Konsumatori politik

0
911
Good Food - konsumator

Kur e dëgjova për herë të parë togfjalëshin “konsumator politik” nuk arrita ta kuptoj plotësisht domethënien e tij. Ndoshta ngaqë e dëgjoja në një gjuhë të huaj, ndoshta ngaqë ishte hera e parë. Drejtuesi i projekteve në Insitutin e Kërkimeve të së Ardhmes, Steen Svendsen, ishte i pari që e futi këtë term në fjalorin politik të shoqërisë daneze në vitin 1994. Ai ishte mbështetur në kërkimet e tij mbi demonstratat e fuqishme, që patën shpërthyer në vitet ’70-të në Danimarkë dhe më vonë në sjelljen e veçantë të disa njerëzve. Por, ku konsiston në pak fjalë, termi “konsumator politik“?

Ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që kanë filluar të krijohen konsumatorë të veçantë të ndërgjegjshëm, të cilët tashmë nuk përdorin demonstratat për të shprehur vullnetin apo qëndrimin e tyre, por tregun. Në qoftë se në Kinë, p.sh. shkelen të drejtat e njeriut, ka mundësi që rreth 1,2 milion nga gjithë popullsia 5 milionëshe e Danimarkës, të mos blejnë mallra kinezë. Shumica e këtyre konsumatorëve politikë janë në moshën 30-49 vjeçare dhe nëpunës të zyrave të ndryshme shtetërore, të cilët kanë rroga të mira dhe shpeshherë nuk pyesin për çmimet, mjafton të realizohet qëllimi i tyre bojkotues.

Meqenëse këto lloj konsumatorësh janë të shumtë, atëherë edhe firma tregëtare të fuqishme e determinojnë politikën tregtare të tyre në bazë të kërkesave të konsumatorëve. Nuk e di me siguri, nëse termi “konsumator politik” është familjar për gjuhët e tjera të perëndimit, por për diçka jam krejt i sigurtë, konsumatorë politikë ka puthuajse në të gjithë vendet e Evropës perëndimore.

Përveç kuriozitetit, konsumatorët politikë mund të merren edhe si shembull i qartë i asaj vetëdijeje politike, që kombe të konsoliduara evropiane kanë arritur të kenë sidomos në çerekshekullin e fundit. Tashmë ka ikur koha e shpatës; politikën nuk e përcakton më forca e krahëve, aq sa ç’e luan zgjuarsia e trurit, fjalët. Por edhe tregu, më saktë ekonomia, ka domethënie të pazëvendësueshme.

Ndërkohë që njeriu shuan kuriozitetin e tij, fillon edhe të brengoset. A ekziston koncepti i konsumatorit politik në mesin e shqiptarëve? Unë do të thoja po! përderisa edhe unë jam një i tillë. Por ndonjëherë vëren qytetarë të pavetëdijshëm kosovarë që përdorin makina “yugo”, ndërkohë që shtypen pa mëshirë nga administrata ushtarake serbe. Ata, fare thjeshtë mund të justifikohen me çmimin konkurrues, ashtu siç mund të justifikohen me paratë e humbura edhe disa qytetarë vlonjatë e fierakë, të cilët ngrejnë lart tre gishtat – simbol të nacionalizmit serbomadh.

Për rrjedhoja historike që dihen tashmë, shqiptarët nuk e kanë patur sa duhet të kultivuar ndërgjegjen e vet kombëtare. Për një tiranas mund të konsiderohet si veti moderne përqeshja e një shqiptari të ish-Jugosllavisë, ashtu siç është bërë e modës edhe për disa shqiptarë nga viset etnike jashtë shtetit shqiptar, të tallen me fatkeqësinë e varfër të shqiptarëve breda Shqipërisë. Por historia jonë nuk pajtohet me vese të tilla, ajo e pozicionon veten kundër tyre dhe për më tepër, nuk e ka fundin këtu.

Ne shqiptarët jemi shumë autokritikë, pra shajmë vetveten, në vend që të harxhojmë më tepër energji për ndryshimin e realitetit. Në qoftë se ne e dimë se për rreth pesë shekujt e fundit, politika zyrtare që ka sunduar tokat tona ka qenë e huaj, atëherë duhet edhe të jemi koshientë me efektet e sotme negative. Kjo s’do të thotë se duhet të pajtohemi me to. Përkundrazi! Ngaqë jam larg trojeve shqiptare e kam të vështirë të ndjek me vërtetësi atë çka realisht ndodh atje, pasi mund vetëm t’i referohem artikujve gazetareskë, apo ekranit subjektiv të televizorit. Por çka është më e rëndësishmja të kuptohet, bëhet dëshmitar me mua, se të huajt që pasqyrojnë gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi, nuk u interesojnë arsyet që shpjegojnë pozitën aktuale të shqiptarëve, atyre u pëlqejnë faktet ndodhëse, nëse ata, në rastin më të keq, nuk janë të dërguar t’i shërbejnë konjukturave të caktuara politike.

Dhe ne duhet të tregohemi të vëmendshëm, që këta të huaj të marrin nga ne atë që duam ne t’u japim. Ajo çka ndodh sot në Shqipëri është mjaft tronditëse. Destabilizimi i shtetit të sotëm shqiptar që është në dëmin e të gjithë shqiptarëve, fatkeqësisht u intereson disa shqiptarëve… Kjo s’do të thotë se ata janë antishqiptarë, ndoshta ata janë më patriotët, por fatkeqësia e tyre qëndron në faktin se, ata futen në frontin e atyre që Shqipërinë, për arsye konjukturale, nuk e duan stabile.

Në kanalet e huaja televizive sheh një nxirje të realitetit në Shqipëri, dhe askujt nuk i kujtohet fakti se Shqipëria ‘e varfër’ kishte rritjen ekonomike më të madhe në Evropë në dy vitet e fundit. Kanali i parë i televizionit shtetëror danez, që është mjaft i moderuar, në një emision dokumentar ‘Horizont’ i injoron intervistat përkrahëse ndaj presidentit Berisha, duke mos i dhënë ato. Kjo është krejt demokratike, pasi luhet politika e asaj konjukture që gazetari do. Ndërkohë që RTSH-ja jonë kritikohet pandarë si jo demokratike, pasi luan politikën e shtetit shqiptar. Diçka nuk arrij ta kuptoj; a mos duhet që televizioni shqiptar të luajë politikën e tre gishtave?!…

Analistët politikë e dinë tashmë se problemi i Kosovës rëndon ndjeshëm edhe mbi atë që zhvillohet në Shqipëri, pasi një Shqipëri e fortë, bën që interesat e shqiptarëve të jenë më të mëdha. Por analistët politikë shqiptarë duhet ta dinë gjithashtu se, problemi kosovar është problem kyç i politikës shqiptare. Moszgjidhja e tij do të rëndojë gjithmonë mbi kokën tonë, si fryt i dështimit të vazhdueshëm. Edhe në qoftë se një shtet i caktuar shqiptar nuk e përkrah çështjen e Kosovës, përsëri Shqipërisë i serviret dështimi. Këtë na e bëjnë mëse të qartë pesëdhjetë vjetët e fundit. Për aq sa di unë, politika e shtetit të sotëm shqiptar ka qenë më seriozja në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Këtu fillon të ndërlikohet situata. Në politikën globale ka interesa të caktuara, të cilat me të gjetur rastin fillojnë e shfaqen.

Aq më tepër në Shqipërinë ‘e varfër’. Opozita e sotme kërkon dorëheqjen e qeverisë, më pas të presidentit. Me fjalët e mia modeste do i kisha servirur asaj dialogun, pasi gjithmonë është opozita ajo që e thërret në dialog shtetin. Nëse opozita këmbëgul të bëjë lojën e të fuqishmit, atëherë mund të rezultojnë dy fenomene: Ose shteti do të tërhiqet, në këtë rast kërkesa e opozitës realizohet, ose shteti do e rrisë tensionin e tij politik, për hir të ruajtjes së stabilitetit. Në rastin e dytë opozita duhet të përgatitet të japë llogari para shqiptarëve, (ashtu si çdo shqiptar para vetes së tij, ashtu si dhe vetë shteti para shtetasve të vet), nëse ndodh fenomeni i dytë, pra shteti detyrohet të demonstrojë forcën.

Realitetin e survejoj nga jashtë dhe nuk mendoj se po shoh një lojë shahu, të cilën supozoj ta vlerësoj mirë. Kuptohet që konflikti shtet-opozitë në Shqipëri i ka kaluar kufinjtë e objektivitetit. Ndoshta pasi ashtu është nisur që nga fillimi, ndoshta pasi përfaqësojnë interesa të përkundërta. Por le të kthehemi tek konsumatori politik. A duhet ta lejojnë veten shqiptarët të përdoren me përçmim nga të tjerët në shërbim të konjukturave të anti-vetvetes? Nëse tingëllon arsyeshëm në Tiranë zëri i një opozitari: “Ta rrëzojmë Berishën!”, kjo s’do të thotë se e njëjta thënie është e natyrshme edhe në një kryeqytet të huaj. Aq më tepër në ndonjë kryeqytet antishqiptar.

Tre gishtat lart në Vlorë, se pse më japin drithërimën e trishtimit…

Arben Çokaj, shkurt 1997.
Dërguar për botim në shtypin shqiptar

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu