Tendenca anti-shtet

0
941
Politikanët shqiptarë

Nga Arben ÇOKAJ, 30 korrik 2006

Parlamenti shqiptar ka kërkuar pushimin nga puna të kryeprokurorit Sollaku, pasi ai nuk po e bën si duhet punën e tij, madje po i “shet mend” edhe qeverisë shqiptare, të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Habinë më të madhe ta ngjall tendenca anti-shtet e të ashtuquajturve “institucione të pavarura”, të cilat nuk kuptohet qartë se ndaj kujt e kanë këtë pavarësi. Ku i marrin paratë për të kryer punën këto lloj institucionesh? Se për sjelljen e opozitës së majtë nuk duhet të ushqehen shumë iluzione…

Ilustrim i gazetës Koha Jonë

Ilustrim i gazetës “Koha Jonë”

Përderisa një shtet ligjor demokratik konceptohet i ndërtuar mbi tre shtylla kryesore, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, është mëse e kuptueshme se organet ekzekutive janë ato që e drejtojnë shtetin, në bazë të ligjeve të nxjerra nga legjislativi. Janë pikërisht organet ekzekutive ato që mbledhin dhe shpërndajnë paratë për çdo institucion dhe figurë shtetërore dhe kush paguan është edhe bosi. Prandaj njerëzit e nënkuptojnë shtetin pikërisht nga ekzekutivi, pasi në përditshmërinë e tyre, ata ndeshen me këto organe.

Është tipike shqiptare, që nga një regjim komunist të egër të vish në një rebelim anti-shtet të këtij kalibri, ku prokurori i përgjithshëm kapardiset para parlamentit shqiptar, duke thënë se “jam më i fortë se secili prej jush“. Nuk kam dëgjuar se ka vend demokratik në botë, ku konflikti ndër-institucional në një shtet të marrë përmasa të tilla, sa ç’shikojmë këtu në Shqipëri, me prokurorin e përgjithshëm apo me KLD-në. Kush ia paguan rrogën Sollakut? Qeveria greke, serbe, italiane apo ndonjë organizim ndër-hyjnor?

Të majtët shqiptarë, të cilët sa herë nuk u ecë nxjerrin dhëmbët kërcënues, duke na kujtuar ’97-n, pra anti-shtetin, kanë hartuar një kushtetutë e cila lë rrugën hapur për rebelim, për moskontroll, për presion dhe për mungesë devotshmërie kundrejt interesave politike e shtetërore. Meqenëse qeveria e aleancës së djathtë nuk paska mundësi të komandojë të “pavarurin” Sollaku, të cilin e ruan me polici dhe i paguan rrogën, atëherë e vetmja mundësi logjike qenka komandimi i tij nga koncernet e drogës, trafikut të paligjshëm, e sidomos nga plumbat paralajmërues mbi ndonjë shofer fatkeq të tij, ndër sytë e familjes. Pra, e vetmja mënyrë për të “mbledhur” prokurorin tonë të përgjithshëm, për t’ia vënë mendjen në vend, qenka terrorizimi i tij në rrugë mafioze, gjë që nuk është praktikë e të djathtëve, por vetëm e të majtëve. Këtu duket se mbaron “pavarësia” e prokurorit, dhe del në pah defekti i madh në Kushtetutën e Shqipërisë.

Në shtete të tjera të zhvilluara, prokuroria është avokatura e shtetit. Në Danimarkë, prokurori quhet Statsadvokat, në Gjermani Staatsanwalt që po të përkthehen në shqip do të thonë avokati i shtetit. Ndërsa termi anglez për prokurorin është public persecutor – persekutor (prokuror) publik. Atëherë, pse në Shqipëri, një kryeprokuror është kaq injorues kundrejt qeverisë dhe politikës së saj? Dhe jo vetëm qeverisë, por edhe vendimeve të parlamentit shqiptar – si organi më i lartë legjislativ në këtë vend?!

Si mundet një prokuror, një KLD, apo një parti opozite të flasin për kushtetutën, kur vendimet e organit më të lartë kushtetues (parlamentit) nuk respektohen?! Edhe vetë presidenti zgjidhet nga parlamenti, dhe nga ana tjetër, një president i vetëm paska të drejtë të garantojë kushtetutën më shumë se vetë mazhoranca e parlamentit, e cila zgjidhet nga zgjedhësit shqiptarë.

Kur diskutohet për gjëra me rëndësi në politikën shqiptare, ligji merr ngjyrime politike dhe interpretimet e tij bëhen mbi baza të interesave partiake. Në vend që këto institucione të rëndësishme, qoftë edhe partitë politike, të gjejnë gjuhën e përbashkët të mirëkuptimit, ata duan të tregojnë në një mënyrë jo të dobishme dhe shpeshherë arrogante, se kush është më i fortë dhe kush jep garanci më të mëdha për mbrojtjen e ligjeve. Të duket absurde se ligjet që bëhen nga parlamenti shqiptar, “ruhen” më mirë se nga vetë parlamenti, nga institucione të tjera, siç është KLD, prokurori i përgjithshëm apo vetë presidenti. Koncepti mbi KLD-në dhe të drejtat e tij duket se është abuzues, përderisa kemi një gjykatë kushtetuese, e cila në hierarkinë e gjyqësorit duhet të qëndrojë më lart në vendimmarrje.

Nëse flitet për kapje të shtetit, kjo nuk nënkupton që strukturat e qeverisë kanë kapur shtetin, pasi qeveria është pikërisht ekzekutivi i shtetit, është legjitime në “kapjen” e shtetit, se qeveria vetë përbën organet më të larta të zgjedhura për të drejtuar shtetin. Koncepti i kapjes së shtetit (state’s capture) nuk vlen për kapjen e shtetit nga organet e qeverisë, pasi ato janë të zgjedhura e si rrjedhojë legjitime, por ky koncept ekziston për rastet kur shteti kapet nga dora e mafies e jo nga organet e zgjedhura. Dhe fitorja e PD-së me aleancën e djathtë në zgjedhje, erdhi pikërisht për të larguar dorën e zgjatur të mafies mbi shtetin shqiptar, gjë që po kundërshtohet nga prokurori i përgjithshëm, i cili duhej të ishte i pari në shërbim të kësaj politike vetë-pastruese të shtetit.

Por ne kemi edhe një KLD të pavarur me kushtetutë, një kryeprokuror dhe prokurori të pavarur… Ç’është kjo lloj pavarësie absolute? Të pavarura nga kush? Të pavarura ndaj kujt? A nuk ju duket paksa absurde ky koncept i çatrafiluar?! Kush i mbron interesat e një shteti, parlamenti si legjislativ, qeveria si ekzekutiv, apo gjykatat? Apo të tjerë aktorë që hyjnë ndërmjet tyre si KLD, prokurori i përgjithshëm apo ndonjë dorë e errët që i komandon ato? Prokurori i përgjithshëm si avokat i shtetit (e sidomos i ekzekutivit) nuk duhet të jetë i pavarur nga qeveria. Gjykatat po – është çështje tjetër.

Kjo lloj mosbindje ndaj qeverisë, që ndodh pa precedent në Shqipëri, duket se e ka origjinën pikërisht tek metoda e presionit, që përdorin segmente të mafies shqiptare, të lidhura me trafikun e paligjshëm, mbi njerëz të drejtësisë dhe ku qeveria shqiptare kërkohet të ndalet përballë presionit të kësaj mafieje. Nëse Sollaku është kaq i fuqishëm, pse ai nuk e ndali dorën e zezë vrastare, që likuidoi shoferin e tij ndërsy të familjes së tij? Por ai më vonë ngatërronte edhe dokumentet e ekstradimit për autorin e krimit…

Këtu duhet të flasim edhe për një lloj politese, që duhet të manifestojnë në sjelljen e tyre institucionet e shtetit shqiptar dhe që i shmang konfliktet e këtij lloji në vendet e perëndimit. Një politesë e cila natyrisht nuk mund të manifestohet nga njerëz që i kanë duart e përlyera. Kontradiktat nuk duhet për hir të karakterit të shndërrohen në konflikte, pasi ato nuk janë në dobi të shtetit apo qytetarëve shqiptarë.

Gjatë luftës së dytë botërore, aleanca anglo-amerikane u detyrua t’i ndërpriste rrogën Dë Golit për mosbindje. Kështu ndoshta duhet të veprojë edhe qeveria shqiptare; t’i ndërpresë rrogën Sollakut për mosbindje. Ka mundësi që Sollaku të mos ndikohet nga një rrogë, pasi qenia e tij në krye të prokurorisë kur njerëzit mbushnin xhepat me miliona, mund t’i ketë dhënë atij një pavarësi ekonomike. Por ndërprerja e rrogës do të ishte një veprim simbolik për t’i treguar atij se mosbindja kundrejt organit më të lartë legjislativ në Shqipëri, do të thotë mospagesë për punën që pretendon se ai po bën. Dhe kur njeriu nuk paguhet, do të thotë se ai është i pushuar nga puna!

Botuar në: Koha Jonë

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu