Alibia e Kosovës

0
976

Artikulli në origjinal

Kosova nuk ju takon serbëve

  • BALLKAN

Arben Çokaj

SHKRIMTARI më i njohur shqiptar jashtë shtetit, Ismail Kadare, para disa muajve tha se “duhet gjetur një formulë për ndarjen e shqiptarëve nga serbët. Në Ballkan nuk është e lehtë të harrohet gjaku i derdhur. Serbët janë aq të zgjuar sa të kuptojnë, se s’do kenë ndonjë përfitim në bashkë-ekzistencën me shqiptarët”.

Në fillim të janarit u tha e njëjta gjë nga një shkrimtar tjetër. Këtë radhë serbi Ivan Ivanji, i cili për arsye të mospajtueshmërisë së tij me politikën e Millosheviçit, banon në Austri. Ai ka qenë më përpara sekretar i lidhjes së shkrimtarëve jugosllavë dhe përkthyes personal i Titos. “Për serbët Kosova është e humbur,” tha ai, “dhe njerëzit s’duhet të jetojnë me fantazi mesjetare. S’ka asnjë serb që dëshiron të jetojë në Kosovë, dhe 90% e shqiptarëve s’mund të mbahen nën sundim me forca ushtarake e policore.”

SA MË shpejt Beogradi ta kuptojë këtë, aq më mirë për të gjithë. Fatmirësisht sot është bërë e qartë, se shumë serbë kanë filluar të mendojnë ndryshe. Është me siguri gjendja tashmë e keqe ekonomike në Serbi, rezultati dëshpërues pas një lufte të gjatë e të lodhshme në Bosnje dhe veçanërisht presioni i madh që Perëndimi ushtron mbi qeverinë serbe, që me kalimin e kohës ka bërë shumë serbë të ndërrojnë mendim.

Gjenerata e re në Serbi mendon me siguri për një jetë më të mirë dhe studentët në Beograd e kanë kuptuar gënjeshtrën e madhe të politikanëve. Gënjeshtrën se Kosova është djepi kulturor e historik i serbëve. Realisht, provat për një hipotezë të tillë janë vetëm një betejë kundër osmanëve në Fushë-Kosovë më 1389, dhe disa kisha të vjetra ortodokse, që gjenden në atë zonë. Është e vërtetë, që beteja u drejtua nga cari i atëhershëm serb, Lazari, por historianët thonë, se kombe të tjera si shqiptarët, bullgarët, kroatët, etj. morën pjesë në luftë. Për më tepër mund të thuhet se ballkanasit e humbën luftën, ndërsa serbët sot bëjnë festë në kujtim të saj. A nuk është kontraversiale, që serbët të festojnë, pavarësisht se beteja u humb?

Sqarimi qëndron pas një alibije. Një alibi që për shekuj të tërë është fryrë në të gjithë botën, dhe që tregon se ndikimin më të madh e ka dhënë për vetë serbët. Shumë serbë besojnë me të vërtetë, se Kosova është toka më e vjetër që ata kanë! Por nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse ia lanë atë shqiptarëve?!

Më groteskja është se alibia është shndërruar në mit, në sajë të propogandës së fuqishme serbe. Nga njëra anë, miti u mësua nëpër shkollat fillore, ku shumë shkrimtarë shkruan poezitë më romantike të mundshme, dhe nga ana tjetër, serbët kanë ushtruar në mënyrë konstante një terror shtetëror kundër shqiptarve në Kosovë.

NATYRISHT që historianët serbë mund të provojnë të krijojnë historinë se myslimanët shqiptarë, të mbështetur nga osmanët, emigruan në Kosovë në shek. 16-të dhe të 17-të. Por a është kjo e vërteta? Mos do të thotë kjo, se shqiptarët patën favore nga pushtimi turk? Për aq sa di unë, turqit kanë qenë më të egër kundër shqiptarëve se kundër vetë serbëve, dhe e vërteta është se kurrë ndonjëherë nuk ka patur shumicë serbësh në Kosovë.

Prejardhja e atyre kishave që sot përdoren si monopol për të treguar ‘djepin’ e Serbisë nuk është e sqaruar mirë. Shqiptarët ishin kristianë para se sllavët të vinin në Ballkan, dhe ata vazhduan të ishin të tillë edhe për shumë vite, pas pushtimit osman në shek. 15-të. 30-35% e shqiptarëve vazhdojnë të jenë kristianë edhe sot.

Janë të paktën dy parti politike në Kosovë, që udhëhiqen nga shqiptarë katolikë dhe që mbështesin Rugovën për pavarësi. Ka mjaft mundësi që ato kisha, të cilat serbët i përmendin me të madhe, të jenë ndërtuar nga vetë shqiptarët. Me kohën ato janë shndërruar, disa kanë marrë mbishkrime cirilike, por kjo nuk e ndryshon çështjen.

POPUJT në Ballkan mendojnë ndryshe nga popujt e Perëndimit. Por të shumtit kanë të njëjtat dëshira: demokraci, liri të shprehjes, ligj, rend, qetësi, zhvillim. Populli në Kosovë jeton, siç shprehen ata vetë, “në burgun më të madh në botë”, dhe psikologjia e tyre ka ndryshuar me kalimin e kohës. Ka patur shumë shqiptarë që kanë mundur të largohen nga Kosova, por të shumtit janë akoma atje. Ata do të qëndrojnë atje.

Po ç’farë i mban këta njerëz në atë vend? Është një përgjigje mjaft e thjeshtë: shtëpia e tyre. Nuk është e lehtë ta bragtisësh atë që të ka dhënë kuptim në jetë.

Serbët shkojnë thellë në histori dhe i tërheqin edhe kombet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Shqiptarët kanë provuar t’i mundin serbët edhe me armët e tyre: në tregimet e historisë.

Pasi e tashmja flet vetë. 90% e popullsisë në Kosovë janë shqiptarë dhe ata duan t’u kthehet gjithçka, që u është marrë me forcë.

Jugosllavia është bërë ish-Jugosllavi dhe republika të tjera kanë krijuar shtetet e tyre. Përse të mos e kenë shqiptarët të njëjtën gjë? Për një betejë në Fushë-Kosovë më 1389, apo për ndonjë kishë ortodokse, që nuk përdoret më?

Thuhet për më tepër, se shumë serbë janë larguar nga Kosova, nga frika e një lufte të ardhëshme. Tani mbretërojnë vetëm forcat ushtarake e policore serbe kundër një populli të paarmatosur. Sa gjatë do jetë kështu, apo se si do të shkojë puna, koha do na tregojë. Por një gjë është e qartë: shqiptarët nuk mund të rrinë duarkryq, e të shohin të vriten nga policia serbe gratë shtatëzëna, fëmijët dhe pleqtë.

Arben Çokaj ka qenë drejtues studentësh në Shqipëri, ku ai mes tjerash ishte bashkë-organizator i demostratave kundër komunizmit më 1990. Sot jep mësim në Qendrën e Informatikës, pranë Sekretariatit të Punës, në Komunën e Kopenhagës.

Publikuar në gazetën:
Politiken – gazetë daneze, me 18.06.1998
Artikulli në: Danisht | Anglisht

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu