Të mendosh politikisht

0
968
Kosova

Kosova, apo Kosovo, apo…?

Për herë të parë, në një bisedë të thjeshtë me një danez para disa viteve, ai më tha:
– Unë e di se ku është dallimi në mes Kosova dhe Kosovo…
– Pa ma thuaj, – i thashë.
– “Kosova” e quajnë shqiptarët, ndërsa “Kosovo” është emri zyrtar, me të cilin e thirrin serbët…

Nga ky kontekst, që mund të jetë tepër banal për shumëkënd, del në pah një detaj: ndryshimi i mbaresës “a” ose “o” në emrin e Kosovës, një ndryshim mes gjuhësh, kulturash, dominimi etj., i cili kalon shpeshherë i pavërejtur edhe nga shumë shqiptarë, sidomos kur ata shkruajnë ose shprehen në një gjuhë të huaj. Për hir të emrit zyrtar “Kosovo”, emri ndërkombëtar i Kosovës njihet si “Kosovo”, ndërkohë që shqiptarët në gjuhën e tyre të përditshme e quajnë atë Kosova – edhe zyrtarisht.

Gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998-99, gazeta daneze “Politikën” ishte ndër të rrallat gazeta të huaja, që kishte vendosur ta quante Kosovën me emrin e saj të vërtetë: Kosova. Në spjegimin e gazetës për këtë gjë, pasi serbët e Danimarkës ishin ankuar se gazeta po mbante krahun e shqiptarëve, thuhej se emrin “Kosova” e përdorin shumica e popullsisë së Kosovës, dhe për këtë arsye, gazeta në fjalë kishte zgjedhur ta quante këtë pjesë të globit, ashtu siç e quante shumica e banorëve të saj.

Me përjashtim të një filmi dokumentar, të prodhuar në tre pjesë për ngjarjet në Kosovë nga DR1 – kanali kryesor i televizionit danez, ku u përdor termi “Kosova”, mediat tjera daneze, ashtu si dhe pjesa tjetër e mediave në perëndim, mbetën skllave të termit zyrtar “Kosovo”. Edhe sot, pas ardhjes së lirisë në Kosovë, ky term vazhdon të ndajë me një mbaresë shkruesit dhe politikanët e ndryshëm.

Por, nga e ka prejardhjen vetë emri i Kosovës? A është ky një barbarizëm, pra një toponim që vjen nga emërtimi që mund t’i ketë bërë pushtuesi serb, kësaj zone të Dardanisë së lashtë? Kjo gjë duhet të sqarohet më qartë për publikun nga studiuesit shqiptarë, dhe s’ka dyshim se një punë mjaft e mirë është bërë brenda territiorit të Kosovës, në emërtimin dhe ri-emërtimin e shumë njësive rurale, rrugëve të Prishtinës etj. të cilat janë pastruar nga emrat me origjinë sllave.

Termi “Kosova” nuk duket se ka një spjegim apo kuptim në gjuhën shqipe. Ndërkohë që serbët thonë se “kosovo” quhet toka e mëllenjës (mullizezës). Sa e vërtetë është kjo, vlen të vlerësohet nga njohësit e gjuhës serbe. Pra, emri “Kosovo” gjen spjegim përmes gjuhës serbe, dhe kjo na e bën të qartë edhe një herë, se serbët me kohë e kanë menduar arsyetimin e tyre mbi Kosovën, e nëpërmjet saj, edhe legjitimitetin mbi atë pjesë të tokës shqiptare.

Fenomeni i barbarizmave në emërtimet e zonave, fshatrave, etj. ekziston realisht edhe në Shqipëri. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, shteti shqiptar nuk u mor si dhe sa duhet me këto gjëra, dhe pas viteve 90-të, Shqipëria duket se kishte halle të tjera. Në Shqipërinë e guximshme, që nuk ka frikë më se mund të sundohet nga të tjerët, askush nuk e ka vënë “ujin në zjarr” për t’u marrë me këtë gjë, bile kjo papërgjegjësi shkon deri atje, sa edhe në mes të Tiranës, të gjesh emra rrugësh, të cilat shkruhen keq, duke mos i respektuar rregullat e duhura gjuhësore.

Në kontekstin e këtij shkrimi, mund të thuhet se si në jug, ashtu edhe në veri të Shqipërisë, vazhdon të ketë akoma emra zonash, fshatrash, etj., që e kanë prejardhjen nga gjuhët e fqinjëve; nga greqishtja në jug, nga serbishtja në veri dhe nga turqishtja, gjithashtu.

Është e pafalshme, që të ruhen akoma emërtimet barbarike me origjinë sllave, greke, turke, etj. për zona, fshatra e njësi rurale në Shqipëri. Kështu kemi psh. në rrethin e Shkodrës fshatin bregdetar Velipojë, emri i së cilit vjen nga serbishtja “Veli polje” (fushë e gjërë), fshatin Zagorë (za gora – në mal), zonën Postopojë (posto polje – fushë e shkretë), apo Potgorë (pot gora – poshtë malit), etj. Po ashtu, emërtime të ndryshme barbarike, si këto të përmendura më lart, gjen edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë.

Është mirë, që pushteti lokal, kryepleqësitë e fshatrave, që duket se kanë probleme më të rëndësishme se sa emërtimet barbarike, të merren megjithatë edhe me këtë problem, i cili nuk është edhe aq pa rëndësi, sa të lihet pas dore. Dihet që emri i një personi ndikon edhe mbi karakterin psikologjik të tij… Merreni me mend se çfarë ndikimi mund të ketë atëherë mbi njerëzit, një emër barbarik i një fshati, apo zone të caktuar… Kjo gjë mund të kalojë pa u vënë re nga banorët e këtyre fshatrave e zonave, që mbajnë emër barbarik, të cilët nuk e dinë, ose nuk e kanë marrë mundimin ta ndryshojnë këtë, me një emër shqip më të përshtashëm. Por, në kontaktin e parë me një të huaj, kjo gjë bie menjëherë në sy.

Le të kthehemi përsëri tek Kosova dhe emri i saj. Shqiptarët e Kosovës, duke qenë më të rrezikuar dhe në përballje të vazhdueshme me armikun e tyre serb, ata duket se janë treguar më të ndjeshëm (brenda mundësive), edhe përsa i përket përdorimit të emrave shqiptarë, në emërtimet dhe ri-emërtimet shqip të zonave, fshatrave, njësive rurale dhe emrat e rrugëve, që kanë patur një emër sllav.

Po Kosova vetë, çfarë emri do ketë në të ardhmen?

Kur Kosova të ketë pavarësi të plotë, gjithçka do të varet nga organet e saj legjitime. Edhe emri “Kosova” mund të ndryshohet për republikën e re. Nëse mbahet emri ekzistues “Kosova”, kosovarët duhet të llogarisin edhe problemin “e vogël”, që del me mbaresën “o” të emrit zyrtar të saj. Pra, perëndimi do vazhdojë për inerci, ta thërrasë Kosovën “Kosovo” dhe do marrë kohë derisa termi “Kosova” të futet në përdorim të gjërë. E mira do ishte, që Kosova të kthehet në origjinë, pra të marrë emrin Dardania.

Por kjo gjë i përket të ardhmes, dhe politikanët shqiptarë të Kosovës, me të drejtë i preokupon sot më tepër statusi i ardhshëm i Kosovës, dhe problemet e përditshme, se sa zgjedhja e një emri. Ndonëse edhe emri vetë, duhet të bëhet temë e një diskutimi të ardhshëm, kur kushtet të flasin për të.

Arben Çokaj15.02.2003.

Publikuar në: Gazeta “Illyria”, USA, 25-27.02.2003, nr. 1218 | QIKTrepça.net

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu