Tregime

0
1855
Short Stories
Because they are brief, short stories must be carefully crafted in order to accomplish its purpose. In most short stories, one main character faces a conflict that is worked out in the plot of the story.
T r e g i m e

( Disa nga tregimet e mia… )

[ Short Stories ] – EN

MBINGOPJE

tregim

Toka gjithkund ishte zhytur në ujë. Plisat e barit gja­llonin si mbretëri shushunjash. Vije këmbën në to dhe fundoseshe si në një kënetë – llucë përpirëse. Çizmet, ngandonjëherë përdoreshin si varka të vogla shpëtimi. Por me to, asgjë nuk ishte e sigurtë. E njëjta gjë sikur të luftoje me një pistoletë ping-pongu kundër një morie topash.

Shushunjat të thithnin gjakun. Vetëm të mos u bije në sqep. Ato ishin më të shumtat, që e popullonin atë vend. Tek-tuk takoje ndonjë pemë të ujët e të vlagësht, që hidhte shtat ‘si shtogu në mut’, si i thonë. Edhe ajo fundosej me rrënjët e saj në atë batak sundues të paqëndrueshëm, që s’mund t’i zije besë. E çuditshme. S’ma kishte marrë mendja, se do vin­te një kohë e tillë…

Mbingopje e ujët. Gjethet e barit kishin marrë nuanca të kafenjta në të zezë. Nuk mund të pinin më. As të hanin më tepër. Ndonëse fëmijët vazhdonin të dilnin të brishtë. Plisat e barit nuk kishin shërim. Ishte një sëmundje e për­gjithshme. Toka ishte bërë vetëvrasëse.

Megjithatë, toka e mbytur vazhdonte të rezistonte…

1993


KU JETA THJESHTËZOHET NË ORGANET GJENITALE

tregim

Kanaçe teknologjike. Se si më erdhi në mendje kjo fjalë. Shoh buzë tek ngjiten me afsh. Përjetim grotesk bardhë e zi. Kaloj në heshtje ballë sekuencave filmike jetuese. Askush s’e vë re ecjen time. Më gëzon fakti i kësaj moskujdesjeje. Në të vërtetë, pëlqej të jem moskujdesës. Sekuencat filmike më lënë shije kërpudhash. Bëj sikur ha. Ndonëse ha shumë. Kaloj nëpër mendje atë që pashë në heshtje. Buzët që ngjiteshin. Afshin e lodhur grotesk. Për­çudshëm ndërhynin ngjyrat bardhë e zi. Interferoheshin. Ngjethje mishi. Ndërthurje përziese.

Në këtë vend ka pak kohë që kam ardhur. Pak ditë për të parë atë që ndodh së tepërmi. Një biondinë me qenin e saj spërdridhet në stacion. Hedh sytë nga kalimtarët. Buzëqesh me gjithë shpirt, që i buron diku poshtë. Në një zonë lokali­zohen mendtë. Dikush thotë: “Mendtë përqendrohen mes këmbëve!”. Përfundim i studimit të fundit të institutit fiziolo­gjik. Koncept modernist vlerësues. Ashtu si ajo biondja në stacion. Qeshte me të madhe, kur një zezak i tregonte me dorë organin gjenital.

Ajo kënaqej dhe ai, zezaku, qeshte me zë baritoni. “Ha, ha… Ha, ha!” Me dorë vazhdonte të tregonte këmbën e tretë. Gjënë më të vlefshme të trupit të vet. Thonë se zezakët janë mjaft të shëndetshëm në këtë pikë. Ndaj dhe biondja qeshte. Ndaj dhe zezaku gugaste. Bënin seks e hanin çokollata. Jeta kështu e ka. I duhen shijuar resurset naty­rore. Pëlqenin reklamat. Muzikë, a-ha muzikë. ‘Heay metal’. Vdekje përgjëruese mbi gjunjët e saj. Pilulat kontraceptive, dorë me një. Simulantët…, para krevatit…

Në sallën e madhe qenë vendosur raftet. Në një rresht si koka ushtarësh. Zërat e largët e të pakuptueshëm dëgjohe­shin turbull. Një qarje fëmije dyngjyrësh, më brente shpirtin. Vijoja ecjen krah filmit jetues. Mollat po kalbeshin në degë. Shërbenin si ushqim për zogjtë. Në natën pa hënë, vetëm dhëmbët i shndrisnin njeriut. Në ditën pa diell, biondina qeshte, në kënaqësinë e saj periodike.

Qenie të konsumosura përtypëse. Robotikë të korrni­zuar. Dëshirat ngatërrohen me mungesën e kënaqjes. Kër­kim shansesh të humbura. Dekadencë përbuzëse. Në staci­onin e trenit, çifti b-z nuk e ndalonte qeshjen. Qeshte me shekullin e kaluar. Apo me çuditë e shekullit të ri. Fëmija që qante, më kujtonte sallatën e drekës. Ndaj dhe Sokrati e piu kupën e helmët… U mërzit nga kjo botë…

S’e di se pse më erdhi në mendje kjo fjalë, ‘kanaçe tek­nologjike’.

Tetor (11) 1993


REGJISORI

tregim

“Ti nuk pi?” më pyeti një zë dhe një paketë cigaresh u drejtua për nga unë.
“Jo!” u përgjigja unë.
“As alkool?!” vazhdoi zëri pyetsor me atë anglishten e tij të ngadaltë.
“As alkool!” fola unë qetësisht.
“Po ndonjë shoqe, a ke momentalisht?”

“Fatkeqësisht, jo,” ia ktheva unë, duke rrudhur supet e duke hapur paksa duart me habi. Ai qeshi me të madhe. Qeshja e tij elektrizoi edhe të tjerët, që po na dëgjonin dhe kështu u bë një qeshje korale, që më tepër i ngjante asaj gu­mëzhitjes së patave, kur u futet në mes ndonjë njeri.

“Atëherë, pse jetoni?!” buroi zëri kumbueshëm përmes dhëmbëve të ngjyrosur nga nikotina dhe që mbytej i valëzuar me atë të qeshurën e veçantë, në kënaqësinë e thënies së diç­kaje mjaft të zgjuar.

“Po unë tani sa kam ardhur…” u mundova unë të justifikoj veten, por fjalët e mia disi të trishtuara nuk mun­dën ta frenonin qeshjen e atyre njerëzve, që në të rrallë, flis­nin një anglishte të mangët.

Ishte një refren i dëgjuar. Fjalët e regjisorit iraken më kujtonin vitet e para studentore në Tiranë, për ‘tre cilësitë e studentit’, por nuk e di se pse në këtë rast, ato më lanë një shije jo fort të këndshme.

Jetonim në një kamp të vogël në Søbæk, i cili kishte formëm e një drejtkëndëshi dhe ndërtesat e kësaj forme konsistonin në njëkatëshe, jo shumë simpatike, të ndërtuara si duket shpejt e shpejt, për strehimin e refugjatëve. Jeta dukej e vështirë në atë izolim të tërthortë dhe në atë pamun­dësi frymëmarrjeje. E megjithatë, në thellësinë e saj të vysh­kur, mundoheshim të gjenim të bukurën, si ushqim të pazë­vendësueshëm.

* * *

Ishte ditë e shtunë. Një diell i dobët rrezatonte pas reve, që herë pas here tregonin pamëshirën për ta mbuluar krejtësisht, duke bërë që era të na depërtonte disi më thellë me akullsinë e vet. Kisha dalë krejt rastësisht dhe bluza e hollë që mbështillej pas trupit, dukej se më ngrinte edhe më tepër. Hunda filloi të më rridhte me piklat e një lëngu të ftohtë dhe kështu më lindi nevoja të përdor shpeshherë sha­minë, që kisha futur diku në xhepin e pasmë të pantallonave. I depërtova lehtë dorën në bel dhe i thashë:

“Eja t’i vidhemi këtij vendi të ekspozuar ndaj erës dhe shikimit të njerëzve.” Për çudi, si asnjëherë tjetër, në indife­rencën e tyre, të gjithë ata që kalonin, po tregoheshin tepër të mirësjellshëm me ne, gjë për të cilën, pikërisht në ato mo­mente nuk kishim nevojë. Ajo provoi t’i shmangej dorës sime dhe papritur u ngatërrua në një manaferrë, e gati sa nuk i grisi streçet e saj të holla, nën të cilat prisnin me ankth dy këmbë të drejta e të bukura. (Kjo ishte arsyeja ndoshta, që kohëve të fundit, vajzat i kishin bërë të modës streçet.)

“Mos provo të largohesh nga unë,” i thashë, “se ferrat të presin…”
Ajo qeshi. Qesha dhe unë.
“Pse më shikon ashtu?” më pyeti ajo, pasi sytë tanë ishin harruar në një shikim të ndërsjellët.
“Sepse ti më shikon ashtu!” u përgjigjja unë me humor.

E ndieja se po bëja një krim. Krimin më të këndshëm dhe më të paevitueshëm në botë. Ajo iu bashkua trupit tim dhe të dy ngjitur, ecëm dhe u fshehëm diku pas një muri tek salla e lojërave të asaj qyteze të vogël, që ishte aty pranë. S’donim të na rrihte era, e për më tepër nuk donim të na vrisnin shikimet e njerëzve. Ndërkohë e preka lehtë në fytyrë, ashtu siç ishim afër e afër, pastaj e pyeta për flokët, që i kishte të dredhura në bishtaleca të hollë si afrikane, extention.

Flokët e saj të gjatë e të derdhura, e pengonin na­tën kur flinte, me ato gërrecat e tyre. Lehtë e putha në faqe. Ishte një nga ato puthje, që të ndezë më shumë, se sa puthja e vrulltë dhe e afshët. Më pas guximi im u shtua dhe puthjet kaluan në sipërfaqen e lejueshme të fytyrës, mbi vetulla, qerpikë, hundë e për të përfunduar në buzët e saj të plota.

Gjithçka bëhej aq lehtë, saqë dukej sikur nuk donte ta prishte me papërmbajtjen e saj, atë bukuri të qetë e të pastër engjëllore. Por buzët e saj njomështake se si m’u dukën. Më dhanë një ndjesi të çuditshme e të këndshme, që përzihej me një joshje fluturake. U mbështet tek unë, ashtu e ngrohtë, e përshkruar nga një i kuq i flaktë, që e shtonte edhe më shu­më ëmbëlsinë e frutave të sapo pjekura.

“Jam e rrezikshme,” foli disi pa zë.
“Pse, do më vrasësh?”
“Do të të vras në zemër!…” vështroi ajo thellë në sytë e mi, disi e turbulluar.
“Pothuajse më ke vrarë,” buzëqesha unë. Një njeri kaloi aty pranë. Për fat të mirë, nuk na i hodhi sytë.
“Oh, zot!” thirri ajo kur ai iku.
“E njihni?” pyeta unë.
“Është një shok i babait…”

Megjithatë, ne nuk e prishëm mëkatin tonë. Mëkati s’ka se si të mëkatohet. Ajo kishte nevojë të harronte diçka, kishte nevojë të ngrohej në atë ngricë ere të ftohtë. U afrova përsëri me atë lehtësinë e një balerini me përvojë dhe e mora në krahë, ashtu të plogësht siç ishte. Me çelësin që kisha në xhep, hapa derën e palestrës, ku bënim ushtrime ‘bodybuil­ding’-u, u shtrimë në njërin nga dyshekët sportivë të atje­shëm dhe veprimet tona filluan të ngjalleshin, filluan të rris­nin frymëmarrjen…

* * *

Që nga ajo ditë, regjisori filloi të mos më fliste më si më parë, as të më përqeshte.

Mars (26) 1994

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu