Kosova në duldung

0
967
Gesetzliche Bestimmungen

Arben Çokaj, 18.07.2004

Statuskuo! Kosova ndodhet në duldung nga administrata e UNMIK-ut. Huazuam këtë fjalë gjermane “duldung” (tolerancë), për të shtjelluar gjendjen reale, emocionale e transformuese të një populli, nën ndikimin e një sistemi shoqëror, që përveç tjerash imponon një psikologji nënshtruese. Nga ana tjetër, “duldung” shpjegon më së miri gjendjen e Kosovës sot. Një popull që vazhdon të mbahet i mbyllur artificialisht nga një administratë ndërkombëtare, e cila kërkon standarte, kur në fakt kjo administratë vëtë-paguhet për të drejtuar këtë popull dhe njëkohësisht për të ngritur edhe standartet e tij. Ironi e radhës kjo, e ish-administratorit gjerman Shtajner.

Për ata që nuk e dinë, koncepti gjerman “duldung” nënkupton tolerancë. Kur një i huaj për shembull kërkon qëndrim në Gjermani, administrata e të huajve, në të shumtën e rasteve, i jep atij si fillim të drejtë qëndrimi sipas konceptit “duldung”, derisa çështja e kërkesës për qëndrim të shqyrtohet. Gjatë kësaj kohe, qytetarit nën “duldung” nuk i lejohet të dalë jashtë një territori të caktuar, pra mbahet i izoluar, pa të drejtë shpërnguljeje, apo lëvizjeje nga një vend në tjetrin edhe brenda Gjermanisë. Në të shumtën e rasteve (ku gjejnë më butë), sidomos për qytetarët shqiptarë nga Kosova, ndodh që kjo tolerancë (pra “duldung”) të vazhdojë për vite me radhë, 5-6 deri në 12-13 vjet rresht e më shumë, saqë njerëzit fillojnë e sëmuren mendërisht në pritje të një qëndrimi, pasi nuk u mbetet asgjë tjetër vetëm të presin, në ato kushte jo fort të lakmueshme. E kur s’të mban toka jote, s’të mbajnë as të tjerët…

Administrata e të huajve në Gjermani, e cila është e decentralizuar në bazë të njësive bashkiake dhe qarqeve, në varësi të vendit dhe forcave politike që drejtojnë njësitë, e përdor konceptin “duldung” si formë të moskokëçarjes. Pra, nga njëra anë kjo administratë ruan numrin e klientëve në “duldung” për të justifikuar rrogat e tyre, gjë që është primare, dhe nga ana tjetër qytetarët e huaj mbahen në gjendje statuskuoje, gjithmonë të gatshëm për t’u kthyer prapa, ose në rast nevoje për t’u dhënë qëndrim, nëse beqarët nuk gjejnë rrugë të tjera… Me fjalë të tjera, nuk martohen. Mund të tingëllojë çuditshëm, por shtete sociale si Gjermania, Danimarka e shumë shtete të tjera evropiane, janë si një familje e madhe; ato kujdesen edhe për të martuar vajzat e tyre beqare, të cilat gjatë jetës së tyre, marrin një dozë të madhe puthjesh nga burra të ndryshëm, që ato provojnë, për të mbetur në fund të pamartuara…

Nisur nga pikëpamje njerëzore, intelektuale dhe kartave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, apo në këtë rast të kombeve për vetë-vendosje, njeriu si fillim pret që fjalët e bukura, të shkruara në këto ligje e karta ndërkombëtare të respektohen vetvetiu, pra automatikisht nga njerëz profesionistë, por ja që realiteti shpeshherë nuk përputhet si duhet me teorinë. Kështu që nga frika e ekstradimit, aplikuesit e huaj gjejnë një koekzistencë jo-ligjore me autoritetin e të huajve. Administrata e të huajve nga ana tjetër e ruan këtë gjendje “tërhiq e mos lësho” nga dëshira për të ruajtur numrin e caktuar të klientëve. Dhe kjo ndodh rëndom kur individë (ose popuj) të ndryshëm nuk janë në gjendje t’u imponohen ligjeve të shkruara, për të ruajtur kufirin e kësaj tolerance, që në gjermanisht quhet “duldung”. Individi fatkeq kthehet në këtë mënyrë në “mall konsumi”… Kështu që ai zvogëlohet aq shumë, përulet sa një mizë në përvuajtjen e tij, duke mos e ditur se në këtë botë të madhe, kjo është vetëm një lojë.

Nën këtë trysni psikologjike të shtrirë në vite, individi degjeneron, përflet vetveten, duke parë se sa pak vlen jeta e tij. Mos ndodhtë që këtij individi t’i refuzohet e drejta e qëndrimit, e cila edhe ndodhë në shumë raste, pas disa viteve pune të papaguar (në mënyrë që i huaji të mos ketë të drejtë pensioni nga autoritetet gjermane, pasi pensioni është një çështje e ndjeshme për çdo shoqëri të plakur të Evropës plakë), dhe individi i tjetërsuar nuk ka as guximin të mendojë, se kjo fatkeqësi personale i dedikohet autoritetit të të huajve, që nuk kursen as gjuetinë e shtrigave për të ç’organizuar viktimën e vet, dhe për t’ia “çuar” në mendje aplikuesit, se një i afërt i tij, një nga rraca e tij, e ka spiunuar, e ka shitur…

A nuk ndodhë sot pak a shumë kështu në Kosovë?! Praktikat evropiane “hedh gurin e fsheh dorën” duket se i kanë futur forcat politike shqiptare në një grindje teatrale ndërmjet njëra-tjetrës. Duke favorizuar të dobëtin e dobësuar të fortin. Në zgjedhjet e kaluara, LDK u detyrua të pranojë postin presidencial në shkëmbim të postit kryeministror me partinë opozitare PDK. Si mund të qeverisin bashkë dy parti opozitare?! Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik të botës – vetëm përkohësisht. Nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, që forcat politike shqiptare të ishin të bashkuara derisa Kosova të bëhej e pavarur, por kjo në praktikat e ekzistencës demokratike të një shoqërie tingëllon më shumë si folklorike.

Nuk duhet që Kosova të trajtohet si rast i veçantë, nëse Kosova do që të rritet deri në një shtet të pavarur. Për më tepër, në të gjithë këtë inskenim “alla evropiançe”, kjo ndodh sepse organet e zgjedhura me votën e lirë të popullit të Kosovës vazhdojnë të konsiderohen “taktikisht” nga ndërkombëtarët, nën terminologjinë e UNMIK-ut, si “organe të përkohëshme”, për të ruajtur rrogat dhe dominancën e tyre dhe në të njëjtën kohë për të përkëdhelur sedrën e serbëve, të cilët sapo nuhasin përdorimin e termave taktikë, nuk ngurrojnë të lëpijnë dhëmbët…

Ne shqiptarët nuk i jemi përshtatur akoma sa dhe si duhet asaj që quhet “unitet në mes dy të kundërtave” në politikë. Mendimet e kundërta duhet të ekzistojnë në një konkurrencë demokratike të partive dhe individëve, rreth një bërthame unike të interesave të përbashkëta. Frika qëndron tek fakti se shoqëria shqiptare tërhiqet sot më tepër drejt polarizimit sesa drejt ngjizjes apo koncentrimit të interesave tona të përbashkëta. Kosova në këtë rast e ka më të vështirë, pasi politikanëve të saj u duhet sot të gjejnë një rrugë të përbashkët koncentruese, në përballje me formulat alternuese, çorientuese e jo stabile të ndërkombëtarëve dhe njëkohësisht përballë vetë serbëve, të cilët rrinë e presin hutimin e viktimës. Për të mos e konceptuar UNMIK-un si “armik”, është mirë që administratës ndërkombëtare t’i tregohet vendi që zë dhe duhet të zërë, pa e lejuar që të paternalizojë për interesa banale të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve të Kosovës.

Nëse politikanët shqiptarë nuk e kuptojnë se askush tjetër nuk ka për t’ua dhënë të drejtat e tyre, pra nuk mund të jetë më i interesuar se ata vetë për pavarësinë e Kosovës, po qe se ata, në një mënyrë apo tjetër nuk gjejnë rrugët e duhura për ta fituar pavarësinë, atëherë rruga e Kosovës drejt shtetit të pavarur zgjatet, humbet kuptimin qëllimi i saj, dhe shqiptarët mund ri-viktimizohen. Por nëse shqiptarët këmbëngulin në implementimin e standarteve demokratike në shoqërinë kosovare, liberalizojnë dhe privatizojnë tregun, u imponohen ligjeve ndërkombëtare me forcë e vullnet, duke ruajtur me finesë marrëdhëniet me aleatët, siç kanë bërë shpeshherë, atëherë Kosova e hapur e demokratike mund të bëjë gabime si fillim, por shoqëria kosovare do të jetë më e ndërgjegjëshme dhe më e shëndoshë, dhe interesat e saj nuk do të mund të shiten kurrë. Në një shoqëri demokratike përballesh me një publik të mirëinformuar, i cili është i vetëdijshëm për kërkesat dhe fatin e tij. Me një publik demokratik nuk mund të luash!

Politikanët shqiptarë në Kosovë, duke mos dashur që të krijojnë acarime me mbështetësit ndërkombëtarë, i tolerojnë punonjësit ndërkombëtarë që ata të marrin rroga të majme në emër të Kosovës. Ekuilibri duhet të ruhet me kujdes, në mënyrë që administrata shpeshherë e burrokratizuar ndërkombëtare të mos e konsumojë gradualisht edhe Kosovën, nisur nga pikëpamja e kthimit të individit në qënie konsumi. Në përgjithësi, kosovarët sot nuk mund të lëvizin me pasaportat e tyre askund, përveç Shqipërisë e ndonjë vendi tjetër fqinj. Shqipëria në anën tjetër vazhdon të mbahet e izoluar nga Evropa – populli shqiptar nuk mund të lëvizë lirshëm në Evropë, për shkak të një politike nënshtruese që luan shteti shqiptar, i cili absorbon me ose padashje edhe akuza nga më të ndryshmet për korrupsion, trafik të organizuar, etj. etj. Evropianët “e paqortueshëm” e praktikojnë mjaft mirë induktimin e ndjenjës së fajit tek viktima e tyre… Fajtorë janë dhe do të mbeten shqiptarët sipas psikologjisë së luajtur evropiançe… “Po ai që ma vodhi lopën ore, nuk paska faj?!…” – citojmë një sentencë të njohur humori.

Zgjedhjet në Kosovë po afrojnë. Viti 2005, i konceptuar nga administrata amerikane si vit i përcaktimit të statusit të Kosovës, nuk duket se u pëlqen evropianëve, të cilëve u shijon më tepër toleranca apo “duldung”-u i tyre shumëvjeçar. Kreu i UNMIK-ut, përsëri një danez, u zgjodh nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ngaqë Danimarka luan sot një politikë pro-amerikane, përkundër disa vendeve të tjera evropiane. Danimarka vetë – një mbretëri monarkike vazhdon të jetë një vend i veçantë, duke mbajtur akoma dy koloni nën vete: Ishujt Faroe dhe Grëndlandën. Një administrator danez do të ishte i pranueshëm për interesat shqiptare në Kosovë vetëm në rastin kur besohet thënia klerike: “Mos bëni si bëj unë, por bëni si them unë!”

Politika ndërkombëtare duket e fragmentarizuar përsa i përket çështjes së statusit të ardhshëm të Kosovës. Secili politikan në ndërgjegjen e vet (edhe politikanët serbë), e dinë se e drejta është me kosovarët, pra me shqiptarët e Kosovës, të cilët janë përcaktuar për pavarësi. Por, ashtu si teoria ndryshon prej praktikës në vendimmarrjen ndërkombëtare, edhe kjo e drejtë e kosovarëve nuk mund të merret si absolute, pasi nuk ka matës të absolutizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, nëse shqiptarët nuk bëjnë përpjekje maksimale për të jetësuar të drejtën e tyre të patjetërsueshme.

Politikanët e afirmuar kosovarë kanë përvojë në kuptimin e gjendjes reale të popullit të tyre dhe në kuptimin e asaj mjegullnaje që e rrethon Kosovën. Gjatë këtyre viteve të Kosovës nën lirinë e kufizuar të “duldung”-ut, politikanët shqiptarë kanë marrë edhe më shumë përvojë, por ata duhet të tregohen psikologjikisht të aftë që të përballojnë këtë situatë të ndërlikuar psiko-emocionale me gjithë morinë e makinacioneve që e shoqëron këtë gjendje, në mënyrë që rezultantja e të gjitha forcave vepruese në Kosovë të drejtohet nga qëllimi i vetëm: Pavarësia e samëshpejtë e Kosovës. Edhe po të punohet si duhet, rruga nuk është e lehtë. Por ajo që do i shërbejë Kosovës më shumë, do të jetë kristalizimi në zgjedhjet e ardhëshme i një pozite liberale më të qartë, dhe një opozite centriste më konstruktive.

Nëse rregullat e lojës të një demokracie moderne, larg konjukturave eksperimentale të UNMIK-ut për të rregulluar numrat në sallën e parlamentit kosovar që të dominojë pakica, si në kohën e Titos, nuk respektohen edhe këtë herë në Kosovë, atëherë populli i Kosovës duhet të përgatitet për zgjatjen e statuskuosë, ose të asaj që gjermanët e quajnë “duldung”. Të mos harrojmë se evropianët janë mjeshtër të “vrasjes me pambuk”, që e fusin ujin nën rrogoz pa u ndjerë…

Kosova pas zgjedhjeve duhet të ketë një maxhorancë që e drejton popullin e saj drejt qëllimit të pavarësisë dhe jo përzierjen e opozitës në qeveri, që ndonëse drejton qeverinë paraqitet shpeshherë me mendime kontraverse. Populli i Kosovës e ka në dorë t’i besojë në zgjedhjet e ardhëshme asaj force politike që është më e besueshme për mishërimin e interesave të tij.

Dërguar për: Illyria, “Shekulli”, “TemA”

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu