A duhet Kosova të rishpallë pavarësinë e saj?

0
1161

Shkruan: Arben ÇOKAJ

Serbët e bënë të vetën. Qeveria dhe parlamenti serb evokojnë këto ditë ndjenja nacionalistë mbi një popull dhe një pjesë toke, që nuk është e tyre dhe nuk do jenë kurrë në gjendje ta mbajnë. Serbët nuk e harrojnë lehtë zakonin e vjetër, ndonëse ky egoizëm i shfrenuar serb, u bë shkak i luftërave të fundit në Ballkan, të cilat tronditën mbarë botën dhe shkaktuan tragjedi për miliona njerëz. Serbët e kanë vështirë të ndryshojnë zakon, kjo është gjenetike dhe përmes gënjeshtrës e mashtrimit, kjo është edhe forma e vetme e sigurimit të ekzistencës së tyre në hisen e tjetrit. Serbët nuk dinë të ndryshojnë!

A mos është ekzaltim i fundit i paraksizmës nacionaliste serbe, vendimi i djeshëm i parlamentit serb, për ta konsideruar Kosovën shqiptare, si pjesë integrale të Serbisë? Apo kjo duhet të jetë fillimi i bisedimeve që priten me palën shqiptare? Sidoqoftë, serbët u pozicionuan. Histeri nacionaliste kjo, e mbështetur në tokë të huaj, apo precedent fillestar, që i paraprin negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës? Kësaj nuk i dihet. Situata imponohet si e ndërlikuar, dhe është e vështirë të anashkalohet pa reagime. Me veprimin e djeshëm, serbët konfirmuan para botës, se Kosovën nuk dëshirojnë ta japin. Kjo gjë edhe pritej dhe nuk është diçka që kosovarët nuk mund ta dinë. Të bëjnë çfarë të duan ndërkombëtarët… serbët tërheqin anën e tyre të litarit. Në fund të fundit, kjo synon që Kosova, gjatë negociatave, të mos dalë e plotë në pavarësinë e saj. Motorri i politikës nuk janë ndjenjat, por interesat.

Veprimet e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos të BE-së, shpalosin në këtë rast mjaft ambivalencë. Nga njëra anë, përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana, nuk bëri asnjë përpjekje për të parandaluar një veprim të tillë nga ana e serbëve, të cilët e tërhoqën litarin e statusit të Kosovës tepër thellë në anën e tyre. Dhe nga ana tjetër, Solana mjafton të thotë, se vendimi serb nuk ndikon mbi Rezolutën 1244, që administron Kosovën, por kjo nuk duket të jetë e mjaftueshme. Serbët u lejuan të kredhen në epshet e tyre nacionaliste, duke lëpirë nga larg konturet e Kosovës, si përpjekje për ta gllabëruar atë përsëri. Të shohim se cilat do jenë veprimet e diplomacisë ndërkombëtare pas këtij vendimi të parlamentit serb. Heshtja e tyre do jetë pohim. Pasi injorimi, është vështirë të kuptohet.

Ish-administratori i fundit në Kosovë, Shtajner, i qortoi ashpër krerët politikë shqiptarë dhe Kuvendin e Kosovës për një rezolutë në mbrojtje të vlerave të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri. Kjo kritikë dhe sanksionet që e pasuan atë, donin të thonin më shumë se aq. Çdo lëvizje kosovare drejt respektimit të të drejtave të tyre nacionale, ndeshet me një ndjeshmëri të madhe e irrituese të qarqeve ndërkombëtare, sidomos të BE-së. Nga ana tjetër, përpjekjet serbe për ta ri-gllabëruar Kosovën, nuk ngjallin komente kundërshtuese në qarqet ndërkombëtare, sidomos në BE. Cila është pra arsyeja e këtij qëndrimi tolerant ndaj politikës nacionaliste serbe dhe interesave të tyre?

Në mënyrë të përmbledhur, analiza konsiston në dy tendenca kryesore:

1. Tendenca injoruese: Politika ndërkombëtare në Kosovë nuk do t’ia dijë fare për veprimet serbe, pasi Kosova është jashtë kontrollit serb, kështu duhet të veprojnë edhe shqiptarët. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse kërkohet me këmbëngulje të bisedohet në mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe u jepet kaq shumë prioritet këtyre bisedimeve? Për çfarë do të bisedohet tani, kur serbët e dhanë verdiktin e vet si në Rambuje, dhe kushtet e negociatave u kthyen në gjendjen e tyre të para dhjetë vjetëve? Po të ishte Kosova shtet i pavarur dhe parlamenti i një shteti fqinj do merrte një vendim të tillë, si do të reagonte bashkësia ndërkombëtare? Pse heshtet tani atëherë? A mos ndoshta, qarqe të caktuara të politikës ndërkombëtare, sidomos ato evropiane, kujtojnë humbjen e kolonive të tyre dhe ndjejnë keqardhje për serbët?

2. Tendenca mikluese: Politika ndërkombëtare në Kosovë i lejon qëllimisht serbët të kënaqen me vendime e deklarata, pasi çështja e Kosovës nuk zgjidhet as nga Prishtina dhe as nga Beogradi, e kështu duhet të bëjnë edhe shqiptarët. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse nuk lejohen edhe kosovarët të kënaqen me deklarata, rezoluta e vendime të parlamentit të tyre? Si do reagonin qarqet ndërkombëtare në rast se parlamenti i Kosovës rishpall pavarësinë e saj, mbështetur në vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi? A konsiderohen të barabartë shqiptarët dhe serbët në një tavolinë negociatash, dhe cila nga palët mund të jetë më e privilegjuar? A mos shqiptarët u kanë lindur në vathë ndërkombëtarëve, që të kritikohen prej tyre sa herë të duan, sepse ndërkombëtarët, sidomos BE, iu do të mirën shqiptarëve? Kush duhet të mashtrohet me këtë gjendje pezull të Kosovës, shqiptarët apo serbët? Apo të dyja palët? Mos kemi të bëjmë këtu me rastin e një molle në dorën e ndërkombëtarëve, që dëshiron të merret nga dy palë, dhe harrohet fakti se në tokën e kujt është mbjellur kjo mollë? Kush e banon tokën e Kosovës sot?

Pikëpyetjet janë pambarim. Analisti i institutit amerikan të paqes, Daniel Server, u shpreh para pak ditësh, se serbët janë më të parapërgatitur për negociatat, që do zhvillohen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, se sa krerët shqiptarë të Kosovës. Vendimi i fundit i qeverisë dhe parlamentit serb e konfirmoi dje faktin se ata vërtetë janë më të parapërgatitur në krahasim me shqiptarët. Pse ndodh kjo?

Duhet pranuar si fillim se, serbët kanë më shumë përvojë shtetërore në krahasim me krerët politikë të Kosovës, dhe janë më të pasur në intriga e dredhi politike. Nga ana tjetër, pavarësisht përvojës intelektuale dhe njohjes diplomatike të disa prej krerëve kryesorë të Kosovës, atyre u mungon shumë përvoja e diplomacisë shqiptare, pasi shteti shqiptar i thyer në kurriz më 1997, vazhdon të vuajë akoma pasojat e një tranzicioni ekzistencialist, dhe në vend që të shërbejë për mirë, ai shpeshherë shërben për keq.

Për më tepër, gjendja e Kosovës nën një administrim ndërkombëtar, bën që krerët shqiptarë të Kosovës të mos kenë kompetenca të plota në administrimin e vendit të vet, e për rrjedhojë jep edhe shkas që punët të mos koordinohen si duhet, edhe përsa i përket përgatitjes për negociatat e ardhëshme me Beogradin. UNMIK-u ka krijuar një gjendje psikologjike e reale për udhëheqësit kosovarë, se vendimet i merr ai, dhe krerët kosovarë ndjehen disi të përjashtuar – gjendje kjo që shtrihet edhe për rastin në fjalë. Në këtë kontekst, nuk duhet harruar fakti se shqiptarët e Kosovës mbështeten mbi një të drejtë absolute të tyre, që të jenë zot të fateve të veta në tokën e tyre. Historia ka treguar, se kjo nuk është e mjaftueshme. Në perëndim, sidomos në Evropën perëndimore, përdoret shpesh një thënie: “të kesh të drejtë”, nuk do të thotë “të marrësh të drejtë”. Kosovarët duhet të fillojnë e të punojnë me shumë, politikisht, diplomatikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht për t’u larguar nga folklorizmi politik, dhe për t’u distancuar nga ideja e së drejtës absolute të tyre, pasi në këtë botë interesash, që në krijimin e saj, gjithçka ka qenë dhe do jetë relative. Për rrjedhojë, edhe vendimet janë subjektive në shumicën e rasteve. Prandaj duhet të jesh i përgatitur për më të keqen.

Shqiptarët e Kosovës respektohen nga të gjithë për dashurinë e tyre të madhe për atdheun dhe për punën jashtëzakonisht të madhe në mbrojtje të vlerave shqiptare, përkundër dhunës sistematike të ushtruar ndaj tyre nga regjimi despotik i Beogradit. Por duhet punë edhe më shumë, për të fituar lirinë e dëshiruar, të cilën nuk ta fal askush. Duhet të bëhen përpjekje të vazhdueshme, që Kosova të çlirohet edhe nga roli i qënies ‘viktimë’ në duart e dikujt tjetër, dhe populli i saj duhet të marrë fatet e veta në dorë. Shpatullat e Kosovës kanë qenë të vogla që të mbajnë peshën e rëndë të pavarësisë, por kur forcat politike bashkohen, dhe kur vullneti politik i një popullsie dy milionëshe drejtohet nga njerëz të aftë e kompetentë, rezultantja e kompozimit të këtyre forcave, të bashkërenduara mirë, do japë edhe rezultatet e duhura, ashtu siç ka dhënë mjaft fakte pozitive deri tani, pavarësisht kushteve të vështira nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Tani politika kosovare, përveç përvojës së fituar me kohë dhe atdhedashurisë së treguar prej shumicës së popullit, duhet me aq mundësi sa ka, që t’i afrohet më shumë real-politikës perëndimore dhe tregut politik perëndimor, duke përfshirë këtu të gjitha ato nuanca të intrigave, skenave dhe prapaskenave që krijon ky treg politik, në një përpjekje të vetme për Pavarësinë e Kosovës. Nga gjendja pasive e së drejtës absolute, politika kosovare është mirë të bëhet edhe më shumë aktive dhe e palëkundur në punën e madhe, që duhet bërë për të fituar të drejtë. Institucionet e shtetit të Kosovës, që padrejtësisht cilësohet si “të përkohëshme” nga ndërkombëtarët, duhet të konsiderohet si “të përhershme” nga shqiptarët, dhe të pajisen me njerëz të aftë, shqiptarë të Kosovës, që njohin pak a shumë mirë tregun politik evropian e perëndimor, në mënyrë që në negociatat e ardhëshme, qoftë me Beogradin, apo me shtetet perëndimore, Kosova të paraqitet me kompetencën e nevojshme dhe argumente e veprime politike të studiuara mirë, e që nuk mund të kundërshtohen.

Presidenti i Kosovës, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës, duhet të bëhen promotorë aktivë të njohjes de fakto të Pavarësisë së Kosovës. Me qetësinë dhe maturinë e një politike të menduar mirë, Kosova pa u nxituar në veprime, mund të hedhë hapin e saj drejt njohjes së Pavarësisë për vendin dhe popullin e saj. Pas vendimit të padrejtë të qeverisë dhe parlamentit serb, rishpallja e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës do ishte e justifikuar plotësisht, pasi Kosova ndjehet e rrezikuar dhe ndërkombëtarët në këtë rast nuk kanë pse të reagojnë negativisht, meqë ata duhet më parë të kundërshtojnë vendimin e parlamentit serb. Aq më tepër, kur rishpallja e Pavarësisë së Kosovës respekton vullnetin e një popullsie dy milionëshe në Kosovë dhe është konform të drejtës së Kombeve për vetë-vendosje, që njihet dhe mbrohet edhe nga OKB-ja.

Serbët e kanë tërhequr litarin e tyre deri në fund. Kjo është provokuese. Kosovarët bëjnë mirë të rishpallin Pavarësinë e Kosovës nga Kuvendi i tyre legjitim, dhe të presin që kjo Pavarësi të njihet ndërkombëtarisht. Kosovarët nuk kanë pse të presin që Pavarësinë t’ua dhurojnë ndërkombëtarët. Siç shihet, Pavarësia e Kosovës është një çështje e panegociueshme.

28 gusht 2003

Publikuar: QIK – opinione

Dërguar për: Gazeta “Bota Sot”, “Illyria”, “Shekulli”, “TemA”

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu