Nga liberalizimi i çmimeve “mbetet diçka” në dyqane

0
1080
Cookbook - grocery - highland - park

Jemi nisur drejt ekonomisë së tregut, të etur për të patur dyqanet plot, për të pasur bollëk material, si në vendet e zhvilluara. Kjo s’mund të kuptohet pa liberalizimin e çmimeve. Por si gjithçka, edhe ky proces kaq i rëndësishëm duhet të kontrollohet nga shteti, në mënyrë që paga reale e punëtorit të rritet e jo të ulet, siç po ndodh aktualisht.

Pas thënies “edhe pasoja do të kemi”, s’mund t’i lihet çdo gjë rastësisë, vetëorganizimit. Eshtë domosdoshmëri të kemi një dorë të fortë, që të bashkërendojë punën për raporte sa më të drejta ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tegun tonë të brendshëm. Mungesat e shumta në treg s’duhet t’ia lënë vendin një inflacioni të dukshëm, që shoqërohet me çmime astronomike të produkteve të nevojshme.

Ritmet e privatizimit po ecin aq ngadalë, sa që po ndikojnë negativisht në një orientim ç’orientim psikologjik të popullit. Duke mos përmendur tregun e zi, ku çmimet janë fantastike e që bëhet tregëti edhe me mallrat standarte shtetërore (deri brisqet e rrojës e aspirinat po sjellin fitime!) e që policia financiare “nga mungesa e pajisjeve” po u lë dorë të lirë, po kufizohemi në një fakt tjetër, për të bërë të dallueshëm pasojat që po sjell ky liberalizim çmimesh.

Vitrinave të dyqaneve “Fruta-Perime”, tashmë të privatizuara, vërehen afërsisht këto çmime: 1 kg arra – 45 lekë, 1 kg gështenja – 8-12 lekë, 1 kg mandarina – 15 lekë, 1 kg mollë – 12 lekë, etj. Çmimi i mallrave siç shihet është rritur 3-4 herë.

Duke kujtuar këtu, që rroga e punonjësve u rrit vetëm me 50%, del qartë që, aftësia blerëse e qytetarëve është ulur ndjeshëm. Kjo pamundësi blerëse, këto çmime të larta, bëjnë që nga liberalizimi i çmimeve, të “mbetet diçka” në dyqane, dhe jo fakti se këto produkte janë rezultat i superprodhimit. Kjo tregon në një farë mënyre se jemi në stadin e “mollës së ndalueme”. Atëherë natyrshëm lind pyetja: Ç’fitim na solli reforma e çmimeve?

Sigurisht që rritja e rrogave u bë që t’i paraprinte këtij liberalizimi çmimesh, e meqë mundësia për rritjen e rrogave nuk parashihet, të shikohet mundësia për një farë rregullimi të këtyre çmimeve. Por ky afat të mos zgjatet e zgjatet pafundësisht, pasi shpërpjesëtimet do të krijonin plagë të pashmangshme dhe varfërimi relativ i popullsisë do të rritej progresivisht. (Mendoni se çdo të bëhej sikur edhe ushqimeve bazë t’u rriteshin çmimet në mënyrë të tillë?)

Siç shihet, çdo gjë është lënë në “ndërgjegjen” e tregëtarëve. Ata janë të prirur për fitim maksimal e kjo është e kuptueshme. Prandaj shteti, si ndërmjetësi ligjor, duhet të ndërhyjë, që ky fitim të kufizohet në aftësitë blerëse të konsumatorit. Ky arsyetim bëhet duke u nisur nga ana e ukshme e fakteve, pasi puna e tregtarit do të jetë e tillë, ai do tregtojë mallin që i intereson, duke ditur çmimin kufi të leje-shitjes.

Reformën ekonomike e ka marrë përsipër Qeveria. Kjo reformë duhet të drejtohet nga kjo qeveri dhe jo t’i lihet vetëveprimit kaotik. Padyshim ajo po punon, por dora e saj duhet të ndihet më fort në këtë fazë tranzitore, kur po hidhen bazat e një shteti të fuqishëm.

Qeveria duhet të ushtrojë presion mbi ata vartës që akoma po flenë. Veç qeverisë, kush tjetër do e rregullojë gjendjen?

Arben Çokaj, student

Publikuar: Bashkimi Kombëtar, 30 nëntor 1991

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu