Grusht turinjve Kosovës

0
1250
Ramush Haradinaj

Shkruan: Arben ÇOKAJ

Presioni i madh ndaj kryeministrit të Kosovës nga prokurorët e gjykatës ndërkombëtare të Hagës, bëri që Ramush Haradinaj të japë dorëheqjen dhe të dorëzohet vullnetarisht për gjykim në Hagë. Por sa e përgjegjëshme dhe sa dobiprurëse për Kosovën dhe të ardhmen e saj është ky akt kaq vetëmohues e sublim i kryeministrit kosovar? Duhet thënë që në fillim, se ditët dhe muajt e ardhshëm do i bëjnë më të qarta akuzat ndaj kryeministrit kosovar dhe qëllimet e vërteta të kësaj gjykate ndërkombëtare, e cila godet (kur i thonë) me grushta turinjve një popull të martirizuar dhe dëshirën e tij për liri e pavarësi. Presioni ndaj Haradinajt ka qenë dhe është presion direkt ndaj popullit të Kosovës dhe pavarësisë së tij, është presion i ushqyer nga qarqe të caktuara regresive, që kanë mundur të ndikojnë mbi këtë gjykatë ndërkombëtare.

Drejtësia evropiane të bën të jesh skeptik e pesimist për objektivitetin dhe pavarësinë e vendimeve që një gjykatë ndërkombëtare në Evropë mund të marrë. Njerëz që merren me drejtësinë në Evropë, si avokatë apo punonjës gjyqesh atje, të thonë jo rrallë e pa të keq se “është ndryshe të kesh të drejtë, dhe ndryshe të marrësh të drejtë…” Pra, dorëzimi si papritur i Haradinajt në gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës për ish-Jugosllavinë, nënkupton akuza serioze (ose të stisura) kundrejt një luftëtari të lirisë, i cili u shndërrua shumë shpejt edhe në një politikan serioz e të suksesshëm për popullin e vet. Kosova ka dhënë për lirinë e saj mjaft martirë, më tepër se ç’duhet. Ajo nuk ka nevojë për martirë të tjerë, por për liderë të përgjegjshëm, që i hapin rrugën Kosovës për më shumë liri e begati, për një të ardhme më të sigurtë. Ndoshta shumë shpejt do e kuptojmë të gjithë se veprimi i Haradinajt mund të konsiderohet i nxituar, megjithëse shtysa të fuqishme mund ta kenë detyruar atë të lërë postin e tij…

Ajo që të jep një shije të keqe që në fillim, është pikërisht fakti se në të njëjtën ditë, kur Haradinaj dha dorëheqje dhe vendosi që t’i dorëzohet Hagës, qarqe të caktuara të Komunitetit Evropian i dërgojnë një kërkesë departamentit të shtetit amerikan, që të mos ‘nxitojë’ për të marrë vendime të ‘njëanshme’ (si në rastin e Maqedonisë) lidhur me statusin e Kosovës, duke i kujtuar amerikanëve se ruajtja e harmonisë në ‘aleancën atlantike’ është e domosdoshme. A mos kemi të bëjmë me një gjueti shtrigash në këtë rast?! Pra, kemi një reagim ‘evropian’, nën efektin e një vale goditëse, që ngjan sikur punët në Evropë i rregullojnë serbët… Dhe vërtetë, diplomacia serbe mund të mburret për këtë arritje. Një zot e di, se kujt i beson më shumë Haradinaj për dorëzimin e tij, politikanëve ndërkombëtarë që kanë garantuar, apo drejtësisë e pavarësisë vendim-marrëse të gjykatës së Hagës?! Urojmë që instikti i tij i mirëbesimit të dalë për mbarë, ashtu siç doli edhe në luftën e Kosovës.

Kosova nuk fiton asgjë me dorëzimin e Haradinajt në Hagë, ndonëse analistë shqiptarë si dhe politikanë të ndryshëm e vlerësuan vendimin drastik të kryeministrit kosovar si të përgjegjshëm dhe që bëhet për interesat e Kosovës e jo për interesat e tij personale. Nëse na lejojnë të tregohemi paksa egoistë (siç tregohen evropianët), mund të pranojmë me plot gojë, se Kosova dhe liria e saj humbet, kur drejtuesit e saj akuzohen, me ose pa të drejtë, se kanë kryer krime lufte apo krime kundër njerëzimit.

Peshorja e drejtësisë së Hagës nuk është e përkryer. Ashtu siç i nisën prokurorët e Hagës akuzat kundrejt Haradinajt, sapo ai pranoi ofertën për kryeministër në Kosovë, ashtu edhe gjykatësit e këtij gjyqi ndërkombëtar do të jenë në gjendje të tregojnë mjeshtëri në vendimin e tyre (siç e kanë zakon gjyqtarët evropianë), që të justifikojnë këtë ekstradim të Haradinajt për në Hagë. Kjo mund të bëhet për të kursyer dëmshpërblimin që i duhet dhënë zotit Haradinaj, për pengesat që i krijojnë me një ekstradim të tillë, nëse ai shpallet i pafajshëm.

Gjykata e Hagës, si çdo gjykatë tjetër, duhet të ketë ‘lëndën’ e parë për të ‘konsumuar’. Pra, gjyqtarët dhe prokurorët si dhe nënpunësit e përkthyesit e gjyqit, duhet të kenë edhe të akuzuarit e tyre për të justifikuar rrogat e larta. Proceset në Hagë zgjasin pafundësisht, pasi qylxhinjtë evropianë kanë dëshirë të përtypin ngadalë paratë e përbashkëta. Amerikanët janë ankuar se proceset po ecin ngadalë në Hagë dhe se gjykata duhet të përshpejtojë trajtimin e çështjeve. Por duket se ata s’mund ta detyrojnë gjykatën që të rrisë efektivitetin e punës. Nga ana tjetër, për efekt kompensimi, gjykatës së Hagës i duhen edhe të akuzuar të kombësive të tjera, veç serbëve, që të justifikojnë paanësinë e vet. Ky duhet të ketë qenë edhe kurthi për Haradinajn…

Pjesëmarrja në luftën e Kosovës nuk të lë të paimplikuar. Kështu që prokurorët në Hagë mund të gjejnë gjithmonë fakte që të justifikojnë akuzat dhe veprimet e tyre dhe kështu të rrëshqasin nga përgjegjësia. Nga ana tjetër duhet thënë se, ndonëse gjykata e Hagës ka vepruar nën ndikimin e diplomacisë serbe dhe fakteve që ata kanë përdorur kundër kryeministrit Haradinaj, kjo nuk do të thotë se prokurorët e saj (apo gjyqtarët), do të jenë vegël e serbëve, por gjithësesi mund të bëjnë që Haradinaj të mos dalë pa u lagur nga gjyqi. Të paktën, Haradinaj largohet nga një post i preferuar në Kosovë dhe mund të mbahet për muaj të tërë në pritje të vendimeve të tejzgjatura të një gjykate të fryrë në Hagë.

Duke u munduar të mos tregohemi tradicionalë në përsëritjen e gabimeve tona si shqiptarë, por të tregohemi të matur në vlerësimet dhe analizat tona politike e diplomatike, pa servilizëm e ndikim histerik kundrejt presioneve të më të fortëve dhe fuqive ndërkombëtare, mund të themi se akuzat ndaj Haradinajt kanë qenë të qëllimta dhe janë bërë në një kohë kur pritej diskutimi për statusin e Kosovës. Ato synojnë të pengojnë procesin e pavarësisë së Kosovës, dhe t’u japin kohë serbëve që ta vonojnë këtë proces. Goditja e Hagës (si goditje evropiane) bëhet për të shpërqëndruar veprimet e diplomacisë kosovare dhe shqiptare në përgjithësi, dhe ka synimin final, minimin e pavarësisë së Kosovës.

Në Kosovë luhen interesa të ndryshme, nga më banalet e deri tek ato më sublimet. Interesat banale janë më të pafytyra dhe si të tilla kanë probabilitet më të madh për të dalë në dritë dhe për të dominuar skenën politike. Haradinaj, viktima e rastit, shfrytëzohet nga interesat banale, pasi njihet pasioni i tij idealist për lirinë e popullit të tij. Evropiano-perëndimorët godasin me grushta turinjve Kosovën, duke shfrytëzuar kodet e burrërisë që kanë mbetur akoma në ato anë dhe veprojnë me mjaft dinakëri kundrejt diplomacisë sonë gjysmë të përgjumur. Haradinaj nuk duhej të nxitonte – Hagën aty e kishte. Pse të mos diskutohej më parë në shtyp e media për muaj me radhë ky vendim, siç bëhet rëndom në vendimet politike, dhe Haradinaj të fitonte kohë e eksperiencë për vendimin që do të merrte?!

Haradinaj kishte punë më të rëndësishme për të bërë se sa të ngujohej në Hagë! Një vendim a veprim i tillë mund të konsiderohet i guximshëm, por jo i mençur! Haradinaj nuk duhej të dorëzohej në Hagë, të paktën jo kështu, të paktën jo tani! Kryeministri kosovar nuk është i pazëvendësueshëm, por ai ka vendin dhe rolin e vet në Kosovë, kishte punën e tij të pakryer, kishte premtimet e papërmbushura. Nëse ndërkombëtarët presin nga ne, që të eleminojmë kokat tona të guximshme e të mençura, dhe t’i japim ato kaq lehtë, si në rastin e Haradinajt, atëherë ne si shqiptarë duhet të shohim këtu një të metë të madhe të këtij sistemi mendimi evropian, që shkon kundër interesave tona kombëtare.

Kosova nuk ka mundur ta fitojë pavarësinë deri tani, pikërisht se kokat e zgjuara dhe të guximshme të saj janë eleminuar vazhdimisht, për një arsye apo tjetër. Tani kemi garant evropianët… të mos ushqejmë shumë iluzione për ta. Të kujtojmë historinë dhe të mos vetëflijohemi për hir të kësaj besnikërie sa servile aq edhe absurde ndaj evropianëve! Por të fillojmë të sillemi me ta me të njëjtën monedhë!

8 mars 2005

Dërguar për: Gazeta “Bota Sot”, “Illyria”, “Shekulli”, “QIK”

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu