Vdekja e Rugovës – humbje pikëlluese për kombin shqiptar

0
1051
Ibrahim Rugova

Shkruan: Arben Çokaj

Ka ndodhur shpeshherë në historinë e njerëzimit, që në momentet më pikëlluese, kur populli i humb të gjitha shpresat, një dorë ndihme vjen nga jashtë, një i dërguar i zotit. Për këtë arsye, njerëzit kanë krijuar besëtytninë: zoti çon gjithmonë të dërguarin e tij, që t’i shpëtojë. Edhe profetët që respektohen me fanatizëm nga fetë e ndryshme, erdhën për njerëzimin në kohën kur njerëzit kishin nevojën më të madhe për ta. Dhe mbetën në historinë njerëzore, si njerëz – profetë me ndikim të madh shoqëror.

Profetët, shenjtorët dhe të dërguarit e zotit, nuk bëhen, nuk krijohen – ata lindin. Ata lindin aty, ku zoti ua cakton për fat që të vijnë në jetë – aty ku populli pret ardhjen e tyre. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza lindi në një familje fisnike shqiptare, në kohën kur raca shqiptare vuante nën turbulencën e konvertimit. Misioni i saj u përmbush vetëm pasi ajo u largua nga familja e saj dhe iu përkushtua plotësisht virtytit më të mirë: flijimit të jetës në shërbim të krijuesit, në ndihmë të më të vobektëve prej të vobektëve.

Presidenti Ibrahim Rugova
Dhe askujt nuk do t’i shkonte mendja deri më sot, se në një familje të fisshme shqiptare, diku thellë në një fshat të humbur shqiptar të Istogut, pas luftës së dytë botërore, do të lindte një pinjoll shqiptar, i brishtë nga fiziku por me fuqi shpirtërore prej vigani – një i dërguar i zotit, i cili me qetësi dhe madhështinë e virtytit, do të përçonte fuqishëm tek populli i vet, mesazhin e lirisë dhe të jetës.

Njerëz si Rugova nuk lindin përditë në gjirin e një populli. Duhen shekuj që një popull të nxjerrë njerëz të tillë – ose më saktë, t’i vijnë të dërguar të tillë. Rugova kaloi nëpër kalvarin më tragjik që mund të kalojë një popull, ai përjetoi humbjen më të madhe qëkur ishte foshnjë, kur çetnikët serbë i vranë babain e tij së bashku me gjyshin. Rugova nuk pati fat të njohë të atin e tij, dhe sytë i drejtoi qiellit për të shquar krijuesin e vet.

Vuajtja pjesë e jetës
– mjet për të duruar dhimbjen dhe përballuar humbjet

Në alkiminë e sjelljes së Dr. Rugovës, të gjithë vërenim diçka të veçantë: aftësinë e tij për të ngjizur, për të krijuar, për të bërë për vete si pa të keq edhe kundërshtarët, dhe kjo pa u imponuar kurrë. Jo vetëm me shallin që mbante rreth qafës, në kujtim të babait të munguar, kur u bë figurë publike, por edhe me qetësinë dhe maturinë e tij, mosmarrjen publikisht me vogëlsira, apo sulme personale, aq të famshme për figura të tjera shqiptare e ballkanase, jetën e tij disi të tërhequr, që shpërndante mister dhe respekt për të gjithë. Rugova ishte intelektual paqësor, pa rrezikshmëri për askënd, dhe një bashkëbisedues i besueshëm.

Dhe siç ndodh me çdo të dërguar të zotit, ai vjen në jetë për të vuajtur për të tjerët dhe në jetën e tij të shkurtër, ai përçon tek njerëzit mesazhin e tij të madh. Por njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë që në fillim kriptikën e liderit të tyre shpirtëror, se për kombin shqiptar Rugova ishte udhërrëfyesi më i mirë i rrugës drejt lirisë dhe pavarësisë, me humbje minimale. Dhe kjo është një mrekulli në vetvete!

Kombet e sotme moderne, që kanë patur sukses në rrugën e tyre, të gjitha e kanë patur nga një apo më shumë udhëheqës shpirtërorë në rrugën e tyre drejt progresit. Ibrahim Rugova do të hyjë padyshim në piedestalin e figurave më të mëdha të kombit shqiptar, ai do të glorifikohet në vlerat e tij reale për popullin e Kosovës, duke u kthyer në një figurë themelore për fatin e shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Kundërshtarëve dhe kritikëve të Rugovës, t’u vijë turp sot për shërbimin e keq, që i kanë bërë vetes dhe vendit të tyre. Shpresoj që ata ta kuptojnë dhe të reflektojnë, siç edhe kanë bërë disa prej tyre, për qetësimin e gjakrave brenda subjektit politik kosovar dhe të punojnë bashkërisht, larg meskinitetit, të udhëhequr nga shembulli vizionar i Presidentit Rugova.

Rugova vuajti shumë deri në këtë ditë, kur u preh në një paqe të përjetshme. Por ai pati një mision në jetë dhe këtë e arriti me sukses. Ai e shpëtoi popullin e Kosovës nga një shfarosje masive; ai me filozofinë e tij të veçantë paqësore e ndërkombëtarizoi Kosovën e vogël dhe e solli aq pranë lirisë së shumëpritur. Rugova u bë figura themelore e popullit të Kosovës, ikona e shpresës për liri e pavarësi. Rugova u bë padyshim liberator i popullit të vet fisnik e të shumëvuajtur – një ndërmjetës i pazëvendësueshëm ndërkombëtar, duke rritur kuptueshmërinë e të tjerëve për të vërtetën kosovare. Në koncepte arkaike, Rugova mori në vetvete rolin e babait të kombit shqiptar, në Kosovën e re, që po ri-lindte.

Gjatë rrugës së tij 16-vjeçare në krye të politikës kosovare, Rugova humbi shumë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë, por ai nuk u dorëzua kurrë përballë vështirësive dhe sfidave të pushtuesit, në një Kosovë të dominuar nga forcat brutale, kriminale dhe të paarsyeshme serbe, apo dorës së tyre vrastare në Kosovë. Mesazhi i Rugovës ishte gjithmonë shpresëdhënës, sa të krijonte përshtypjen se besonte në frymën e shenjtë, që i udhërrëfente atij rrugën drejt lirisë së popullit të tij të pushtuar e të nëpërkëmbur.

Ndjesia instiktive përtej asaj që shquhet

Rugova arrinte të shikonte përtej aftësisë së shikimit të të tjerëve. Ai kishte një besim të madh tek potenciali dhe vitaliteti i popullit të tij, dhe i kuptonte mjaft mirë edhe dobësitë e brendshme. Besimi i tij u bë udhërrëfyes i suksesit të tij personal dhe i suksesit të LDK-së si lëvizje politike. Ai nuk dyshoi kurrë dhe nuk e priste kurrë të keqen nga populli i vet, ndonëse siç dihet për raste të tjera, shërbimet jugosllave kishin përdorur shpeshherë shqiptarët për të eliminuar figura të njohura politike në Kosovë.

Vdekja e Rugovës tregoi se edhe perënditë nuk janë të përjetshme – i përjetshëm është vetëm kujtimi i tyre. Se Rugova ishte një perëndi, një orakull ndjellamirë për popullin e vet. Kur humb një njeri kaq të çmuar, atëherë dhe vetëm atëherë, e ndjen humbjen e madhe. Populli i Kosovës në çdo vështirësi, do e kujtojë Rugovën për ndihmë – ashtu sikur thërrasim “O Zot!” kur kemi nevojë për të. Por të mos mbeten vetëm me kaq – kosovarët duhet të ndjekin shembullin e Rugovës për të fituar pavarësinë e projektuar nga Presidenti Rugova dhe të vazhdojnë me sukses ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë.

Në procesin e negociatave për pavarësinë e Kosovës, Rugova këshilloi se Pavarësia e Kosovës është një çështje e panegociueshme! Kam shpresë se grupi negociator kosovar do ta ruajë me fanatizëm këtë linjë themelore në negociatat e ardhshme, për të përmbushur një detyrim të madh, që ata i kanë për borxh popullit të Kosovës dhe liderit të tyre shpirtëror, Ibrahim Rugova.

21.01.2006

PublikuarQIK – opinione, etj.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu