Kur fqinjët na vrasin, ne numërojmë të rënat!

0
1159

Shkruan: Arben ÇOKAJ

Kohë zgjedhjesh në Shqipëri. Vrasje në kufi. Përkundër premtimeve politike për hapjen e Shqipërisë, një pjesë e fqinjëve tanë nuk duan të na lejojnë të lëvizim lirshëm. Shqiptarët vazhdojnë të jenë të bllokuar; shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë. Dhe ne s’po dimë të gjejmë rrugën për t’i besuar më shumë vetvetes, për ta ndryshuar këtë precedent psikologjik, të përzier me një ndjenjë të pashpjegueshme inferioriteti, të kamufluar ndonjëherë si superioritet (për t’i bërë qejfin vetes). Të tjerët na vrasin, ne vetëm sa numërojmë të rënat… Duket se në një mënyrë, apo tjetër, ne jemi pajtuar me këtë gjendje të nënshtruar ndaj të tjerëve, sidomos ndaj fqinjëve.

Shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare, do thoshte dikur i dëshpëruar se: “Gjaku shqiptar është i lirë…” Në të njëjtën kohë, ai mund të citohet të ketë thënë në ndonjë nga veprat e tij se, “Urrejtja ndaj një padrejtësie, sjell ndryshim karakteri.” Në të dyja rastet, ai e ka patur fjalën për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë. Dhe Kadare, si shkrimtar i mençur, ka patur të drejtë.

Por, sot Kosova, duket se po merr frymë më lirshëm. Fqinji agresiv verior, Serbia, nuk e ka harruar zakonin e vjetër, por nuk është momentalisht në gjendje të vrasë më si dikur shqiptarët e pafajshëm të Kosovës. Historia na ka treguar, se me kësi fqinjësh të sertë, nuk mjafton qënia i pafajshëm, për të mos u vrarë. Në Kosovë shqiptarët kanë ecur mirë, por duhet akoma punë e madhe, që finalja të kurorëzohet në favorin tonë, me pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë konflikti i ‘vrasjeve pas gardhit’ është shtrirë në jug. Fqinjët tanë lindorë e jugorë kanë filluar të përsërisin zakonin serb, sa herë që iu teket. E pse të mos e bëjnë këtë? Pse të mos na vrasin, kur ne nuk dimë të mbrohemi?!

Ushtarët maqedonë të kufirit me Shqipërinë, mund të përmenden se kohë pas kohe kanë marrë disa jetë shqiptarësh të pafajshëm, gjatë kalimit të tyre në kufi. E pra FYROM-i është një shtet me përqindje të madhe shqiptarësh, dhe rri në këmbë, ashtu jo stabil, pikërisht se shqiptarët e kanë pranuar, në kurriz të tyre, bashkështetësinë. Shqiptarët nuk kanë të drejta të barabarta me maqedonët e prejardhjes sllave, ndonëse jetojnë në tokën e tyre. Po t’i referohemi gjenezës, Maqedonia e Aleksandrit të Madh, si njësi territoriale e lashtë, nuk ka qenë e banuar me sllavë, por trilli i fatit na detyron të kuptojmë se, sllavët e sotëm janë bërë zotër të atij territori, përmes luftërave grabitqare dhe terrorit mbi një popull jo sllav, që siç duket nuk ka mundur të organizohet mirë e të mbrojë veten. Dhe maqedonët-sllavë vazhdojnë me vrasjet, përndjekjet dhe keqtrajtimin e popullsisë shqiptare, pasi ata duan të ruajnë privilegjet e sundimit mbi tjetrin dhe jo të bashkëjetesës me shqiptarët. Një gjë thuhet, tjetër gjë zbatohet nga sllavo-maqedonët.

Kryetari në opozitë i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi, kërkon më në fund një ndarje të FYROM-it. Ai i përgjigjet pozitivisht tendencës së krerëve të partisë sllavo-maqedone VMRO-DPMNE, për ta ndarë FYROM-in, por duket se të dyja palët, nuk kanë ndonjë strategji të qartë, se çfarë do të bëjnë më pas, pas ndarjes. Ata po e përdorin këtë argument si kërcënim opozitar, për të përfituar secila vëmendjen e duhur, për interesat e veta. Ndërsa shqiptarët ndiqen e vriten në malet e Karadakut nga forcat policore e të sigurisë të shtetit FYROM, pasi ky shtet përsëri vret dhe nuk mund të jetë i qetë, përderisa nuk i respekton sa e si duhet, të drejtat e shqiptarëve.

Ajo që të bën përshtypje më shumë dhe që merr vëmendjen tonë në këtë rast, është ngjallja këto ditë e fenomenit të vrasjeve dhe keqtrajtimit të shqiptarëve të pafajshëm në kufi me Greqinë. “Gjaku shqiptar është i lirë…” …edhe në Shqipëri. Një 18-vjeçari i këputet jeta pa e nisur akoma, sepse ai ëndërronte fushat me ullinj të Greqisë! Dhe ëndërra greke të jep kërbaç, e në rastin më të keq, plumba. Pra, të merr jeten! Policia greke sqaron se 18-vjeçari ishte kontrabandist… Një 18-vjeçar kontrabandist? Kush mund ta vërtetojë këtë? Vështirë të besohet! Duhet të jetë një deklaratë e trilluar nga policia greke, për të justifikuar vrasjen makabre në kufi.

Pas kontrollit të çantës së shpuar nga plumbat, policia greke mund të ketë gjetur një copë bukë, pak djathë e ndonjë kokërr qepë, të cilat ky djalë i gjorë, duhet t’i ketë marrë me vete, për t’u ushqyer gjatë rrugës së tij të gjatë, për në shtetin fqinj… që fatkeqësisht ishte dhe rruga e tij e fundit. Komiteti grek i Helsinkit reagoi kundër kësaj vrasjeje në kufi – kjo tregon të paktën, se grekët po zgjohen. Vrasja e një djali të ri 18-vjeçar, nuk mund të justifikohet me asgjë, vetëm…

Me zgjedhjet lokale në Shqipëri, që po afrohen – opozita e djathtë ka shanse të mira për të fituar. Konsulli i ambasadës greke në Shqipëri, po bën propogandë elektorale për partinë e minoritetit grek të PBDNJ-së. Siç shihet, grekët tregojnë interes për zgjedhjet lokale dhe po veprojnë në multi-plan. Janë pikërisht këta grekë, që na sjellin vrasje në prag të zgjedhjeve. Dhe ne, nuk po dimë të mbrohemi! Shqiptarët duhet të terrorizohen, që të mos munden të zgjedhin të lirë. Ne nuk duhet tani të akuzojmë Greqinë, pasi ajo është një shtet demokratik dhe anëtare e Bashkimit Evropian. Pra duhet të ruajmë relacionet konformiste diplomatike me një shtet fqinj demokratik. Por, sa demokratike është vrasja e fundit, dhe a do të ketë vrasje të tjera në kufi para zgjedhjeve?

Dyshohet se qarqe të caktuara greke, të cilat i ndihmuan socialistët të vijnë me dhunë në pushtet më 1997, janë edhe sot të interesuara, që opozita e djathtë të mos i fitojë zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në një mënyrë nga më tronditëset, grekët përpiqen ‘rastësisht’, që të trembin zgjedhësit shqiptarë, duke krijuar fenomenin e kufomës mbi tavolinë. Pra, grekët japin sot shembuj konkretë tmerri – ndryshe nuk ka se si të shpjegohen vrasjet e keqtrajtimet në kufi. Për më tepër, ka patur edhe njerëz me viza të rregullta greke, që janë rrahur e keqtrajtuar këto ditë, deri në gjymtime, nga forcat greke të mbrojtjes së kufirit.

Sado që opozita e djathtë shqiptare, PD-ja dhe kreu i saj Berisha, të jenë moderuar gjatë kohëve të fundit, në përgatitjen e tyre për të marrë pushtetin, duke respektuar vlerat e demokracisë dhe zgjedhjen e alternativës më të mirë, përmes rotacionit të krahëve politikë, përsëri shfaqen shenja se, qarqe të caktuara greke nuk do jenë të kënaqura. Interesat greke në Shqipëri, bëjnë që grekët të fusin hundët në punët e brendëshme të Shqipërisë, madje shkojnë aq larg sa vrasin edhe njerëz të pafajshëm, që të kënaqin epshet e tyre perverse mbi gjahun Shqipëri, populli i së cilës nuk po di të mbrojë dhe respektojë vlerat e veta. Populli shqiptar duhet të fitojë të drejtën e tij, për të drejtuar vetveten. Dhe kjo fillon me një zgjedhje të lirë! Ne nuk mund të shërbejmë gjithë jetën si tabelë qitjeje për fqinjët tanë agresivë. Kjo tendencë psikologjike duhet ndryshuar një herë e mirë.

Sado e moderuar qoftë alternativa që mund të sjellë opozita e djathtë shqiptare në pushtet në Shqipëri, sado të moderuara e demokratike të jenë përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, sado të urtë e kokëulur të jenë shqiptarët në FYROM e Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc etj., një gjë do të jetë gjithmonë e qartë: Çdo përpjekje e shqiptarëve për të mbajtur kokën lart, për të respektuar vetveten, apo për të jetuar të lirë, do të ndëshkohet nga qarqe të caktuara, të lidhura me shtetet fqinje Serbinë, FYROM-in, apo Greqinë. Dhe fitorja e opozitës së djathtë në zgjedhjet e tetorit, i jep vlera Shqipërisë, i ngre asaj kokën lart, pasi të paktën votat e lira do respektohen.

Në këto 5-6 shekujt e fundit, shqiptarët kanë qenë përgjithësisht kokëulur nga pushtimet dhe dhuna e huaj. Fqinjët tanë janë mësuar të ushqehen me frytet e punës sonë, për të ndërtuar shtetet e tyre mbi kurrizin tonë. Duke mos i patur disa nga vlerat tona, fqinjët tanë na kanë vjedhur tokën e pasurinë sa majtas-djathtas, dhe janë përpjekur të na vjedhin edhe personalitetet. Sapo ne të ngejmë kokën për të kërkuar të drejtat tona, kjo do të sjellë prishjen e ekuilibrit me fqinjët, të cilëve u rrezikohen interesat, u rrezikohet fitimi i vlerës së shtuar mbi ne. Falë disa politikanëve shqiptarë, të paftë për të kuptuar psikologjinë pushtuese, të përdorur ndër shekuj për të tjetërsuar rracën tonë, ne shqiptarët ndodhemi sot në atë gjendje, që akoma nuk flet qartë, se po dimë të vetëmbrohemi.

Hallet e përditshme i largojnë njerëzit nga trajtime të tilla, por strukturat e një shteti duhet të dinë të orientohen ashtu siç e kërkon koha, për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë. Ka raste kur strukturat shtetërore të disa shteteve evropiane, që ne marrim si etalon demokracie, të kooperojnë të gjitha bashkë, kundër një individi të vetëm, duke shkelur ligjet demokratike, vetëm për të krijuar përshtypjen se ato kanë të drejtë. Po çfarë bëjnë strukturart shtetërore shqiptare kur vritet një shqiptar nga një shtet fqinj? Asgjë! Ose në rastin më të keq, policët shqiptarë dërgohen për të ekzekutuar një qytetar shqiptar në Kukës, i cili dyshohet të ketë vrarë një polic maqedon… Kjo gjë nuk do komente, pasi është më tepër se absurde!

Secili shtet sheh interesat e tij, në marrëdhënie me shtetet e kombet e tjera. Në këtë kontekst, duhet vërejtur se çdo gjë shqiptare, çdo organizim dhe iniciativë pozitive e jona, për interesat tona, komentohet negativisht nga fqinjët tanë e më gjërë, të cilët realisht na kanë shumë borxhe. Pavarësia e Kosovës shihet psh. si diçka e keqe nga serbët, maqedonët e ndoshta edhe nga grekët. Ndërsa mund të pranohet në heshje kalimi i Kosovës nën Serbi edhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Kërkohet e punohet me ngulm, duke përfituar në kohë, që kjo gjë të pranohet edhe nga shqiptarët, dhe procesi i statusit të Kosovës do të marrë fund, pa e vrarë ndërgjegjia aspak asnjë demokrat të flaktë evropian… Duket qartë se drejtësia absolute nuk ekziston. E pse ne shqiptarët kalojmë në apati, duke shpresuar se të tjerët mund të na i zgjidhin hallet tona? A nuk duhet që shteti shqiptar të dalë nga modeli i vjetër i konceptimit të botës dhe të ndeshet në marrëdhëniet ndërkombëtare me pikëpamje më pragmatiste, në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi?!

Kur shqiptarët t’i lejojnë ndërgjegjes së vet vrasjen e serbëve të pafajshëm në kufi me Kosovën, vrasjen e sllavo-maqedonëve të pafajshëm në kufi me shqiptarët e Maqedonisë, apo vrasjen e grekëve të pafajshëm në kufi me Çamërinë; dhe kur kjo formë veprimi të ndërthuret (nën tavolinë) me qarqe të caktuara të shtetit shqiptar (siç ndodh në Greqi), atëherë mund të besohet se ne pretendojmë të kemi tiparet e një shteti, që i ngjan shteteve fqinje, dhe mund të pretendojmë në të njëjtën kohë, se kemi pse të bisedojmë për të ndërtuar marrëdhënie të mira e paqësore me këta lloj fqinjësh.

Deri sa të vijë kjo ditë, ne shqiptarët do vazhdojmë të përçmohemi; do të trajtohemi pa respekt si qytetarë të rendit të dytë dhe do të vritemi si deri tani, nga po të njëjtit fqinjë. Imagjinoni për një çast, se si do të kishte reaguar Greqia kundër Shqipërisë, nëse një “kontrabandist” grek 18-vjeçar, do ishte vrarë në kufi nga ushtarët shqiptarë të kufirit. Të gjithë e pamë çmimin e paguar me 1997, për shqelmat që i dhanë bythëve shërbimi shqiptar një prifti grek, që sillte armë në Shqipëri…

Këtu nuk kërkohet të hapësh luftë me fqinjët, por kërkohet që të kuptojmë më mirë fqinjët tanë, veset e tyre vrasëse, dhe të sillemi si ta, në mënyrë që fqinjët tanë të mos vazhdojnë të na vrasin, duke përfituar nga ndjenja jonë e mirë dhe dëshira e jonë inferiore për integrim. Në mënyrë që ne të mos rrrimë duke numëruar të rënat mbi kurriz, duhet të kuptojmë realitetin objektiv dhe të fillojmë të sillemi për interesat tona me të njëjtin egoizëm, siç bëjnë edhe fqinjët tanë.lartë i shtetësisë së Kosovës.

26 shtator 2003

Publikuar nëQIK – opinione,
Gazeta “Illyria“, 3-6.10.2003 dhe “Shekulli” me shkurtime, 30.09.2003.
Dërguar për: Gazeta “Albania”, “Bota Sot”, “TemA”

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu