Historia e një rruge të harruar

0
958
Rruga Shkoder - Hani i Hotit

(Një rrugë për në Shkodër 2)

Nga Arben Çokaj, 8 prill 2009

Rruga Shkodër – Hani i Hotit, 36 km e gjatë, mund të jetë segmenti i vetëm i një rruge nacionale, që disa dekada më parë është shtruar me metodën e penetrimit dhe vazhdon të jetë akoma edhe sot në një gjendje të mjerueshme. Para rreth 12 vjetësh, qeveria italiane akordoi një shumë prej 22 milionë eurosh për ndërtimin e kësaj rruge, projekti i së cilës tashmë ka përfunduar, por rruga nuk po ndërtohet. Arsyeja kryesore tani janë paratë, sepse shuma e dhënë në fillim, është e pamjaftueshme. Me çmimet e reja, firmat e ndërtimit kërkojnë edhe 10 milionë euro të tjera, për të ndërtuar rrugën.

Hyrja në Koplik

Para disa muajsh, nën euforinë qeverisëse, pati diskutime dhe u duk sikur gjithçka po shkon mirë, por procesi u ndërpre. Nënprefekti i Koplikut doli me një prononcim për media dhe sqaroi se, mungesën e parave do ta kompensonte qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha kishte premtuar personalisht, që qeveria do të japë paratë e duhura për kryerjen e kësaj rruge. Por, që nga ajo kohë, pak gjë është bërë e njohur për publikun. U përhapën fjalë se tani në prag fushate, Berisha do të vinte vetë në Shkodër dhe do të priste shiritin e fillimit të punimeve. Berisha erdhi dhe iku… Ai me znj. Topalli u panë disa herë, në ndonjë qoshe rruge të riveshur të Shkodrës, ku fliste për tredhjen e Ramës, apo për pedonalen e përfunduar, por rruga Shkodër – Hani i Hotit, u la në harresë.

Pse nuk bëhet kjo rrugë, kur paratë janë dhënë me kohë?!

Shkaku kryesor tani duket se është rritja e çmimit të saj, nga neglizhenca dhe mosreagimi në kohën e duhur i strukturave tona qeverisëse. Pati edhe hamendësime për ndërhyrje bllokuese nga jashtë, si në kohën kur mossuksesi konsiderohej vepër e armikut të brendshëm dhe të jashtëm. Fqinji ynë jugor, supozohet se nuk dëshiron që Shqipëria të lidhet me Evropën nga veriu, por vetëm nga jugu. Por a nuk është primitiv ky lloj mendimi? Rasti i rrugës Durrës – Kukës – Morinë e hedh poshtë këtë argument, pasi reagimi negativ nga fqinji jugor, në këtë rast, kishte gjasa të ishte më i madh. A mos duhet që fqinjët tanë të përcaktojnë edhe rrugët tona? Nuk besoj se ia vlen të artikulojmë supozime të tilla mjerane.

Një teori tjetër më e besueshme është fakti se investimet e huaja të këtij lloji, i pengojnë titullarët lokalë e qendrorë, se nuk marrin 10 %, a më shumë të vlerës së investuar (pa TVSH), pasi paratë lëvrohen nga italianët. Të paktën kështu vepronte ish-deputeti Lekë Çukaj në kohën e tij, i cili kishte më shumë dëshirë të merrej me investime publike të brendshme, se sa të jashtme. Sipas dëshmive të dhëna nga bashkëpunëtorët e tij, ai parapëlqente pará nga buxheti i shtetit, dhe jo nga donacionet e huaja. Në të njëjtën mënyrë duket se veprojnë edhe përfaqësuesit e sotëm të mazhorancës aktuale.

Sido që të jetë, ka shumë mundësi, që arsyeja kryesore e mosbërjes së kësaj rruge të rëndësishme, është pikërisht paaftësia e përfaqësuesve tanë, si në Shkodër ashtu edhe në Malësinë e Madhe, për të thithur fonde të tilla dhe për ta bërë këtë rrugë, në kohën e duhur. Përfaqësuesit tanë, të gjithë të hijezuar nga një zonjë e rëndë, e cila me egoizmin dhe protagonizmin e saj ekstrem, sheh në ëndërr rrugë me 4 apo 6 korsi (në udhëtimet e saj jashtë shteti, me siguri), por nuk e ngre zërin asnjëherë për një aks rrugor të domosdoshëm në domenin e saj, të lënë në harresë, siç është rruga Shkodër – Hani i Hotit. Znj. Topalli kujdeset më shumë për të vënë injorantë të nënshtruar në drejtim, të cilët i vënë kapak mendimit të lirë dhe reagimit kërkues e pozitivist të komunitetit, sesa për punë të mira në shërbim të njerëzve.

Rruga për në Shkodër nuk ka gjasa të fillojë as në këtë pranverë, pavarësisht se jemi para fushatës elektorale dhe PD ka nevojë për votat e banorëve të kësaj zone. Duke parë reklamat në TV, si në Orwell ’84, banorët kujtojnë se u bë nami me investime në rrugën Durrës – Kukës – Morinë apo në rrugët e jugut. Banorët e jugut nga ana tjetër mendojnë, se u bë nami me investime në veri. Realisht, ka pasur investime. Por mund të ishte bërë më shumë, sidomos në rastin konkret. Qyteti i Shkodrës, i tharë nga mungesa e vazhdueshme e investimeve, ka bërë ndryshime të vogla në fasada, shatërvane e trotuare, etj., domethënëse për një qytet të uritur për investime e vende pune. Demokratët e znj. Topalli i kanë bërë këto ndryshime, por duhet më shumë se vullneti dhe kontributi i saj, për ta ndryshuar Shkodrën.

Paaftësia për të thithur investimet e huaja

Nëse ndërhyn znj. Topalli dhe rruga fillon të ndërtohet, atëherë banorët do të thoshin, si një herë e një kohë në Shkodër: “Faleminderit Jozefinë!”. Nënprefekti i Koplikut, që mbart hallet e deputetit Çobaj, do të ishte i pari, që do të shkruante parullën. Mirë do të ishte të shfrytëzohen ato para, që janë dhënë nga italianët. Në mos e gjithë rruga, një pjesë e mirë e saj do të bëhej. Në tre vjetët e fundit janë dhënë mbi 500 milionë lekë të vjetra për ri-veshje e mirëmbajtje të rrugës Shkodër – Hani i Hotit. Shumicën e parave i ka marrë një firmë ndërtimi, që flet në emër të Jozefinës. Me ato pará, do të ishte ri-veshur një gjatësi e konsiderueshme rruge, nëse parátë përdoreshin për rrugën e jo për pallate personale.

Në zonën e Mbishkodrës, demokratët në pushtet nuk kanë ofruar shumë gjëra, përveç paráve që u kanë dhënë pushtetarëve lokalë, për ndonjë rrugë lokale me cilësi të dobët, që ata kanë ndërtuar. Ndërtimi i rrugës Shkodër – Hani i Hotit, do u jepte atyre shkas për t’u vetë-lavdëruar me të drejtë, përndryshe ata mund të humbin shumë vota nga mos-ndërtimi i kësaj rruge. Lënia në harresë për vite me radhë e një rruge me rëndësi, është tregues domethënës i një komuniteti të harruar.

Krahas fondit për rrugën Shkodër – Hani i Hotit, qeveria italiane pati dhënë edhe një fond tjetër për krijimin e një zone industriale në periferi të Koplikut, ku mund të punësoheshin qindra njerëz. Por paaftësia menaxhuese e pushtetarëve lokalë dhe qendrorë, mënyra çmendurake e zvarritjes së punëve në administratën tonë, ka bërë që të dy këto projekte, tepër interesante për zonën, të mbesin në letër dhe fjalë eterike. Më kujtohet një rast në Gjermani. Një firmë amerikane donte të vinte dhe të bënte një investim. Të gjithë banorët ishin tepër të interesuar dhe të entuziazmuar. U bë një reklamim i madh publik i këtij investimi, sikur çfarë po ndodhte.

Vetëm ne shqiptarët mjaftohemi me një zonjë, e cila na e mpin vullnetin me manovrat e saj të dukshme e të padukshme. Ne nuk na duhen paratë, nuk dimë të tregojmë interesin e duhur, kur diçka na ofrohet. Ne nuk duam t’i pranojmë ofertat e mira. Fondi italian prej 22 milionë euro, që nuk është kthyer akoma në rrugë, në shërbim të komunitetit, është tregues real i kësaj plogështie mbisunduese.

Botuar në: TemA, 12.04.2009.

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu