Dritë-hijet e një takimi të imponuar

0
1069

Arben Çokaj, 9 tetor 2003

Autoritetet ndërkombëtare të UNMIK-ut, ashtu edhe të tjerë, citohen të kenë thënë jo vetëm një herë se: “Statusi i Kosovës nuk përcaktohet as në Prishtinë dhe as në Beograd”. Politikanët kosovarë i lejojnë vetes ta hanë këtë gënjeshtër, pasi nuk duan t’i sforcojnë marrëdhëniet e tyre me faktorët ndërkombëtarë, të cilët në fakt i kanë në dorë të gjitha levat e pushtetit në Kosovë. Suksesi apo dështimi institucional në Kosovë varen kryekëput nga ndërkombëtarët, të cilët nuk përtojnë edhe të fyejnë hapur, duke i konsideruar institucionet vendase të shqiptarëve si “të përkohëshme”. Ky koncept i “përkohëshmërisë”, na detyron ndoshta t’i analizojmë gjërat që nga fillimi, për të parë me një sy tjetër, atë që mund të quhet “projekti i viktimizimit të Kosovës”.

Kryeadministratori i ri i Kosovës, Holkeri i lejon vetes të sillet me arrogancë, sepse sipas tij, shqiptarët e Kosovës duhet të tremben, në mënyrë që ata të detyrohen të pranojnë diçka, jashtë dëshirës së tyre. Fatkeqësisht, ndërkombëtarët duket se kanë përvetësuar mjaft nuanca psikologjike nga konceptet brutale të Millosheviçit: “kosovarët i rrahim me shuplaka”, e cila veç tjerash do të thotë se kosovarëve ua kemi “ngrënë zemrën”.

Duke qenë se Kosova ka pësuar dhunë sistematike për dekada me radhë nga pushtuesit serbë, shoqërisë kosovare i lejohet sot të ketë rrënoja të një ndrojtjeje natyrale nga dhuna e kujdo qoftë, dhe nuk është çudi, se elementi dhunë mund të japë rezultat në shumë raste, për të arritur diçka, e kjo jo vetëm në Kosovë. Por edhe në Gjermani. Psh. kancelari Shrëder i kërcënon anëtarët “rebelë” të partisë së tij, se nëse nuk i bashkohen qëllimit të tij, ata do të “luajnë me zjarrin”. Është mirë që shoqëria kosovare të shohë pak më larg se sa veten e saj, që të kuptojë se si ndërvaren punët në këtë rruzullin tonë të vogël… Nganjëherë, jo gjithçka është aq demokratike, sa ç’propogandohet!

Për t’ia mbushur mendjen politikanëve kosovarë, që të marrin pjesë në një takim të paqartë, ndërkombëtarët përdorin edhe “miqtë e mëdhenj” të Kosovës, Hollbruk dhe Kushner, të cilët nga respekti i madh për Kosovën, u tregojnë kosovarëve se duhet të ndalojnë krimet kundrejt minoritetit serb, që të fitojnë pavarësinë. Ndonëse shkalla e vrasjeve në Kosovë është më e ulët se në kufirin shqiptaro-grek, e askush nuk e thotë një fjale kritike kundrejt Greqisë, për të mos përmendur këtu rastin e Stokholmit, ku u ça me thikë nga një serb ministrja e jashtme e Suedisë, apo rastin e vrasjes të ish-kryeministrit serb Xhinçiç. Këto janë të pranueshme të gjitha, vetëm në Kosovë nuk duhet të ketë krime, se përndryshe… nuk ka pavarësi!

Askush nuk ia bën të mirë kancelarit gjerman kërcënimet e tij, aq më tepër kërcënimet e Holkerit në Kosovë. Holkeri thotë: “Bisedimet do të bëhen, do apo s’do faktori politik shqiptar”. Atëherë, shko ti mor zoti kryeadministrator në bisedime, meqë të ka marrë malli, pse po mundohesh t’iu imponohesh shqiptarëve, të cilët nuk presin ndonjë të mirë nga ish-pushtuesit e tyre serbë?!…

Por kryeadministratori u bën ftesa partive politike kosovare, që të përfaqësohen në takimin me serbët (se takimi duhet të jetë shqiptaro-serb, e jo findlandezo-serb), të cilin duket se e kanë caktuar diku në mes të këtij muaji. Nga ana tjetër, ndërkombëtarët fillojnë sanksionet irrituese kundrejt privatizimeve në Kosovë. Dhe në mënyrë paradoksale, politikanëve kosovarë u komunikohet se, nuk ka rëndësi nëse ju merrni pjesë apo jo, bisedimet do të bëhen! Kjo do të thotë, me fjalë tjera se, shqiptarët e Kosovës nuk do të pyeten as për rezultatin e këtyre bisedimeve “teknike”, përderisa nuk paska rëndësi fare, nëse ata shkojnë në takim, apo jo.

Kundërshtarët e Gerdit (kështu e thirrin kancelarin gjerman me përkëdheli) këtu në Gjermani, kanë filluar të mos tremben nga kërcënimet e kancelarit, pasi ato kanë qenë të përsëritshme dhe njerëzit kanë filluar të mësohen me to. Gjermanët kanë filluar edhe të kuptojnë se, sistemi gjerman i barazisë sociale, i propoganduar për vite me radhë si i suksesshëm, ka filluar të çalojë tepër keq nga korrupsioni i përgjithshëm dhe mungesa e parave, saqë duhet të ndreqet. Sistemi duhet ndryshuar, se po i bën gjermanët dembela dhe po e shkatërron ekonominë gjermane!

Kështu ka mundësi të ndodhë edhe në Kosovë. Kosovarët ka kohë që kanë filluar të mos i tremben serbëve, dhe ka shumë gjasa se ata do të fillojnë gradualisht të mos i tremben as arrogancës (ndonjëherë administrative) të ndërkombëtarëve. Politikanët kosovarë, si përfaqësues të popullit të Kosovës, secili në mënyrën e tij, kanë filluar të bëjnë politikë. Ata e kuptojnë se një ofertë imponuese e ndërkombëtarëve, nuk bëhet për të mirën e Kosovës dhe pavarësisë së saj. Por si duhet të veprojnë atëherë?

Konkretisht, ndërkombëtarët kanë filluar qëllimisht ta ulin gradualisht vlerën e aksioneve politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare, përderisa komentohet se Kosova nuk ka naftë dhe si e tillë, nuk mund të jetë as në shkallën e dytë të prioriteteve të administratës së Bushit. Pra, Kosovës ia hoqën gradualisht mbëshetësin e saj kryesor: administratën amerikane. Njëkohësisht flitet edhe për rritje të interesimit të Rusisë në Ballkan, ndonëse ajo nuk ka as para që t’i mbajë forcat ushtarake atje. (Po një kockë duhet ta lëpijë edhe Rusia, apo jo?!)

Qeveria serbe, ndonëse e re, të mahnit me akrobacinë e saj politike. Ajo ka filluar shumë shpejt të rrisë vlerën e aksioneve ndërkombëtare, sidomos duke i bërë qejfin Bushit, se do të dërgojnë 1000 ushtarë në Afganistan. Kur qeveria shqiptare vendosi të dërgojë vetëm 70 ushtarakë në Irak, ajo u ndesh me kritika edhe nga disa ithtarë e komentatorë evropianistë në Tiranë. Mandje, mendimi i njërit shkoi deri aty, saqë harroi ndihmën amerikane në Kosovë dhe po kërkonte të gjente një arsye pse qeveria shqiptare po tregohej kaq e zellshme. E pra, kësaj i thonë politikë!

Qeveria serbe, vë 1000 ushtarë në dispozicion të “paqes” ndërkombëtare, dhe në të njëjtën kohë, kryeministri Zhivkoviç deklaron se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet në rrugë militare, se ajo u provua, dhe nuk dha rezultat. Pas vrasjes së Xhinçiqit, qeveria serbe ka ndryshuar strategji bashkë me ariun polar rus, dhe po paraqiten sot më paqësorë se kurrë. Por si gjithmonë, qëllimi i dominancës është i njëjtë, dhe qëllimi në shumë raste justifikon edhe mjetin…

Ndërsa në rracën e politikanëve dhe gazetarëve shqiptarë gjen edhe prej atyre, që mendojnë se Rugova duhet të kritikohet patjetër. Kasnecët shqiptarë, si dorë e zgjatur e “të panjohurës”, duhet t’i nxjerrin punë presidentit Rugova, se ai ka pak dhe nuk po di se çfarë po flet.(!) Rugova sipas tyre është bërë megafon. Ai kërkon gjithmonë dhe në çdo takim ndërkombëtar vetëm një gjë: Pavarësinë e Kosovës. Për këtë, Rugova duhet të kritikohet… gjithnjë sipas logjikës së tyre të shitur.

Fill pas njohjes së Kosovës si pjesë e pandashme e Serbisë nga parlamenti serb, aksionin anti-Rugovë e filloi botuesi kosovar Veton Surroi. Ai filloi t’i tregonte lexuesve të gazetës “Shekulli”, se Rugova nuk është perëndi, dhe se ai është njeri si gjithë të tjerët. Madje Rugovës i ka ikur koha, se ai shkon edhe në plazh dhe ha edhe pjepra – pra ai ka sekrete, që njerëzit duhet t’i dinë, apo jo?!

Inteligjenca e Surroit nuk mund të injorohet. Ai e kapi situatën menjëherë nga reagimi që iu bë shkrimit të tij, por sulmi anti-Rugovë vazhdon me mjete të njëjta në faqet e gazetës së tij. Në një vërejtje nga Londra, gazetari në rritje, Adriatik Kelmendi, kërkonte që Rugova të kritikohet, pa dhënë arsye pse! Sipas tij, Rugova si kreu politik më i lartë i Kosovës duhet patjetër të kritikohet – pra lufta politike në Kosovë duhet të fillojë tani, me të gjitha mjetet, në vend që kosovarët ta shohin Dr. Rugovën si lider të tyre, madje edhe ta mitizojnë atë, derisa të arrijnë Pavarësinë e Kosovës.

Po këtu qëndron i gjithë problemi i kësaj çështjeje: tek Pavarësia! Për të vjedhur një ide, ose më mirë, për të futur një shkop në rrotë të LDK-së dhe politikës së saj, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) ka kërkuar me kohë, që parlamenti i Kosovës të shpallë pavarësinë, pasi baroti i ndezur për bashkim kombëtar, i kërkuar nga LPK deri tani, ka filluar të laget. Dhe meqë LPK fabrikon dëshira të porositura nga kuzhinat që dihen, logjika e tyre është: “Duhet kapur një ide e fortë, në mënyrë që ajo të blasfemohet!” Të blasfemohet gjithashtu, me të gjitha mjetet, edhe mbartësi i kësaj ideje, saqë pavarësia e Kosovës t’u bëhet bajate të gjithë kosovarëve – ky duhet të jetë qëllimi i tyre.

Një ide e vjedhur nga një krah i dyshimtë politik, mjafton për të bllokuar arsyen e shëndoshë të LDK-së, pasi politika varet nga njerëzit, dhe mesazhi që një politikan a parti politike përçon tek këta njerëz. Në këtë rast, në njërën anë, i njëjti krah politik e përqesh Rugovën për megafon, se nuk di gjë tjetër veç të përsërisë “Pavarësia, Pavarësia”, dhe nga ana tjetër, një grup politik i po të njëjtit krah, hidhet e kërkon shpalljen e pavarësisë nga parlamenti i Kosovës, në mënyrë që të bllokojë veprimin institucional, që duhet të marrë presidenti i Kosovës. Goditje në multi-plan jo paqëllim.

Dhe nuk vonon shumë. Në të njëjtin kanal politik, shpëtimtari i Kosovës, ai që po shkrin edhe jetën e karrierën e tij politike për kauzën e Kosovës, ish-presidenti shqiptar Meidani, i cili duket se e ka mirë me rusët, po del në dritë si hero kombëtar. Ai kërkon (vetëm kërkesë) që Kosova të mos kthehet nën Serbi, pasi kjo do të destabilizonte rajonin dhe nuk përton t’i bëjë qejfin vetes (për të gënjyer të tjeret) se roli i shqiptarëve në Ballkan po rritet. Kjo deklaratë e fundit e ish-presidentit shqiptar, duket se është më e fortë se refuzimi i Majkos për të shkuar në takim me homologun serb, pasi Serbia do miratonte ‘kushtetutën e konfliktit’. Madje edhe kryeministri Nano ka dëshirë ta thejë akullin, e të shkojë për një drekë në Prizren… para se Berisha të shkojë në Kosovë. Siç shihet, janë vënë të gjithë në garë, për të marrë merita në emër të Kosovës…

Nëse Kosova bëhet e pavarur, ata do të jenë heronjtë e saj, dhe nëse Kosova nuk mund të bëhet e pavarur, siç dedukton edhe ish-presidenti me kërkesën e tij, ateherë përsëri ata do të thonë se bënë të pamundurën. Po kush po thotë se Kosova duhet të kthehet nën Serbi? Jo, askush veç serbëve… dhe një takimi në Vjenë për çështje “teknike”, i cili siç po shihet ka gjasa të sjellë mjaft të papritura. Dhe ish-presidenti shqiptar Meidani ka nuhatje të thellë; ai e ka mirë me rusët. Pse duhet që ish-presidenti shqiptar të merret me një ide serbe për Kosovën, e jo me një ide shqiptare?! Kësaj parandjenje nuk i dihet burimi… apo jo?!

Më duket se gjithçka i ngjan një zgjuarsie pas kuvendit. Ndërsa qeveria serbe ka mundur të fitojë pikë në arenën ndërkombetare, duke u “demokratizuar” edhe në drejtim të Kosovës dhe duke u “liberalizuar” deri në atë shkallë, sa kryeministri serb shprehet se as nuk ka nevojë të dërgojë trupa në Kosovë, pasi me rrugë militare nuk zgjidhen punët. Qeveria serbe po punon që të krijojë kushte për të hyrë në Kosovë ushtarakisht vetëm si forcë paqësore, atëherë kur roli i saj atje të kërkohet. Dhe këtë gjë po e bën duke fituar zemrat e ndërkombëtarëve…

Idenë e parë e hodhi gjenerali italian i KFOR-it, Fabio Mini, dhe natyrisht që po punohet aktivisht për denigrimin dhe shmangien e personalitetit numër një të Kosovës nga skena, që rruga e Kosovës për në Serbi të shtrohet në “trëndafila”, aroma e të cilëve do të qelbë edhe vetë ndërkombëtarët.

Shqiptaret janë mësuar me pabesitë e serbëve – kjo është edhe arsyeja pse ata nuk dëshirojnë të njollosin veten, duke marrë pjesë në një takim, që mban erë. Shqiptarët kanë dekada që nuk dinë të merren vesh me serbët, se shqiptaret duan lirinë e tyre, ndërsa serbët ofrojnë nënshtrimin. Ndërkombëtarët konformistë dhe pa ideale në ketë rast, nuk dëshirojnë t’ua prishin qejfin serbëve, por duan t’i lënë palët të merren vesh, pa krijuar kushte të barabarta për një gjë të tillë.

Dërguar për: QIK – opinione, Gazeta “Bota Sot“, “Illyria“, “Shekulli“, “TemA“.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu