Lista fitimprurëse e Jozefinës

0
711
Jozefina Topalli

Nga Arben Çokaj, 08.06.2009

Shkodra ndryshe nga qytetet e tjera, e ka zëvendësuar regjimin komunist njëpartiak në këto 18 vjet tranzicion me një regjim pothuajse të njëjtë, njëpartiak të kahut tjetër. Skenën politike në Shkodër e ka dominuar vetëm Partia Demokratike. Në shoqërinë e re shqiptare, ku pjesë e shtetformimit është edhe opozita, kjo e fundit në qytetin më të madh verior shihet si një fenomen inekzistent. Kritikët, konkurrentët dhe sidomos kundërshtarët politikë të Jozefinës, margjinalizohen në mënyra nga më të ndryshmet, duke përdorur organet e sigurisë. Për rrjedhojë, pushteti koncentrohet në pak duar, që nuk janë edhe aq të afta të zgjidhin problemet e njerëzve, por të krijojnë probleme, me qëllime përfitimi.

Militantët, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së, sidomos në Shkodër, po e shohin dita ditës, se janë të tradhtuar nga drejtuesit e tyre politikë, të cilëve u kanë besuar votën. Zonja Topalli, me fjalorin e saj politik 50 fjalësh, nuk është në gjendje të prodhojë politikë, por vetëm intrigë. Prandaj ka gjetur një mënyrë tjetër për të ngjitur shkallët e pushtetit (duke i ndenjur afër Berishës), meqenëse tregu politik shqiptar postkomunist nuk është perëndimor dhe nuk i përzgjedh njerëzit sipas aftësive.

Shqiptarët në përgjithësi nuk kanë drejtuesit politikë më të mirë të mundshëm, që t’i përfaqësojnë me dinjitet në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Prandaj ekziston mendimi se politika luhet keq tek ne, pasi shumica e politikanëve nuk sakrifikojnë për botëkuptimin dhe idetë e tyre politike, ata janë më tepër momentalë, sharlatanë, që nisen për përfitime të vogla, të shpejta e afatshkurtra. Në Shkodër, ku mungon opozita, PD nuk ka konkurrencë të mirëfilltë, prandaj ajo ka rënë në duar njerëzish të mefshët e të paaftë. Nga mungesa e konkurrencës së lirë, PD nuk bën përpjekje për të gjetur njerëzit e duhur, që prodhojnë politikë në shërbim të njerëzve. Zonja Topalli ka vënë tavan. Askush nuk duhet t’ia kalojë asaj për nga aftësia dhe kur ajo detyrohet të marrë në punë ndonjë individ me aftësi profesionale, ajo e detyron atë të mësojë edhe profesionin e fuksit. Pra, e poshtëron atë.

Lista e kandidatëve të PD-së në Shkodër është mjaft e dobët për nga cilësia politike. Po t’i shtrydhësh të gjithë bashkë, ata nuk nxjerrin as edhe një politikan. Kjo tregon prapambetjen e Shkodrës ndër vite. Para se lista të bëhej publike, një gjykatës më tha: “nëse Jozefina vihet e para në listë, ajo i ka humbur 50% të votës së shkodranëve”. Kjo duket se është pjesërisht e vërtetë, pasi edhe lista e kandidatëve të PS-së, përveç ndonjërit, nuk është dhe aq cilësore. Rrudhja e listave në disa personalitete politike jo fort produktive dhe mbushja e listave me biznesmenë, tregon pafuqinë e Shkodrës për të nxjerrë drejtues të aftë politikë. Shkodranët përballë kutive të votimit janë në dilemë kësaj here. Nëse vota e tyre blihet nga biznesmenët, atëherë ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e zgjedhur.

Ka njerëz që kanë kontribuar për PD-në, që me themelimin e saj. Ata fitojnë dhe mbledhin votat e elektoratit, por janë injoruar. Ka pushtetarë lokalë, të cilët megjithatë kanë aftësi paksa më të mëdha politike, se sa njerëzit që kanë zënë vendet e para në listë. Meqë Jozefinës nuk mund t’ia zërë kush vendin për momentin, po Astrit Bushati, sa e justifikon pozicionin e tij, si i dyti në listë? Ai nuk ka bërë asgjë për PD-në e Shkodrës apo për zonën 2, ku ka qenë i zgjedhur në mandatin e fundit. Kontributi personal politik dhe jo emri i familjes, duhet të jetë kriter për përzgjedhjen e kandidatëve.

Nga ana tjetër, Arenca Trashani është personi i duhur, me të cilën Jozefina krahason vetveten, nëse nisemi nga origjina e përzgjedhjes së saj, sipas kritereve të Jozefinës. Nga pikëpamja gjinore dhe fetare, Jozefina ka bërë zgjedhjen e duhur, për të mbyllur fjalët e njerëzve. Askush nuk mund t’i thotë asaj, pse nuk ke futur një femër myslimane në listë. Arenca në vetvete nuk shëmbëllen figurë politikaneje dhe Jozefina e mban aty sa për numër, sepse ashtu si Astriti, ajo është e padëmshme për shefen e saj. Një shok klase me Arencën më tregoi një ditë: “kur profesori i vinte Arencës 7-të, ajo ulej me vrap në bankë dhe fillonte të qante, duke përplasur këmbët në dysheme…” Arenca qan nëse nuk i vë dhjetë, ashtu siç qan, nëse nuk e merr me të mirë Jozefina. Kjo është politika mjerave, që ofron treshja e parë në listë.

Meqë PD pretendon se në Shkodër mund të fitojë 5 ose 6 nga 11-të, tre të tjerët që vijnë më pas janë biznesmenë të suksesshëm në mënyrën e vet. Ata nuk kanë asnjë kontribut politik, por flitet se kanë mbushur xhepat e zonjës Topalli. Edhe ky, kontribut është (!). Por nëse mendojmë për të bërit politikë në bazë të kontributit partiak, atëherë disa pushtetarë lokalë në Shkodër, që me humbjen e PD-së në zgjedhje, humbasin vendet e punës, duhet të mbledhin vota, që disa milionerë, të cilët kanë hyrë në listën fitimprurëse të Jozefinës me ryshfete dhe për të blerë votat e të varfërve, të futen në parlament dhe të mbrojnë me imunitet politik biznesin e tyre.

A nuk është ironi e fatit, cinizëm harbut, politik-bërja e zonjës Topalli?! Ajo fryn xhepat në emër të partisë, që mbështetësit e zellshëm të PD-së, të mbeten nesër pa punë. Kush punon kështu për votën e saj?! Gëzim Gruda, i katërti në listë, nuk merret fare me politikë. Po Gjok Uldedaj, a nuk është mjaft se ai, si kryetar i dhomës së tregtisë e ka shtrirë biznesin ndjeshëm këto kohë me pika karburanti ADA? Po Paulin Sterkaj, i cili pavarësisht cilësive të tij si malësor, ishte në krahun e kundërt, në zgjedhjet e fundit? Veç këtu tek ne sheh një politikë të tillë…

Zonja Topalli nuk e përmban dot veten. Ajo nuk ruhet fare, nuk ka frikë. Megjithëse e përflasin si shkaktaren kryesore për djegien e Pjetër Arbnorit nga politika, ajo e vërteton këtë më së miri, duke vendosur në listën e PD-së një ish-deputet socialist, i cili i rrëmbeu votën Mandelës së rezistencës shqiptare. I teti në bronz është ish-deputeti polic Ramiz Çobaj, i cili nuk ka shumë për të ofruar përveç disa mizanskenave policore për të vjedhur votën. Ai ka shërbyer si postier i Jozefinës, duke sjellë listën e emrave nga Ministria e Brendshme në komunën Gruemirë dhe në ndonjë komunë tjetër. Nuk duket se ka shanse të mëdha për të fituar. Nga ana tjetër, ai nuk është edhe aq inteligjent sa të turpërohet, megjithëse njerëzit kanë filluar të tallen me të, për vendin e merituar, që i ka dhënë Jozefina për shërbesat që ai ka kryer ndaj saj. Kot s’tha Berisha në fillim: qeveri e shërbimeve dhe shërbesave.

Tani që motorët turbo të fushatës janë ndezur nga të gjitha partitë, kandidatët për deputetë nga partitë e vogla dhe që nuk kanë mundur të vjedhin para gjatë këtij mandati, nuk kanë shumë shanse të dëgjohen. TV-të lokale kanë çmime të kripura të specialeve dhe debateve televizive. Pavarësisht simpatisë që shkodranët kanë për të, Gilman Bakalli e ka vështirë të bëjë fushatë për LZHK-në. Nuk dihet vendimi i zgjedhësve tek kutia e votimit, por njerëzit i tremben Jozefinës dhe mëkëmbësve të saj në Shkodër. Kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, i bërtiti në telefon një biznesmeni, pse ia kishte dhënë me qera një ambient elektoral Edi Ramës. Në anën tjetër, Nard Ndoka duket më i vendosur në heshtjen e tij. Ai ka përvojë të gjatë dhe po punon guximshëm përmes strukturave të PDK-së për të mbledhur votat.

Shkodra ka nevojë për politikanë të mirëfilltë, që me dimensionin e tyre politik e demokratik e trembin frikën e hafijeve të Jozefinës. Nga krahu i djathtë politik, kush tremb frikën e Jozefinës merr edhe votën e shkodranëve të zhgënjyer nga metodat agresive, që ajo përdor për të sunduar Shkodrën. Mrekullitë nuk vijnë në një ditë, por rruga e demokratizimit të Shkodrës dhe e zhvillimit kalon përmes konkurrencës së lirë në tregun politik shqiptar dhe jo përmes listave fitimprurëse të ndonjë zonje të veçantë.

Botuar me shkurtime në: Shekulli, 09.06.2009.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu