Topi, presidenti i duhur

0
814
Bamir Topi

Nga Arben Çokaj, 11 mars 2009

Në një bisedë të hershme me disa miq që banonin në Bruksel, ndër ta një punonjës i lartë i tatimeve sot në Shqipëri si dhe një ish-diplomat shqiptar, ata këmbëngulnin në idenë se “mbreti belg nuk ka asgjë në dorë, të gjitha i ka kryeministri”. Duke qenë banor dhe shtetas i një mbretërie si Danimarka, dhe duke kuptuar rolin e një mbretërie demokratike, unë kundërshtoja, duke thënë se mbreti ka shumë në dorë.

Biseda e zakonshme postmoderne e mbushur me thënie e kundërthënie ndërmjet shqiptarësh, u tensionua për një moment, por përfundoi me konkluzionin se, po të mos ishte mbreti, Belgjika mund të shpërbëhej ndërmjet francezëve dhe flamangëve. Kaq pak kishte në dorë mbreti – unitetin e kombit…

Presidenti Topi në OKBPresidenti Topi në OKB


Njeriu që respekton institucionet

Në tranzicionin e stërzgjatur shqiptar, politika ka pasur dhe ka njerëz me koncepte perëndimore, që duan ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Evropa dhe punojnë si evropianë. Por jo të gjithë kanë mundur të ndriçojnë me politikën e tyre, për shkak të realitetit të ashpër politik shqiptar. Fatkeqësisht, një dorë politikanësh me kulturë e koncepte arabike-bizantine, ia kanë arritur të dominojnë kulturën dhe mentalitetin politik shqiptar dhe përcaktojnë mënyrën kërmillore të ecjes së Shqipërisë në rrugën e integrimit euro-atlantik, duke krijuar pengesa ligjore e konceptuale dhe duke zgjatur tranzicionin.

Përkundër këtyre tendencave, shfaqet Presidenti i Republikës me një model tjetër drejtimi, me modelin perëndimor të krijimit të institucioneve të forta e të pavarura dhe respektimit të veprimtarisë së tyre. Kjo është një detyrë mjaft e vështirë në Shqipërinë e sotme. Rruga institucionale, e shoqëruar me një kontroll të rreptë, i forcon institucionet gradualisht dhe e bën shtetin më të fortë. Në jetën tonë të përditshme, të mbushur me vështirësi, konflikte e dilema, ne që merremi me gazetari dhe median e shkruar, ndodhemi shpesh në dilemë. Jo gjithmonë shkrimet tona kuptohen drejt, apo japin efektin e duhur. Por kur ndodh që ndonjë shkrim ka impakt pozitiv – kjo na bën që të vazhdojmë më tej, na motivon, që të mos ndalemi në misionin tonë, për të trajtuar tema, që ndikojnë shoqërinë shqiptare.

Personalisht prirem të mos i shoh gjërat zi. Kam qenë një ndër mbështetësit publikë të kandidaturës së Topit për President, me një koment në kohën e duhur, dhe për këtë nuk jam penduar. Nëse Nano do të ishte zgjedhur president, do të kishim ngatërresa të stisura, nuk do të kishim një ekuilibër të pushteteve në Shqipëri, nuk do të kishim akuza shpërdorimi ndaj zyrtarëve të lartë, mund të mos kishim fare këtë klimë bashkëpunimi pozitë-opozitë, se do të mungonte mirëbesimi për paketa ligjore në procesin e integrimit në NATO dhe në BE. Mënyra e punës së Presidentit Topi nuk është një protagonizëm fals e irritues, siç jemi mësuar ta shohim shpesh te aktorët e politikës shqiptare. Presidenti ka treguar deri tani se nuk ka dëshirë të merret me thashethemet e përditshme të politikës shqiptare dhe gjuha e tij është pikërisht ajo, që ai përsërit shpesh, gjuha e dekreteve. Kjo është tepër e rëndësishme për një shtet ligjor.

Ekuilibri që vjen nga presidenti

Si në rastin e mbretit belg, që “nuk ka gjë në dorë”, edhe Presidenti Topi ka treguar me punën e tij, se di të ruajë mjaft mirë relacionet mes politikës, shoqërisë dhe institucioneve. Punët e mira duan kohë, por presidenti Topi ia arriti të shuajë me kujdes dhe punë institucionale kundërshtitë e fillimit nga opozita, që kontestonin mënyrën e zgjedhjes së tij. Ashtu si në rastin e parë, duke u munduar të qëndrojë i paanshëm mbi palët, presidenti Topi filloi të sulmohej nga partia e tij, madje me akuza nga më banalet, që prekin në sedër çdo kënd, jo më një president. Nuk ka asnjë dyshim, që presidenti Topi është produkt i Partisë Demokratike, por jo një ushtar i bindur i kryetarit të saj. Aq më tepër sot, ku ai ka tashmë një rol tjetër në shoqëri, dhe krerët e PD duhet ta kuptojnë, se jo gjithmonë ai mund t’i mbështesë nismat e tyre ligjore, sidomos kur ato bien ndesh me Kushtetutën, siç ishte psh. rasti i ligjit për lustracionin.

Të jesh president me një kryeministër si Berisha, që do t’i marrë të gjitha atributet për vete, që nuk njeh institucione të pavarura por vetëm ato që i binden, është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur të shpëtosh pa u përgojuar. Me sa mbaj mend, asnjë president shqiptar deri tani nuk ka kthyer me mos-dekretim paketa ligjore të miratuara nga mazhoranca, të cilat pavarësisht kundërshtive, janë pranuar në fund si të tilla. Rekomandimet për ndryshime të bëra nga Presidenti Topi, si për kodin zgjedhor etj., janë pranuar sepse ato ishin të drejta dhe të argumentuara ligjërisht.

Një president i suksesshëm ka nevojë edhe për një staf të zgjuar e të kualifikuar, gjithashtu. Të gjithë e pamë se sa me takt u kalua në heshtje ligji për lustracionin. PS kërkonte që presidenti, një ish i persekutuar i regjimit komunist, të shprehej me mos-dekretim, ndërsa PD kërkonte që ai të shkelte në dërrasë të kalbur. Manovrat e znj. Topalli dhe inskenimet e protestave të disa të persekutuarve para presidencës, kërkonin që presidenti të shprehej me dekretim, në kohën kur ligji në vetvete binte ndesh me Kushtetutën. Por a duhej që presidenti të komprometohej? Pavarësisht se kujt i pëlqeu ose jo, presidenti Topi bëri atë që ka bërë gjithmonë, punën e duhur në momentin e duhur.

Kultura e tërheqjes para gabimeve të paqëllimta

Të mësuar me një kulturë politike, që ka gjithmonë të drejtë edhe kur humbet, shqiptarët ishin dëshmitarë të reagimit të arsyeshëm të Presidentit të Republikës për rastin e dekorimit të një juristi, i cili kishte shërbyer në kohën e komunizmit edhe për gjykime të dënueshme. Pas reagimit të drejtë nga njerëz, që kishin informacion të saktë mbi personin e dekoruar, presidenti e pranoi gabimin e bërë paqëllim dhe premtoi në shfuqizimin e dekoratës së dhënë. Kjo tregon se nga pikëpamja njerëzore dhe politike, presidenti Topi është një personalitet me një arsye të shëndoshë dhe jo pasionant, duke i peshuar mirë veprimet e tij. Ai nuk vepron si ndonjë politikan tjetër prominent, që i ngjan atij shoferit, makina e të cilit po shkon drejt humnerës, por ai nuk ndalon, për forcë zakoni, ose për të mos treguar dobësi, para pasagjerëve që ka në makinë. Topi fut kështu në politikën shqiptare një standard tjetër, konceptin e arsyes: Kur e ke gabim, duhet të tërhiqesh, në momentin më të mirë të mundshëm!

Si ushtarët që bien në fushëbetejë për mbrojtjen e vendit të tyre, ashtu edhe presidenti humbet mbështetje politike, në përpjekjen e tij për të qenë garant i Kushtetutës, mbi palët dhe i paanshëm në veprimtarinë e tij, pasi kultura jonë politike është e një niveli të ulët. Prandaj do të ishte më mirë, që presidenti të zgjidhej me votë popullore, në mënyrë që posti i tij të kushtëzohej nga vota dhe jo nga relacioni, që ai mund të krijojë me një kryetar të fortë partie.

Pavarësisht kostos, që presidenti paguan, duhet të jemi të qartë për atë që mund të ndodhte, në kushtet e sotme, nëse nuk do të kishim një president të ekuilibruar. I ndodhur mes dy palëve agresive, që secila për vete do të shqyejnë “kofshën e luanit”, menaxhimi i situatës në vend bëhet mjaft kritik. Roli i Topit si garant i respektimit të Kushtetutës bëhet tani edhe më i vështirë para zgjedhjeve, ku rrëmbimi dhe euforia e Berishës përballet me një tjetër personalitet të fuqishëm politik, atë të Edi Ramës. Dhe kur bëhet fjalë për fitore, asnjëra palë nuk është e gatshme, apo e duruar për të lëshuar pe, për të toleruar.

Presidentit i duhet tani të shërbejë si katalizator qetësues, si ftohës i moderuar i pasioneve politike ndërmjet palëve. Kjo është më e mira për vendin dhe rrugën e ecjes përpara të tij. Ndriçimi politik, që jep presidenti Topi me veprimtarinë e tij, është më tepër se simbolik, është diçka aq e “parëndësishme”, sa ç’është edhe roli i mbretit belg, për unitetin e kombit. Dhe njerëzit është mirë ta dinë këtë.

Publikuar në: Shekulli, 13.03.2009 (titulli ndryshe)

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu