Meditim për falsitetin e një zonje

0
1168
Jozefina Topalli

Nga Arben ÇOKAJ, 21 janar 2009

Respekt për njerëzit me ngjyrë

He mar Anton*, a ke fillu të merresh me zezakë tash a?!” – dëgjohet një zë nga prapa dhe Antoni kthen kokën. Ndodhet në një kokteil në Ambasadën Amerikane. Gruaja që flet, është shtrirë sa gjerë e gjatë në një kolltuk të ambasadës dhe me një gotë në dorë e zgërdhirje në fytyrë, shikonte nga Antoni dhe bashkëbiseduesi i tij me ngjyrë. Ishte një kohë para se PD të vinte në pushtet, në 2005.

Banner në Shkodër për vit të Ri

Banner në Shkodër për vit të Ri 2009

“Si jeni zonjë?” – i drejtohet në anglisht zonjës në fjalë njeriu me ngjyrë. “Jam shefi i sigurisë së Ambasadës.” Zonjës i ngriu buzëqeshja në buzë për gafën që kishte bërë dhe u mundua të rregullojë vetveten. Shefi i sigurisë së ambasadës nuk di shqip, por fjalën ‘zezak’ e kupton me siguri. Ai kapërceu me takt fyerjen, që i bëri zonja në fjalë për racën e tij dhe bëri sikur nuk ka kuptuar asgjë.

Këto ditë u betua Presidenti i 44-t i SHBA-s, që ka të njëjtën ngjyrë lëkure, si shefi i sigurisë së Ambasadës Amerikane në Tiranë. Zonja mendjelehtë u nis nga Shqipëria për të marrë pjesë në ceremoni. Kjo zonjë, që për hir të vërtetës zotëron sasinë e nevojshme të cinizmit dhe falsitetit, u takua edhe me Hillary Clinton, i dha asaj në kuti një dhuratë para kamerave, duke menduar me vete se, “ja, me këtë, e bleva Hilarin”. Lajmet shqip nga Amerika tregonin se kjo zonjë, që përfaqësonte Shqipërinë në ceremoni (pasi Berisha ka frikë të udhëtojë jashtë), ishte ulur në tribunën e personaliteteve. Amerikanët tregojnë respekt, por sa i respekton kjo zonjë amerikanët dhe Presidentin e tyre me ngjyrë?

Bëj keq, meqë nuk mundesh të bësh mirë

Zonja Topalli e ndjen peshën e të padëshiruarit në politikë. Ajo vuan që të duket, që të dalë në dritë – nuk i mjafton posti që ka. Ka dëshirë të adhurohet e të kthehet në një Evita Peron, apo Ledi Dianë, që të adhurohet nga të gjithë, por “zemrën e ka të ligë” më thoshte një mik një ditë, që e njihte nga afër. Në faqet e revistës së saj Kuvendi, ajo ka publikuar 41 fotografi të saj. Egocentrizmi dhe narcisizmi i saj, i kalon parashikimet. Ajo po vuan nga dëshira e madhe për t’u dukur, pasi e sheh se politika qeverisëse ka dalë jashtë binarëve, me metodat agresive që përdor në abuzime dhe dhunën kundrejt mediave, etj. Znj. Topalli nuk mund ta mbajë peshën e pushtetit dhe për të ruajtur pozicionin e saj, ajo ngaqë nuk i bën zemra të bëjë mirë, po përdor organet e sigurisë, që i binden, për t’u bërë keq njerëzve.

Paniku që u ka hyrë në nënndërgjegje, i bën ata të padurueshëm. Nga njëra anë shohim “sukseset” e qeverisë, si në filmin “Orwell ’84” dhe në anën tjetër imponimin fshataresk të një zonje, e cila është e mbushur me urrejtje e hakmarrje (që tani i është shfaqur në fytyrë), si rezultat i të qenit viktimë e persekutimit, në kohën e komunizmit dhe për shkak se ka qëndruar gjatë krah një politikani, që nuk di ndryshe veç të përdorë metodat e poshtërimit, kulaç e kërbaç. Znj. Topalli kujton se nuk ka rrugë tjetër për sukses, vetëm të përdorë metoda kërcënuese, dhe ka kohë që urdhëron sipërmarrje përndjekjesh të stilit Kafkian, nën psikologjinë e steriotipit “Gra të pushtetshme”. Por, sa jetëgjata dhe efektive kanë për të qenë këto metoda?

Si e njohin dhe sa e respektojnë shkodranët Jozefinën

Një ditë po prisja në ambientet e Prokurorisë së Shkodrës. Në stol po rrinin tre gra të moshuara shkodrane. Vajza e njërës prej tyre ishte e martuar me një amerikan, që punonte në Bondstill, Kosovë. Se ç’kishin një punë në prokurori, por që nuk mundën ta kryenin. Ato ditë, znj. Topalli ishte shprehur “kapeni për zhelesh” deputetin Balla dhe gratë filluan të flisnin për këtë, me njërin nga rojet.

“E meriton me i lëshu nja 20 të burgosur e me e shqy për kambësh” – tha njëra nga gratë. “Mirë ka thanë për të Ahmet Osja” – u hodh e tha diçka roja, që nuk e dëgjova, por me siguri në Shkodër e dinë shumë njerëz, se çfarë ka thënë për të ish-drejtuesi i Institutit të misrit e orizit, kur Jozefina punonte aty.

Në biseda ndërmjet shkodranëve është e pamundur të mos përmendësh nën zë Jozefinën, që shkodranët e etiketojnë me nofkën “Nexhmija e Shkodrës”. Kjo ka ardhur ngaqë Jozefina nuk lë asnjë shkodran të dalë në dritë, pa kaluar rruga nga ajo. Jozefina, me ndihmën e organeve të sigurisë dhe militantëve të PD-së, synon ta poshtërojë dhe diskretitojë personin dhe kush është në gjendje ta durojë poshtërimin e saj, mundet edhe të marrë një pjesë nga keku i hajnisë së pasurisë publike, nën hyqmin e saj.

Marrëdhëniet me znj. Topalli nuk janë dhe nuk mund të jenë të barabarta dhe me respekt reciprok. Ajo është kapoja, të tjerët janë nën të, lango, që i binden verbërisht. Ose kundërshtarë, që ajo ka një dëshirë perverse për t’i dhunuar, me ndihmën e organeve të sigurisë. “Nëse dëgjon Jozefina të flasësh keq për të, të vë 20 vetë në shpinë për të të vrarë” – më paralajmëroi një ditë një biznesmen në Shkodër, i cili ka në pronësi një kafené në qendër. Kjo është ndjenja reale e shkodranëve për Jozefinën, por asaj duket se i intereson më shumë ta druajnë se ta duan e respektojnë. Dhe kjo përzierje ndjenjash e ka bërë atë të vuajë pasojën e mosdashjes, prandaj ajo ka nevojë të vetë-lavdërohet për të kompensuar panikun, që e ka kapur nga humbja e pritshme.

Falsitet në ligjin kundër dhunës në familje dhe të drejtat e grave

Ishte nëntor 2007. Në e-mailin e faqes sime për Shkodrën me vjen një mesazh nga zyra e znj. Topalli me titull: “Java Ndërkombëtare kundër Dhunës në Familje”. E mora këtë shkrim dhe e publikova në faqe, të shoqëruar me një foto joshëse të Kryetares së Kuvendit. Me 31 dhjetor marr një mesazh urimi për vitin e Ri, në emër të familjes Topalli. Unë nuk i kisha dërguar akoma ndonjë urim znj. Topalli, dhe e vlerësova këtë gjë si shenjë respekti, që ajo tregonte për mua, siç mund të tregojë për të tjerët. Për dy-tre ditë rresht ndodhen disa gjëra të pakëndshme, nga organet e sigurisë (pa etiketuar ndonjë), që më lanë një shije të keqe. Nga përvoja e mëparshme me znj. Topalli dhe veprimet e saj kontradiktore (të stilit kulaç – kërbaç), fillova të ndërmendoj ndonjë nga metodat e saj cinike e poshtëruese.

Paralelisht me sa më sipër, në tetor – nëntor 2007, familja e një vajze, të cilën vëllai im e kishte kërkuar për nuse, filloi të sillej çuditshëm. Dukej qartë një ndikim i pushtetarëve mbi këtë familje, meqë prindërit e vajzës punojnë të dy në administratë. Me atë që u pa më tej, ndjenjat e vajzës u injoruan dhe mbi të fitoi dhuna, jo vetëm e familjes por edhe një ndërhyrje kriminale e policisë nën dirigjimin e një deputeti pa emër, të cilët përhapnin thashetheme dhe shpifje kundrejt reputacionit të vajzës. Të gjitha këto, të urdhëruara nga zonja fisnike me emrin Jozefinë. Shiko artin e verbër të intrigave që përdor kjo zonjë.

Nga njëra anë bëhet promotore në hartimin e ligjeve kundër dhunës në familje, për të cilat më dërgon e-mail edhe mua, dhe në anën tjetër është ajo e para, që i dhunon pikërisht të drejtat e një vajze të re, 17-18 vjeçare, dora e së cilës ishte kërkuar nga vëllai im mjek. Me të njëjtin falsitet, ajo organizon edhe mbledhjet me gra në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, sikur ajo vërtetë po shqetësohet për to… ashtu si për vajzën në fjalë, që ndërhyri për t’i dëmtuar të ardhmen.

Goditje ndaj fjalës së lirë

Këto ditë pata një bisedë me gazetarin Vasel Gilaj. Ai ishte mjaft i acaruar. Më tregoi se pas një lajmi të dhënë në TV Kopliku, i cili kishte të bënte me farsën e organizimit të protestuesve para Presidencës për ligjin e dosjeve, nën ‘kujdesin e veçantë’ të znj. Topalli, ai ishte pezulluar nga puna. Pronarët e TV-së i kishin thënë atij se, deri për zgjedhje ai mund ta marrë rrogën, por nuk duhet të shkelë në TV, pasi kjo ishte një kërkesë e Nexhmijes. Siç shihet, znj. Topalli, dhe jo vetëm ajo, nuk pushojnë nga puna njerëz vetëm në administratë, por edhe në sipërmarrjet private. Kaq egër i ka hyrë ajo, dhe jo vetëm ajo, përpjekjeve për ta marrë pushtetin me forcë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

Kam kujtuar se drejtuesit e lartë të PD-së do i thirrin mendjes dhe në vend të forcës, ata do të përdornin alternativën më të mirë, për ta merituar fitoren në zgjedhje. Por jo! Duket qartë se ata kanë shkuar tepër larg në korruptimin e tyre, si njerëz e si politikanë dhe ka mundësi që alternativa më e mirë në PD, kërkon largimin e vetë Berishës, të znj. Topalli e të ndonjë tjetri, në mënyrë që Partia Demokratike të marrë frymë demokratikisht dhe të konkurrojë në zgjedhje, për t’i fituar ato me meritë. Berisha dhe krahu radikal në PD, afër tij, nuk janë të përgatitur që të tërhiqen, pavarësisht se politikat dhe veprimet e tyre kanë rënë ndesh edhe me normat e demokracisë, që kërkohen nga aleatët tanë perëndimorë.

* Emri Anton është përdorur në vend të emrit të vërtetë.

Botuar me shkurtime në: Shekulli

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu