Rebelim në periferi

0
954
Berisha - lypsar

Nga Arben Çokaj, 25 shkurt 2009

Ndërsa pushteti i PD po bëhet gjithnjë e më i ashpër e kontrollues nga pasiguria e zgjedhjeve të ardhshme, militantët dhe mbështetësit e saj, një pjesë e të cilëve u zhgënjyen pas ardhjes në pushtet të partisë së tyre, kanë humbur tashmë durimin dhe po rebelohen. Pritshmëria e tyre nuk u shpërblye me një qeverisje të mirë, apo me zgjidhjen e halleve të tyre dhe varfëria është ulur këmbëkryq në vatrat e tyre nga papunësia e mundësitë e pakta të jetesës.

Jemi në prag të fushatës elektorale dhe zgjedhësit mendojnë se pushtetarët e tyre kujtohen për ta vetëm në kohë fushatash. Por kush do i fitojë zgjedhjet këtë herë? Kjo është një pjesë e shqetësimit.

Nga matematika e Jozefinës tek ekuacioni i Sokol Olldashit

Në një bisedë në studio, gazetari Baton Haxhiu e pyeti znj. Topalli: “Në zgjedhjet e ardhshme, një sondazh tregon se PD fiton shumicën, por jo aq shumë sa për të krijuar qeverinë. Me kë do të krijoni koalicion, me PS apo me LSI?” Zonja Topalli u zu ngushtë nga kjo pyetje dhe ngaqë nuk kishte mundësi të thoshte “këtë e di doktori…”, ajo tha diçka të paqartë: “nuk është e thënë të hysh në parlament… ne bëjmë qeveri edhe me parti jashtë parlamentit…”

Rroftë logjika dhe matematika e saj. Përgjigjia nuk do koment, për të kuptuar dimensionin politik të një zonje, që është katapultuar pa meritë, në majën e shtetit të sotëm shqiptar. Ndërsa ministri Olldashi, në një artikull gazete plotëson se, bashkëpunimi i PD me legalistët dhe PDI, do të ishte ekuacioni i fitores së të djathtës në zgjedhje.

Tani para zgjedhjeve, fitorja e PD duket se është më shumë një dëshirë, se sa një mundësi reale. Premtimet e pambajtura, aferat korruptive të zyrtarëve të lartë dhe të familjes Berisha, konflikti me partnerët ndërkombëtarë etj., duket se e kanë zbehur ndjeshëm ndikimin e PD në elektorat. Njerëzit kanë humbur besimin dhe janë bërë agresivë. Mund të pritet një eskalim më i madh i situatës. Të djathtët shqiptarë dhe shtresa e të persekutuarve ndjehen me të drejtë të zhgënjyer nga qeverisja.

Manipulim me të persekutuarit politikë

Në një takim në Tamarë, Malësi e Madhe, znj. Topalli foli për të persekutuarit e zonës, ku evokoi ndjenja pikëllimi e dhembshurie për atë kohë të shëmtuar, që vrau padrejtësisht burrat dhe patriotët e malësisë. Por ndjenjat nuk mjaftojnë. Në fund të takimit, ajo u ndesh me protestën e një banori të atjeshëm, i cili e pyeti për dëmshpërblimin e të persekutuarve. Folësja e Kuvendit bëri sikur nuk dëgjoi, ndërroi rrugë dhe nuk u përball me kërkesat e banorit në fjalë.

Kështu ndodhi edhe në takimin e datës 20 shkurt 2009, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë. Takimi u mbyll sapo pjesëmarrësit e persekutuar filluan nga salla t’i kujtonin folëses së Kuvendit, se në këto 18 vjet, vetëm është premtuar dhe nuk është bërë shumë për të kompensuar vuajtjet e tyre. Disa të persekutuar anti-komunistë sollën me siguri në kujtesën e tyre edhe ngjarjen e vitit 2007, kur znj. Topalli urdhëroi gardën t’i largonte ata me forcë nga ambientet e Kuvendit. Në atë kohë, znj. Topalli urdhëroi punonjësit e saj, që të mos merren më me shoqatën anti-komuniste dhe të persekutuarit politikë. Sidoqoftë, ajo tani po përshpirtet për humbjet e tyre të mëdha, që qeveria realisht nuk ka këllqe, t’i dëmshpërblejë. Dhe ngaqë qeveria tani i koncentron paratë vetëm për fushatën e ardhshme elektorale, takimet me të persekutuarit politikë mbeten në vetvete, vetëm deklarative.

Tjegullat e Jozefinës

Këto ditë, mediat njoftuan se pranë shtëpisë së folëses së Kuvendit në Shkodër, u gjet lëndë plasëse në një mëngjes. Kësaj nuk i thonë shaka. Zonja Topalli, ka kohë që ndjehet e frikësuar. Ajo u ka bërë dëm shumë njerëzve, duke krijuar vetëm armiq. Në Shkodrën anti-komuniste, ku njerëzit i kanë hedhur të parët në qafë litarin bustit të Stalinit, nuk duhet harruar se shkodranëve nuk u pëlqen të tallesh me ta.

Në vizitën e saj të fundit, ditën e karnavaleve, znj. Topalli shfrytëzoi rastin të përuronte rrugën pedonale në pjacë të Shkodrës, një investim tepër i madh për një rrugë kaq të vogël. Shfrytëzoi rastin se njerëzit ishin mbledhur për karnavalet, se ka mundësi të mos i mblidheshin fare njerëz. Asaj i kujtohet një nga vizitat e fundit në Shkodër, kur eci mbi 500-600 m., në pjacën e Shkodrës dhe asnjë njeri nuk u ndal për ta përshëndetur. “Në fshatin e vet, nuk i respektojnë profetët…” – mendon ajo me vete, por ka mundësi që shkodranët të jenë lodhur me mënyrën konjukturale të drejtimit politik, që ajo u ka ofruar atyre.

Folësja e Kuvendit u ndodh para një situate tragji-komike. Ndërsa po fliste për Shkodrën e re, për Shkodrën e ndryshimit të madh, disa tjegulla të vjetra u rrëzuan nga një çati, dhe znj. Topalli u lëshua përdhé, mbi të, rojet fizike të saj. Ngjarja u filmua nga një kameraman lokal. Pasi u qetësua, znj. Topalli iu drejtua kameramanit të ri: “A ke filmuar gjë?” “Po, gjithçka”, i tha ai. Ajo foli diçka me një nga rojat e sigurisë, që u drejtua për nga kameramani, dhe ky i fundit si në filmat mafiozë, ia mbathi nga frika, dhe u shpëtoi rojave të sigurisë së saj. Më pas kameramani u lidh me Fiks Fare, për t’ia dërguar kasetën atyre.

Njerëzit e Jozefinës, të lidhur me policinë, ia arritën të hyjnë në kontakt me kameramanin, i afruan atij si fillim pesë mijë lekë dhe në një bisedë personale me vetë zonjën Topalli, kameramani i ri u bind t’ia jepte kasetën asaj. Duke qenë një grua me përvojë, nuk besoj të ketë qenë e vështirë për znj. Topalli të bindte kameramanin e ri. Kështu që ne mbetëm pa e parë në TV trimërinë e koktejit laçiano-shkodran.

Topat me dëborë të deputetit Çobaj

Një nga zgjedhësit e zonës 3 më pati treguar një herë se, gomat e makinës së deputetit Çobaj, u shpuan në një fshat të zonës së tij elektorale. Kur e mora në telefon më vonë, që të më tregonte emrin e fshatit, ku kishte ndodhur ngjarja, banori më tha jo pa sarkazëm: “ti e di se na i përgjojnë telefonat, a do të më lësh pa bukë, të më këpusin rrogën…” Shiko se me çfarë merret deputeti ish-polic? Edhe një fshatari të thjeshtë ia ka futur frikën, se i përgjon telefonin! Kjo është mënyra e vetme, me frikë, presion e terror psikologjik, që ish-polici deputet synon të mbledhë votat, në zgjedhjet e ardhshme, nëse futet në listë.

Në këto ditë prag-fushate, Komuna Rrethina në Shkodër kishte mbledhje. Këshilltarët e komunës kishin kërkuar të vinte edhe deputeti i zonës, i cili mori pjesë në mbledhje. Pati debate të ndryshme dhe pakënaqësi, sidomos nga banorët e fshatit Bardhaj e Bleran, për shkak të mungesës së investimeve në fshatrat e tyre. Meqë kryetari i komunës nuk guxonte të shkonte në Bleran, shkoi më pas deputeti i majmur si grua shtatzënë, që duket se shumë shpejt do të marrë pushimin e lindjes. Në debat e sipër, deputeti u detyrua të largohej nga revoltimi i banorëve, pasi ata gati sa nuk kaluan në konflikt me të. Imuniteti i deputetit dhe profesioni i tij i vjetër, duket se e shpëtuan kësaj radhe deputetin “nuse”, pa u sulmuar me topa dëbore, që ishin përgatitur nga banorët e fshatit.

Publikuar në: Sot, 06.03.2009

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu