i kontrollojë edhe nga zyra e tij. Kështu që ai mund të tregojë efektivitet më të lartë, nëse kohën e përdor në favor të kryerjes së punës, delegon kompetencat tek njerëzit përgjegjës, dhe nuk harxhon energji për të kryer punën e të tjerëve.

Për vetë moshën që ka kryeministri dhe për vetë ngarkesën e madhe, energjitë e tij nuk janë më si para dhjetë vjetëve, ato vijnë duke u shteruar, prandaj ai duhet të fillojë të merret me gjëra të mëdha. Turi, që Berisha po bën me përurime në rrethe të ndryshme të vendit, është mbilodhje për të, dhe këtë duhet ta dijë vetë ai i pari dhe strategët e PD-së (nëse ka). Nëse Rama i lë punët e Bashkisë, Berisha nuk mund t’i lërë punët e qeverisjes dhe aq më tepër punët organizative të vetë PD-së, e cila si çdo parti në pushtet po humb mbështetje në elektorat. Taktika e Ramës për ta tërhequr Berishën në ture paraelektoralë nuk është produktive për interesat e PD-së, pavarësisht simpatisë që fiton ose humb Rama me turet e tij.

Diversitet mendimesh përkundër tendencave fashiste

Një parti moderne evropiane nuk ka klane brenda saj, ka diversitet mendimesh dhe ideshë. Të gjithë duhet të bashkohen për interesat e partisë, gjë që nuk shihet të ndodhë në racën tonë, që vazhdon të ketë tendencën e çdo koke – një parti. Anëtarët i bashkojnë interesat, në mënyrë të lirë e demokratike. Në politikën tradicionale shqiptare të kreshtave, ka një tendencë të theksuar klanizimi e kundërshtie faktorizuese, që s’ka dyshim se është primitive dhe kontra-produktive.

Vihet re një lloj alergjie tek disa drejtues të lartë të PD-së për mendimin e kundërt. Kuptohet, që linja e partisë duhet të ruhet, por ne nuk duhet të kemi frikë nga diversiteti i mendimeve, përkundrazi, ky është një tipar themelor i demokracive moderne, të cilat përcillen deri në familje, ku gjërat duhet të diskutohen, para se sa të veprohet. Zgjidhja e punëve, “jepi dy-tre shpulla, e lëre”, siç dëgjohet nganjëherë të artikulohet edhe nga ndonjë zonjë drejtuese në krye të PD-së, është tepër agresive, maskiliste për të mos thënë fodulle dhe fashiste. Nuk duhet të biem pré e realitetit agresiv shqiptar, që të dëmtojmë zhvillimin e vendit me koncepte arkaike e të provuara si të pasuksesshme.

Modeli politik që duhet të ndjekim, nuk ka nevojë të eksperimentohet. Ai tashmë njihet. Ne na takon të tregojmë seriozitetin e duhur për ta vënë atë në interes të vendit dhe në shërbim të demokracisë në këtë vend. Partia Demokratike nuk ka nevojë ta dhurojë pushtetin, siç po komentohet këto kohë se po bën, nga lodhja e Berishës, paaftësia drejtuese e Topallit, apo marrja me fitimet e veta të ndonjë ministri, etj. PD-ja ka nevojë të luajë politikën e fitores dhe jo të panikut të humbjes, pasi formacioni politik, që ajo përfaqëson është më i gjerë se interesat e një drejtuesi, i cili sidoqoftë është më i përkohshëm se ideali politik, që përfaqëson partia e tij, pa nënvleftësuar meritat e çdo individi.

Publikuar në: Gazeta “TemA“, Tiranë

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu