Njeriu me chip – i shfytyruar

0
903
Njeriu me chip

Lidhur me pasaportat me chip të shqiptarëve

Nga Arben Çokaj, 28 korrik 2006

Këto ditë po diskutohet mundësia e pasaportave të reja dhe kartave të identitetit për qytetarët shqiptarë. Për më tepër, mendohet që për të rritur shkallën e sigurisë së pasaportave, të jepen aty edhe të dhëna biometrike të personit, shenjat e gishtave, apo të dhëna të tjera personale, që mund të ruhen në mënyrë dixhitale në një chip.

Ilustrim në gazetën “Standard”

Teknologjia ka avancuar mjaft shumë kohëve të fundit, sidomos teknologjia e informacionit me metodat dixhitale e kibernetike. Sfida më e madhe në këtë shekull të informacionit, nuk është gjetja e mënyrave të reja të kompozimit të mikroprocesorëve, për të rritur “pambarim” shpejtësinë e tyre, se kjo gjë po ndodh progresivisht shumë shpejt për kohën. Por sfida më e madhe në këtë kohë të zhvillimit të madh teknologjik është pikërisht sfida etike dhe humane: Si do ta ruajmë privacinë dhe të drejtat e qytetarëve në këtë zhvillim të vrullshëm e marramendës, qoftë të teknologjisë së informacionit apo të telefonisë celulare, me anë të të cilëve po përgjohen njerëzit?!

Shtetet e zhvilluara evropiane i marrin më shtruar direktivat e Bashkimit Evropian. Madje, secili prej shteteve anëtare të BE-së, duke respektuar vullnetin e popullit të vet (pasi BE është bashkim i vullnetit të lirë të kombeve dhe jo, e theksoj JO! i krerëve politikë të shteteve), kanë lënë një rrugë hapur për të marrë miratimin me referendum të qytetarëve të tyre, sa herë bëhet fjalë për sipërmarrje të guximshme, që vënë në dyshim ruajtjen e privacisë dhe të drejtave të qytetarëve, apo interesat e tyre nacionale.

Foto në gazetën “Shekulli”

Shqiptarët nuk janë anëtarë të BE-së dhe një zot e di se kur do të bëhemi, pavarësisht servilizmit të tejskajshëm të një pjese të mirë të politikanëve tanë kundrejt strukturave të BE-së apo direktivave të saj. Dua ta them pa hezitim, se shqiptarët kanë probleme të thella ekonomike, vazhdojnë të kenë një menaxhim të keq politik dhe ekonomik, kanë vështirësi të sigurojnë bukën e gojës për fëmijët e tyre, por megjithatë, disa politikanë shqiptarë, mendojnë t’i pajisin shqiptarët me nga një chip. E pra, këtij populli që akoma nuk ka rrymë elektrike 24 orë; nuk ka ujë të mjaftueshëm ndër shtëpia, pavarësisht natyrës së pasur; nuk ka rrugë të shtruara, megjithëse të gjithë komponentët, që duhen për shtrimin e rrugëve gjenden në këtë vend – vetëm një chip i mungon…

Sipas të gjitha gjasave, shqiptarët tani duhet të pajisen me chip se është më trendi, se janë të etur për gjithçka që hyn nga jashtë, sidomos nga Evropa (qoftë edhe plehrat italiane), se pranojnë gjithçka, që i shkon në mendje dikujt në Evropë që ta rekomandojë, pavarësisht se evropianët nuk e zbatojnë për vete (në këtë rast chip-in), se disa nga politikanët tanë postmodernë janë aq përparimtarë, sa nuk mund të mbahen as në këmbët e veta – dhe për më tepër, nuk e marrin fare në konsideratë mendimin apo dëshirën e popullit të vet. Edhe klonizimi i njerëzve është sot një mundësi, i cili për arsye etike e humane nuk lejohet të bëhet. A mos duhet edhe këtë ta bëjmë ne shqiptarët të parët?!…

Foto në gazetën “Shekulli”

Në Danimarkë ashtu si në vende të tjera të Evropës është diskutuar që të vihen shenjat e gishtave në kartën e identitetit, por që pas diskutimeve ka përfunduar me rezultatin që të gjithë të huajt që hyjnë në disa nga vendet e Evropës, duhet tani e tutje të japin edhe shenjat e gishtërinjve. Pra, qytetarët evropianë nuk e kanë pranuar për vete këtë lloj injorimi, apo depersonalizimi, për të mos thënë inkriminimi kolektiv. Por paragjykimet vazhdojnë për botën e tretë – ku duket se ne shqiptarët dëshirojnë të fusin veten…

Ndërsa kaloja në pikën e doganës së Durrësit për të hipur në traget, makina më kontrollohej me tela nën shasi, në një pajisje të dhuruar nga qeveria amerikane, e cila ishte në gjendje vetëm të ngrinte makinën lart – mjet të cilin sot e ka çdo pikë serioze automekanike. Pasi rrugën e bëja relativisht shpesh, unë u thashë punonjësve të anti-drogës që kontrollonin atje: “Kjo është dhurata amerikane?… Pse na inkriminoni të gjithëve?!” Dhe njëri prej tyre filloi të më tregonte një histori, ku një familjar shqiptar ishte kapur në Itali me drogë në makinë… Dhe unë që imagjinoja një pajisje moderne kontrolli, ia ktheva: “Pse ti kujton se atje në Evropë nuk ka njerëz të tillë, që merren me punë të pista… veç shqiptarët duhet të inkriminohen të gjithë?!…”

Në kufijtë ndërmjet shteteve të Evropës së Bashkuar sot nuk ka kontroll fare, me përjashtim të Zvicrës. Ndërsa kur del nga kufiri shqiptar, edhe pse me pasaportë të huaj të një shteti të BE-së, polici të thotë, “nuk mund të hipësh në traget, pa i vënë vulën pasaportës!”, sikur ky veprim të mos ishte detyrë e vetë policisë dhe jo e qytetarit. Sikur pasaporta e huaj nuk është e vlefshme pa atë vulën me datë italisht (se as vulat nuk mund t’i bëjmë ne) të pikës së kufirit në Durrës! Por Shqipëria nuk është e vetme në këtë vulosje të pasaportave. Të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet e ish-Jugosllavisë, si Maqedonia, Mali i Zi, etj. Por marria e tyre nuk ka shkuar aq larg, sa të mendojnë që t’i pajisin qytetarët e tyre edhe me një matrikull të sofistikuar – chip. Zot, kur nuk ia fusin të gjithë shqiptarëve chip-in nën lëkurë, si dikur Hitleri matrikullin me hekur të skuqur çifutëve! Jemi apo nuk jemi njerëz?!

Shqipëria ka nevojë për një datababazë moderne, ku të regjistrohen dhe të ruhen të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Kjo databazë mund të bëhet në mënyrë të tillë, që të ketë hyrje nga organet e policisë, drejtësisë etj., por edhe nga zyrat e gjendjeve civile në të gjithë Shqipërinë. Nëse punohet drejt, kjo databazë qendrore mund të krijohet në një kohë shumë të shkurtër dhe me shpenzime minimale. Me anë të filtrave që mund të ndërtohen në databazë, policia mund të ruajë të dhëna të ndryshme mbi emrin e një personi në kërkim, të cilat nuk mund të shikohen nga pushteti lokal apo qendror (nga spitalet apo nga zyrat e gjendjes civile), të cilat mund të kenë akses vetëm në ato fusha, që u lihen atyre. Zyrat e gjendjes civile duhet t’i kenë të gjithë regjistrat themeltarë të ruajtura në këtë databazë qendrore, ku me një fjalëkalim të veçantë mund të ndryshojnë të dhëna vetëm për pjesën e banorëve të tyre.

Kështu që kur kërkohet informacion për një person, ai mund të gjendet në sekonda, qoftë nga policia, qoftë nga punonjësit komunalë, apo të gjendjes civile. Por më parë duhet një rrjet i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, ku punonjësit duhet të kenë edhe njohurinë e nevojshme të shfrytëzimit të databazës. Është me rëndësi të theksohet këtu, se databaza duhet të pajiset me një numër autentik të referencës, i cili është identifikues për të dhënat që shënohen rreth një personi të caktuar. Të gjithë e marrin me mend se mund të ketë persona me emra të njëjtë, ndoshta edhe atësinë e njëjtë… Dhe nëse ata kanë edhe ditëlindjen e njëjtë, atëherë kemi një problem identifikimi! Bëhet fjalë për numrin personal të një personi, meqë kemi të bëjmë me bazë të dhënash. Ky numër duhet të jetë i veçantë dhe autentik, vetëm një emër mund të ketë një numër referues. Nëse kjo arrihet, atëherë çfarë na duhet chip-i në pasaportë?!…

Modeli danez i numrit qendror personal, niset nga një numër jo shumë i madh banorësh – gjë që na bën të mendojmë se mund të aplikohet mjaft mirë edhe tek ne. Ndërsa modeli amerikan i numrit të sigurisë sociale (Social Security Number) është disi më i ndërlikuar, pasi pakkush (për të mos thënë askush) nuk e mban mend përmendësh një numër të tillë.

Ndërsa danezët e mbajnë mend numrin personal të tyre (CPR), i cili përbëhet nga dy shifrat e para të ditëlindjes së personit (gjithësejt gjashtë shifra, data, muaji dhe viti i lindjes), dhe në fund shtohen edhe 4 shifra të tjera shtesë, të cilat janë unike në varësi të datëlindjes së caktuar, për të shmangur vlerën e njëjtë mes dy personave me datëlindje dhe emra të njëjtë. Për të dalluar seksin, danezët kanë zgjedhur që dy çiftet e katër numrave shtesë për meshkujt të jenë tek, ndërsa për femrat të jenë çift – kjo pasi në Danimarkë (dhe vende të tjera) mund të ketë emra uniseks, që janë të njëjtë si për femra ashtu edhe për meshkuj. (Një numër personal i stilit danez mund të jetë për një mashkull: 220508-2307 dhe për një femër: 210511-3406 – ku gjashtë shifrat e para janë ditëlindja, ndërsa katër shifrat e fundit janë pjesa shtesë, çiftet e të cilit mund të shihet se janë tek për meshkujt dhe çift për femrat.). Kështu që çdo person është në gjendje ta mbajë mend përmendësh një numër me 4 shifra pas ditëlindjes së tij.

Një mik i imi, punonjës i lartë në qeverinë shqiptare e ka zakon të thotë: “Pse të shpikim rrotën, kur atë e kanë bërë të tjerët?!” Me këtë dua të them, se ne mund të aplikojmë fare mirë një regjistrim modern të popullsisë, i cili sidoqoftë është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Madje duhej të ishte bërë më parë! Duhet të shmangim pasaportat apo kartat e identitetit me chip, të dhëna biometrike, shenja gishtash apo ku di unë çfarë të dhënash të tjera personale, që dëmtojnë rëndë privacinë dhe të drejtat e njerëzve, dhe që në të njëjtën kohë kanë kosto më të shtrenjtë për qytetarët. Teknologjia është shpikur që ne të marrim më të mirën prej saj, dhe jo të dëmtohemi nga ajo.

Prandaj qeveria shqiptare, e cila është e interesuar të prodhojë pasaporta të reja apo karta identiteti, bën mirë të ngrejë një shtypshkronjë moderne për prodhimin e tyre këtu në Shqipëri; të rrisë shkallën e respektit për veten, se duke respektuar veten, fillojmë e ngjallim respekt edhe tek të tjerët; dhe të lërë mënjanë chip-in inkriminues apo njollat e gishtërinjve, të cilat sugjerohen nga njerëz që nuk kanë njohje, apo që janë të interesuar të zhvasin miliona, duke i futur një pjesë në xhepin e tyre dhe duke i shkuar dëm pjesën tjetër në shtypshkronja të huaja. Të mos bëjmë lojën e jevgut (shprehje foljore kjo, nuk ka qëllim të fyejë jevgjit), që pa bërë shtëpi akoma, shkon e blen mercedes katër fenerësh…

Edhe ne shqiptarët duhet të besojmë se jemi njerëz si të tjerët. Kemi ndjenja, virtyte, të mirat dhe të këqijat tona. Por mbi të gjitha kemi edhe një jetë personale, e cila duhet të gëzojë privacinë e saj, në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar. Por si mund të kërkohet kjo gjë sot, kur politikanët e lartë të këtij shteti, shahen si fëmijë rrugësh në foltoren e parlamentit shqiptar? Kur respekti për të drejtat e tjetrit nuk ruhet! Kur 10 artikujt kryesorë në faqen e parë të ZP-së kanë çdo ditë emrin e kryeministrit Berisha! Kur… kur… eh sa kur… Prandaj, politika të kthejë sytë nga qytetarët, dhe ta përdorë vullnetin e popullit si justifikim, sa herë që duhet të marrë vendime të një rëndësie, që cenojnë dhe prekin të drejtat e njerëzve, apo interesat tona kombëtare.

S’kemi pse të vëmë standarde, që popujt e tjerë të civilizuar nuk i kanë dhe nuk pranojnë t’i kenë as për vete. S’kemi pse të pranojmë injorimin që duan të na bëjnë të tjerët – duke inkriminuar vetveten në një mënyrë të përgjithësuar, apo duke i vënë njollë vetvetes. Dikur, armiq tanë na akuzonin tek të tjerët që nuk na njihnin, se shqiptarët janë njerëz me bisht; sot ne po i japim botës shembullin më të parakohshëm, se jemi njerëz me chip!

Botuar në “Koha Jonë”, 29.07.2006 dhe “Standard”, 30.07.2006, “Shekulli”, 01.08.2006, etj.

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu