Zgjedhjet në Gjermani

0
852

Zgjedhjet këtë vit pritet të jenë më të tensionuara

Një nga posterat e të gjelbërve gjermanë... Me 22 shtator, votuesit gjermanë do i afrohen kutive të votimit për zgjedhjet qendrore të parlamentit federal, si dhe zgjedhjen e kancelarit të ardhshëm të Gjermanisë. Zakonisht, zgjedhjet në Gjermani shënojnë një numër të madh pjesëmarrësish në votime, që e kalon shifrën e 80%, gjë që tregon interesimin e votuesve për politikën e vendit.

Kandidatët kryesorë për postin e kancelarit, janë kancelari aktual Gerhard Shrëder (SPD) dhe kandidati i unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial, Edmund Shtoiber (CDU/CSU). E veçanta e këtij viti fillon edhe me një kandidat të tretë. Ky është Guido Vestervele me Guiomobilin e tij, i Partisë Liberal-Demokrate (FDP), i cili pretendon të marrë 18% të votave nga votuesit gjermanë me 22 shtator. Por ndërsa kjo mbetet vetëm një dëshirë e tij, pasi prognozat tregojnë se ai mund t’i afrohet vetëm 9-10%, një tjetër dëshirë e tij, ajo e kancelarit, duket qartë se do mbetet e parealizueshme.

Ndërkohë që rivalizuesit kryesorë Shrëder dhe Shtoiber, e injorojnë kandidaturën e Vesterveles për kancelar, duke i kujtuar atij se ky post është i rezervuar për pesha të rënda, Vestervele i ka akuzuar ata në gjykatën kushtetuese, ku duket se nuk do të marrë mbështetje. Gjermanët përgjithësisht vlerësojnë më të fortin, kjo është edhe arsyeja që kufiri i hyrjes në parlament për një parti, është vënë tek 5%.

Tema kryesore që preokupon zgjedhësit gjermanë, e për rrjedhojë edhe fushatën parazgjedhore, është padyshim ajo e papunësisë. Muajve të fundit, e sidomos me ardhjen e verës, papunësia është rritur ndjeshëm dhe ka kaluar shifrën 4 milion. Kjo është pika më e fortë e diskutimit nga Shtoiber, i cili e dominoi në tre tema duelin televiziv tek RTL/SAT1 me 25 gusht, me konkurrentin e tij Shrëder – duel parazgjedhor ky, që zhvillohet për herë të parë në Gjermani. Dominimi i dukshëm i Shtoiberit, bëri që Shrëder të tërhiqej menjëherë nga një duel i dytë televiziv tek NTV.

Ndërkohë që Shrëder u mundua ta kalojë diskutimin nga përmbytjet e mëdha të Saksonisë, për rrjedhojë të shirave të shumta e daljes së lumit Elba nga shtrati, ku dëmtimet e shkaktuara llogariten në shifrën 15 miliardë EURO, kandidati Shtoiber i kujtoj atij, se humbja më e madhe ekonomike vjen pikërisht nga papunësia. Rreth 2,3 miliardë EURO në vit shpenzohen për 100 000 të papunë.

Shrëder e ka kuptuar se goja e mprehtë e Shtoiberit mund ta rrënojë, dhe kjo ndoshta do ndodhë në duelin e fundit me 8 shtator në ARD/ZDF. Si xhungler në politikë dhe i pajisur me një eksperiencë kancelari 4-vjeçare, Shrëder mundohet të kapet pas temave tjera momentale, siç është ajo e përmbytjeve në Saksoni për politikën e brendshme, dhe kërcënimi i luftës kundër Irakut nga USA dhe aleatët e saj, për politikën e jashtme. Duke parë se shumica dërrmuese e gjermanëve janë kundër luftës, Shrëderi doli këto ditë hapur kundër interesave amerikane, duke u shprehur se: “Nën drejtimin tim nuk do të ketë asnjë pjesëmarrje në luftë kundër Irakut”.

Kjo u pasua me deklarimet e Bushit: “Unë jam një burrë i duruar…”, por edhe me vendimin e Bashkimit Evropian në Helsingor të Danimarkës, për ta zgjidhur krizën që paraqet Iraku, me mjete diplomatike. Nuk mund të thuhet gjë e saktë për vendimin që mund të kishte marrë Shrëderi në lidhje me Irakun, nëse tani nuk do të ishte kohë zgjedhjesh në Gjermani.

Fushata parazgjedhore në Gjermani u shoqërua që në fillim me një fushatë anti-korrupsion. Këtu e pësoi rëndë ministri i mbrojtjes gjermane, Rudolf Sharping, i cili u detyrua të largohej nga posti, pasi kishte marrë një shumë të madhe parash, nga një firmë konsulente në Frankfurt. Një anëtar turk i Të gjelbërve, i cili përfaqësohej në parlamentin gjerman, kishte marrë gjithashtu një shumë të madhe nga firma konsulente në fjalë, dhe u detyrua edhe ai të largohej nga parlamenti. Është e qartë, se Shrëder u mundua të ruante fytyrën, duke sakrifikuar mikun e tij të afërt Sharping. Por kjo histori nuk mbaroi me kaq.

Anëtarët e parlamentit gjerman janë normalisht të pajisur me karta bonusi, në raste udhëtimesh për nevoja pune. Por shumë krerë të së majtës gjermane “u zunë me tul buke”, ndër të cilët edhe kryetarja e Të gjelbërve, Claudia Roth, ministri i mjedisit, po i gjelbër, etj. që e kishin përdorur kartën e bonusit edhe për nevoja private, duke i shkaktuar taksapaguesve gjermanë një humbje prej dhjetëra mijëra EURO-sh. “Të gjithë bëjnë gabime” – justifikohet Claudia Roth, ndërsa avokati i njohur, Gregor Gysi, kryetar i Partisë së Socializmit Demokratik (PDS) – pasardhëse e Partisë së Bashkimit Socialist Gjerman të Gjermanisë Lindore, u shpreh se nuk kishte patur dijeni për këtë gjë, ndërsa akuzohej për përdorim privat të kartës së bonusit. Prognozat tregojnë se PDS me në krye Gysin, ka mundësi të mos hyjë fare në parlamentin e ardhshëm gjerman, pasi nuk mund të kapë shifrën 5% të votave.

Parti të ndryshme, sidomos të majtat, mundohen të joshin grupe të caktuara të zgjedhësve, si homoseksualë, feministë, etj. duke reklamuar shijet e tyre edhe në afishet elektorale, siç mund të shihet edhe në ilustrimin, që shoqëron këtë shkrim. Autori i këtij shkrimi, është i bindur në faktin se, nëse personazhet pjesëmarrëse në këtë afishe simbolike të të gjelbërve, do të kishin ndërruar role, atëherë do kishim një diskutim të pafundëm në Gjermani lidhur me diskriminimin e gruas dhe Të gjelbërit do merrnin 0% të votave. Por në rastin në fjalë, kjo gjë kalon plotësisht në heshtje. Duket se gjermanët janë mësuar me një rol të tillë.

Vlen për t’u theksuar një gjë, Gjermania në vitet e kancelarit Shrëder ka shënuar rënie të ndjeshme ekonomike, ndonëse kancelari vetë gëzon akoma respektin e votuesve. Këtë gjë e tregojnë prognozat, që natyrisht kanë ardhur duke rënë, sa më shumë i afrohemi ditës së zgjedhjeve. Duket qartë, se nëse zgjedhjet fitohen nga koalicioni kuq-gjelbër i Shrëderit, atëherë Gjermania përgatitet vërtetë për një fazë të vështirë, e izolucioniste. Nëntekstet retorike të Shrëderit për “Rrugën gjermane” dhe “kolonës së pestë të opozitës”, synonin ngritjen e nacionalizmit gjerman pas frazeologjisë boshe dhe distancimin nga politika e përbashkët evropiane.

Nëse Shtoiberi dhe koalicioni Kristiandemokrat e Kristiansocial, bashkë me Partinë Liberal-Demokrate (FDP) fitojnë zgjedhjet nën okelion e tyre “Koha për veprim”, atëherë do pritet një ndryshim gradual në politikën gjermane, të brendshme dhe të jashtme, dhe pavarësisht konservatorizmit të Shtoiberit si politikan, ai premton hapur për një Gjermani në Evropë dhe aktive në strukturat ndërkombëtare.

Arben Çokaj, 01.09.2002.

Dërguar për botim në gazetën TemA, Tiranë

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu