Tërheqje e majtë

0
1056
Gerhard Schroeder - profile 2014

Shkruan: Arben ÇOKAJ

Opozita e djathtë shqiptare nuk ka parë rrugë më të mirë për të larguar kyeministrin Nano, vetëm përmes protestave paqësore e demokratike. Shoqëria shqiptare e ndodhur në një fazë të tejzgjatur tranzicioni 13 vjeçar, e shokuar herë pas herë nga ngjarje rrënqethëse politike, që kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë cënuar rëndë edhe ekzistencën e shtetit shqiptar, duket se do të ngrejë krye kundër nënshtrimit vasal të qeverisë Nano, si dhe korrupsionit e papërgjegjshmërisë së tejskajshme të administratës së sotme shtetërore. Shqipëria nuk i ka krijuar akoma mekanizmat e qëndrueshëm të ruajtjes së votës së lirë dhe të respektimit të vullnetit të votuesve. Prandaj opozitës i duhet sot të veprojë në rrugë të tjera, që gjithnjë janë demokratike dhe që presojnë një vullnet progresist shoqëror.

Elementi pozitiv që mund të vësh re sot në Shqipëri, është padyshim shtypi dhe media e lirë. E para vjen fjala. Shprehja e mendimit hapur në mediat shqiptare, pavarësisht vështirësive të mëdha, vlen për t’u respektuar, pasi atë nuk e gjen shpeshherë edhe në mediat e vendeve me demokraci të zhvilluara, të cilave u referohemi shpesh. Shqiptarët pra, tendenciozë në rebelimin e tyre, nuk tremben të heshtin, ata sot flasin hapur. Dhe kjo është A-ja e demokracisë – shprehja e lirë e mendimit. Pas kësaj vjen respekti për mendimin e kundërt, gjë që duket se merr më shumë kohë për t’u bërë natyrë e një shoqërie. Ajo që na intereson sot të gjithëve, është krijimi i një klase politike shqiptare, që nuk gjeneron konflikte, por di të merret vesh për të mirën dhe interesin e votuesve shqiptarë. Jo tregtarë mishi, por një klasë të kualifikuar politike, që normat demokratike nuk i lë tek A-ja (pra vetëm tek shprehja e lirë), por edhe tek veprimi i lirë e demokratik, që ndërthuret edhe me iniciativën e lirë qytetare.

Këtu në mes të Evropës, ndodhet një nga vendet më të fuqishme të saj, Gjermania. Këto ditë, kancelari gjerman Schrëder u detyrua të tërhiqej nga kreu i Partisë Socialdemokrate (SPD), pasi sondazhet tregojnë për muaj me radhë, se partia e tij, vështirë se mund të marrë 24 % të votave, nëse zgjedhjet bëhen tani. Por cila është arsyeja që opozita gjermane me koalicionin e unionit Kristiandemokrat (CDU) dhe Kristiansocial (CSU) nuk ngrihet në protesta për të rrëzuar kancelarin Schrëder?

Arsyen duhet ta gjejmë tek mekanizmi i respektimit të votës së lirë, që aplikohet relativisht në Germani, dhe e dyta është se sondazhet politike japin një vërtetësi të madhe të realitetit. Këtu nuk mund të rrimë pa përmendur edhe faktin se Kristiandemokratët (CDU), partia opozitare më e fuqishme në Gjermani, drejtohet nga një grua. Ajo është fizikania Angela Merkel, një grua serioze dhe mjaft e aftë nga Gjermania Lindore, por që gjithnjë mbetet një kundërshtare e “butë” para kancelarit Schrëder, përderisa ajo e ka vështirë ta sfidojë atë personalisht, me një kandidaturë për kancelare. Shoqëria gjermane, ndonëse e emacipuar sa duhet, nuk beson akoma se një grua mund ta drejtojë vendin në këtë botë të egër. Dhe kjo duhet të jetë arsyeja pse zonja Merkel nuk e sheh veten si kandidaturë të aftë për të sfiduar socialdemokratin Schrëder, kur dihet se po të bëhen zgjedhje tani, unioni i saj fiton mbi 50% të votave.

Në 5 vjet sundim të socialdemokratëve në Gjermani, shoqëria gjermane i ka zvetënuar gradualisht vlerat e saj demokratike, dhe analistë të ndryshëm e kanë përmendur herë pas here faktin se shoqëria gjermane ndodhet sot në një krizë të papritur, me borxhe të mëdha dhe pa një prespektivë të qartë. Sikur partia e Schrëderit të kishte qëndruar në pushtet në Gjermani, aq gjatë sa ç’kanë qëndruar në pushtet të majtët shqiptrarë, atëherë nuk ka asnjë dyshim se Gjermania do të kishte sot një nivel zhvillimi të përafërt me Shqipërinë.

Teksa ecën me makinë në autostradat e betonta gjermane, nga Mynihu për në Belin, mund të ndjesh rrumbullakësinë e globit në këtë rrugë të gjatë dhe njëkohësisht, mund të vëresh edhe ndryshimin e zhvillimit brenda të njëjtës Gjermani: asaj të perëndimit, dhe asaj të lindjes. Ku qëndron sekreti i këtij ndryshimi në zhvillimin ekonomiko-shoqëror brenda së njëjtës rracë? Nuk ka ekuivok: ndryshimi qëndron në sistemin politik të zgjedhur. Pushteti i të majtëve, sado progresist të jetë, ai krijon vlera materiale vetëm për një klasë të caktuar, që e parë në tërësi është e destinuar të humbasë, pasi vetë shteti humbet një ditë nga varfëria e popullit.

Krahu politik i Schrëderit, një pjesë e të cilit ha edhe bar për të mos i shkelur parimet, i kanë presuar gjatë gjithë kohës kristiandemokratët e Kolit, që t’i afrohen qendrës dhe të fusin disa norma sociale në shoqëri. Ky krah politik e kupton sot, se shoqëria gjermane nuk është rentabël dhe ata vetë janë të detyruar ta prishin sistemin e krijuar, pasi shoqëria nuk ecën mbi këto norma. Schrëder mendon se duhet të bëhen reforma të fuqishme për të shmangur Gjermaninë nga fundosja, por mënyra se si Schrëder dëshiron t’i bëjë reformat, s’mund të jetë tjetër vetëm nga e majta. Schrëder synon ta çojë shoqërinë gjermane (dikur shembull i shoqërive me bazë sociale) edhe një hap nga e majta – drejt shoqërive skandinave, ku gjithçka pothuajse përqëndrohet në dorë të shtetit.

Përmes tërheqjes së tij këto ditë, Schrëder synon të forcojë pozitat e veta, kur gjithkush e sheh se vendi po shkon drejt katastrofës dhe vetëm zgjedhjet e parakohëshme mund të hapin rrugën për një rikuperim të shoqërisë mbi baza të reja. Në mars 2004 pritet të zgjedhet presidenti i ri i vendit, i cili do të jetë nga krahu i djathtë politik. Dhe Schrëder nuk do e ketë të lehtë me presidentin e ardhshëm. Shefja e CDU-së kërkoi tërheqjen e Schrëderit edhe nga posti i kancelarit. “Një lider që nuk mund të drejtojë partinë e tij, nuk mund të drejtojë as vendin”, theksoi Merkel. Edhe krerët e dy partive të tjera opozitare kërkuan një fillim të ri, me zgjedhje të reja.

Në analogji me sa më sipër, problemi i Shqipërisë paraqitet në të njëjtin plan, me një kryetar qeverie të paaftë të drejtojë partinë e tij. Partia Socialiste ka sot njerëz më të përkushtuar dhe më të aftë për të drejtuar vendin, se Nano, i cili synon tani të ruajë pushtetin e tij me shantazhe e kërcënime ndaj kundërshtarëve, apo favore ndaj familjarëve të presidentit Moisiu, etj. Duhet më tepër se kaq!

Nëse mekanizmat e sondazheve do të ishin krijuar dhe do të ishin kaq të besueshme edhe në Shqipëri, sa ç’janë në Gjermani, atëherë edhe opozita shqiptare, Partia Demokratike dhe kreu i saj Berisha, nuk do të kishin nevojë që të ndërmerrnin një lëvizje qytetare nën thirrjen “Nano ik!”. Politika shqiptare sot ka rënë në grackën e mashtrimeve të veta në këto vitet e tranzicionit, dhe sot ka lindur nevoja, që votuesit shqiptarë të rizgjohen, dhe të bëhen më të përgjegjëshëm për fatin e tyre. Ata nuk duhet t’ia lënë jetën e tyre në dorë Fatos Nanos, të cilit duket se i tepron puna, që i nxjerr nusja e tij e re.

Duke nuhatur pakënaqësitë shoqërore, kreu i opozitës Berisha synon me të drejtë të shfrytëzojë këtë dobësim të përgjithëshëm të shtetit shqiptar, për të ndryshuar një realitet të padurueshëm në shoqëri. Dhe koha ka ardhur. Kjo është detyra e opozitës – të mos e lërë shtetin të gabojë. Por gabimet e Nanos janë të pandreqëshme dhe ka kohe që e kanë kaluar pragun e durimit. Shqiptarët nuk mund të jetojnë vetëm për kënaqësitë e një kryeministri të papërgjegjshëm, i cili vjel të ardhurat e popullit për të pasuaruar një grup njerëzish, dhe për të nxjerrë në dritë vetveten si fluturak, ku e keqja nuk i prek as këmbët…

Berisha ka patur kohë të mësojë nga humbjet e mëdha, dhe si personifikim i vetë Shqipërisë në këtë kontekst, ai ka humbur, por nuk ka rënë plotësisht. Ai ka humbur për t’u ringritur, dhe ashtu duhet të ringrihet edhe shoqëria shqiptare, që të mos vijë dita, kur të ndjehemi më të poshtëruar se ç’jemi nga politikat denigruese të kryeministrit Nano. Shqiptarët duhet të ndjehen më afër vendimeve të politikanëve për fatin e tyre. Këtë synon me siguri edhe hapja e PD-së. Një emancipim më të madh të shoqërisë, një hallkë më të fuqishme ndërlidhëse të politikanëve dhe popullit që ata drejtojnë.

Po të kishte një moral më të konsoliduar politik dhe po të mos ishte i implikuar në qarqe të dyshimta interesash, kryeministri Nano do mbante një linjë më të arsyeshme me kundërshtarët e tij, dhe sidomos me opozitën shqiptare. Në këtë kohë tërheqjesh të së majtës evropiane, Kryeministri Nano duhej të bënte një hap prapa. Por Nano e di, ashtu siç e di edhe kancelari gjerman Schrëder, se ikja e tyre është e pakthyeshme. Pra, të dy këta politikanë, që i kanë shkaktuar jo pak fatkeqësi popujve të tyre respektivë, e dinë sot se përballen realisht me fundin e tyre politik.

Schrëder veproi taktikisht për t’u tërhequr nga kryetar i partisë së tij – një rast unikal në historinë e Gjermanisë – dhe pritet që presidenti i ardhshëm gjerman të ndihmojë largimin e Schrëderit edhe nga posti i kancelarit. Sa i përket Nanos, ne shqiptarët jemi lodhur tashmë me përsëritjet e rëndomta të qeverive jo-efikase, Nano 5, Nano 6, Nano 7, etj. Tani ka ardhur koha që të gjithë të themi: Nano ik! Dhe kjo të bëhet për hir të disa interesave paksa më të gjëra, përderisa presidenti shqiptar është i blerë ndërkohë dhe nuk mund ta kryejë siç duhet detyrën e tij kushtetuese.

7 shkurt 2004

PublikuarQIK – opinione
Dërguar: Gazeta Illyria, Shekulli, TemA

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu