Polici politike në Shkodër

0
773
Policia
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Nga ARBEN ÇOKAJ, Dita – 6 Mars 2013

Mandatit të dytë të PD-së në pushtet, po i vjen fundi. Sondazhet tregojnë se PS dhe koalicioni i majtë do i fitojnë zgjedhjet me 23 qershor. Aktivistë të PS-së në Shkodër, të cilët hartojnë lista për votuesit socialistë, tregojnë në konfidencë, se edhe në lagjen e Jozefinës, po të votohet nesër, fiton PS. Shkodra është varfëruar tejmase nën qeverisjen e PD-së. Dhe jo vetëm Shkodra. Si rrjedhojë e krizës globale dhe keqmenaxhimit të burimeve nga qeveria aktuale, varfëria tek shqiptarët i ka kaluar kufinjtë e durimit.

Dhe Jozefina me indikatorët e saj, e ndjen se elektorati shkodran nuk e do më. Ka kohë që nuk e do, por Shkodra nuk di si ta largojë atë. Si çdo pushtetar i lig, që e ndjen se nuk e duan, edhe Jozefina ka kohë që ka reaguar instinktivisht në vetë-mbrojtje. Këtë e shohim tek mbrojtja e saj personale, me truproja si Berisha, po ashtu edhe tek grupi i organizuar e kriminal, që ajo ka krijuar në policinë e Shkodrës, me anë të të cilit ajo ngjall terror mbi popullsinë e Shkodrës.

Tashmë nuk përbën sekret për askënd në Shkodër, fakti se ka pjesëmarrje të ulët në zgjedhje, e sidomos në zgjedhjet lokale. E megjithatë pjesëmarrja rritet artificialisht, duke i mbushur kutitë me fletë votimi. Gjithashtu, të gjithë e dinë se votat janë vjedhur dhe do vazhdojnë të vidhen në Shkodër, pikërisht nga ky grup kriminal, që ka Jozefina këtu, në bashkëpunim me njerëz të inkriminuar. Shkodrën e mbajnë për bastion të PD-së, por në fakt, Shkodra është viktimë e një grupi kriminal, të lidhur me PD-në, që i vjedh votat dhe ndryshon rezultatin, sa herë ka votime.

Për të rritur shkallën e pasigurisë në Shkodër, stimulohen ngatërresa, që njerëzit mund të kenë me njëri-tjetrin dhe ngjarjet përfundojnë edhe në vrasje, që nuk zbardhen kurrë. Në këtë mes, ka një dorë, përmes policisë politike të saj, edhe Jozefina. Ajo kujdeset në mënyrë të veçantë, jo vetëm për të kanalizuar një pjesë të fitimit për çdo investim që bëhet në Shkodër, apo për të ndërtuar me të shoqin, pallate luksoze në qendër të Shkodrës, por edhe për ta mbajtur Shkodrën nën trysninë e një terrori dhe kërcënimi të përhershëm.

Shkodranët janë kthyer në “mish për top”, për Jozefinën dhe klanin e saj. Një pjesë janë ata njerëz, që ajo përdor dhe favorizon vazhdimisht. Një pjesë janë ata, që mund të konsiderohen viktima të saj. Dhe një pjesë, janë kritikët e saj të paktë, kundërshtarët, apo qoftë edhe konkurrentet e saj. Ndonëse ajo është kujdesur, ngjashëm me kryetarin komunist, Berisha, që ajo në Shkodër të mos ketë konkurrentë. Fatkeqësi për Shkodrën vetë, ajo ia ka arritur kësaj, falë metodave agresive që përdor, me policinë e saj sekrete, që përgjon dhe përndjek listën e kundërshtarëve, kritikëve dhe konkurrentëve të saj, 24 orë në 24.

Gjëja e parë që do i kërkoj kryeministrit Rama dhe ministrit të tij të Brendshëm, nesër kur të vijnë në pushtet, do të jetë zhbërja e strukturave paralele, politike dhe të inkriminuara, që Jozefina Topalli ka krijuar dhe komandon në policinë e Shkodrës. Përmes kësaj policie dhe shërbimit që ata i ofrojnë, dhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ajo mban nën sundim dhe kontrollon Shkodrën. Personalisht, në 8 vjet, unë e kam ndjerë dorën e zezë të kësaj zonje të papërmbajtur, në përndjekjen agresive, me metoda nga më perverset, kundër meje dhe vëllait tim.

Të gjithë e dinë tashmë se nëse je në konflikt me Jozefinën e klanin e saj, ose nëse ajo ta ka futur emrin në listën e të përndjekurve të saj, ti fillon e konsiderohesh si anti-shtet, pavarësisht koncepteve demokratike apo sjelljes tënde në përputhje me ligjet. Po i tregoja një gazetari lokal një ditë, se Jozefina me njerëzit e saj në polici, na përgjojnë, survejojnë, ngacmojnë e shpifin, etj.

“Të kuptoj, më tha, të kuptoj dhe të besoj. Po të tregoj për vete. Para disa vitesh, isha në një darsëm. Vjen një person i armatosur i Jozefinës dhe kërkon të më nxjerrë jashtë. Ishte një metodë presioni se ai kurdo mund të më zinte vetëm në rrugë dhe ta bënte atë punë, po të donte. Por erdhi në darsëm, në mes të njerëzve të afërt dhe familjes sime, për të më poshtëruar…” Se këto metoda ndjek Jozefina, poshtërim e linçim publik! “Pas disa ditësh, më thërret një i njohur përsëri. Eja se të kërkon dikush – vazhdon gazetari. Shkuam dhe u futëm tek klubi i një mbështetësi të Jozefinës. Aty gjetëm zonjën në fjalë. Pasi u përshëndetëm, ajo më kërkoi prerë, të mos e përmend më asnjëherë në shkrimet e mia – dhe unë u detyrova të pranoj… – Mirë, që paske qenë i martuar, – bëri shaka vëllai im – se do të të linte edhe pa martuar.

(ka ndërhyrë deri në familje vajzash, me të cilën ne “armiqtë e saj” kemi patur synim të krijojmë lidhje serioze, duke na penguar edhe në këto histori private)

Shkodra është mashtruar dhe keqpërdorur nga klani i Jozefinës. Kur shkodranët ta kuptojnë, se janë mashtruar dhe po keqpërdoren me ‘teorinë e kafshatës’, kulaçit e kërbaçit, nga një zonjë e pangopur, që mbush xhepat dhe ndërton pallate me të shoqin, e nga ana tjetër, u hyn të tjerëve edhe në familje dhe ju prish edhe marrëdhëniet e tyre me njerëz, nuk besoj se ata do e durojnë edhe shumë, pa ia rrëzuar bustin virtual edhe kësaj gruaje të ligë, si Stalinit, pasi shkodranët e dinë se ajo e ka filluar karrierën e saj fitimprurëse, duke vjedhur dhe shitur me të shoqin, ndihmat e kishës që vinin në Shkodër.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu