Rrugët tona elektorale

0
1036
Rrugë elektorale

Nga Arben Çokaj, 28 maj 2009

Në kohën e komunizmit, e gjithë shoqëria ishte peng e politikës, peng e disa njerëzve që kishin kapur dhe mbanin me forcë pushtetin. Ata mbanin përgjegjësi për gjithçka ndodhte në vend dhe drejtonin me dorë të fortë përmes një filozofie, që prodhonte delir, sa më shumë që koha kalonte. Në vitet e para të vendosjes së komunizmit në vend pati zhvillime të mëdha shoqërore dhe ekonomike, e shoqëruar kjo me krime të rënda kundrejt atyre, që konsideroheshin të pasur apo kundërshtarë të regjimit popullor. Gradualisht, shoqëria jonë shkoi drejt mbylljes në vetvete për të përfunduar me mbështetje në forcat e veta dhe kolaps. Prona e shqiptarëve u shtetëzua plotësisht dhe shteti ishte pronari i vetëm.

Ky model shoqëror krijoi stereotipat e veta dhe njerëzit në përgjithësi synon të punësohen në shtet, sepse vetëm aty mund të merrnin favore, përveç rrogës. Treg pune tjetër nuk kishte. Kjo tendencë minimaliste vazhdon edhe sot, duke penguar zhvillimin e vendit në parametrat e një ekonomie tregu. Ndryshimi i sotëm me të djeshmen nuk gjendet tek sjellja e politikanëve tanë, sa ç’gjendet tek fakti, që sot politikanët tanë nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë: as për krime ekonomike e politike, që kryhen në vend, as për ato njerëzore. Shteti jonë është kthyer në një vatër korrupsioni gjithëpërfshirës, një shtet pa ndërgjegje, pa moral dhe pa mekanizmat e duhura të kontrollit. Një shtet pa krye, anarki.

Në 19 vjetët e fundit, kur shoqëria e ndrydhur në vetvete u hap, ne nuk patëm udhërrëfyes të sinqertë e të ditur, që ta drejtonte shoqërinë shqiptare në drejtimin e duhur. Drejtuesit politikë në shumicën e rasteve sharlatanë dhe me interesa momentale e personale, synonin, siç synojnë edhe sot, krijimin e një kapitali për vete dhe këtë në rrugët më të shpejta të mundshme. Pjesa tjetër është politikë, gënjeshtër. Shoqëria u drejtua keq në përgjithësi dhe iu la spontanitetit. Shumë zhvillime pozitive që ndodhën, erdhën nga presioni dhe rekomandimet e të huajve, ose nga evoluimet vetjake të individëve të ndryshëm, të cilët gjetën terren në shoqërinë e re, që kishte filluar të ndërtohej.

Ajo që vihet re sot në shoqërinë tonë, kur nuk ka një plan të qartë zhvillimi ekonomik, është mbështetja përsëri në forcat e veta të secilit prej nesh, se shteti nuk merr përsipër më asgjë, vetëm atë pjesë detyrimesh, që ka mbetur nga ligjet e vjetra dhe forca e zakonit, e cila përsëri kryhet keq ose është jashtë kohe. Çdo investim që kryhet nga shteti ose kushton disa fish më shumë se sa çmimi bazë, ose bëhet keq, duke shpenzuar kështu milionat e shqiptarëve, për investime publike të një cilësie mjaft të ulët. Shqipëria është zhytur në borxhe të mëdha dhe paratë e marra kanë përfunduar më shumë në xhepa politikanësh joproduktivë ose biznesmenësh shterpë, që ndodhen afër tyre. E gjithë shoqëria jonë vihet në shërbim të politikës, ashtu si edhe dje, dhe punonjësit e administratës kthehen në elektorat të kryeministrit të radhës, a njerëzve afër tij, përndryshe humbasin punën.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë të rrugëve me cilësi të dobët që po ndërtohen, sado madhështore që reklamohen ato. Projekti i qeverisë shqiptare për të ndërtuar rrugën Durrës – Kukës – Morinë ishte mjaft strategjik, por u politizua tej mase. Kryeministri duhet përshëndetur për guximin e treguar, për ta futur vendin në borxhe të mëdha, për ta ndërtuar këtë rrugë, kostoja e së cilës po shkon disa herë më shumë se sa shpenzimet reale të saj. Përballë Kryeministrisë u ekspozuan pamje nga rruga që po ndërtohet. Por jashtë sfondit politik dhe elektoral, a duhet ne t’ia bëjmë llogarinë kësaj rruge?

Autorrugët e Kroacisë
Nuk jam specialist rrugësh, as nuk e kam parë rrugën që po ndërtohet në gjithë gjatësinë e saj. Kam parë masakrën që po bëhet tek zgjerimi i aksit rrugor Fushë Krujë – Lezhë si dhe atë pjesë rruge në drejtim të Kukësit, e cila po shtrohet e gjitha mbi një bazament zhavori e rëre, që merret barbarisht nga shtretërit e lumenjve. Në këto rrugë, pasi pastrojnë paksa dheun, vënë një shtresë plasmani dhe mbi të hidhet rërë, vetëm rërë lumi. Rëra e lumit nuk përbën bazament të qëndrueshëm për një rrugë të standardeve të larta. Ajo nuk ngjeshet mirë dhe mund të rrjedhë me rrjedhjen e ujërave. Rëra e përdorur si bazament bëhet rrëshqitëse dhe asfalti mund të shembet dhe plasaritet shumë shpejt, pas prerjes së shiritit të rrugës së ndërtuar mbi rërë. Porositësi i rrugës e ka mendjen vetëm tek shiriti dhe rrugë-ndërtuesit ndërtojnë keq, shpejt dhe lirë, se askush nuk guxon të kontrollojë cilësinë e rrugës së tyre.

Duke udhëtuar përmes Gjermanisë, kam vërejtur rrugë në ndërtim. Kam parë gjithashtu edhe autorrugën që po ndërton Kroacia nga Zagrebi në Dubrovnik. Ndryshimi në cilësinë e shtrimit si dhe në bazamentin mbajtës është mjaft i madh. Kroatët dhe gjermanët shtrojnë në fillim një masë të madhe gurësh mali si pjesë e shtresës së parë të bazamentit të rrugës, pastaj çakull me gurë mali paksa më të hollë për të ardhur me shtresa më të holla deri tek fiksuesi, një masë gurësh mali të grirë imët, që ngjeshet e vibrohet dhe mbi të cilin shtrohet asfalti i njëtrajtshëm me një trashësi disa herë më të madhe se në rrugët tona. Kaq është e mjaftueshme për të krahasuar ndryshimin në cilësi.

Po çmimi si është? Rrugët gjermane mund të kushtojnë më shtrenjtë, sidomos urat e njëtrajtshme të tyre, të derdhura në beton, të cilat kanë një teknologji të ndryshme dhe më të avancuar, në krahasim me vendet e tjera në Evropë. Firmat gjermane duhej të fitonin tenderat e urave shqiptare, se urat po bëhen, por kam frikë se po bëhen keq, në stilin italian, me të çara nga sipër, e metale të hodha, që çohen përpjetë gjatë kalimit të automjeteve dhe jo vetëm që kërcasin por bëhen edhe burim aksidentesh. Ndërsa në Kroaci kemi ndoshta një cilësi urash jo aq të lartë sa në Gjermani, tunelet dhe rrugët e tyre janë të një cilësie të lartë. Kroatët kanë firma ndërtimi, si Viadukt, Konstruktor, etj., që vijojnë që nga koha e komunizmit dhe kanë përvojë disa dekadash ndërtimi të rrugëve kombëtare e ndërkombëtare, dhe vazhdojnë ta ruajnë përvojën e tyre, përkundër firmave shqiptare të papërvojë dhe që bazohen vetëm mbi liçensën e një inxhinieri të vetëm.

Ndërsa ne në Shqipëri nuk kemi gurë mali, se ata kushtojnë “shtrenjtë”. E kemi më të lehtë të marrim zhavorrin e shtratit të një lumi. Ndonjë specialist novator shqiptar nuk është çudi që të na nxjerrë zhavorrin e lumit më të mirë se gurët e malit për këtë punë, por pyetja e thjeshtë do përgjigje: Kush i ka rrugët më të mira, gjermanët, kroatët, apo ne? Për të krahasuar çmimin dhe cilësinë e një autorruge në Kroaci me çmimet dhe cilësinë, që kryhen rrugët tona, mund të marrim si shembull autorrugën Zagreb – Split. Në gjatësinë e saj prej 374 km nga Zagrebi në drejtim të Splitit, autorruga ka 6 korsi, disa tunele, ku 2 prej tyre i kalojnë 5 km gjatësi, disa mbikalime për kafshë, etj. Rruga ka kushtuar 3.3 miliardë Euro.

Firmat kroate krijojnë pika përpunimi të gurëve të malit përgjatë gjatësisë së rrugës, për të krijuar bazamentin e fortë dhe të qëndrueshëm, që është baza e një rruge të mirë. Përgjatë malit, ata, madje edhe malazezët, çelin kanale kullimi të rrugës, ndërsa firmat tona ia besojnë kullimin zhavorrit të lumit. Në mes të fushës, në akset rrugore të përmendura më sipër, nuk sheh askund që firmat tona të bëjnë kullimin e rrugës me tuba betoni apo plastikë, siç bëjnë kroatët. Në gjatësinë e saj, rruga Durrës – Kukës – Mkorinë ka vetëm 60 km me 4 korsi (pjesa tjetër me dy) dhe po kushton afër 1,5 miliardë Euro.

Shqiptarët e mbytur në borxhe jetojnë në luks, me paratë e të tjerëve. Një deputet i mazhorancës më pati thënë: “punojnë të tjerët për ne…”. Ky duket se është edhe modeli ekonomik i zhvillimit të vendit tonë, i cili justifikon edhe një krim ekonomik, që po kryhet mbi një rrugë të rëndësishme e të shtrenjtë, vetëm sepse ajo ka efekt elektoral. Kur do të fillojmë ne shqiptarët t’i bëjmë punët për vete, se duhen bërë dhe jo për t’i treguar BE-së, NATO-s apo për efekt elektoral?

Botuar në: TemA, 31.05.2009

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu