Kur rracat ndërthuren… | |
A janë paragjykimet e njerëzve apo gjenet, ato që përcaktojnë sjelljet e njerëzve në rraca të ndryshme, në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin?
Një pikëpyetje që të bën të mendosh… — Histori të vërteta, të kthyera në tregime. |
Tërheqja pas emrit
“Biljana” – tha ai prerë.
Gruaja, Nehibja shqeu sytë: “Çfarë thua oj burrë?! A emën shkine, po don me i vu çikës a?”
Po Osmani nuk bani za. Pastaj foli ngadalë: “Që të mos na lindin ma fëmijë, po i jap një emën shkine…” Dhe vërtetë, banorët shqiptarë të atyre zonave, kur donin që të mos iu lindin më fëmijë, apo kur pas radhës së vajzave dëshironin me ngadhënjim një djalë, ata i vinin fëmijës së fundit një emër shkau, dhe kështu besonin se Zoti do i ndihmonte ata në dëshirën e tyre.
Është e çuditshme, se në të shumtën e rasteve kjo dëshirë edhe u plotësohej dhe vërtetë që kjo gjë ngjall habi, ashtu si edhe misteri gjenetik i riprodhimit në kushte të caktuara jetësore. Thonë gjithashtu se, nëse babai është i dehur, në rastin kur e shoqja mbetet shtatzënë, atëherë fëmija e tij ka mundësi të lindë me të meta. Besohet se kemi të bëjmë këtu me një ekzaltim të gjeneve, gjë që sjellë edhe pasoja tek individi i ri, që lind nga një rastësi e tillë…
Në të vërtetë, Osmani e kishte mendjen diku tjetër. Një kujtim i largët po i vinte në mendje gjithnjë e më shpesh këto ditë dhe dukej sikur po e torturonte. Biljana, ah Biljana! Sa herë e kishte sjellë në kujtesën e tij atë trup të bukur e të lidhur femre, ato këmbë të mbushura e vithe me formë të rregullt, si një statujë mermeri e bardhë. Çfarë duhet të ketë menduar vallë Osmani atë natë, kur e shoqja e tij mbeti shta¬tzënë me vajzën e fundit, e cila mori emrin Biljana?…
* * *
Në të ritë e tij, Osmani kishte patur një histori dashu¬rie, që i kishte dalldisur mendjen, e që nuk guxonte t’ia tre¬gonte askujt. I kishte rënë aq keq në kokë Biljana, bashkë¬fshatarja e tij serbe, shoqja e klasës, saqë gjumi i natës nuk e zinte. Por ai nuk guxonte t’i thoshte asaj asnjë fjalë, nga frika se kjo mund t’i shkaktonte probleme atij dhe familjes.
Si çdo dashuri platonike e papërmbushur, ajo lë gjurmë të thella në subkoshiencë, shpeshherë më tepër se dashuritë e përmbushura. Dashuri të tilla shoqërohen vetëm me fazën e adhurimit, atë të ideales, e nuk përmbajnë asnjë element të vrazhdë, që rëndom ndodh në marrëdhëniet intime ndër¬mjet njerëzve. Edhe Osmani e ruante të paprekur në nën¬ndërgjegjen e tij këtë dashuri brilante për shoqen e klasës, vajzën e bukur serbe. Kishte shkëmbyer shikime të nxehta me të, ndonjë ngjeshje të rastësishme me trupin e saj, kur vraponte pas saj të dilte nga klasa dhe ku një afsh i rrëmbyer i ngrohte gjithë trupin dhe i mbushte shpirtin me frymëzim. Biljana, dukej se me intuitën femërore të saj, kishte mundur t’i kuptonte sinjalet djaloshare të Osmanit, por kjo dashuri nuk u kurorëzua kurrë.
Shkolla e mesme mbaroi, e Osmanit iu desh tani që t’iu përveshte punëve të shtëpisë, për të ndihmuar babanë e tij, që të mbante familjen. Biljanën e pa për herë të fundit, ditën e dasmës së saj; ajo u martua me një serb nga Nishi; larg diku larg. Osmani nuk do e harronte kurrë këtë ditë, e sido¬mos lotët e Biljanës dhe fjalët: “Pse nuk më the asnjëherë?…”, që ajo ia tha atij, kur Osmani u afrua që t’i jepte dorën.
* * *
Vajza e vogël Biljana, e bija e Osman Zenelit, pati një fëmijëri si gjitha vajzat e tjera të asaj zone. Ndryshimi ishte vetëm emri i saj. Kuptohet, një lloj përbuzjeje nga fëmijët e tjerë të racës së saj, pikërisht prej emrit, që e shoqëroi atë gjithë kohën. Kur Biljana filloi të kuptonte, ajo prezantohej thjeshtë si Lana, dhe kishte dëshirë të thirrej kështu. I dukej më e pranueshme.
Në moshën 17-vjeçare, Lana u martua me shkuesi, me një djalë nga një fshat i Prizrenit. Basmir Culi quhej. Basmi¬ri merrej veç tjerash edhe me “body-building”, pra ushtronte në një qendër fitness-i (palestër) dhe kishe formuar kështu një trup të bëshëm. Ngjarjet në Kosovë e detyruan çiftin e ri, që shumë shpejt të largohej nga vendi, dhe kështu me një fëmijë të vogël, Basmiri e Lana përfunduan në Kopenhagë.
Kopenhaga gëlonte atëbotë nga refugjatët e ish-Jugos¬llavisë, ashtu siç mund të ishin mbushur me refugjatë nga lufta në Bosnjë edhe vende të tjera evropiane. Kështu që për Basmirin muskuloz, kjo lëvizje në një vend të largët dhe problemet që të jep jeta në një kamp refugjatësh, nuk kaluan pa u shoqëruar edhe me zënka, e shpeshherë kacafytje me njerëz të tjerë, banorë të kampit. Basmiri e mbante veten edhe për patriot të fortë, por asnjëherë nuk e pagoi 3%, që kërkohej nga qeveria e Kosovës në ekzil, dhe kur filloi lufta në Kosovë, ai filloj gjithashtu t’i shmangej çdo lloj detyrimi për të ndihmuar luftën. I dukej më e mençur të shihte punët e tij në këtë rast, edhe pse patriot i madh.
Pasi jetuan rreth katër vjet e gjysëm në kampet e refu¬gjatëve në Danimarkë, familjes Culi iu dha qëndrim në vend, pavarësisht bëmave të muskulozit Basmir. Që në atë kohë, flitej se Basmiri kishte therur një serb të Bosnjes 15 herë me thikë, e për të justifikuar këtë, ai kishte pranuar të bënte sikur ishte i sëmurë psiqikisht.
Familja u gëzua shumë për qëndrimin dhe shumë shpejt, Komuna e Kopenhagës u gjeti atyre një apartament në një lagje në periferi të qytetit. Ishte ndërtuar një kom¬pleks i ri e modern banesash në atë zonë, dhe autoritetet lokale kishin menduar që këtë kompleks ta popullonin me banorë të huaj, shumica ish-azilantë. Në të njëjtën hyrje me familjen Culi ishin edhe 3 familje të tjera shqiptare dhe fqinjësia e mirë dominohej shpesh nga egoja e Basmirit për superioritet, falë muskujve të fuqishëm që ai kishte.
Fqinjët shqiptarë të pallatit, por edhe të tjerët aty, kishin vënë re prirjen e Basmirit për të dominuar, e sidomos dëshirën e tij për të trembur fëmijët shqiptarë të lagjes.
– Lana, po shkoj të ushtroj! – dëgjohej refreni i përdit¬shëm i tij tek i fliste së shoqes, ndërsa zbriste shkallët tepo¬shtë, ndonëse e shoqja nuk e dëgjonte.
Në Kopenhagë, autoritetet lokale përdorin shumë kohë për t’i integruar të huajt që marrin qëndrim aty, dhe gjatë kësaj kohe, këta të huaj marrin ndihmë sociale e nuk punoj¬në. Ndodh, që dikujt i shkon gjithë jeta pa punuar fare. Meqë Basmiri nuk e dëshironte punën, ai merrej gjithë ditën me prishjen e ndreqjen e biçikletave, i gjente të prishura dhe i rregullonte e i shiste, dhe shkonte e bënte ushtrime e sorolla¬tej më pas kot së koti.
“Po ta di, se cili gisht i dorës e ka qejf punën, unë do e këpus…” – kapardisej ai për shtatë palë qejfe, herë pas here para shqiptarëve të tjerë. E nuk ishte vetëm ai, që e thoshte këtë. Kishte gjetur vendin. Sistemi social danez, ku një pjesë e popullsisë punojnë e paguajnë taksa të larta, e një pjesë tjetër rrinë e marrin ndihmë sociale nga tatimi i taksapagu¬esve, nuk ka se si të mos ngjallë një ndërgjegje të sëmurë tek pjesa më e madhe e shoqërisë. Dhe me të drejtë, në shoqërinë daneze gjen edhe barsoleta të llojit: “Kush punon ha, e kush s’punon ha e pi…”
Nuk dihet se kush ia kishte futur në mendje idenë Basmirit, që ai të kërkonte pension si i sëmurë psiqik. Ndo¬shta psikologia e tij, që e mbushte me ilaçe anti-depresive, të cilat Basmiri i hidhte në WC.
Nëse kemi parasysh faktin, se shume njerëz jetojnë me ndihma sociale në Kopenhagë, kjo është diçka që dihet, dhe logjika shoqërore e pranon këtë, duke menduar se këta nje¬rëz në ndihmë sociale mund edhe të përdoren një ditë, kur shoqëria të ketë nevojë për ta. Nga ana tjetër, këta njerëz që marrin ndihmë sociale, përdoren më tepër si klientë, që të plotësojnë numrin e duhur të klientëve, që u duhen punonjë¬sve socialë, për të marrë rrogën e tyre. Por për arsye se kasa e shtetit ka ardhur duke u shterur, ngaqë ka më shumë që marrin e duan të marrin, se ata që japin, autoritetet lokale përdorin në këtë kohë një politikë tepër të rreptë, saqë mund edhe të përfundosh në varreza, para se të kesh marrë një pensioni social. Pasi pensioni konsiderohet sidoqoftë si i për-jetshëm, ndonëse pasiguria është gjithmonë ekzistente. Pasi¬guria dhe histeria janë edhe elementet bazë, që e mbajnë shoqërinë daneze të lidhur…
Dhe Basmirit filloi të mos i shkonte puna siç duhet. E shoqja e tij Lana, u thirr ato ditë në komunë, dhe u pyet për marrëdhëniet e saj me burrin e vet.
– A të keqtrajton burri? – e pyeti ndër tjerash punonjësja sociale.
– Po besa, shpeshherë ma heq ndonjë dajak – u përgjigj Lana, me shpresë se do e ndihmonte burrin, që të dilte në pension.
– Kjo nuk duhet të lejohet! – foli punonjësja sociale, – por ti duhet të na lajmërosh ne, sa herë që ai përdor dhunë kun¬dër teje.
Dhe kështu ndodhi. Dalë-ngadalë e shoqja filloi të rap¬ortonte në komunë për veprimet e Basmirit, gjithmonë për ta ndihmuar atë, natyrisht.
– Ju ia jepni ilaçet falas atij, por ai nuk i pi, i hedh në banjë… – po i thoshte Lana një ditë me telefon punonjës soci¬ale. Duket se Basmiri, nga stimulant si i sëmurë psiqik, po fillonte të konsiderohej tani si vërtetë i sëmurë psiqik, edhe nga e shoqja. Dhe veprimet e tij, gjithnjë e më tepër, edhe nga fqinjët po shiheshin si veprimet e një budallai.
– Si? Ai duhet t’i pijë ilaçet, se i bëjnë mirë! – ia kthen punonjësja sociale.
Dhe komuna vërtetë fillon dhe e detyron Basmirin t’i pinte ilaçet me zor. I vijnë në shtëpi dy gra nga qendra soci¬ale, çdo mëngjes, për ta parë Basmirin tek i pinte ilaçet. Pas kësaj plasi sherri.
– Lana, kush i ka tregua atyne, se unë nuk i pi ilaçet? – pyeti ai të shoqen, pasi punonjëset kishin ikur.
– Nuk e di! – iu përgjigj e shoqja.
– Si nuk e di?
– Po këta ndoshta dojnë me u siguru, se komuna i kqyr mirë punët… – justifikoi Lana.
Basmiri kishte tani tre fëmijë me Lanën. Ilaçet që filloi t’i pinte, filluan ta qetësonin për disa orë paraditeve, por nga pasditja, një shqetësim i brendshëm filloi t’i lindte, i cili erdhi me kohën gjithnjë e duke u rritur. Në një dyshim parano¬jaku, ai besonte se e shoqja ishte duke ia shitur interesat dhe nuk munguan rastet e dhunës ndaj saj e fëmijëve. Filloi gra¬dualisht të tjetërsohej; kur vinin punonjëset e komunës, ai rrinte urtë, i qeshur e i butë si qengj, ndërsa kur iknin ata, ai fillonte të turfullonte. Sidomos pasditeve, ai bëhej keq fare. Fillonte me të shara, dhe e çonte zërin në kupë të qiellit e nuk përtonte të ngacmonte me fjalë të pista edhe fëmijët e vegjël të familjeve shqiptare aty. Dhuna ndaj të shoqes e fëmijëve, si më të dobët fizikisht, filloi të bëhej pjesë e jetës së tij. Lana e kuptoi se çfarë kishte bërë, dhe nuk i lajmëroi më komunalët për sjelljet e Basmirit.
– Mirë është mirë, ilaçet po e ndihmojnë shumë… – u thoshte ajo punonjësve të Komunës, përkundër informacio¬nit, që ata mund të merrnin nga ndonjë fqinj, që ishte cak¬tuar prej tyre të informonte.
Pas tetë muajsh, kërkesa e Basmirit për pension social u pranua. Familja Culi e festoi këtë ditë si ditë të rëndësish¬me, bile edhe fqinjët shqiptarë u ftuan për darkë.
Të nesërmen e asaj dite, kontrollorët komunalë të ilaçe¬ve nuk erdhën më në shtëpinë e Basmirit për të kontrolluar pirjen e ilaçeve. Basmiri u gëzua shumë. “Më në fund i lirë!” – thirri ai me gëzim dhe u hodh përpjetë dhe i hodhi ilaçet në WC. Pastaj iu përbetua të shoqes, se kurrë më nuk do ta rrihte.
Por nga pasditja e asaj dite, ai filloi të bëhej keq. Nuk e dinte se çfarë po i ndodhte. Iu morën pak mendtë dhe figura të ndryshme filluan t’i shfaqeshin para syve. Kjo erdhi gjith¬një duke u rënduar, ndërkohë që nuk duronte njeri afër vet¬es, nervozohej pa gjë të keq, dridhej dhe nuk mundi të flejë një pjesë të mirë të natës. Në mëngjesin e ditës tjetër ishte edhe më keq. Premtimin për të mos e rrahur të shoqen apo fëmijët nuk mundi ta mbante.
Që atë ditë, ai e kapi për flokësh të shoqen dhe fshiu kuzhinën me të, duke e sharë e duke e goditur me shqelma. Pastaj kapi vajzën e madhe, e cila deshi të ndihmonte të ëmën dhe e rrahu mirë e mirë, e lidhi për karrige, dhe e futi dhe e harroi në banjë. Gjithë pallati e dëgjonte zërin e tij të lartë dhe rënkimet e së shoqes nga goditjet. Njëri nga kom¬shinjtë, me siguri ai që kishte qenë caktuar nga komuna, që të vëzhgonte sjelljet e Basmirit, a është i sëmurë apo jo, thirri policinë dhe ndërkohë që Basmiri vazhdonte të rrihte të sho¬qen, dera e shtëpisë trokiti me forcë:
– Hape derën! Jemi policia!
