NGACMIM PËR DEBAT
Ka kohë që dua të shkruaj mbi një ide dhe të shpreh pikëpamjet lidhur me një problem të domosdoshëm e kontemporan, njëkohësisht.
Bëhet fjalë rreth një parlamenti studentor kombëtar, i cili konsiston në krijimin e një organizate studentore, në dimensionet e parlamenteve studentore evropiane, si forma më e lartë e organizimit të studentëve shqiptarë.
Në kohën që po kalojmë secili, vështirësitë e shumta dhe hallet e mëdha e, njëkohësisht, mundësitë e kufizuara për të arritur e bërë diçka. Sigurisht që mosrealizimin nuk duhet ta quajmë dështim, të paktën në këtë kohë s’duhet të na dëshpërojë. Ndonëse rendja pas gjërave të rëndësishme e parimisht të drejta, nuk duhet të mungojë kurrë, përndryshe…
I kemi hyrë një rruge të vetëdijshëm e të bindur, se është rruga e vetme (ndonëse të vonuar) drejt Evropës së qytetëruar e demokratike. Mendoj që kushti i parë për të ecur në këtë rrugë është krijimi i institucioneve demokratike e i mendësive demokratike.
Dikush me të drejtë mund të pyesë e mund të japë mendime, që varen padyshim nga njohja e interesi që ka: Ç’është ky parlament? Si do ndërtohet? Mbi ç’baza?… E deri, a ka ardhur koha për një organizatë të tillë? Natyrisht një gamë e gjërë pyetjesh, që mund ta gjejë shpjegimin edhe në artikuj të tjerë.
Mund të them shkurt, që kushtet për të ndërtuar një parlament studentor, ka kohë që janë pjekur. Ishin studentët ata, që të parët kërkuan institucionalizimin e fjalës së lirë, që pasoi me rrjedhat demokratike të kohës, e që dihen nga të gjithë.
E pra, kuptohet që studentët nuk luftuan për klane politike apo më ulët, për klane konjukturale. Ata luftuan për një bashkëjetesë të të gjithëve, pavarësisht nga ekzistenca e mendimeve dhe rrymave të ndryshme politike, bile kjo ekzistencë kërkohej, duke u munduar të mësohemi për të respektuar mendimin e kundërt. Kjo natyrisht do filluar nga vetja.
Nga ana tjetër, ekzistenca në mjedisin studentor e shoqatave dhe organizmave të ndryshëm deri diku të konsoliduar, por që kryejnë veprimtari të shkëputur nga njëri-tjetri e, që asnjëri s’është në gjendje sa duhet t’i përgjigjet kërkesave të të gjithë studentëve, ose më saktë s’mund të flasë në emër të të gjithëve, e presupozon ashtu si edhe fakti i mësipërm, kooperimin e këtyre organizmave studentorë dhe krijimin e një instance më të lartë përfaqësimi, pra të një Parlamenti Studentor.
Por nga ideja deri tek krijimi i kësaj organizate të fuqishme është një hapësirë e madhe, që do mbushur me punën e efektshme dhe impenjimin e çdo njërit, që e ndjen veten të pranishëm në këtë sipërmarrje. Ndaj, për këtë, rreth katër muaj më parë, disa shoqata e organizma studentorë, u mblodhën e diskutuan deri në debatime të shumta, që përfunduan me frute sterilë.
Pa humbur kohë, po jap përgjithësisht një ide mbi këtë organizëm studentor, duke shpresuar që koha të qartësojë realisht strukturat e tij. Në fakt kjo ide na u afrua nga Unioni Studentor Austriak, krerët e të cilit na dhanë mundësinë të shihnim nga afër parlamentin e tyre, ndërtesën ku punonin, zyrat e kompletuara mirë, ku padyshim kompjuterët zëvendësonin makinat e shkrimit.
Zgjedhjet bëheshin një here në dy vjet dhe merrnin pjesë të gjithë studentët (natyrisht kush dëshironte). Ato zgjasnin dy-tre ditë në të gjithë universitetet e vendit. Në fushatën elektorale si ajo e partive politike, merrnin pjesë të gjithë organizmat studentorë, duke hedhur kandidaturat e tyre, për çdo hallkë të këtij organizimi. Ishte një organizim disi i veçantë; ekzistonin katër departamente të pavarura nga njëri-tjetri; Parlamenti i degës së studimit, i Fakultetit, i Universitetit dhe Parlamenti Qendror, i cili kishte të drejtën e përfaqësimit. Pavarësia siguronte automatikisht mungesën e centralizimit, që vërehet në shoqatat tona studentore. Parlamenti Qendror ishte forma më e lartë e organizimit dhe demonstronte një forcë të madhe të bashkimit studentor, pasi çdo student ishte detyrimisht anëtar i këtij organizmi studentor.
Zgjedhjet ishin të lira e çdo student kishte mundësi të hidhte kandidaturën, por më parë të bënte pjesë në një shoqatë, e cila kishte të paktën 300 anëtarë, me firma të dokumentuara.
Parlamenti zgjidhte presidentin dhe një “ekzekutiv” në formën e një “qeverie studentore”, ku secili ngarkohej me punë të caktuar në të gjithë sektorët; që nga organizimi deri te shtypi e informacioni.
Sigurisht që në universitetet tona mund të adoptohet lehtësisht një përshtatje e një parlamenti të tillë, pasi ndihma financiare e intelektuale nga kolegët tanë nuk mungon dhe në të njëjtën kohë, kushtet janë mjaft të përshtatshme edhe për ne, kur në strukturën e organizimit të shkollës, nevojiten përfaqësuesit legjitimë të studentëve, që mund të jenë vetëm ata që zgjidhen me votat e tyre.
Ndërkohë që shkruaj këto fjalë, mbetem në dilemë të pyetjes: Parlamenti Studentor – një e ardhme e afërt, apo…?!
Shpresoj të mos jetë në interes të askujt pengimi për të arritur ngritjen e këtij institucioni kaq të domosdoshëm, pasi studentët e meritiojnë plotësisht, kurorëzimin e përpjekjes së dhjetorit ’90.
Arben Çokaj, Nënkryetar i Unionit Studentor
Publikuar: Studenti, tetor 1992