Pjesë të shkëputura nga libri i Uilliam Plomer, i cili është përkthyer plotësisht në shqip dhe mund ta [ shkarkoni këtu në PDF ].
KOPERTINA E PARË
Ali Pasha i Janinës – hajdut, gënjeshtar, plaçkitës, dallaverexhi, sadist, sensual, terrorist, mashtrues tregu, vrasës në masë dhe milioner – është sot një figurë bashkëkohore tepër serioze. Aliu, i cili është quajtur ‘Bonoparti Mohamedan’ dhe ‘përbindëshi më romantik në histori’, ishte një ndër më pak të njohurit, por figura më sensacionale e periudhës romantike. Një njeri mjaft tërheqës, me humor sarkastik e kurajo heroike, u bë diktator i pjesës më të madhe të Evropës turke dhe jetoi në një atmosferë krimi, intrige dhe shkëlqimi barbarik, me një harem prej 600 grash. Ai zbaviti Bajronin dhe ishte i admiruar njëkohësisht edhe nga gjigandë të tjerë të kohës, të tillë si Napoleoni, Nelsoni, Viktor Hygo e Dyma.
Kur së pari më 1936 u publikua Ali Luani i Uiliam Plomerit, ai pati një ovacion të shquar kritik, por doli nga shtypi gjatë luftës. Harold Nikolson e konsideroi këtë libër ‘të gjithin të absorbueshëm’, C.Dej Levis e çmoi atë si ‘tepër të shkëlqyer dhe tërheqës’, ndërsa A.J.P. Teilor shkruan: ‘Askush nuk do mund ta tregonte më bukur historinë barbarike… të çuditshme, më tepër të tmerrshme dhe ekstravagante sesa një trill letrar.’
Kjo histori ogurzezë e sadizmit dhe e dekadencës, që u ribotua nën titullin më eksplicit “Diamanti i Janinës – Ali Pasha 1741-1822”, është njëkohësisht kohore dhe jokohore.
KOPERTINA E DYTË
Uiliam Plomer (William Plomer) ka shkruar nëntë vëllime me poezi, më të fundit janë “Poezitë e përmbledhura” (1960) dhe “Shijo e kujto” (1966). Përveç romaneve, tregimeve dhe biografive, ai është dhe autori i dy librave autobiografikë, “Jeta e dyfishtë” dhe “Në shtëpi”, si dhe i katër libreteve operistike për Benjamin Briten. Është i njohur gjithashtu si kritik e radiotransmetues dhe si redaktor i disa librave të shkrimtarëve të tjerë, duke përfshirë këtu edhe veprën klasike “Dita e Kilvertit”.
PARATHËNIE
KUSH ishte Ali Pasha? Një shekull e ca më parë nuk ka qenë e nevojshme të bëhej kjo pyetje, pasi ai ka luajtur një rol të konsiderueshëm në kohën e vet. Ai u quajt përbindëshi më romantik në histori, Bonoparti Mohamedan dhe shumë epitete të tjera, pak a shumë të njëjta. Viktor Hygo, duke shkruar në vitet tetëqindenjëzetë, e konsideroi atë të vetmin kolloz dhe gjeni të kohës, i vlefshëm për t’u krahasuar me Napoleonin dhe shtoi se, Aliu me Napoleonin ishin si tigri me luanin apo si korbi me shqiponjën. Historia e Aliut ka kohë që s’ka qenë treguar në anglisht dhe më duket me vlerë tregimi i saj përsëri, kryesisht për hir të vetë historisë. Nuk jam përpjekur ta tregoj atë të plotë, me të gjitha segmentet politike e historike, por për ta bërë atë sa më interesante që kam patur mundësi, duke provuar të tregohem realist dhe jo i pasaktë, pasi qëllimi ka qenë të shkruaja një biografi konçize, e jo një rrëke të trilltë letrare.
Jam më se i sigurtë se po të kishte jetuar Aliu para Shekspirit, poetit të madh do i interesonte padyshim historia e këtij tirani, e cila do mund të ishte përdorur nga Shekspiri vetë, në mënyrë të përfytyruar, pasi ai e lidhte veten aq ngushtë me paracaktimet dhe karakteret e burrave të fuqishëm dhe me variacionet e jetës e të vdekjes që i bashkëshoqëronin ata. Asnjëherë s’do kish qenë më e plotë jeta, se me nuancat e komplotit të Aliut dhe me atmosferën poetike, prozaike e dramatike të tij. Nuk është lënë pas dore. Ai kshte një vend të dallueshëm në histori. Në Greqi ka figuruar në balada, këngë popullore dhe shkrime të ndryshme popullore; ai tërhoqi imagjinatën e Bajronit; frymëzoi së paku motivin e një romani, apo të një rapsodie hungareze nga Mor Jókai; Dyma vetë, shkroi disa trajtime të pjesës së fundit të jetës së tij, në “Konti i Monte Kristos”.
Diktaturat nuk sjellin asgjë të re, megjithëse me kalimin e kohës, ne na duket se shohim më tepër pushtet në më pak duar dhe rreziqet janë të mëdha. Historia e Diktatorit të Epirit ofron një mësim të mirë për autokracinë, që ka mundësi edhe sot të bëhet pjellë mendimit totalitar.
Nuk flas për mëshirë, nuk flas për frikë
Ai vetë s’donte t’ia dinte, kush i shërbente Vezirit:
Që nga ditët e profetit tonë ‘Hëna e re’ kurrë s’pa
Një trim më të lavdishëm se vetë Ali Pasha.
Bajron: “Çaild Harold“
Libri është përkthyer nga Arben Çokaj, Kopenhagë 1996.
Origjinali:
William Plomer, “The Diamond of Jannina – Ali Pasha 1741-1822”.
SBN 224 61721 4, Printed in Great Britain.