Shënim udhëtimi
– një shembull për politikanët tanë
Nga Arben Çokaj, janar 2006
Ishte hera e parë që kaloj përmes Kroacisë dhe shqetësimi kryesor ishte se si do të jetë gjendja e rrugëve atje. Bashkë me vëllain kemi udhëtuar shumë viteve të fundit, dhe deri tani i kemi rënë përmes Italisë duke marrë tragetin në Bari, për të hyrë në Shqipëri. Kjo puna e tragetit nuk është vetëm një shpenzim më shumë, por të humbet edhe një natë kohë. (Të shpresojmë që me integrimin e Shqipërisë drejt BE-së, lëvizja e njerëzve të jetë më e madhe dhe tragetet ndërlidhëse me Italinë fqinje të jenë më funksionale, më pak burokratike në sjelljen e tyre dhe kontrollin e pikave të kufirit, si dhe më të shpejtë – askush nuk ka dëshirë të humbasë një natë kur është për rrugë!)
Pasi kaluam nëpër disa rrugica të ngushta fshati, që Mali i Zi ka shtruar keq nëpër fshatrat shqiptare afër kufirit shqiptar me Muriqanin (dhe jo vetëm aty), dolëm në një rrugë dytësore (superstradë), e cila ishte diçka më e mirë. Cilësia e rrugës u përmirësua ndjeshëm kur hymë në Kroaci, por edhe përmes saj superstrada mund të ishte e lodhshme, bregu malit që takon detin Adriatik, në atë rivierë të mrekullueshme ilire, që kroatët kanë ndërtuar për turistët, që në kohën e ish-Jugosllavisë së Titos.
Pasi kaluam Dubrovnikun, një qytet mjaft i shtrirë buzë ujit në fund të kodrave gurore, ku pula ha zall, por ku nga lart mund të vërenim një cilësi ndërtimi të pallateve shumë më të mirë sesa pallatet e qyteteve tona në Shqipëri, hotele të bukura mes pyllit, rrugë të shtruara dhe të mbajtura pastër, etj. Në hyrje të Bosnjës na ndaluan, pasi duket se kishte një kontroll rutinë për mina bregu rrugës. Nuk morëm vesh saktë se për çfarë bëhej fjalë, por rrugës deri aty, tabela të mëdha anash “Pazi Mine” duket se i bënin reklamë vdekjes, asaj vdekje për të cilën të gjithë kemi dëgjuar nga luftimet e fundit në ish-Jugosllavi, dhe që tani kërcënonte jetë njerëzish në një formë më të lokalizuar.
Mendja na shkoi për minimin e asaj pjese të rrugës boshnjake në Neum (që ndërlidh superstradën bregdetare kroate) nga terroristë ‘imagjinarë’ serbë. E çka mund të ishte tjetër…? Por njerëzit që udhëtonin në makinat e tyre private si ne, nuk tregonin shenja frike, ngaqë ishin mësuar ndoshta, apo sepse nuk kishte ndonjë rrezik real, pavarësisht se një ambulancë kroate priste aty për të dhënë ndihmën e parë në rastin e ndonjë ndodhie të padëshirueshme. Ndoshta e gjitha kjo ishte thjeshtë rutinë, ose bëhej për forcë zakoni, si në rastet kur digjesh nga qulli dhe fillon e i fryn edhe kosit.
Pritëm nja një gjysmë ore dhe vazhduam rrugën pa probleme. Dogana boshnjake ndodh që nuk ndalonte kalimtarët tranzit dhe pasi kaluam një pjesë të mirë të rrugës, hymë në fushën e famshme të Bllacës, i vetmi vend ku mund të kultivoheshin perime së bashku me pemë dhe agrume të shumta, të cilat shiteshin me thasë nga fshatarë ambulantë në bregun e rrugës nacionale. U ndalëm dhe blemë një thes me mandarina dhe një qese me fiq të thatë. Nuk mund të rri pa thënë se kultura e ekspozimit të mallit ishte disi më e madhe nga ç’bëhet në Shqipëri, ndonëse pluhuri i rrugës mbulonte me ngjyrë gri mallrat e ekspozuara nga shitësit ambulantë. Bllaca e famshme, e njohur më shumë nga CNN në luftimet e fundit që mbërthyen ish-Jugosllavinë, ishte i vetmi vend që mund të ngjallte zili në të gjithë atë gjatësi rruge bregdetare.
Pas fushës së Bllacës, një pronar privat duket se reklamonte restorantin e tij “Teta Ollga”. Më ngeli në mendje kjo tabelë, meqë mu kujtua filmi “Zonja nga qyteti”, ku autori i realizmit socialist ka mundësi ta ketë marrë frymëzimin për personazhin kryesor të filmit nga ndonjë histori sllave. Se “Teta” apo “Ollga” nuk duket se janë terma gjuhësorë shqip.
E mahnitshme ishte edhe riviera e Makarskës – tingëllon si fjalëformim banal ilir. Rruga superstradë ishte mjaft e mirë, e gjerë por me dredha të detyruara nga kodrat bregdetare të malit shkëmbor dalmatian, që shtrihej bregu detit Adriatik. Ajo që na bëri më shumë përshtypje ishte rregulli i madh dhe pastërtia në rrugë dhe bregu saj, sidomos në qytetin e Makarskës. Pa ekzagjerim, një qytet bregdetar me aq pak mundësi e burime natyrore, përveç turizmit, i mbajtur dhe i rregulluar aq bukur, i ngjall zili edhe qyteteve gjermane dhe mund të krahasohet pa asnjë dyshim me pjesët më të bukura të qyteteve të vogla zvicerane, në zonën “Belinzona” të Luganos.
Ndoshta ishte ky edhe impresioni i parë që merr nga një qytet i rregulluar, kur shkëputesh në mëngjes herët nga rrugët tërë gropa tek SMT-ja e Shkodrës, apo rrugët e ngushta si rrugica kineze të fshatrave shqiptare në Mal të Zi, e diku më tej, rrugës së ngushtë e me dredha të bregdetit afër Kotorrit po në Mal të Zi, ku mungonte një urë aq e domosdoshme për të këputur shkurt, siç kishin bërë në pjesën e Bosnjës, afër Neumit.
Jo, jo, rruga kishte hapësirë të mjaftueshme por përsëri, ne na duhej një autostradë, sepse jemi mësuar që në udhëtime të tilla të gjata, të bëjmë rreth 1500-1800 km në ditë. Pasi kaluam Donja Brelan, sytë na zunë një tabelë me një shenjë autostrade. Siç ishim ashtu disa metra pas kryqëzimit për fatkeqësinë tonë të rastit dhe fatmirësinë e narracionit, u kthyem pas dhe morëm një rrugë malore, në kërkim të autostradës së dëshiruar, ashtu siç kërkojnë piratët thesaret e tyre të fshehur.
E çfarë të shihnim! Ndonëse rruga vazhdonte të ishte e mirë, cilësia e saj ra në krahasim me rrugën bregdetare, përmes asaj shkretëtire dimërore, ku na shfaqeshin tek-tuk fshatra të vobektë të ndërtuara në atë tokë kodrinore-malore me përmbajtje gurore-argjilore. Aspak poetike! Nuk e kam idenë se si e siguronin jetesën ata fshatarë kroatë, pasardhës ilirë si edhe ne, të cilët nuk kishin as pemë, veç disa shkurreve thatanike, të cilat ishin bërë ashtu nga dimri dhe nga toka jopjellore.
Dilema jonë mori fund, kur pas nja një orë udhëtimi përmes kodrinave malore kroate të mbuluara tek tuk me dëborë dhe të mbushura me një mori shkurresh të thara dhe një tokë shkëmbore në të shumtën e saj, që nuk e kam vënë re në asnjë vend të Shqipërisë, në të tilla përmasa, pamë shenjën e autostradës dhe treguesin kilometrik, qe e afronte atë disi më afër.
Autorruga kishte 4 korsi në të gjithë gjatësinë e vet, nga dy në secilën anë, të shtruara me asfalt, dhe nga një korsi shtesë anash për ndërhyrjet e emergjencës, apo të policisë, në rast nevoje. Kufizohej në mes me dy rreshta anësoresh metalike dhe nga një në secilën anë, në të gjithë gjatësinë e saj, pa munguar në asnjë vend – duket se nuk kanë patur ndonjë kryeministër Nano, ministër transporti Poçi, apo deputet Lekë Çukaj etj., për t’ia futur duart edhe kësaj rruge – dhe për më tepër, autostrada ishte e rrethuar me rrjetë teli në te dyja anët, e mbajtur me elementë zinkat në të gjithë gjatësinë e saj, që nuk gjen në asnjë autostradë evropiane, për të penguar kafshët “dykëmbëshe”, që ta përdorin ambientin e autostradës si mbikalim të imponuar.
Për qëllim personal, jam munduar të gjej në Shqipëri nga këto elemente zinkati, që mbanin rrjetën e telit në të dyja anët e autostradës kroate, në të gjithë gjatësinë e saj prej 365 km, dhe nuk kam gjetur asnjë. Për më tepër, autostrada në fjalë, kishte tabela elektronike të mjaftueshme, të shpërndara në vendet e përshtatshme në të gjithë gjatësinë e rrugës, që tregonin edhe temperaturën e ambientit.
Autostrada Zagreb-Split ka 292 facilitete, 26 ura, 50 mbikalime të gjata, 91 mbikalime të shkurtra, 78 nënkalime (si ato të Zogut të Zi – as mos të shkojë mendja!!!), 25 kalime, 14 tunele, ku më të gjatët janë ai i Sveti Rok (5.687 m), ku klima mesdhetare kalon në klimë kontinentale vetëm përmes një vrime tuneli, dhe tuneli në Mala Kapela (5,780 m) (edhe ky një fjalëformim ilir). Ndryshimin e vumë re nga dëbora që pamë anash rrugës sapo dolëm në rrafshnaltën kontinentale, ku temperatura nga 6-8 gradë C, kaloi në -4 deri në -6 gradë C. Konstruktorët e kësaj rruge gjigande kishin menduar edhe për 5 kalime kafshësh, gjë që në Shqipëri nuk mendohen as ato për njerëzit…
Por nënkalimi i Zogut të Zi, i cili është një mjerim arkitekturor i atyre që e kanë projektuar, dhe i zbatuesve diletantë, më kujton ndërtimet anemike të kohës së komunizmit, ndonëse firma Euroteorema përfaqësohet edhe nga inxhinierë italianë. Pllakat që janë përdorur në nënkalimin e Zogut të Zi, janë surrogatoja e pafytyrësisë së atyre që e kanë menduar të mundur një paçavure të tillë. A kanë nder, dinjitet, respekt për jetët e njerëzve, respekt për paratë e këtij populli, këta qafirë, që tash sa vjet rresht na i gropëzuan rrugët e Shqipërisë, dhe na detyrojnë të ikim nga sytë këmbët nga vendi ynë i dashur?! Kur nuk dinë, pse nuk i lënë të tjerët t’ua bëjnë punët më mirë edhe për veten e tyre?! Por ngrefosen me hundën përpjetë sikur të jenë rinocerontë e jo vdekatarë si të tjerët!
Kur hymë në autostradë morëm një biletë – ashtu siç praktikojnë të bëjnë për autorrugët e Italisë dhe kur mbërritëm në Zagreb paguam paratë e udhëtimit për atë rrugë – gjithsejt 22 Euro. Kur ecën në një rrugë të cilësisë së lartë, pagesa të tilla simbolike nuk të duken asgjë, dhe më shumë të rëndon ndërgjegjia se si shqiptar, që hyn në Shqipëri me makinë të huaj, të duhet të paguash 1 Euro për ditë, vetëm për të prishur makinën tënde në gropat e njëpasnjëshme, që shoqërojnë rrugët tona.
Me kënaqësi do i kisha paguar 5-6 Euro sa herë që do më duhej të shkoja nga Shkodra në Tiranë, por refuzoj të paguaj 1 Euro në ditë për disa rrugë, që veç rrugë nuk janë. Dhe nëse do ekzistonte një autorrugë e tillë, si ajo Zagreb-Split, atëherë nuk ke pse dyndesh në Tiranë për të thithur pluhurin e shkaktuar nga ndërtimet pa kriter të Edi Ramës, por mund të shkosh nga Shkodra (e qytetet të tjera periferike) në kryeqytet, sa herë të duash e kur të duash. Kështu që qytetarëve shqiptarë, të cilët jetojnë në qytete të tjera jashtë Tiranës nuk do u dukej vetja se jetojnë në periferi, jashtë Tiranës së vetëkënaqur nga papastërtia e ajrit, që padyshim do të marrë shumë jetë njerëzish.
Shqipërisë i mjafton një rrugë e tillë veri-jug, si ajo autorruga kroate, për të treguar shenjë të lartë zhvillimi real dhe jam i bindur se çdo qytetar do e paguante këstin e vënë për të kaluar me makinë përmes kësaj rruge. Se kursimi që bën në karburant apo amortizim të automjetit, gjatë qarkullimit përmes një rruge të tillë, është më i madh sesa pagesa simbolike që bën në këtë rast.
Shpresa duket se po rilind në vendin e shqipeve. Qeveria shqiptare i ka lënë mundësitë hapur për koncesione në ndërtimin e rrugëve. Ministri i Transporteve është një politikan i ri e me kulturë, me vizion dhe kontribut politik. Të shpresojmë që gjërat të shkojnë për mirë dhe ministri Basha do mund ta gjejë mënyrën për të bërë realitet zhvillimin e Shqipërisë përmes ndërtimit të rrugëve cilësore, që mund t’i kenë zili edhe evropiano-perëndimorët vetë.
Kur të vijë ajo ditë – nëse vjen ndonjëherë – të jemi të sigurtë se nuk do të ketë më lutje për t’u integruar në Evropë, pasi strukturat e Evropës së bashkuar do të vijnë vetë për të kërkuar integrimin e Shqipërisë, sepse ato janë struktura burokratike, që interesohen më shumë për të mbledhur 3% e brutos nacionale të çdo vendi anëtar të BE-së, sesa ndonjë gjë tjetër. Për këtë të jeni të sigurtë!
Shqipëria vazhdon të jetojë me ampula. Ndërtimi i rrugëve me standarde të larta presupozon që edhe energjia elektrike të ndriçojë tabelat e saj elektronike gjatë 24 orëve. Avaria elektrike kushton humbje të mëdha, dhe jo vetëm në rrugë. Rrugët e standardeve të larta thithin njerëz nga jashtë dhe mund të përdoren edhe nga një numër i madh turistësh, të cilët mund t’i përdorin rrugët tona tranzit për në Greqi. Shqiptarët si dhe politikanët tanë duhet ta kuptojnë ketë fenomen, ashtu siç e kanë kuptuar një pjesë e mirë e kroatëve, të cilët turizmin e kanë të vetmin burim të ardhurash.
Politikanë të dashur shqiptarë, ju që keni në dorë zhvillimin e vendit, mundohuni të jeni më pragmatistë dhe shfrytëzojeni këtë shembull për ta shkëputur vendin nga ndjenja e rënkimeve, korrupsionit, lutjeve, tragjedive dhe ofshamave të mossuksesit, që rëndom e ka pushtuar ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare. Askush nuk e respekton një lypsar – vetëm mund ta mëshirojë. Populli ynë, me të gjitha ato resurse që ka vendi, është në gjendje të jetojë me më shumë dinjitet, nëse politikanët tanë janë në gjendje të shmangin ndjenjën e inferioritetit që i karakterizon, ose të hapin rrugë për thithjen e trurit pragmatist, që mund të vijë nga shqiptarët e shkolluar jashtë.