Një takim historik i BE-së në Kopenhagë

0
1305

10 vende të tjera i shtohen Bashkimit Evropian

Në datat 12-13 dhjetor, u mbajt në Kopenhagë një takim i përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Tema kryesore e diskutimit, ishte zgjerimi i BE-së edhe me 10 shtete të tjera, shumica e të cilave nga vendet e lindjes. Kryesia e radhës daneze u kurorëzua këto ditë me një sukses të madh, duke i bashkangjitur Bashkimit Evropian 10 shtete të tjera: Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Çekinë, Sllovakinë, Hungarinë, Slloveninë, Qipron dhe Maltën, të cilat do të funksionojnë si shtete të barabarta të Bashkimit Evropian, që nga 1 maji 2004.

Turqia kishte bërë presion mbi BE-në, që t’i caktohej një datë për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE brenda vitit 2003. Kjo kërkesë mbështetej edhe nga administrata amerikane. Presidenti Bush i bëri një telefonatë kryeministrit danez Rasmussen, dy ditë para se të fillonte takimi, ku i kërkonte atij, që Turqisë t’i jepej prioritet. Kërkesa e Turqisë, dhe sidomos ndërhyrja amerikane në këtë drejtim, nuk u konsiderua pozitivisht nga disa përfaqërsues të BE-së, e cila e ndikuar dukshëm nga e majta evropiane, gjithnjë e më tepër po shfaq shenja pakënaqësie ndaj administratës amerikane. Megjithatë, BE-ja konkludoi gjatë këtij takimi se bisedimet me Turqinë, lidhur me anëtarësimin e saj, do të fillojnë në dhjetor të vitit 2004, dhe sidomos gjatë verës 2005.

Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhëniësit të saj Fleischer, u shpreh e kënaqur për vendimin e BE-së lidhur me Turqinë, ndonëse ata kishin kërkuar një datë më të afërt për bisedimet. Ndërsa kryeministri turk Abdullah Gül shprehet se nuk pajtohet me një ofertë të tillë nga BE-ja, pasi kjo përbën një ndryshim të madh trajtimor.

Komente të shumta i ndoqën këto ditë punimet e këtij takimi të lartë të BE-së, sidomos lidhur me arsyet pse Turqia neglizhohet. Duket se shtetet evropiane dhe popullsia e saj, kanë një ndrojtje të madhe në drejtim të futjes së Turqisë brenda BE-së, si shtet të barabartë, pasi popullsia turke ka besim mysliman, dhe këtu luan rol të madh edhe fakti se, Turqia në një të ardhme të afërt mund të bëhet shteti me popullsi më të madhe i Bashkimit Evropian.

Në fund të takimit, kryeministri danez Rasmussen, u shpreh se “një Evropë e re ka lindur”. Ai arriti që me ndihmën e kancelarit gjerman Shrëder, t’i mbushte mendjen Polonisë, që të pranonte anëtarësinë, duke shtuar me mbi njëqind milionë Euro ndihmën që Bashkimi Evropian i jepte Polonisë, që të vazhdonte reformat e saj në ekonomi. Polonia kishte shfaqur pakënaqësi me ndihmën ekonomike të ofruar nga BE-ja për reformat, dhe kërkonte më shumë para prej vendeve anëtare.

Takimi i lartë i Bashkimit Evropian është një hap i madh drejt një Evrope të re, një Evrope të përbashkët, ku integrimi ndërnacional, i jep fund një periudhe të errët të historisë evropiane, të mbushur me konflikte e luftëra të mëdha.

Tani shikimi i vendeve anëtare të BE-së, do të kthehet padyshim drejt vendeve të Ballkanit; pikërisht Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë e Serbisë, të cilat janë të futura si pykë në gjirin e hartës së Bashkimit Evropian. Gazeta daneze Politiken thekson se “përveç Shqipërisë, e cila po ecën drejt reformave, shtetet e tjera kanë një demokraci fasadë”. Ky është një konstatim pozitiv për Shqipërinë, dhe të shpresojmë se reformat e nisura dhe konsensusi politik në Shqipëri, do hapin dritën jeshile edhe për një Shqipëri në BE, në vitin 2007.

Por deri atëherë duhet të bëhet shumë punë në Shqipëri.

Arben Çokaj
Kopenhagë, 14.12.2002
PublikuarQIKTrepça.net

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu