Morali politik dhe pozicioni i njerëzve publikë

0
1186
Ibrahim Rugova

Arben Çokaj, 24.08.2003

Shumë njerëz i dinë gjërat por kur fillon të tregosh përkujdesje për ta, ata gjejnë një precedent psikologjik që të të shajnë apo injorojnë. Jam i sigurtë, se po dënjoi Xhorxh Bushi të flasë me këta lloj njerëzish të papërgjegjshëm, dhe kur ata ta shohin se Bushi është njeri, e po tregon interes për gjendjen e tyre, etj. ata do vijnë në konkluzionin se Bushi nuk qenka gjë – pra Bushi qenka më injorant se ata. Marr shembull Bushin, jo si njeri i zgjuar në këtë rast, por si njeriu më i pushtetshëm i globit. Si ilustrim për këtë mund të përdorim kërkesën e diktatorit Sadam Husein, që të fliste me Bushin para luftës në Irak, përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë me satelit, që e gjithë bota t’i shihnin. E për çfarë duhej të fliste Bushi me një diktator?

Arsyet pse kjo ndodh duhet të gjenden tek 1. injoranca e këtyre njerëzve, pra mosdija, dhe 2. tek mosvlerësimi që iu është bërë tërë jetën. Dhe janë këto njerëz që të pengojnë të sillesh normalisht me ta. Pra të detyrojnë të bëhesh snob, e të mos iu varësh – kjo sjell një farë distancimi me realitetin në fakt (siç ndodh në politikën evropiane), pra edhe me njerëz të tjerë, pasi njerëzit nuk mund t’i njohësh në kokë se ç’mendime kanë. Kjo është edhe arsyeja pse politikanët në Shqipëri iu varin shpeshherë problemeve, se nuk është vetëm korrupsioni (se secili njeri duhet të mundohet edhe për vete), por është edhe pesha e rëndë që duhet të mbash mbi vete kur diskuton me njerëz të papërgjegjshëm, që nuk posedojnë njohje, e njëkohësisht kujtojnë se i dinë të gjitha.

Në diskutime me të tjerë, është mirë të mundohemi t’i fusim arsye diskutimit. Thëniet pas shpine apo përpjekjet injoruese nuk duhet të na bëjnë shumë problem, kur ato nuk kanë një bazë të realtë arsyetimi, pasi këto mund të jenë sulme të pamotivuara nga disa njerëz, të cilëve jeta nuk u ka prirë aq mbarë sa duket, dhe nga dëshpërimi i brendshëm, me të drejtë i tyre, ata fillojnë e shajnë çdo gjë të mirë, se nuk dinë ndryshe, sa herë që iu kujton vuajtjen e tyre. Nëse shmangim këtu rastin kur njerëzit u shërbejnë interesave të caktuara, apo shërbimeve të specialzuara.

Besoj që ndërhyrjet e njerëzve publikë, që duhet të jenë në një nivel shumë të lartë, duhet të orientojnë njeriun për nga e mira dhe t’u bëjnë efekt edhe këtyre njerëzve të papërgjegjshëm, të cilëve “lumturia” perëndimore po iu merr jetën dalë-ngadalë. Duke kuptuar gjendjen e tyre, është mirë të bëhet një si lloj terapie me ta, dhe nuk duhet të biesh në nivelin e tyre të smirës e zilisë, pasi qëllimi i një personi të njohur publik nuk është të vetë-afirmimi, por që problemi i shtruar të diskutohet, dhe diskutantët të mund mësojnë më shumë nga njëri-tjetri.

Bashkëbiseduesit kufizohen shpeshherë në largësinë e hundës dhe e shohin problemin më thjeshtë, pa qenë në gjendje ta përgjithësojnë atë. Ata e kapin problemin në këtë mënyrë: “nëse një vend nuk të pëlqen, atëherë ik!” E sikur të gjithë vendet të mos pëlqejnë, ku duhet të mbytesh sipas logjikës së tyre? Pra, këta njerëz nuk e shohin problemin në përpjekjet për të ndryshuar një realitet, por se si t’iu shmangen problemeve, duke pretenduar gjithnjë ikjen dhe duke i lënë problemet të pazgjidhura.

Unë kam patur rastin me një gazetar danez që merrej me Ballkanin ta ndikoj relativisht shumë me artikujt që shkruaja për gazetën daneze Politiken, ku nuk më botoheshin shumica, por gazetari në fjalë iu referohej fjalëve të mia, sa herë në shkrimet e tij. Kujtoj psh. se ai më pati perifrazuar për VEFA Holding, ku unë e krahasoja atë me firmën më të fortë daneze, AP Møller, e cila gjatë Luftës II Botërore ishte marrë me tregëti armësh. Ky fakt u publikua më vonë në faqet e po të njëjtës gazetë. Po ashtu, ai u pat shprehur në një artikull, se shqiptarët nuk durojnë më të drejtohen nga të tjerët, pasi unë i pata thënë në një bisedë me të dhe kryeredaktorin e politikës së jashtme të gazetës Politiken, se evropianët janë mësuar të na shohin ne shqiptarëve të kacafytemi me njëri-tjetrin, por kjo kohë ka marrë fund. Edhe të keqen tonë, ashtu si të mirën, ne do dimë ta mbajmë për vete, dhe do mundohemi ta vetë-pastrojmë.

Këto gjëra jo vetëm që bëjnë një pastrim të ndërgjegjes sonë politike, por ndikojnë fuqishëm edhe mbi të tjerët. Nëse shohim politikën shqiptare e më gjërë, politika është interes i grupit që përfaqëson në radhë të parë, por mbi të gjitha, ajo duhet të tentojë të shuajë gjakrat e nxehtë ndërmjet grupeve me interesa të ndryshme. Filozofitë ”i majtë”, apo ”i djathtë” janë koncepte politike, të cilat përdoren për të ndarë grupet e interesave në dy kampe të mëdha – në fund të fundit, ajo që luan rol është politikani vetë. Sa i realtë dhe i sinqertë është ai, dhe sa punon ai për të mirën e përbashkët.

Më vjen mirë që në Kosovë të gjitha partitë e kanë kuptuar qëllimin e përbashkët, dhe do isha i lumtur sikur edhe shkrimet e mia modeste të kenë dhënë efekt pozitiv në politikën shqiptare. Kujtoj një shkrim timin, ku i tërheq vëmendjen Surroit, se injoron presidentin Rugova. Në gazetën e tij, Rugova akoma figuron si Kryetar, e jo si President. Pata shkruar: “Si ka mundësi që një njeri i zgjuar të mos e kuptojë, se kur pështyn lart, pështyma të bie në fytyrë?

Rugova pra, është Presidenti i Kosovës dhe si të tillë duhet ta respektojmë nëse duam shtet. Po ashtu edhe figurat e tjera politike. Secili prej nesh po të ishte në vend të një presidenti do kishte kundërshtarë. Por një njeriut si Vetoni, nuk i lejohet të shajë pa të drejtë, apo të përçmojë një president, qoftë edhe duke thënë: “Takimi Shtajner – Rugova”. Jo, duhet i joti para, ai që ka më shumë rëndësi e kuptim për ty, dhe kombin tënd. Pra, duhet thënë “Takimi Rugova-Shtajner”, pavarësisht se ndoshta ndodh që personalisht nuk e preferon Rugovën, por për hir të atij impakti politik që mban në këmbë shtetësinë e Kosovës, për hir të njerëzve dhe publikut shqiptar që të lexon, të cilët duhet të besojnë diku, duhet të besojnë në një politikan kryesor, derisa Kosova të marrë pavarësinë, e kështu me radhë pastaj. Aq më tepër që nëse injorohet një personalitet politik, duhet të jepen shkaqe të bazuara për një veprim të tillë, e jo vese banale që fshihen pas meskinitetit.

Në Shqipëri politika i ngjan shpeshherë fenomenit “bjeri daulles, se i biem bukur”. Politikanët shqiptarë korruptohen dhe nuk e çajnë kokën fare për një fenomen të tillë. Edhe bërja publike e gjërave, pa fakte, pa i shkuar të vërtetës deri në fund mbetet vetëm supozim, që shkrihet në ndërgjegjen e njerëzve si krizë e besimit. Në luftën politike për të sharë tjetrin, ti nuk bën asgjë më shumë, vetëm se jep shkas që të shahesh nga të tjerët. E në një epokë informacioni, të cilën e jetojmë, lajmi merr dhénë, dhe kredibiliteti i politikanit blasfemohet. E ç’fituam pastaj?! Çfarë fitoi pozita dhe opozita?! Çfarë fitoi populli në vetvete?!

Këtu nuk bëhet fjalë për një pseudo-demokraci, por për norma të caktuara, të cilat duhet të respektohen, në mënyrë që të mos vijë dita kur populli të humbë besimin tek politikanët, jo se ata nuk bëjnë, por sepse ata nuk dinë të respektojnë dhe respektohen. Dhe këto ditë mosbesuese ka kohë që i jetojmë në Shqipërinë tonë demokratike…

Për më tepër, nuk duhet që veprimet tona t’i komandojë vetëm uni egoist, pasi e mira e përbashkët, e parë në prespektivë, mund të sjellë një të mirë më të madhe edhe personale. Janë gjëra të thjeshta këto, që shpeshherë kalojnë pa u vënë re nga klasa jonë politike e gazetareske, të cilat ka raste që mendojnë me bark akoma. Pra nuk e vënë trurin në punë sa e si duhet.

Duke respektuar rolin e tjetrit, nuk bëjmë asgjë më shumë, vetëm se i hapim rrugë vetes të respektohemi – kjo mendoj duhet të jetë primare në politikën brenda shqiptare, e cila me kalimin e kohës do vijë duke u rafinuar dhe përmirësuar – por siç mund të kuptohet, gjërat në politikë dhe ekonomi nuk ndryshohen menjëherë. Rëndësi ka të jetë një fillim i mbarë dhe kushtet janë pjekur për një fillim të tillë në politikën shqiptare.

Dërguar përQIK
Gazeta “Illyria”, “Albania”, “Shekulli“,”TemA

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu