Shqiptarët bashkë, Shtajner kundër

0
994
Michael Steiner

Miratimi i një rezolute që njeh vlerat e luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi, ishte jo vetëm një kthesë pozitive në skenën e politikës kosovare, por ajo ishte edhe një test i nevojshëm për të matur pulsin e qarqeve ndërkombëtare dhe qasjen e tyre reale në marrëdhënie me Kosovën.

Teksti i rezolutës, i përpiluar me kujdes nga ekspertët e tri partive kryesore shqiptare në Kosovë, krijoi premisat që politika kosovare t’i sheshojë pak a shumë mosmarrëveshjet e brendëshme në përgjithësi. Dhe kjo pjesë e saj është padyshim më e rëndësishmja: shqiptarët bashkë. Siç ndodh shpeshherë pas një kompromisi të madh, shfaqet paralelisht edhe ana negative e tij. Këtë radhë jo ana negative e rezolutës-kompromis, por ana negative e reagimit ekstrem të kryeadministratorit Shtajner, i cili pa asnjë shkak real, ia kaloi frustracionin e tij edhe një pjese të politikës ndërkombëtare.

Kosovarët u ndeshën me një të papritrur. Ajo që kërkohej me kohë nga ndërkombëtarët, unifikimi i marrëdhënieve ndërpartiake në Kosovë, u arrit me sukses, por kjo gjë nuk u prit pozitivisht. Cila është arsyeja e vërtetë, që Shtajner dhe një pjesë e ndërkombëtarëve, nuk u ngazëllyen (por u dëshpëruan) nga kjo arritje në skenën politike kosovare? E vërteta duhet parë e gjetur në atë bosht politiko-psikologjik, që rrethon Kosovën në planin kombëtar e ndërkombëtar.

Shpeshherë, analistët përmendin faktin se Kosova po trajtohet si fëmijë nga bashkësia ndërkombëtare. Trajtimi i tjetrit si fëmijë, bëhet më tepër për të paternalizuar të drejtat e tij. Të drejtat e popullsisë së Kosovës dhe të politikanëve të saj, janë eklipsuar vërtetë nga kjo bashkësi ndërkombëtare, e sidomos nga përfaqësuesi i saj Shtajner, duke luajtur në fakt një rol ambiguist në Kosovë. Kjo ka sjellë një çoroditje jo të vogël në Kosovë, qoftë politikisht ashtu edhe ekonomikisht, kur dihet verdikti i dhënë nga populli i Kosovës për pavarësi.

Qëllimi i këtij trajtimi specifik i politikës kosovare dhe i popullit të Kosovës, nga një pjesë e qarqeve ndërkombëtare, vjen si duket nga e drejta që i japin vetes këta ndërkombëtarë, që të vendosin mbi fatin e popujve, pa marrë aspak parasysh vullnetin e vetë popullit për vetvendosje dhe vetëpërcaktim. Këtu fillon mbarimi i demokracisë dhe lirive bazë të njohura ndërkombëtarisht. Këtu fillon edhe joshja e qarqeve serbe lidhur me të drejtën e tyre mbi Kosovën, dhe kjo është tepër e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi.

Në këtë rast kemi të bëjmë me disa atavizma në politikën ndërkombëtare të luajtur nga Shtajner në Kosovë, ku del në pah mjaft mirë, se dëshira e disa prej ndërkombëtarëve për të unifikuar veprimtarinë e partive politike në Kosovë, nuk ka qenë e sinqertë. Veprimi i Shtajnerit për të vënë sanksione kundër politikës kosovare, pas një rezolute-kompromis ndërmjet subjekteve kryesore politike në Kosovë, është tepër i nxituar, dhe shprehje e qartë e tendencës së tij (dhe një pjese të ndërkombëtarëve) për të mbështetur arsyetimin politik “përçaj e sundo” në Kosovë. Rezoluta vetë me kontekstin e saj, nuk arsyeton veprimin e Shtajnerit. Pra, shkaku është diku tjetër.

Dihet se ndërkombëtarët dhe sidomos SHBA-të, kanë luajtur një rol të madh në çlirimin e Kosovës me ndërhyrjen e forcave të NATO-s në mars 1999; dihet gjithashtu se UNMIK-u ka luajtur në fillim një rol të pazëvendësueshëm në administrimin e shoqërisë kosovare. Por, veprimtaria e ndërkombëtarëve në Kosovë, shoqërohet edhe me interesat personale të individëve të ndryshëm, të cilët fillojnë dhe e banalizojnë çështjen e Kosovës, duke u munduar padyshim, që t’ia marrin mendtë Kosovës në ditë paqeje dhe në mirëbesim. Pra, mandati i UNMIK-ut tradicional, duket se ka përfunduar…

Kosova duhet të jetë e përgatitur për luftë, që të gëzojë paqen. Ky do të ishte perifrazimi më i saktë i fjalëve latine, që i referohet babai i psiko-analizës botërore, Zigmund Frojdi, kur thekson se “që të jetosh jetën, duhet të jesh i përgatitur për vdekjen”. Frojdi vetë e krijoi shkencën e tij, duke analizuar trurin e popullit gjerman ku jetoi. Këtë gjë e përmend jo rastësisht, pasi në krye të administratës së UNMIK-ut në Kosovë, kemi një gjerman, dhe nuk kemi si të anashkalojmë faktin se gjermanët si karakter, përmenden për mungesë fleksibiliteti dhe tolerance. Aq më tepër, kur shihet se Shtajner nuk i respekton të drejtat dhe vullnetin e politikanëve kosovarë, pavarësisht se Rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Kosovës, nuk bie ndesh me përcaktimet në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, që administron aktualisht Kosovën.

Rezoluta për njohjen e vlerave të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi, ka vetëm vlerë historike dhe është një konstatim i së vërtetës, dhe nuk është e formës ekzekutive në atë kontekst, që shihet nga Shtajner dhe të tjerë pas tij.

Në reagimin e Shtajnerit gjejmë fatkeqësisht një qëllim jo të mirë – i cili shprehet edhe në masat ndëshkimore që ai ndërmori kundër politikës kosovare. Shtjaner mund të zgjidhte të injoronte rezolutën në fjalë, siç ka bërë edhe herë të tjera me ligjet e dala nga parlamenti kosovar, por jo këtë radhë. Shqiptarët dhanë sinjal të qartë se po zgjohen dhe se kur vjen çështja për gjëra të përbashkëta, kosovarët dinë të veprojnë. Kjo duket se e trishtoi Shtajnerin dhe të tjerë, të cilët e donin Kosovën në gjumë, deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të saj.

Duhet të kemi parasysh edhe një detaj psikologjik, që nuk është pa rëndësi: Ikja demonstrative e Çoviqit nga zyra e Shtajnerit, i la një brengë në zemër kryeadministratorit Shtajner. Një injorim i tillë brutal, fatkeqësisht jep rezultat kundrejt kundërshtarit evropian, kur ky kundërshtar është i detyruar të merret me ty. Kjo është një karakteriastikë psikologjike, që dominon fatkeqësisht pjesën më të madhe të Evropës perëndimore, që ka themeluar të ashtuquajturën “drejtësi sociale”. Një veprim i tillë nuk mund të bëhet nga politikanët kosovarë, sepse Shtajneri i sheh ata si qengja të dëgjueshëm, dhe sapo ata fillojnë të ngrejnë krye si në rastin e fundit, atëherë vijnë ndëshkimet irracionale…

Vicklat e hedhura nga Çoviq, jo vetëm që nuk e fyejnë Shtajnerin, por mund të ndikojnë edhe në miklimin e tij. Këtu del në pah sekuenca psikologjike e një “gruaje të braktisur”… dhe pjesa tjetër që vjen me të, që duket se njihet mirë nga politika e sotme serbe, si e metë e madhe në politikën evropiane. Dhe serbët luajnë me kartën e tyre të fundit, sepse ata e ndjejnë se Kosova ka kohë që ka ikur. Po atëherë çfarë duan serbët në Kosovë? Presin që kosovarëve t’u merren mendtë nga opiumi evropian i Evropës së Bashkuar, ku të gjithë popujt do mund të jetojnë bashkë në harmoni e paqe…

Ëndërr e bukur, por a nuk ishte e ngjashme me këtë, edhe ideja e pas luftës së dytë botërore?

Shqiptarët e Kosovës duhet ta tregojnë veten edhe në paqe, se janë faktor në Ballkan. Kjo kërkon natyrisht një punë të madhe të forcave politike në Kosovë, që ata të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit edhe në marrëveshje të tjera, pavarësisht reagimit të bashkësisë ndërkombëtare. Këtu nuk synohet një çarje me bashkësinë ndërkombëtare, absolutisht jo, por synohet imponimi i kësaj bashkësie, për të nxjerrë kokën e strucit nga rëra, dhe për të njohur pavarësinë e Kosovës, si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për rajonin. Kosova e fitoi lirinë me luftë, tani duhet të përgatitet që ta fitojë pavarësinë me paqe.

Arben Çokaj, 21 maj 2003

Publikuar në: Gazeta “Illyria“, New York
Dërguar për: QIK, opinione | Gazeta “TemA“, Tiranë

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu