Shuplaka që erdhi nga Shkodra

0
1188
Jozefina Topalli - poster

Shkodra zgjodhi demokracinë,
përkundër bojkotit apo ‘bastionit’ të PD-së

Arben Çokaj, 28.06.2013

PS e LSI nuk e prisnin një pjesëmarrje dhe rezultat të tillë në këto zgjedhje, dhe për më tepër një votim plebeshitar për koalicionin e majtë në shkallë vendi. Por fitorja në Shkodër ishte edhe më e pabesueshme. Ajo erdhi si një shuplakë e fortë kundrejt PD-së dhe kryesisht kundër znj. Topalli. Shkodra tregoi qartë se znj. Topalli nuk e meriton më të përfaqësojë Shkodrën në emër të PD-së, pasi ajo ka abuzuar me shkodranët, me besimin dhe votën e tyre. Njëkohësisht doli qartë se Shkodra nuk qenka një bastion i PD-së, siç i pëlqente Topallit ta konsideronte, por votat qenkan vjedhur vërtetë nga bandat kriminale, që Jozefina përdorte, në bashkëpunim me policinë e struktura të tjera në Shkodër.

Partia Socialiste operoi kësaj radhe në Shkodër me vlera dhe premtime serioze, për të krijuar besim tek elektorati i zhgënjyer shkodran nga qeverisja e deformuar dhe arrogante e PD-së. Mimoza Hafizi që kryesonte listën e PS-së, ka padyshim vlera intelektuale dhe njerëzore shumë më tepër, se numri një në listën e PD-së, Jozefina Topalli, e cila konsiderohet edhe nga demokratët shkodranë, si arsyeja kryesore për këtë humbje të thellë në Shkodër. Jozefina ka afruar rreth vetes njerëz pa kredibilitet, hajna të pistë e pakarakter, që kanë abuzuar në mënyrë permanente me pushtetin në Shkodër e në Malësi të Madhe.

Nga regjimi mono-parti deri në vitin 1990, Shkodra kaloi përsëri nën një regjim tjetër mono-parti, kësaj radhe me ngjyra të tjera. Për 23 vjet rresht, Shkodrën e sundonte një klasë politike agresive, e korruptuar dhe e paaftë totalisht, perverse dhe e paskrupullt, që vinte së fundmi nga klani i Topallit në PD dhe ata ia kishin zënë frymën demokracisë dhe mendimit ndryshe në qytet. E merrnin për të dhënë vullnetin politik të shkodranëve, ia kishin sjellë popullit në majë të hundës me fuksime e poshtërsi, ishin shkëputur nga realiteti, dhe tregoheshin arrogantë e mospërfillës për nevojat e qytetarëve shkodranë. Dhe në fund, kur zgjedhjet u bënë të lira, ata edhe humbën!

Deputeti i 5-të në listën e PD-së, Gjovalin Bzheta, që e fitoi mandatin me vetëm 34 vota diferencë me kandidatin e PR-së, u shpreh një ditë gjatë fushatës, se ai po bënte fushatë sikur të ishte OJF, pasi Jozefina e kishte shkatërruar komplet strukturën e PD-së në Malësinë e Madhe. Ferdi Sterkaj, kryetar i komunës Shkrel dhe kryetar i PD-së në Malësinë e Madhe, Asim Burgaj, drejtor i zyrës për regjistrimin e pasurive në Koplik, që kanë përfituar miliona në rrugë abuzive gjatë kësaj qeverisjeje, dhe të tjerë si ata, nuk kanë punuar fare për PD-në në këtë fushatë, me qëllim për të dëmtuar Bzhetën, dhe kjo i ka çuar shumë mbështetës të PD-së kësaj here, që të votojnë për LSI-në, nëse ata nuk kanë votuar direkt për PS-në, apo nuk e kanë bojkotuar procesin zgjedhor.

Në një intervistë të saj për Deutsche Welle, Mimoza Hafizi thekson se arsyet e fitores së PS-së në Shkodër kanë qenë kryesisht varfëria dhe papunësia e madhe e shkodranëve, si dhe përmbytjet e herëpashershme të zonës së Nënshkodrës, nën qeverisjen e PD-së. Por, në fushatë ka patur edhe elemente të tjerë, që imponuan një rezultat të tillë fitoreje për të majtën. Dhe nëse grupi i PS-së do të kishte patur më shumë besim në vetvete, rezultati do të kishte qenë edhe më i thellë. Mendoj se ka edhe arsye të tjera, që ishin përcaktuese në Shkodër për fitoren e të majtës. E para, pengimi nga ana e përfaqësuesve të koalicionit të majtë të tjetërsimit të votës nga ana e PD-së.

Ka patur tre raste konkrete, ku u kërkua ndërhyrja e deputetëve Agron Çela (LSI) e Tom Doshi (PS) për të moslejuar prekjen e votës, apo ndërrimin e kutive të votimit, që e ka me mjaft preferencë znj. Topalli. Deputeti Doshi u përplas gjatë fushatës me kandidatin e PD-së Gjok Uldedaj dhe kryetarin e komunës Bushat, Zef Hila (PD), të cilët donin të ndërronin kutitë e voitimit në një zonë elektorale të Shkodrës, duke ia arritur të pengonte manipulimin e mundshëm.

Nga ana tjetër, pjesëmarrja në Shkodër ishte më e ulëta në republikë. Arsyeja duhet të ketë qenë nga frika dhe neveria, që elektorati shkodran ndjen për znj. Topalli dhe kryebashkiakun imoral Lorenc Luka. Shumë demokratë nuk dolën fare të votonin, se nuk kanë dëshirë t’ia shohin fytyrën e pudrosur zonjës, që kryesonte listën e Shkodrës. PD në qendër e kishte vërejtur me kohë, se Topalli i kishte rrënuar strukturat e PD-së, duke i mbushur me njerëz të paaftë e të korruptuar, prandaj dhe e distancuan disi në këto zgjedhje. Por kjo nuk mundi ta kurojë imazhin e PD-së dhe ndikimin negativ që erdhi nga Topalli, e cila megjithatë kryesonte listën.

Besimi që krijoi Edi Rama në elektoratin shkodran dhe më gjerë, premtimet e tij serioze dhe të kandidatëve të PS-së në Shkodër, interesimi i Ramës direkt që Shkodrës demoktatike t’i sillte demokracinë e munguar, i thirrën ndërgjegjes së ndrydhur të qytetarisë dhe kulturës shkodrane, që t’i besonin më shumë demokracisë dhe Rilindjes së vendit, përkundër frikës, ndrydhjes, diktatit dhe feudit, që një grua e paaftë dhe e ligë si Jozefina, kishte krijuar me pushtetin e saj absolut në Shkodër. Shpërthimi i energjive pozitive nga ndrydhja, solli edhe një rezultat të papritur në Shkodër, si në të gjithë Shqipërinë.

Tom Doshi gjatë fushatës elektorale e vrau frikën, që kishte ndjellë Jozefina për një kohë të gjatë në Shkodër, duke e akuzuar atë direkt për hajnitë, abuzimet dhe korrupsionin e saj. Dhe kështu Shkodra iu bashkua të gjithë Shqipërisë në vlerat e saj demokratike. Të bën të ndjehesh krenar, që populli i Shkodrës u tregua i zgjuar dhe diti ta lexojë mesazhin e ndërkombëtarëve dhe të demokracisë, që vinte përmes Rilindjes së Ramës, përkundër diktaturës që vinte nga pushteti absolut i Jozefinës dhe Berishës.

PS organizoi sonte një miting për të nderuar fitoren e të majtës në Shkodër dhe për të falenderuar elektoratin shkodran. Kjo tregon se qerveria e re nuk do e lërë pas dore Shkodrën, por ashtu siç fitoi besimin e ndrydhur të shkodranëve, ashtu do të vazhdojë ta mbështesë Shkodrën në rrugën e saj të zhvillimit dhe të shërimit të plagëve sociale dhe ekonomike. Deputeti Doshi e shfrytëzoi mitingun edhe për një simbolikë. Ai u tha pjesëmarrësve, se sheshi ku u bë mitingu përmbyllës i fushatës së PS-së në Shkodër, sheshi ku kanë qenë të vendosur 5 heronjtë e Vigut, të cilët u shpërngulën padrejtësisht nga Jozefina e Lorenc Luka, do të marrë emrin sheshi “Demokracia”! Për të simbolizuar kështu, që demokracia rilindi edhe në Shkodër.

Botuar në gazetën Dita, më 3 korrik 2013.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu