E djathta e rrezikuar

0
648
Jozi - Saliu
Deputetet e PD, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli, gjate nje mbledhje te grupit parlamentar te Partise Demokratike, ku eshte diskutuar miratimi nga qeveria i projektligjit “Per ngritjen e Byrose Kombetare te Hetimit”./r/n/r/nLawmakers, Sali Berisha and Jozefina Topalli, during a meeting of the parliamentary group of Democratic Party, DP.

Nga Arben Çokaj, 25 shkurt 2009

Demat kanë filluar të ndeshen në një para-fushatë elektorale maratonë. Krerët e partive kryesore vendosen përballë alternativës së fitores, ose humbjes shkatërruese. Më të rrezikuarit janë dy më të mëdhenjtë, Berisha dhe Rama, të cilët i konsiderojnë këto zgjedhje si kulminante për karrierën e tyre: ose tërhiqen nga drejtimi i partisë, ose fitojnë. Ndër më pretendentët, Ilir Meta, luan me bllof. Me një politikë agresive dhe pritshmëri tej realitetit, ai synon të faktorizohet aq shumë, sa të mbijetojë. Por duket se synimi, që i ka vënë vetes, është tepër i lartë. Kaq i lartë do të jetë edhe çmimi, që do paguajë.

Supozohet se LSI mund të fitojë maks. 10 % të votave të përgjithshme, por sondazhet tregojnë më pak, rreth 5-6%. Me një matematikë të thjeshtë, kjo i bie të marrë 7-8, maks. 14 deputetë. Ndërsa Meta pretendon 35. Me ligjin e ri elektoral, e majta e sotme favorizohet së tepërmi për të fituar dhe për ta mbajtur pushtetin gjatë. Veçanërisht me lëvizjet e fundit të PD, e cila, e mbyllur në kullë, ka punuar çuditërisht keq, për të rrënuar partitë e djathta, duke izoluar kryetarët e tyre, në përpjekjen e saj për t’i patur të gjitha për vete. Sado e fortë të jetë PD, gjë që nuk rezulton e tillë, përsëri ajo e ka të pamundur të fitojë shumicën e vetme, vetëm në rast se zgjedhjet manipulohen.

Berisha, gjithçka për vete

Tashmë dihet nga të gjithë, se Berisha erdhi tek studentët në dhjetor 1990, i dërguar nga presidenti Ramiz Alia. Kur ai u shpreh kështu para studentëve, ata filluan të kundërshtojnë. Unë iu afrova atij, sapo kreu mitingu, dhe i thashë: “Nuk bëhet propagandë në raste të tilla…” Ai më shtrëngoi fort dhe më tha në mënyrën e tij, plot patos: “Ju dua me gjithë shpirt…” Koha tregoi, se kjo nuk ishte e vërtetë.

Berisha u bashkua me një alternativë popullore anti-komuniste, në kohën kur komunizmi po binte. Njerëzit kishin arsye të besonin diku, por kujt duhej t’i besonin ata? Askujt nuk do i shkonte mendja në atë kohë se, Berisha nuk do ndryshonte aspak nga drejtuesit tradicionalë shqiptarë, që u shërbejnë skemave të gatshme dhe hipin në pushtet vetëm për të pasuruar familjen e të afërmit e tyre, jo me punë, por duke abuzuar me fondet publike. As analistëve më të mirë shqiptarë, që e njihnin Berishën nga afër, nuk u shkonte mendja se Berisha i sotëm do të shmangte politikisht më parë një Mero Baze, se sa një kushërirë të së shoqes. Këto taktika janë importuar nga Fazlliçi. Berisha luajti një politikë të dyshimtë, problematike gjatë gjithë kohës, dhe sot kur ai nuk mund ta mbajë më veten, nga përkeqësimi i shëndetit, po del në dritë se paska qenë demagogu më i besueshëm në politikën shqiptare.

Berisha është tepër i plakur për të drejtuar një fushatë fitimtare, në kohën kur faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE kanë dhënë sinjale të qarta se, nuk i mbështesin disa nga nismat ligjore të tij, si psh. ligjin për lustracionin, dhe nuk i aprovojnë aspak, përkundrazi i kundërshtojnë me forcë veprimet agresive të qeverisë kundrejt mediave, akademisë së filmit “Marubi”, dhe më gjerë. Edhe kontrata me BG&R ka gjasa të mos përsëritet, kështu që nuk dihet se çfarë planesh ka Berisha për të fituar. Ndoshta me një mega-manipulim të votave, përmes kartave të reja të identitetit, të cilat mund të prodhohen në një numër më të madh, nga sa është numri i popullsisë. 100 mijë të tilla do të kryenin mjaft punë…

Manipulimi i zgjedhjeve, një formulë mbijetese

Një student i vitit 1996, më tregon se ai bashkë me studentë të tjerë, ku merrte pjesë edhe gazetarja e njohur Anila Basha (në atë kohë studente e padjallëzuar), kanë qenë pjesë e një manipulimi zgjedhor, duke votuar për Alush Shimën, kandidat i PD, me nga 10 fletë votimi njëherësh. Letrat ishin të gatshme – mjaftonte t’i hedhësh në kuti. Shima fitoi, por mandati i tij nuk zgjati, pasi ngjarjet e rënda të vitit 1997 pasuan pikërisht ato zgjedhje. Kushdo që sot mendon të manipulojë zgjedhjet, dhe ky mund të jetë kryeministri enigmatik, duhet te kujtojë ngjarjet rrënqethëse, kur shteti shqiptar u thye në kurriz. A është i gatshëm Berisha të rrënojë përsëri shtetin shqiptar, vetëm për të fituar? Kësaj nuk i dihet…

Sot është më e vështirë të manipulohen votimet, por rreziku ekziston dhe kartat e “sigurta” të identitetit, të cilat pajisen edhe me shenja gishtërinjsh, mund të bëhen fare thjeshtë pré e një abuzimi të paramenduar, si në vitin 1996. Njeriu që për 18 vjet rresht, në bashkëpunim, e bëri lëmsh politikën shqiptare, duke marrë mbi vete atribute që nuk i meritonte, nuk i dihet sot se çfarë plani ka, si zgjidhje gjeniale, për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Si mundet PD të fitojë, kur ka një të majtë kundër, e cila gjithsesi mbledh shumicën e votave dhe në të njëjtën kohë, ka kundërshti të forta brenda saj?

Media është nën presion të vazhdueshëm. Një gazetë e guximshme (TemA) është mbyllur, një shkollë filmi (Marubi) bllokohet, kriminaliteti dhe pasiguria në vend janë rritur. Përgjimet nga njëra anë dhe agjentët civilë të policisë në anën tjetër, survejojnë vazhdimisht veprimtarët politikë, që janë shprehur kritikë ndaj politikave qeverisëse. Përndjekje të tilla janë bërë aq të bezdisshme në Shkodër, sa imponohen me harbutëri.

Po ndodhin shumë gjëra të dyshimta dhe kjo nuk është shenjë aspak e mirë për standardin e zgjedhjeve të ardhshme. Zgjedhjet janë të rrezikuara. Me ose pa fitoren e Berishës, e djathta shqiptare ka të drejtë të ndjehet e rrezikuar, pasi ajo u mashtrua që në fillim të demokracisë dhe në 18 vjet tranzicion, ajo nuk arriti të merrte pronën e trashëguar. Edhe të persekutuarit politikë, si pjesë integrale e të djathtës shqiptare ndjehen të zhgënjyer nga politika e Berishës, e cila dëmshpërblen një numër të vogël drejtuesish të tyre dhe jo masën e gjerë të të persekutuarve.

Diktati në Shkodër

Në Shkodër vazhdon diktati mono-parti. Vota e shkodranëve vidhet nga drejtuesit e PD. Një votë e vjedhur, sjell pushtet të vjedhur dhe abuzim me të drejtat civile e pasurinë e përbashkët. Njerëzit janë mësuar tashmë me këtë verdikt hajnie, nga pafuqia e tyre për të kundërshtuar. Në kushte të tilla, drejtuesit e PD në Shkodër kanë mundur të mbijetojnë me një pushtet arrogant, dhe kanë dalë në krye njerëz pa vizione politike, servilë e të paaftë. Mënyra e përzgjedhjes së njerëzve në politikën mono-parti ka krijuar klanin e Jozit, i cili kontrollon me arrogancë politikën shkodrane dhe më gjerë. Frymëmarrja në demokraci është konkurrencë mes alternativash, por kjo bllokohet dhe kalon në ngërç pikërisht nga drejtues politikë të tipit simbolik si Topalli, ish-polici Çobaj, kryetari fluturak i Bashkisë, Luka etj., të cilët demokracinë e barazojnë vetëm me fitoren e tyre. Duke i marrë të gjitha për vete, deri edhe të drejtat familjare, ata janë bërë të padurueshëm për të tjerët dhe mbështetësit kanë filluar të rebelohen.

Ndër të parët që ngriti zërin kundër rreshtit, ishte deputeti i PD Gilman Bakalli. Ai nuk mund të rrinte gjithë kohën duke parë qafën e kolegut para tij. Sot deputeti shkodran, bashkë me avokat Ngjelën, janë bashkëthemelues të një partie të djathtë, pasi për të dy, PD nuk kishte vend për alternativa brenda saj. Disa parti të vogla kanë krijuar “Polin e Lirisë” – një lëvizje e djathtë, që shtrihet nga qendra deri tek e djathta konservative. Në politikë duhet të tërheqësh fort nga njëra anë, që të dëgjohesh. Këtë po bën edhe Meta në krahun tjetër. Por sa efektive do të jenë këto taktika për elektoratin e stërlodhur e të keq-ushqyer shqiptar? Nëse Meta ishte kryeministër në kohën kur u vodh thesari i shtetit, dhe ka pasur mundësi të marrë një dorë të mirë parásh, që duket se kanë filluar t’i mbarohen, po “Poli i Lirisë”, që përfaqëson një alternativë të djathtë, a ka pará të mjaftueshme, që të luajë politikë në kohën e sotme? Dhe politikë të djathtë, madje!

Publikuar në: TemA, 26.02.2009

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu