Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë pas ’97-s, kanë hyrë në një fazë të re. Për shumë shqiptarë, shteti i sotëm paraqitet si mjaft inferior para qeverisë greke, për të mos thënë si vasal i saj. Ajo që na bëri të shpresonim, ishte zgjedhja pragmatiste që bëri Shqipëria përkrah Shteteve të Bashkuara në konfliktin e Irakut, kur Greqia ndoqi politikën e “Evropës së vjetër”. Por duket se diçka çalon në marrëveshjen ushtarake për rikonstruksionin e bazës tonë në Bishtin e Pallës.
Marrëveshja në fjalë u kthye prapa nga presidenti Moisiu, i cili pas një karriere të gjatë si gjeneral ushtarak, dhe një përvoje me forcat aleate si kryetar dhe anëtar i Shoqatës së Atlantikut, po mundohet të luajë një rol disi më aktiv dhe më të ekuilibruar, në krahasim me paraardhësit e tij në atë post.
Pa e politizuar çështjen, presidenti Moisiu e ktheu marrëveshjen në parlament, duke kërkuar që të bëheshin disa ndryshime dhe korrektime të nevojshme. Ndonëse “dy popuj miq” që nga koha e regjimit komunist në Shqipëri, këto ndjenja miqësore të shqiptarëve ndaj grekëve, duket se nuk kuptohen drejt nga pala greke. Ose ne nuk dimë të luajmë në favorin tonë. Grekët e ndjejnë epërsinë e tyre kundrejt shtetit shqiptar, dhe meqë i trajtojnë emigrantët shqiptarë si qytetarë të dorës së dytë, qeveria greke shpeshherë po e trajton edhe shtetin shqiptar, si shtet të dorës së dytë.
Me sa kemi marrë vesh, marrëveshja ushtarake për Bishtin e Pallës u përpilua nga ekspertët ushtarakë të ministrisë greke të mbrojtjes. A ka mundësi, që grekët të hartojnë diçka për t’ia “futur” vetes? Pasi kjo marrëveshje kishte kaluar strukturat greke dhe ato shqiptare të parlamentit, u vërejtën pasaktësitë ligjore nga presidenti shqiptar, dhe pas kthimit të marrëveshjes për rishqyrtim në parlamentin shqiptar, pala greke duket se kaloi në histeri.
Diskutimet në parlamentin grek të para disa ditëve ishin mjaft të ashpëra. Disa parlamentarë grekë filluan të luanin lojën e viktimës, dhe të na e mbushnin mendjen, se pala greke nuk përfitonte asgjë nga kjo marrëveshje. Marrëveshja si e tillë, u kundërshtua edhe në parlamentin grek, dhe komisioni për politikë të jashtme atje, u ngarkua që ta rishqyrtonte atë përsëri. Teknikisht, çështja u fut për rishqyrtim në të dyja vendet. Po kush do e hartojë versionin përfundimtar të saj? A mos grekët kësaj radhe do jenë më të kujdesshëm në përcaktimet ligjore dhe në afatin e qëndrimit të tyre në Bishtin tonë të Pallës?
Kjo nuk dihet, por përderisa pala greke “gaboi” një herë, ajo mund edhe të “gabojë” përsëri. Sa i përket parlamentit shqiptar, shumë parlamentarë servilë të së majtës, po përgatiten shpirtërisht për të mos i “fyer” grekët dy herë. Kjo shihet edhe nga presioni i madh që iu bë presidentit të Republikës së Shqipërisë Moisiu dhe nga trajtimi që i bëhet kësaj çështjeje nga Gazeta Shqiptare. Sipas gazetës në fjalë, pritet që parlamenti shqiptar të marrë parasysh vërejtjet e Moisiut dhe ta përmirësojë e korrektojë ligjërisht këtë marrëveshje me 84 vota pro, (gjë që do jetë jo fort e lehtë, kur kihet parasysh mosvotimi i një pjese të opozitës herën e parë), ose parlamenti shqiptar do i hedhë poshtë sugjerimet e presidentit, dhe do e mbyllë çështjen pa e kaluar fare nga presidenca jonë “problematike”.
Po pala greke si do veprojë? Si ka mundësi, që këto pasaktësi në marrëveshje kaluan aq lehtë përmes strukturave greke herën e parë? Dhe a është e mundur, që reaksioni grek i ditëve të fundit në parlament, të mos jetë i sinqertë? Këtu duhet të kihet parasysh fakti, se parlamentarëve grekë nuk po u hante palla shumë për pasaktësitë ligjore, të vërejtura nga presidenca jonë, por dukej qartë se ata nuk mund ta duronin fyerjen publike, që një “alvanos”, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës, u bëri atyre me kthimin e marrëveshjes së përpiluar prej tyre në parlament.
Realisht, ka mundësi që një marrëveshje të mos jetë e saktë nga pikëpamja diplomatike, ashtu që ka më tepër mundësi, që edhe një fjalë apo togfjalësh i vetëm, i thënë me mjeshtëri për kokëtrashët, të mos bjerë në sy dhe të kapërdihet. Për palën greke mund të besohet se ata nuk janë aq dorëlëshuar sa ç’pretendojnë disa nga parlamentarët greke; për këtë mund t’i referohemi historisë me Greqinë dhe sidomos këto 12 vjetët e fundit. Ndërsa për palën shqiptare, kjo as që mund të dyshohet…
Shqipëria është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira me shtete të tjera, dhe sidomos me shtetet fqinjë, në këtë politikë të re, që ka filluar të përfshijë Evropën. Por duket se ndjenjat nganjëherë i kalojnë kriteret diplomatike në marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera. Evropianët në përgjithësi, dhe fqinjët tanë në veçanti, mundohen të na trajtojnë si inferiorë në marrëdhënie me ta, në mënyrë që të themelojnë mbi ne një ndjenjë inferioriteti, dhe me këtë rast, ata mundohen të na imponojnë një gjë apo një tjetër në disfavorin tonë. Kjo duket se është konvertuar në një mënyrë sjelljeje në perëndim.
Në rastin e marrëveshjes për Bishtin e Pallës, kjo gjë shihet në reagimin e parlamentarëve të “indinjuar” grekë, të cilët u “fyen” aq thellë, saqë i dhanë me siguri presidentit tonë Moisiu një ndjenjë keqardhjeje, për të kërkuar falje.(!) Logjika greke: “Padroni u fye, kujdes herë tjetër, se të mori lumi…” Të paktën kështu duket se e kuptojnë këtë disa servilë të politikës dhe gazetarisë shqiptare, që ka kohë që marrin ampulat greke.
Politikanët shqiptarë në të vërtetë, nuk kanë pse të ndjehen inferiorë. Pjesa më e madhe e tyre, sidomos ata që erdhën në pushtet pas ’97-s, janë më të dhjamur dhe më të pasur se shumë politikanë të tjerë evropianë, duke përjashtuar këtu Berluskonin nga tradita (për nga pasuria e jo nga dhjamosja!). Dhe ndonëse fisnikëria dhe ndjenjat burrërore janë karakteristikë e trashëgimisë gjenetike, përsëri nuk mund të injorohet fakti, se “kur jevgu bëhet mbret, vret edhe të atin”. Pra, shumë nga politikanët e sotëm shqiptarë, të shkolluar relativisht mirë, duhet të mundohen t’i kapërcejnë barrierat e tyre psikologjike, dhe të mos ecin në traditën e trashëgimisë së baballarëve të tyre të majtë, por të shohin interesin e fitimit të tyre, në interes të Shqipërisë. Kur Shqipëria përfiton, edhe ata mund vetëm të përfitojnë.
Ky kontekst mund të plotësohet duke shtuar se, interesat e drejta dhe respektimi i tyre mbi bazën e ligjeve të drejta, janë shtysa më reale për ta çuar një shoqëri përpara, dhe jo atdhetarizmi platonik, që mbështetet në barkun bosh, si në kohën e Dullës. Pra, është mirë që politikanët shqiptarë të kuptojnë një herë e mirë, se duke u munduar t’i japin Shqipërisë, ata i japin kredibilitet dhe përfitim vetvetes.
Diku kam lexuar dikur, se Enea që humbi luftën pas betejës së Trojës, si rezultat i kalit të dhuruar nga grekët, emigroi nga Troja bashkë me pjesën që shpëtoi prej popullit të tij, dhe u ngul diku në viset e Ilirisë. Mund të hamendësohet (ndonëse kjo është punë ekspertësh të kësaj fushe) se një pjesë e popullit shqiptar, të rrjedhë prej trojanëve. Kjo na jep në të vërtetë një disfavor lidhur me dhelpërinë greke…
Që nga ajo kohë, njerëzit u mësuan të thonë “Ruaju më shumë dhuratës greke!” dhe ndonëse grekët e dinë këtë gjë, ata prapë vazhdojnë me vesin e tyre, që të bëjnë “dhurata”. Të paktën kështu shprehen një pjesë e anëtarëve të parlamentit helen, lidhur me marrëveshjen ushtarake për Bishtin e Pallës, që duket se është një kalë enigmatik trojan.
Po të mos ishte kështu, çfarë kërkoi atëherë Nickolas Gage në Shqipëri, në vizitën e tij të fundit? A mos ndoshta nacionalisti i vjetër grek Gage është zbutur, për të na ndihmuar ne shqiptarëve? Kush beson në mrekullira kësaj radhe, është jashtë realitetit…
Arben Çokaj, 12 maj 2003
Publikuar në: QIK, opinione
Dërguar për: Gazeta “Illyria”, New York | Gazeta “TemA”, Tiranë