Basmiri ngriu në vend. U afrua tek dera, dhe nuk dinte ç’të thoshte. Shikoi përsëri të shoqen, fytyrën e saj të gja¬kosur dhe lëshoi një zë vajtues:
– Oh kuku, ç’paskam ba?!…
– Åben døren – bërtiti përsëri zëri i policit në danisht, nga prapa derës.
Dhe Basmiri e hapi derën. Policia u fut me rrëmbim brenda, vuri Basmirin me duar lart e fytyrë nga muri, dhe filloi të fliste me Lanën.
Atë natë Basmirin e mbajtën në rajonin e policisë. Të nesërmen, e çuan në një qendër azili pleqsh, që monitorohej nga një personel, jo shumë larg shtëpisë së tij. Në fillim nuk e linin të dilte fare, por pas një muaji, meqë ai ishte i qetë, pinte ilaçet rregullisht e nuk shkaktonte probleme, ia hapën derën dhe i thanë se mund të dilte në qytet.
Gjënë e parë, që Basmiri bëri atë mëngjes herët, pasi doli nga azili i pleqve, u nis për tek shtëpia e tij, ku kishte të shoqen dhe tre fëmijët. Hapi derën, me çelësat që i kishte patur në xhep, dhe u fut brenda. Kur ç’të shihte, e shoqja ishte akoma shtrirë në krevatin bashkëshortor, bashkë me një arab. I iku petlla nga vendi dhe nuk po e mbante dot veten. E kapi arabin, ashtu lakuriq siç ishte, dhe e shkallmoi duke e rrahur, saqë e shtriu përtokë në dysheme. Pastaj kapi thikën e madhe të bukës dhe desh e theri të shoqen me thikë për njëmend. Por, para se ta bënte këtë, duke qarë nga dësh¬përimi, “Ah Lana jem, pashë mamën, ç’ka m’paske ba k’shtu?!…”, thirri në telefon familjen e së shoqes në Kosovë, dhe duke e mbajtur për flokësh të shoqen afër telefonit, i thoshte me zë të lartë:
– Fol moj kurvë, tregoj prindve se ç’a ke ba?!…
Lana qante me të madhe, ndërsa thika i rrinte mbi kokë. Prindërit e saj dëgjonin këtë zhurmë në telefon dhe nuk po merrnin vesh se çfarë kishte ndodhur.
– Kjo kurva juaj, ka shku me arab… – ngashërente Bas¬miri, pa e ditur se çfarë po bënte.
Kur në moment ia behu policia. Ajo kish qenë lajmë-ruar përsëri nga i njëjti burim. Sapo policët trokitën në derë, Basmiri u zgjat të vinte thikën e bukës në vendin e vet, por thika nga nxitimi nuk përfundoi në kthëfin e drunjtë, në mbajtësen e thikave.
Policia hyri brenda me rrëmbim, sapo dera u hap, dhe arrestoi 42 vjeçarin Basmir Culi, baba i tre fëmijëve. Arabi ishte akoma i shtrirë për tokë, ndoshta pa ndjenja, ndërsa e shoqja e tij e tmerruar për vdekje, rrinte e strukur, po laku¬riq, në një qoshe të dhomës së ndenjes. Policia mori si mjet prove edhe thikën e madhe të bukës… dhe rrëfimin e të pra¬nishmëve.
Basmiri u akuzua për tentativë vrasje, dhe flinte gjithë ditën në dhomën e izolimit, si rezultat i ilaçeve, që ia preson¬in me zor në trup, sapo fillonte të përmendej. Ai konsiderohej tashmë nga policia, si person i një rrezikshmërie të lartë për të tjerët dhe duhej të mbahej mbyllur.
E shoqja e tij, Lana, hoqi të nesërmen emrin tij nga dera e shtëpisë, dhe pa u ndarë akoma zyrtarisht me të sho¬qin, filloj të interesohej për gjetjen e një burri tjetër. Arabit, nga rrahja, duket se nuk i shkonte ndërmend më, të vazh¬donte aventurën e nisur. Po kjo nuk ka rëndësi, ka edhe burra të tjerë… Lana, rreth të 30-tave, nënë e tre fëmijëve, kishte filluar të mbante veten mirë, kishte rënë në peshë, pasi shkonte çdo ditë të ushtrohej në palestër, për të ruajtur linjat e trupit. Ishte bërë vërtetë një grua e lakmueshme, dhe për më tepër e lirshme, pa tutelën e burrit dhe nuk dukej se kohën po e shpenzonte kot. Hyri borxh në bankë dhe bleu disa mobilje të shtrenjta për apartamentin e vet. Pastaj e rregulloi me një shqiptar nga Kosova, që të martohej përsëri. Por se kush i tregoi atij kosovarit për të vërtetën rreth Lanës, dhe ai nuk u bë i gjallë më gjatë, ndonëse edhe fëmijët e Lanës, patën filluar ta konsideronin atë si babanë e ri të tyre.
Lana ishte rritur si fëmijë, disi e përbuzur për emrin e vet, dhe ishte martuar mjaft e re. As me burrin e saj nuk dukej se kishte patur fat, pasi ai me gjithë ato muskuj, inte¬resohej më tepër që të shtronte botën para këmbëve të tij, e jo më të shoqen. Lanës i dukej se gjithë jetën kishte qenë e përjashtuar nga dashuria. Prandaj ajo vuante që të duhej, vuante që t’iu pëlqente të tjerëve dhe e jepte sapo ia lypnin.
Meqë në Kopenhagë, gratë respektohen shumë deri në absolutizëm, si në kohën e sirenave të Odisesë, ato janë të lirshme dhe kalojnë pa problem një numër të madh partne¬rësh, ose dashnorësh legalë gjatë jetës së tyre. Ky ambient kaq i favorshëm e pa paragjykime për femrat, në këtë rast u bë një shtrat mjaft i mirë edhe për Lanën. Ajo filloi të merrte para borxh tek të tjerët dhe meqë nuk kishte të ardhura, që t’iu kthente paratë, ajo filloi të përdorte një metodë të vjetër kompensimi, që vetëkuptohet, përdorte latën e mishit.
Lana filloj të argëtohej në gjuetinë e saj për një burrë tjetër, për një baba të ri për fëmijët e saj. Dhe nuk po i shkon¬te keq. Brenda pak javësh, ajo kaloi rreth pesë meshkuj, por ata të gjithë largoheshin shumë shpejt, sapo dëgjonin histori¬në e dhimbshme të saj. E Lana, si çdo femër në mirëbesim, nuk mund ta mbante gojën kyçur – gjuha gjithmonë i shkonte tek dhëmbi i sëmurë. Dashnorët momentalë të Lanës mendo¬nin me siguri, që i shoqi Basmiri, do të dilte një ditë nga bur¬gu dhe do të mund të hakmerrej…
Tek shihnin Lanën me gjithë këtë aktivitet tërë kohën, dhe me meshkuj pas dere çdo ditë, dikush për paratë e dhëna borxh, e dikush tjetër për arsye të tjera, fqinjët filluan të dy¬shonin tashmë, se ndoshta i gjithë faji për historinë e ndo¬dhur kishte qenë pikërisht i saj.
Nëse ecën për shkallë dhe kalon nga dera e aparta-mentit të Lanës, aty mund të shohësh emrin në derë, Biljana, ajo e sheh veten tashmë si grua beqare dhe paburrë. Burri i saj duket se ka vdekur me kohë për të, ai rri gjallë akoma, vetëm si një rudiment i një kohe, që Lana dëshiron ta lërë pas. Por edhe divorcet, kur njëra palë nuk bie dakord, marrin gjatë për t’u ekzekutuar nga gjykata. Në rastin e Lanës, gjykata vendosi mjaft shpejt, ngaqë faktet ishin të forta për dhunë familjare. Kështu Lana po e gëzonte jetën tashmë si grua e lirë, si e lira gratë daneze!
___________________________
Arben Çokaj, Dhjetor 2002