MI6 – AGJENTË NËN “FLAMUR FALS”

0
1250

— nga Nis Olsen,

Londër “Shërbimi sekret britanik MI6 i pajis agjentët e vet me dokumenta nga vendet e vogla” – tregon një ish-agjent i shërbimit anglez në librin e tij të botuar në Rusi. Ai flet gjithashtu se britanikët spiunojnë edhe kundër Francës e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të perënimit, dhe përdorin mediat e ndryshme, e organizata si OKB-ja e OSBE-ja, si mbulese për agjentet e tyre.

Mashtrime apo fakte

Shërbimi sekret britanik MI6 është një nga më të mbyllurit në botë. Këtu punoi 39-vjeçari Riçard Tomlinson që nga 1991-shi deri më 1995, ku u caktua me misione të ndryshme në Rusi, Bosnje e Argjentinë. U pushua nga puna më 1995 dhe tani ndodhet në luftë me MI6-n. Ka kërkuar dëmshpërblim për largimin pa të drejtë nga puna, ndërkohë që shërbimi sekret ka provuar ta pengojë atë në nxjerrjen e librit të tij, i cili është botuar në anglisht, në një shtëpi botuese në Moskë. Libri mban titullin “Konflikti i madh – nga vula e fshehtësisë në qelinë e burgut” dhe mund të blihet përmes internetit në adresën: www.192.com. Firma shpërndarëse angleze atashon këtë paralajmërim për lexuesin:

“A është kjo histori e përshkruar nga autori e vërteta e jetës në MI6? Apo shërbimi rus e ka përpunuar historinë, siç supozon specialisti rus Oleg Gordievsky, një ish-oficer i lartë i KGB-së dhe njeri me njohje parësore për metodat e punës së MI6-s?”

Sipas raporteve të gazetave britanike, Riçard Tomlinson ka marrë nga shërbimi sekret rus rreth 35 000 stërlina për dorëshkrimin. Ai vetë, rri i heshtur në ekzilin e tij italian. MI6 ka sipas Tamilsonit 2300 të punësuar, ku rreth 3500 janë agjentë zbulimi.

Vetëm në vitin 1993 qeveria britanike pranoi zyrtarisht, se MI6-ta ekziston. Dhe në vitin 1994, u nxorr një ligj për shikimin nga një grup parlamentar të një pjese të buxhetit të shërbimit, por pa të drejtën e kontrollimit të operacioneve, apo dokumentave, ashtu si dhe nuk mund të merren në pyetje punonjësit.


MI6 – shërbimi sekret britanik
, që merret me çështje spiunazhi dhe agjenture jashtë Britanisë së Madhe, përdor dokumenta zyrtarë dhe pajisje të tjera relevante nga shtete të vogla si Danimarka, Austria e të tjera, për të maskuar punën që bëjnë agjentët e tij. Kështu spjegon në librin e tij kontroversial, ish-agjenti Riçard (Richard) Tomlinson, për kohën e tij si agjent i fshehtë dhe koleg i Xheims Bondit (James Bond).

Libri i tij i titulluar “Konflikti i madh – nga vula e fshehtësisë në qelinë e burgut”, i cili është publikuar në Moskë, përshkruan se si 39 vjeçari Riçard Tomlinson më 1992 merr një identitet fallso për të udhëtuar me mision në Rusi. Atij i duhet të paraqitet si britanik me emrin Aleks Hantli, i lindur në Argjentinë. Në këtë mënyrë ai pajiset me pasaportë, patentë makine, çertifikatë lindjeje, letrat e provimeve, kartat e kreditit, të gjitha fallso.

“Dosja ime e aktivitetit Hantli ishte e fryrë nga të dhëna të besueshme, – shkruan ai – por do kishte qenë ideale të kisha ndonjë dokument origjinal argjentinas. MI6 merr shpesh dokumente origjinale nga partnerë miqësorë si danezë e austriakë për ‘operacionet nën flamur fallso'”

Dhe më poshtë vazhdon: “Jam befasuar nga fakti se MI6 angazhohet në shërbime të përgjithshme edhe kundër aleatëve tanë. Seksioni i shërbimit për Evropën, UKB, që ka rreth 15 oficerë zbulimi dhe një shtab mbështetës, punon shumë ngushtë me CIA-n, të cilës i pëlqen ta përdorë MI6-n si urith në Evropë. Objektivi kryesor i UKB-së janë Gjermania dhe Franca. Në Gjermani, interesat kryesore të MI6-s janë të dhënat ekonomike, ndërsa për Francën ka objektiva tipikë të dhënat ushtarake dhe burimet e politikës së jashtme për shitje armësh, kapacitetin atomik dhe teknologjinë e armëve. UKB-ja përdor shpesh ‘operacionet nën flamur fallso’ në Evropë. Austria i dha para pak vitesh MI6-s një sasi pasaportash të zbrazëta, të cilat përdoren për t’u paraqitur si këshilltarë austriakë apo gazetarë, kur ata duan të kenë të dhëna nga gjermanët, të cilët u besojnë më shumë austriakëve se sa britanikëve.”

Riçard Tomlinson sqaron se: “MI6 luan akoma një rol të fuqishëm ndërmjet shërbimeve sekrete më të avancuara në botë, kështu që shërbime më të vogla nxitojnë që të ndihmojnë atje ku munden, pasi e dinë se mund të kërkojnë të njëjtën gjë një herë tjetër”. Riçard Tomlinson përshkruan për më tepër se si MI6 i përdor me mjaft zell identitetet e të tjerëve për agjentët e vet. Një redaktor gazete britanike jep dokumentet e nevojshme, kështu spiunët figurojnë si gazetarë frilans (freelance). Agjentë të tjerë përdorin dokumenta nga organizata evropiane e sigurimit OSBE, nga forcat mbrojtëse të OKB-së dhe kontrollorët ndërkombëtarë në Irak.

Djem të klasës së mesme

Karriera e spiunazhit të Riçard Tomlinsonit fillon që nga koha kur ai u rekrutua nga një profesor i juridikut në universitetin e Kembrixhit (Cambridge). Me 2 shtator 1991, ai filloi në MI6 me dëgjimin e një bisede të përpunuar të shefit Colin McColl, i cili konsideron Rusinë, Lindjen e Mesme dhe vendet e prapambetura Irani, Iraku dhe Libia si objektiva kryesorë, pasi ata mund të zotërojnë armë kimike, biologjike dhe atomike. Me CIA-n duhet të mbahet miqësi e mirë, pasi “amerikanët kanë burime teknike të pashtershme”.

Shokët e tij të grupit janë të gjithë “djem të bardhë të klasës së mesme”:

“Vetëm dhjetë për qind e agjentëve janë gra, nuk ka asnjë agjent zezak, vetëm njëri gjysëm aziatik. Nuk kishte asnjë të punësuar hendikapat, megjithëse kishte mjaft punë që përshtateshin”.

Agjentët e rinj mësohen të përdorin bojërat e fshehta, të cilat u zbuluan rastësisht nga MI6 në vitet 1980-të. Laboratori lau një mesazh të fshehtë nga një informator sovjetik, ku mënjanë mesazhit ndodhej një adresë e pasqyruar në rusisht: Një letër tjetër duhet t’ia ketë ngjitur kësaj! Agjentë në të gjithë botën u dërguan për të blerë stilolapsa dhe pas disa javësh u gjet ajo që pritej. Një mesazh i shkruar me stilolaps Pentel jep një shkrim të padukshëm nëse presohet një letër tjetër mbi të. Ky lloj shkrimi mund të lahet me një lëng tjetër të veçantë. Që nga ajo kohë të gjithë agjentët janë pajisur me stilolapsa Pentel dhe lëng larës, të kamufluar si Ralph Lauren Polo Sport – pas rroje (aftershave).

Truke të zgjuara

MI6 bën edhe truke me një fantazi të madhe: Psh. për të përgjuar një agjent rus në Portugali ishte e nevojshme të tërhiqej një tel nga çatia, përmes tubit të shkarkimit të ujit. Për të kryer punën MI6-ta trajnoi tre minj, të cilët duhej të lëshoheshin nga çatia me një kallam peshku dhe më pas ta tërhiqnin telin poshtë përmes sistemit të ujrave të zeza. Të dy, Micky (Miki) dhe Tricky (Triki) ia dalin t’i kryejnë provat me sukses, por i treti duhet të kthehet tek qendra e kërkimit për armë biologjike. Miki dhe Triki dërgohen për punën në Lisbonë me avionin e madh “Herkul” të shërbimit, pasi ata nuk munden të kalojnë ligjërisht përmes kufinjve.

Pas një përpjekjeje të dështuar për të rekrutuar një spiun në Beograd, në verën e vitit 1993, Tomlinsoni kthehet në Londër. Këtu ai merr vesh se një grup i të bardhëve nga Afrika e Jugut, do që ta hedhë Nelson Mandelën në erë me një bombë.

“Përpjekja për vrasje u parandalua dhe kjo i forcoi marrëdhëniet e MI6-s me presidentin Mandela. Shërbimi e takoi Mandelën për së pari kur ai ishte avokat i ri e ambicioz dhe anëtar i ANC-së (African National Council – Këshilli Nacional Afrikan) të sapokrijuar. Më 1990, pak kohë pasi ai u lirua nga burgimi pas 27 vjetësh në Robben Island, Mandela bashkë me të shoqen Winnie bënë një vizitë të fshehtë në Angli. Ata kishin qenë në një vizitë zyrtare në Francë dhe u transportuan me helikopterin e shërbimit sekret në një vend në Kent, për një takim një ditor me MI6-n. Ndihma miqësore shumë vjeçare e shërbimit sekret, kishte dhënë lehtësira në pranimin nga Mandela. Pasi ai u zgjodh president, njeriu i shërbimit në Pretoria, njëri prej posteve më të rëndësishëm në MI6, kishte influencë më të madhe në qeverinë afrikano-jugore se sa vetë ambasadori britanik”.

Vrasje për Millosheviçin

Riçard Tomlinson e lidh MI6-n me shumë emra të njohur. Ai tregon ndërmjet tjerash se më 1993 kishte plane për vrasjen e udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç: Vrasja do mund të justifikohej nga “planet e Millosheviçit për Serbinë e Madhe, ndihmën e tij të paligjshme për Radovan Karaxhiçin dhe planet e tij për shpërngulje etnike të popullsisë shqiptare të Kosovës.” – shkruan Tomlinsoni.

Ka disa variante për kryerjen e atentatit. Një trupë e defektuar gjysmë-militare serbe, duhet të përgatitet për të bërë vrasjen, kështu që britanikët mund t’i largohen çdo lloj përgjegjësie. Plani i dytë ishte përdorimi i trupave të mbrojtjes angleze për ta vrarë atë me një bombë apo snajper. Vlerësohet si më efektivi por edhe me rrezik të madh për t’u zbuluar. Mundësia e tretë, ishte aksidenti i trafikut, kur Millosheviçi të gjendej jashtë shteti, psh. për bisedime paqeje në Gjenevë. Një aksident në një tunel do ishte perfekt, për arsye se ka pak dëshmitarë dhe mundësi të madhe për të qenë vdekje-prurëse. Siç dihet, asnjë prej planeve nuk u zbatua, por Tomlinsoni nuk e di përsenë.

Ai flet edhe për një aksident tjetër tuneli – por pa bërë aludime. Ai trajton çështjen, ku një trafikant armësh blen një autoblindë flakë të re ruse dhe ua shet atë britanikëve. Në këtë rast del në pah shefi i sigurisë së hotelit Ritz ë Paris, i cili është agjent i paguar i MI6-s. Sipas Tomlinsonit, është pikërisht Henri Poul, ai i cili pesë vjet më vonë aksidenton për vdekje vetveten, princeshë Dianën dhe Dodi Al Fayedin në një tunel në Paris.

Në verën e vitit 1994, Tomlinsoni ndodhet përsëri në Londër. Këtu ai punon nën mbulesë si inxhinier kimik, pasi ai do që të penetrojë në një grup, i cili është duke blerë kimikate dhe pajisje fablike kimike për Iranin, i cili donte të zhvillonte armë kimike si gaz sennepi dhe gaz nervor sarin. Por në mes të infiltrimit, Tomlinsoni thirret nga seksioni i personelit dhe pushohet nga puna – pa një sqarim të qartë.

Sipas tij, kjo ishte gabim. Prandaj ai kërkon ta nxjerrë MI6-n para gjyqit të punës për të marrë dëmshpërblim, por kjo kundërshtohet nga shërbimi sekret, pasi kjo mund të “dëmtojë sigurinë kombëtare”. Tomlinsoni i thotë jo marrëveshjes dhe ofertës së punës në një bankë në London city – gjë e cila është përndryshe një mënyrë e zakonshme progresive për agjentët e mëparshëm.

Në vend të kësaj, ai fillon më 1996 të nxjerrë histori në shtyp dhe bën gati gjithashtu dorëshkrimin e librit. MI6-ta i ofron atij një hua prej 15 000 stërlinash, dhe një punë, nëse ai mbyll gojën, u jep atyre kompjuterin me dorëshkrimin dhe për më tepër i dorëzon të drejtat e gjithë asaj, që ai ka ndërmend ta bëjë publike për MI6-n. Tomlinsoni e ndjen veten të detyruar të pranojë, por pas pak kohësh ai e thyen marrëveshjen.

Kjo është njëkohësisht edhe thyerje e sekretit profesional, për të cilin ai kishte nënshkruar kur u pranua në shërbimin sekret. Dënohet me një vit burg dhe lirohet me 1 maj 1998. Pastaj ai e lë Britaninë e Madhe dhe përpiqet ta botojë librin jashtë shteti. Ai udhëton për në Francë, Japoni, Zelandë të Re, ku edhe ka lindur, Singapor, Bangkok, SHBA, Zvicërr, Gjermani dhe Itali.

Tomlinsoni thotë se agjentët britanikë e kanë ndjekur nga pas gjithëandej. Kanë marrë ndihmë nga shërbime sekrete franceze, gjermane e italiane për t’ia kontrolluar banesat e ndryshme dhe për t’ia konfiskuar dokumentet e kompjuterin. Kalojnë dy vjet derisa spiuni i inatosur gjen një shtypshkronjë në Moskë, e cila tashmë ka botuar librin. Gazeta britanike “The Times” ka plane për të botuar pjesë nga libri për kohën e Tomlinsonit në MI6. Për këtë arsye, gazeta paditet në gjyq nga MI6-ta, e cila presupozon se publikimi mund të përbëjë thyerje të ligjit për të dhënat e besueshme të shtetit. Por kjo nuk u pranua nga gjyqtari kohëve të fundit. Arsyetimi i tij është se libri do mund të dalë megjithatë në internet dhe në këtë mënyrë, të dhënat mund të merren nga kushdo.

Sidoqoftë, do jetë një shikim i pazakontë për njërin prej shërbimeve më të padepërtueshme në botë – nëse natyrisht fjalët e librit do besohen.

Përgatiti: Arben Çokaj, Kopenhagë – 17.03.2001.

Publikuar:
Politiken – gazetë daneze

Artikulli i mësipërm u botua edhe në gazetën TemA, Tiranë

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu