“Rrëfej si funksionon pushteti në Shkodër”

0
1084
Jozefina Topalli - poster

Arben Çokaj - pass photo Bisedoi Arben Rrozhani, 14.05.2009

Bisedë me Arben Çokaj

/ Student i dhjetorit ‘90-të, tashmë gjysmë i paralizuar, i diplomuar për fizikë dhe me pasaportë daneze: “Në Shkodër duhet të jesh i klanit “Topalli”, që të mund të jetosh normalisht…”

Arben Çokaj, 39 vjeç, i diplomuar për fizikë, është shtetas danez prej vitit 2001. Është larguar nga Shqipëria në vitin 1993 dhe ka punuar disa vjet si mësues informatike në Kopenhagë.

Ka shkruar shkrime në shtypin danez për çështjet e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni, në organe si, “Politiken”, etj. Shkruan shkrime dhe analiza të ndryshme për shtypin shqiptar, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Jam student i dhjetorit ‘90-të dhe koha më dha mundësinë të njihem me një pjesë të madhe të atyre që morën pjesë në ato ngjarje, gazetarë e politikanë.

Disa muaj pas Lëvizjes së Dhjetorit, themeluam Unionin Studentor, një organizatë e pavarur studentore, që kishte synim të mbronte interesat e studentëve, ku kam qenë nënkryetar. Prej themelimit të PD-së, kam qenë anëtar dhe mbështetës i saj, – tregon në një bisedë ne redaksinë e Shekullit, z. Çokaj.

“Pas marrjes së pushtetit nga PD-ja, në mars 1992, jam ndeshur me disa fenomene të pakëndshme, të luftës brenda llojit, siç duket, të cilat më detyruan të largohem nga vendi. Në shtator 1993 shkova në Danimarkë, ku dhe kërkova azil politik. Fitova të drejtë pas 20 muajsh. Atje jam marrë me veprimtari politike të shqiptarëve dhe kam shkruar në mbështetje të tyre.

Kam aspiruar të bëhem anëtar i partisë së qendrës së djathtë daneze, “Venstre”, që deri vonë u drejtua nga Anders Fogh Rasmussen, i cili më pati ftuar të bëhesha pjesë e partisë së tij. Ka raste kur të huajt e integruar mirë zgjidhen edhe në Parlamentin danez.

Pas një aksidenti automobilistik në qendër të Kopenhagës, u detyrova të largohem nga puna, nga universiteti i Kopenhagës, ku studioja matematikë dhe fizikë, dhe më pas edhe nga Danimarka. Tani merrem me investime private dhe me shkrime publicistike, – rrëfen ai.

Z. Çokaj, angazhimi juaj i fundit politik ishte pjesëmarrja në fushatën elektorale të korrikut 2005…

Ndodhesha në Gjermani, kur në bisedë telefonike me Besnik Çobaj, vëllanë e kandidatit për deputet të zonës 3, Ramiz Çobaj, ai më kërkoi që të shkoj në Shqipëri për të ndihmuar Ramizin në menaxhimin e fushatës.

Kur erdha në Shkodër, u takova me Ramizin. Në fushatë mbulova sektorin e medias, përgatitjen e platformës elektorale dhe fjalimeve të kandidatit, si dhe kontrollova databazën për dublime në listat e votuesve dhe përgatita gjithashtu një ftesë të veçantë për çdo votues.

Kryetar i Komisionit Zonal Zgjedhor ishte një student tjetër i dhjetorit, Gjelosh Prendi, pjesëmarrës në grevën e urisë, në shkurt 1991. Ai u bë më pas Drejtor i Policisë Ndërtimore në Shkodër, por që më vonë u largua nga puna nga znj.Topalli, e cila ia dha këtë post Arben Gurit me lidhje familjare.

Unë aplikova për postin e ambasadorit në Danimarkë, meqë atë vend e njihja më mirë. I propozova Ministrisë së Jashtme se, nëse më emëronin, do të përpiqesha, falë lidhjeve që kam, të krijoja një lob të politikanëve të djathtë danezë, në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE. Por kjo nuk u bë e mundur, pasi ky pozicion u zu nga një tjetër, në mënyrën standarde të punësimit në administratën tonë.

Përmendët emra dhe emërime në bazë lidhjesh familjare… Si person që keni qenë brenda strukturave të PD-së në Shkodër, mund të dëshmoni si funksionojnë emërimet?

Po marr një shembull. Gjatë fillimit të mandatit të dytë të PD-së, në bashkëpunim me këshilltarin e Berishës për teknologjinë e informacionit, Pjerin Marku, dhe me zv.ministrin e Brendshëm, Gent Strazimiri, dizenjova faqen zyrtare on-line të PD-së.

Në biseda me z. Marku, unë i shtrova idenë e krijimit të një standardi për të gjithë punonjësit e administratës për njohuritë bazë në kompjuter, një standard evropian i Patentës së Kompjuterit, ECDL. Ideja ishte në krijimin e një qendre testimi, e licencuar nga zyra përkatëse e ECDL-së në BE, gjë që nuk u bë e mundur, thjesht për konkurencë banale.

Më pas shihja se përpjekjet për t’u punësuar në administratë nuk jepnin rezultat. Në biseda me miq dhe kolegë kuptova se personi që bllokonte këdo, që dyshonte se mund ta hijezojë sado pak në Shkodër, ishte pikërisht znj. Topalli.

Jo vetëm kaq. Znj. Topalli përdor organet e sigurisë kombëtare, Policinë e Shtetit, militantë të PD-së, etj., për të kryer veprime të dëmshme kundrejt konkurrentëve, kritikëve dhe kundërshtarëve të saj, veprime këto që janë të dënueshme ligjërisht.

Në një shtet ligjor, këto dukuri nuk ndodhin, atëherë pse lejohen këto në Shqipëri? Kush ka të drejtë të dalë mbi ligjin këtu?

Ku i mbështetni këto akuza?

Kam raste personale. E akuzoj znj. Topalli se është e implikuar direkt në veprime të kundërligjshme ndaj meje personalisht dhe të afërmve të mi.

Shkurtimisht po përmend dy raste, që ndokujt që nuk e dinë si funksionojnë gjërat në Shkodër, mund t’i duken edhe të ekzagjeruara. Por është e vërteta, të cilën unë mund ta provoj dhe do t’i shkoj deri në fund.

Arritën deri aty sa bllokuan fejesën e vëllait tim mjek me një vajzë në Shkodër, prindërit e së cilës janë të punësuar në administratë. Policia është implikuar në këtë lojë, prindërit e saj janë të kërcënuar me humbjen e punës.

Pavarësisht se e kontaktova me sms zonjën Topalli, ngjarja u ndërlikua edhe më shumë, sa që ka dëmtuar rëndë reputacionin e vajzës dhe vëllai im është sulmuar fizikisht. Çështja është në gjyq, pasi prokuroria nuk deshi ta shqyrtonte.

Rasti i dytë është pak ditë më parë, ku kumbari i znj. Topalli, Agron Guri, në cilësinë e Shefit të Qarkullimit Rrugor, rrëmben makinën time nga parkimi i një hoteli në mënyrë arrogante dhe pa asnjë arsyetim të qartë ligjor, e detyron vëllanë tim ta parkojë makinën në Komisariatin e Policisë së Shkodrës.

Si shtetas danez jam në bisedë me Ambasadën Daneze në Tiranë, që makina të merret përmes një komisioni profesional ekspertize. Kam dyshime që e kanë marrë për qëllime të tjera. Çështjen e kam kallëzuar penalisht në prokurori.

Znj. Topalli përdor metoda përndjekëse. Po përmend një rast për të ndjerin Pjetër Arbnori. Njerëz që kanë marrë pjesë në fushatën e tij, më kanë treguar se Arbnori i fitoi votat, megjithëse e çuan, për ta djegur në 2005-ën, në Malësinë e Madhe, por votat u manipuluan.

Komisionerët e PD-së nuk pranuan ta firmosin procesverbalin dhe u larguan për në Mal të Zi. Znj. Topalli thërret në telefon kryetarin aktual të PD-së, në Malësi të Madhe, Fredi Sterkaj dhe i thotë që të kthehet e të firmosë procesverbalin, pra të pranojë humbjen e manipuluar të Arbnorit.

Arbnori ishte përfaqësues jo vetëm i demokratëve, por edhe i katolikëve shkodranë dhe në këtë kontekst, Topalli donte t’i zinte vendin, ashtu siç edhe bëri. Në këtë mes, ajo nuk mund të ishte vetëm, sepse kishte edhe mbështetjen e Berishës.

Një rast banal gjatë fushatës së korrikut 2005, për të ilustruar veprimet e ulëta kundrejt konkurrentëve apo kritikëve të saj, është fakti se i kërkohet asaj që të shkojë të ndihmojë Arbnorin në fushatë dhe ajo shprehet tekstualisht: “Nuk shkoj ta ndihmoj atë pshurran!“.

Gjatë fushatës fuste njerëz që t’i hidhnin ujë z. Arbnori nën karrigen ku rrinte, dhe më pas hapnin fjalë se “Pjetri e ka bërë në brekë, a mund t’i përfaqësonte një njeri i tillë malësorët..?” Metoda kaq poshtëruese dhe injoruese përdorin dhe unë çuditem se pse i tolerojmë.

Pse mendoni se ju sulmojnë apo përpiqen t’ju dëmtojnë?

Unë jam ekspozuar në publik gjatë kësaj kohe, në fillim me shkrime sugjeruese për sistemin e shëndetësisë, për KESH-in, kartat e identitetit, databazën qendrore të regjistrit themeltar të popullsisë, etj.

Më pas, me shkrime kritike kundrejt keqqeverisjes lokale apo qendrore, për rrugë që nuk bëheshin edhe pse fondet ishin dhënë dhe shkrime kritike kundrejt përfaqësuesve politikë, që nuk e kryejnë punën siç duhej, duke përfshirë edhe Berishën dhe Topallin.

Ju vazhdoni të jeni anëtar dhe mbështetës i PD-së. Një gjykim se çfarë përfaqëson sot PD-ja në Shkodër?

Unë jam anëtar i PD-së, por nuk jam mbështetës i këtij ekipi politik, që drejton sot. E ka përqendruar pushtetin në pak duar dhe pjesën tjetër e ka mbushur me njerëz injorantë. Në kontakte me Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, unë i përmenda atij PD-në, që do të sillte “kohën për ndryshim”. Ai m’u përgjigj thjesht: “Kush është PD-ja?”. A ka pyetje-përgjigje më të thjeshtë, për të kuptuar se kush është sot PD-ja?

Megjithatë, PD-ja ka bërë për Shkodrën gjatë këtyre tre viteve më shumë se asnjë qeveri e mëparshme…

Në Shkodër është bërë diçka, por jo aq sa duhet, krahasuar me qytetet e tjera. Investimet kanë ardhur në Shkodër, më tepër se në qeverisjet e kaluara, sepse marrin pjesën e tyre. Por meqë kjo është bërë e modës në Shqipëri, duhet të shohim anën pozitive të çdo investimi.

Është një rrugë, që lidh Shkodrën me Malin e Zi, rruga Shkodër-Hani i Hotit. Qeveria italiane ka dhënë një fond para 10 vitesh, prej 22 milionë eurosh, dhe ky nuk është shfrytëzuar.

U prit që kjo qeverisje e ndryshimit të bënte ndryshim, por kjo nuk ndodhi ashtu siç pritej, dhe sot PD-ja duhet të dalë para banorëve të zonës e të premtojë përsëri se do ta bëjë këtë rrugë, siç premtuan herën e fundit. Për mua kjo nuk është politika e fjalës së mbajtur dhe premtimit të dhënë.

Nëse zonja Topalli dëshiron të tregojë pushtetin e saj politik, ajo bën mirë të fokusohet në punët politike që u japin njerëzve zhvillim, vende pune dhe një jetë më të mirë dhe jo të merret me punë të pista kundrejt njerëzve që ngrenë zërin për ta parë Shqipërinë ndryshe dhe europiane. Unë jam i integruar në Evropë për vete, dhe nuk kam komplekse në kërkesën time për ta parë Shqipërinë atje.

Sa optimist je për fitoren e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit?

Politikisht unë nuk duhet ta pranoj se PD-ja duhet të humbë zgjedhjet (pavarësisht se rotacioni e shëron një parti nga defektet), sepse jam anëtar i saj, por fatkeqësisht PD-ja është kapur peng nga disa drejtues thuajse të çekuilibruar mendërisht.

Mjerimi i zotit Berisha apo zonjës Topalli shihet pikërisht në veprimet që ata bëjnë. Asnjë qytetar i thjesht nuk e çon nëpër mend, që zonja Topalli, me gjithë këtë angazhim politik, ka kohë të merret edhe me makinën time. Por ja që merret.

Pak muaj para Gërdecit, unë e kam pranuar në ndërgjegjen time, se qeverisja e PD-së po shkon në rrugë të gabuar. Gërdeci ishte “kufoma në ngarkesë” për PD-në. Pas kësaj tragjedie, unë e kam quajtur veten me fat që nuk isha pjesë e administratës qeverisëse, se po të kisha qenë, do të kisha lënë punën. Unë këtë e quaj moral politik. Në atë kohë, Berisha duhet të kishte ikur, për t’ia lënë vendin një tjetri në PD dhe atëherë ne mund të pretendonim për një mandat të dytë.

Por kapja e Berishës si mastiç pas pushtetit, tregon në fakt se Berisha vetë është i kapur. Do të ishte me fat për të dhe për vendin, që ai të ikte, me votën e lirë të zgjedhësve, përderisa nuk mundet të ikë vetë. Kjo do ta shpëtonte Berishën – njeri.


Takim me konsullin danez në Tiranë, Arne Lauritsen

Lidhur me incidentin me makinën e tij, bërë present edhe në faqet e kronikës policore, Çokaj, thotë: “Dje në mëngjes u takova me konsullin danez, të cilit i sqarova situatën. Ai pati vështirësi në kuptimin e dinamikës së ngjarjeve, që kanë ndodhur prej datës 9 maj 2009. Por pranoi me mirësi që të kontaktonte me kreun e policisë së Shkodrës.

Në bisedën me drejtorin e policisë së Qarkut të Shkodrës, Vullnet Topalli, ai e pyeti në lidhje me ngjarjen dhe sqarimi rezultoi në përgjigjen se: “Policia e ka marrë makinën time, pasi vëllai im nuk paska patur një autorizim nga unë për drejtimin e automjetit”.

Ky argument nuk qëndron, pasi vëllai është i autorizuar t’i japë automjetit dhe është drejtuesi i vetëm i tij, sepse e kam të vështirë t’i jap makinës. Vëllai ka edhe emrin të shënuar në letrat për sigurimin e makinës në Gjermani…”

“Konsulli u shpreh se nuk mund të hynte më thellë në këtë çështje, sepse është kompetencë e autoriteteve shqiptare, por do të ishte në kontakt gjer në zgjidhjen e saj. Ai më siguroi se nuk do t’i ndodhte asgjë e keqe makinës, sepse ai është vetë ndërmjetës për këtë rast., – thotë Arbeni, duke shtuar:

“Deri edhe në Frankfurt kam një kartë taksie, për të udhëtuar falas me taksi, kurse policia shqiptare bën manovra, duke u tallur me gjendjen time fizike dhe më bllokon makinën…”. Arben Çokaj është gjysëm i paralizuar, pas një aksidenti trafiku 10 vjet më parë.

Botuar në: Shekulli, 14.05.2009.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu