Moratorium, Senatorium, Krematorium *)

0
1200
Moratorium

Nga Arben ÇOKAJ

Kosova në rrugën e saj drejt pavarësisë, po ndeshet me gjëra nga më të çuditshmet në botë. Shkelje drastike të ligjeve mbi votën e lirë dhe respektit për këtë votë të dhënë nga popullsia e Kosovës, janë vënë re në Kosovë edhe më përpara, të cilat janë pranuar në heshtje edhe nga bashkësia ndërkombëtare, pasi kjo gjë është pëlqyer nga një “pjesë” e saj. Ndërkohë që këto shkelje të normave demokratike u pranuan nga partitë politike të Kosovës, për arsye të unitetit e mirëkuptimit, ato sollën në krye të qeverisë së Kosovës një kryeministër nga PDK-ja, një parti humbëse në zgjedhje, kur dihet se LDK-ja kishte fituar shumicën dërrmuese të votave, që çdo parti në perëndim do e kishte zili.

Në bazë të normave demokratike, dhe respektit për to, LDK-ja duhej të kishte të gjithë pushtetin në dorë, se kështu ishte shprehur me votë, vullneti i shumicës në Kosovë.Thuhet (nën zë) gjithashtu se edhe votat u “mjeshtruan” disi nga ndërkombëtarët, që LDK të mos kishte shumicën absolute në zgjedhje, pasi ndërkombëtarët i ndruheshin kësaj force politike, e cila për vite me radhë e kishte trasuar rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Atëherë kur Kosova ishte e pushtuar nga serbët, LDK-ja mundi të organizonte popullin e Kosovës në një pushtet paralel në Kosovë, dhe me qeverinë e saj në ekzil, LDK-ja mundi të mblidhte fonde për Kosovën, pa të cilat Kosova sot as nuk do e shihte lirinë e saj. Por, për hir të kompromisit e mirëkuptimit me pjesën tjetër shqiptare, që do veç pushtet, e që doli në dritë si “joker” evropian në kohën e luftës, udhëheqësit e LDK-së e të tjerë, pranuan që në Rambuje, kryetar i delegacionit shqiptar të ishte Hashim Thaçi, në atë kohë një përfaqësues i UÇK-së, por pa përvojën e duhur politike, sa gati rrezikoi edhe nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar nga Medlin Ollbrajt.

Këto ditë, po ndeshemi me një term të ri në politikën kosovare; me një lapsus tjetër të Thaçit: Moratoriumin e Shtajnerit, i cili nga paaftësia për t’u kuptuar, u pranua edhe nga kreu i PDK-së. I preferuari i të ndjerit Xhinxhiç, duket se është në gjendje të pranojë çdo formulë, e cila pëlqehet nga një “pjesë” e ndërkombëtarëve, që ai të bëhet i preferuari i tyre. Kjo padyshim, gjen edhe spjegimin e vet psikologjik, nëse i referohemi psiko-analizës së Frojdit, e cila duket se është lexuar së prapthi, nga një pjesë e diplomacisë evropiane.

Po cila pjesë e ndërkombëtarëve pëlqen një moratorium ndërkombëtar për Kosovën dhe çfarë interesi mund të ketë Kosova nga një shpikje e tillë?

Gjatë konfliktit në Irak, diplomacia ndërkombëtare u ndesh me një fenomen të paparashikuar. Aleatët amerikanë, Franca e Gjermania dolën agresivisht hapur kundër interesave të SHBA-ve dhe u vunë si korrilat në një rresht me Rusinë. Harta politike e botës, me ndihmën e pakursyer të kancelarit gjerman Shrëder, filloi ravijëzimin e një skeme të re, skemën e humbësve, e cila nuk dihet se si do të evoluojë në të ardhmen. Psikanaliza e Frojdit na tregon, se sjellje të tilla dështakësh, janë psikologjikisht të pakurueshme. Por ne të urojmë të paktën, që kjo gjë të dalë për mirë…

Ky diversitet i ri në politikën e më të mëdhenjve të kësaj bote, nuk pritej dhe as që mund të pritet të kalojë pa ndikim në Kosovë. Por shqiptarët duhet të mos gjenden të papregatitur. Politikani i njohur shqiptar, Arbën Xhaferri ndruhet se, ky krah i sapo-lindur politik, mund të vëjë veton një ditë kundër pavarësisë së Kosovës, e kjo mund të bëhet vetëm për interesat e tyre meskine e banale si në rastin e Irakut. Psikologjikisht, kjo gjë mund të ndodhë, vetëm për hir të “vjerrës”, ku nusja “shkon e flë me mullixhinë”…

Nga ana tjetër, Anglia, e cila gjatë kësaj kohe ka obligime të tjera të rëndësishme, mund të lejojë në Kosovë idenë e një moratoriumi, përderisa anglo-saksonët kanë punë më të rëndësishme për të bërë, dhe nuk dëshirojnë që procesi i pavarësisë së Kosovës t’iu irritojë nervat edhe më shumë “aleatëve” të tyre franko-gjermanë. Për aq kohë sa në Gjermani, do jetë në pushtet Shrëder, kjo aleancë franko-gjermane dhe prishja e marrëdhënieve me administratën amerikane, do jetë një fatkeqësi jo vetëm për popullin gjerman, i cili po provon ditët më të vështira që nga lufta e dytë botërore, por do sjellë edhe fatkeqësi të tjera në çështjet ndërkombëtare, ashtu siç imponoi edhe luftën në Irak.

Që kjo ide e moratoriumit të mos vihet në zbatim në Kosovë, duhet që politika kosovare të reagojë energjikisht kundër saj – dhe këtë gjë e ka bërë mjaft mirë LDK-ja. Kreu i PDK-së të sqarohet më mirë për rrezikun, që kjo “status-quo” e çuditshme do i sjellë Kosovës në të ardhmen, nëse ai ka bërë një lëvizje të pallogaritur mirë, e që duhet të tërhiqet prej saj. Kosova dhe pavarësia e saj, është më e rëndësishme se çdo orvatje jo-qëllim mirë e kujtdo politikani të përkohshëm shqiptar në Kosovë. Një individ dhe interesat e tij, janë të përkohëshme, ndërsa Kosova dhe pavarësia e saj, janë çështje kardinale dhe të përhershme, pasi ngrihen mbi vullnetin e një popullsie vitale, që ka dhënë mijëra e mijëra jetë njerëzish për lirinë e saj. Populli shqiptar i Kosovës e meriton pavarësinë, pavarësisht nëse plotësohen apo jo, “standartet e Shtajnerit”…

Politikanët kosovarë, ndonëse kanë bërë marrëveshje mirëkuptimi në krijimin me konsensus të delegacionit shqiptar në Rambuje, krijimin e qeverisë, etj. nuk po shfaqin sot një dëshirë të hapur bashkëveprimi, në interes të pavarësisë së Kosovës. Kjo shihet edhe tek veprimi i fundit i Thaçit, i cili pa u konsultuar paraprakisht me subjekte të tjera politike në Kosovë, shprehet për një moratorium ndërkombëtar të Kosovës.

Interesat e bashkësisë ndërkombëtare janë të ndryshme, dhe ato variojnë shpeshherë edhe në kundërshti me rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, pasi bashkësia ndërkombëtare vetë, e parë si e tërë, është e ndarë. Nga ana tjetër, interes i bashkësisë ndërkombëtare, mund të bëhet edhe mendimi i një individi të vetëm, siç është për shembull Shtajneri – përfaqësuesi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë. Dhe mjafton vetëm një dëshirë e tij, apo një mendim mbi bazë të një interesi të caktuar, që Shtajner t’ia shpreh një diplomati perëndimor, dhe kjo dëshirë të mbështetet për arsye konformiste, si diçka ndërkombëtare. Pra, me një fjalë, bashkësia ndërkombëtare mund të japë opsionin e një individi të vetëm, se kështu ekziston edhe forma e të menduarit e vepruarit në këtë bashkësi, nëse kjo gjë nuk kundërshtohet me forcë dhe argumente nga një palë tjetër.

Ne e pamë edhe në konfliktin e Irakut, se nëse amerikanët marrin një iniciativë, ajo do kundërshohet patjetër nga të tjerët, të cilët përbënin në këtë rast korin e zërave të humbur, dhe që turbulluan botën mbarë me protesta qesharake të pacifistëve, që vuanin nga dëshira për t’u zhveshur. Koha e tregoi kush kishte të drejtë më shumë.

Një gjë është e qartë, ai krah politik që kundërshtonte dikur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, dhe presonte e përpiqej të nxirrte jashtë loje veprimarët shqiptarë pro-pavarësisë së Kosovës, është edhe sot në perëndim një pengesë serioze për pavarësinë e saj. Prandaj, politikanët kosovarë, duke përfshirë këtu edhe kreun e PDK-së, Hashim Thaçin, duhet të dinë se cilat këshilla e sugjerime janë të pranueshme e në interes të Kosovës. Një moratorium nuk është i pranueshëm.

Në rastin më të keq, Kosova do ndeshej me një efekt të tillë, i cili do e kalonte shoqërinë kosovare në një kllapi, gjendje të sëmurë, dhe kështu do ishte e pazonja të kujdesej për vetveten. Pra stadi i dytë pas kësaj përpjekje për moratorium në Kosovë, do jetë figurativisht senatoriumi, e pas tij vjen krematoriumi… Vullneti i shoqërisë kosovare do jetë në duar të xhunglerëve të papërgjegjshëm, dhe Kosova gradualisht do humbte edhe konturet e saj – e si rrjedhojë as që mund të mendohet për pavarësi.

Nuk mund të pritet zhvillim ekonomiko-shoqëror i shoqërisë kosovare, përderisa Kosova është në duart e dikujt tjetër, e jo në duart e popullit të vet, i cili me votën e lirë përcakton politikanët që duhet ta drejtojnë Kosovën për nga begatia e prosperiteti.

Kosova është e përcaktuar për pavarësinë e saj. Një moratorium ndërkombëtar duhet të vlerësohet prej politikës kosovare si diçka e panevojshme, pasi kushtet janë pjekur, që statusi i Kosovës të përcaktohet një herë e mirë, dhe verdiktin e ka dhënë vetë populli e Kosovës me referendumin e tij. Këtij verdikti duhet t’i përmbahen pa ekuivok udhëheqësit politikë shqiptarë, nëse ata duan ta gëzojnë edhe më gjatë besimin e popullit të vet.


*)
Moratorium ka kuptimin e: 1. autorizim për vonesën e një pagese, për arsye të kryerjes së një detyrimi tjetër legal, si në rastin e një urgjence; 2. periudha gjatë së cilës ky autorizim vazhdon; 3. pushim i përkohshëm i aktivitetit, në rastin kur aktiviteti konsiderohet armiqësor ose i rrezikshëm. (Marrë nga fjalori enciklopedik i Webster-it).
Senatorium – spital që meret me trajtimin e njerëzve të sëmurë në mushkëri apo rrugët e frymëmarrjes.
Krematorium – morg ku digjen kufomat e njerëzve të vdekur, nëse ata kanë zgjedhur të mos varrosen.

14 prill 2003

Botuar: Gazeta “Illyria“, New York, Nr.1232, 15-17 Prill 2003
Dërguar përQIK – opinione | Shekulli

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu